Arben Rrozhani, 19.12.2009
Nëse protestuesit do ta dinin se çfarë ka bërë si ish-president dhe kryeministër, do ta kishin marrë përpara te “Bela Center”. Nëse ata që e duartrokisnin dje, për shkak të paditurisë, kur mashtronte me vendin e tij dhe rolin që ka luajtur me vendin këto dy dekadat e fundit, do t’ia merrnin vesh bëmat, do ta gjuanin nga vendet e tyre drejt e në foltoren ky eksportonte mashtrimet e tij të përhershme dhe për çdo gjë që (nuk) ka bërë.
Nëse ka një armik ende në Samitin më të madh të klimës në Kopenhagë, sigurisht, jo duke e matur me madhësinë e vendit, as me përqindje globale të emetimit të gazrave karbonikë, por me precedentin kriminal që ka bërë për banorët dhe vendin e tij, ky është kryeministri Sali Berisha.
Dy dekadat e fundit kanë nisur dhe vazhdojnë me batërdinë që është bërë në Shqipërinë e vogël, nga regjimet që ai ka drejtuar në këtë vend të quajtur perla e Adriatikut, që është një ndër vendet më të ndotura dhe që dalëngadalë po kthehet në një kazan mbeturinash për vendet fqinje të industrializuara.
Në mandatin pesëvjeçar të qeverisjes së tij të parë si ish-president vendi me shumë pak tokë buke u zaptua nga lëvizja kaotike e popullsisë dhe sot, një nga problemet më të mëdha të Shqipërisë është zaptimi dhe degradimi i tokës.
Masakra mjedisore, me në rrethina të qyteteve të mëdha, apo në bregdet, është aq e pakthyeshme, saqë qeveria e Berishës, u ka lënë dorë të lirë dhe do t’i formalizojë ato bunkerizime të një toke apo bregdeti të pastër deri dy dekada më parë.
Prej katër vitesh Shqipëria është kthyer në konteinerin e industrive ndotëse në rajon. Disa fabrika çimentoje janë në ndërtim e sipër dhe qeveria e tij me anë të VKM-ve, ka hequr nga fondi pyjor qindra hektarë pyje për t’u lënë vend të lirë biznesmenëve të inerteve, industri që do të ndotë ambientin jo shumë larg zonave të banuara.
Qeveria e tij mashtroi duke pranuar një marrëveshje për ndërtimin e një TEC-i me naftë në Vlorë, i cili, tashmë, është një monstër ekologjike në bregdet. Ndoshta, ai nuk do të vihet në punë asnjëherë, sepse lënda djegëse, nafta, e bën shumë të shtrenjtë energjinë e prodhuar, plus që tubat që marrin ujin e detit për ftohje, falë projektit të “zgjuar” janë bllokuar nga rëra e detit.
Ajo ka pranuar ndërtimin e Petroliferës, që do të shndërrojë po bregdetin e Vlorës në një pontil gjigand për trafikun e karburanteve ndotëse, nga i cili përfitimet i merr vetëm një familje e pasur në Itali dhe pjesëtarë të qeverisë.
Qeveria e tij është gati të ndërtojë centralin bërthamor, demek për të shpëtuar nga kriza e mungesës së energjisë për pakësim të burimeve hidrike, por do ta pranonte makthin nuklear edhe pa e ditur se ku do t’i çonte për t’i përpunuar mbetjet bërthamore.
Gjatë qeverisjes së tij të parë, të dytë dhe tani pyjet e Shqipërisë janë degraduar pakthyeshmërisht.
Nën sytë e kryeministrit, është eliminuar kurora e gjelbër e kryeqytetit shqiptar, për t’ia lënë vendin ndërtimeve skandaloze, duke mos folur këtu për zonat e largëta, ku fondi pyjor është masakruar për bizneset e huaja dhe vendase. Se sa shumë e çan kokën për mjedisin, të ardhmen e tokës së vet dhe më gjerë të botës mbarë, duket ashiqare me bashkëpunëtorët e tij në qeverisje.
Në fillim të viteve ’90-të, ai dhe njerëzit e tij udhëhoqën një masakër të pashoqe mjedisore, duke prerë edhe mijëra e mijëra rrënjë pemë frutore, prona të ish-ndërmarrjeve bujqësore, në emër të luftës kundër komunizmit dhe nisjes nga pika zero.
Për katër vitet e shkuara, ministri i Mjedisit ishte importuesi kryesor i gomave të përdorura që importoheshin në Shqipëri gjoja për t’u riveshur, por që përfundonin për t’u djegur në gropat e prodhimit të gëlqeres në afërsi të kryeqytetit, në portat e qytetit historiko-turistik të Krujës, ku çdo turist i huaj ka mundësinë të shohë se çfarë bënë shqiptarët pesë shekuj më parë për lirinë e vendit të tyre dhe çfarë kanë bërë qeveritarët dy dekadat e fundit për ta zhbërë.
Sarkazma ambientaliste e kryeministrit armik të klimës vijon me emrin e ri të ministrisë së ambientit, ish-ministër që hartoi tragjedinë e Gërdecit, ku jo vetëm u vranë 26 njerëz, mbi 300 u plagosën, por iu shkaktua zonës përreth një dëm ambientalist, që do të vite të riparohet, sigurisht, duke lënë shenja te shëndeti i të mbijetuarve. Dhe këtij ministri që ende nuk iu dridhur qerpiku për vrasjen e njerëzve i është besuar ruajtja e mjedisit, pyjeve dhe ujërave.
Këto pak bëma antimjedisore, që shqiptarët i vuajnë prej vitesh në jetën e tyre, ndoshta nuk kanë mbërritur në veshët e ndërkombëtarëve dhe as ka për të ndodhur. Ata ende e shohin Shqipërinë si një rezervat që s’u intereson, si dikur i virgjër, si sot i qelbur, a si kopshti i qelbur matën gardhit të tyre, ndryshe do të tmerroheshin nga precedenti, nga marrëzia se si një kryeqeveritar e dëmton me vetëdije të plotë vendin dhe popullin e vet.







