Armiku i shtetit

0
27

Nga Mero Baze, 25 Janar 2012

Ish- kongresmeni Bob Hand – dhe një veteran i Komitetit Amerikan të Helsinkit në Kongresin Amerikan, një njohës dhe hera- herës mbështetës i Berishës në Uashington, por dhe kryesues i delegacionit amerikan në zgjedhjet e 26 majit në Shqipëri, ka ngritur dje përsëri pikëpyetje mbi aftësinë e Sali Berishës për të drejtuar Shqipërinë. Duke iu referuar sulmeve të Berishës mbi prokurorinë, Bob Hand ka thënë se ato vënë në pikëpyetje aftësinë e Berishës për të drejtuar vendin.

Kjo është një akuzë cilësore për Sali Berishën. Kjo nuk ka të bëjë më me një, dy apo dhjetë probleme që ky krijon kur qeveris. Kjo ka të bëjë me faktin se ky njeri nuk drejton dot vendin në mënyrë demokratike. Është i pafuqishëm të përballojë institucionet e vendit, i pafuqishëm të pranojë që vendi ka president, që vendi ka kryeprokuror, që vendi ka kryetar SHISH-i. I ka shpallur armiq duke u vetësugjestionuar se kanë dashur t’i bëjnë ‘puç’ dhe po e ringre stekën e kësaj lufte pasi pa që drejtësia filloi të veprojë dhe t’i afrohet zyrës si tij si një bunker vrasës më 21 janar.

I bindur se presidenti, kryeprokurorja, kryetari i SHISH, apo dhe vetë gjykatat duhet ta kuptonin se atë nuk mund ta prekin për 21 janarin, ndjehet i çuditur se si ata guxojnë akoma të merren me këtë çështje. Dhe është hedhur në kundërsulm, duke iu rikthyer ‘puçit’ dhe duke ju rikthyer luftës me institucionet e vendit. Kjo ka tronditur njëherësh Uashingtonin, Brukselin, presidencën daneze, dhe gjithë faktorin ndërkombëtar që ndjek me vëmendje ngjarjet në Shqipëri.

Nga ana tjetër ai ndjehet i paaftë të pranojë opinionet e faktorit ndërkombëtar në Shqipëri. Në një intervistë dhënë dje me regjistrim tek UFO TV, ai ndjehej fjala vjen i shqetësuar, bile i acaruar që një ambasador perëndimor është dakord me idenë e zgjedhjeve të parakohshme si rrugëzgjidhje për krizën e 21 janarit. I duket çudi se si njerëzit mendojnë në mënyrë demokratike dhe përpiqen t’i zgjidhin krizat me zgjedhje, me të vetmin mekanizëm që korrigjon legjitimitetin e një lideri në shoqëri.

Ai është i pafuqishëm ta pranojë këtë logjikë dhe është gati t’i shpallë luftë presidencës daneze për shkak të ambasadorit të saj në Tiranë, Mbretërisë së Bashkuar për shkak se një mik i ambasadores ka bërë pas 21 janarit një shkrim që kërkon zgjedhje të parakohshme sivjet në maj, dhe që bën thirrje për ndaljen e rrënimit të Shqipërisë, dhe kështu më tej. Si një llafazan mëhalle, ai merret me jetët e ambasadorëve, përgjon SMS-të e tyre dhe lidhjet me persona privat në Tiranë, qofshin këto burra a gra, dhe ndërton mbi to dhjetëra teori konspiracioni, por dhe skema korruptimi. Vetëm një gjë nuk mendon. Si të sillet normalisht dhe të mos ketë punë me ambasadorët e Perëndimit në Tiranë, dhe sidomos të mos harxhojë kohë për jetën e tyre private.

Ai është po ashtu i pafuqishëm të pranojë shtypin e lirë, medien kritike dhe gazetarët që nuk i shkojnë pas oreksit. Ka bërë gjithçka ta shuajë këtë racë. Ka përdorur në këtë luftë gjithë gjërat e pandershme që mund të përdorë një “burrë shteti”. Ka përdorur dhunën fizike, shantazhe dhe paralajmërime mafioze me djegie makinash, nxjerrje nga redaksitë dhe rrethim të tyre me policë, gjoba marramendëse, luftë klasash ndaj familjeve të tyre dhe në fund çuditet se si ka ende medie kritike me të. Vetëm një gjë nuk i shkon në mendje, të sillet me medien normalisht, të mos kompleksohet prej saj kur e kritikon, të reflektojë dhe të bashkëpunojë me të për të qenë transparent. Kjo i duket fundi i botës, si gjithkujt që nuk pranon pushtetin e medies.

Duke e rianalizuar personalitetin e tij në tërësi, duket se shumë zyrtarë perëndimorë po flasin për paaftësinë e tij për të drejtuar më tej Shqipërinë. Kur thonë këtë nuk kanë parasysh se është i sëmurë, apo se mund të ketë çrregullime mendore. Ata e thonë këtë, kur shikojnë se ai nuk ka fuqi të ndalë rrënimin e Shqipërisë dhe shkarjen e saj drejt një krize me pasoja të rënda. Ata e shikojnë atë si një njeri që realisht nuk funksionon dot si një lider në liri. Ata që qeverisin në demokraci, janë të dënuar të qeverisin duke bashkëpunuar me institucionet e pavarura dhe kushtetuese të vendit, me opozitën, me medien, me drejtësinë dhe jo të jetë armik i gjithë këtyre.

Sali Berisha nuk ka asnjë qëndrim normal ndaj askujt. Ai nuk ka asnjë raport institucional me asnjë pushtet tjetër në Shqipëri. Ai i ka të gjithë armiq, ose të nënshtruar. Asnjë prej tyre partner. Kjo është arsyeja që Bob Hand rivë në pikëpyetje aftësinë e tij për të drejtuar Shqipërinë, dhe dyshimet e zyrtarëve të tjerë perëndimorë që vënë në dyshim aftësinë e tij për të ndalur rrënimin e Shqipërisë. Ai është sot armik me gjithë institucionet e shtetit shqiptar. Dhe ne nuk mund të zgjedhim mes tij dhe shtetit, Atë.