Armët komike të Lulzim Bashës

0
37

Nga Mero Baze

Opozita shqiptare është e humbura e madhe nga protestat e fundit, duke u bërë ndoshta e vetmja opozitë në botë që del e humbur nga një protestë antiqeveritare. Por brenda humbjes së opozitës, njeriu që thuajse u shkarkua në fund të këtij procesi, ishte Lulzim Basha. Në ballafaqimin e parë formal si përfaqësues i opozitës, ai i humbi aftësinë për përfaqësimin e mendimit opozitar, humbi konsekuencën, humbi transparencën me partinë, humbi shansin të bëhej kryetar i pavarur nga Berisha, dhe në fund humbi dhe arsyen përse dështoi dhe po mbrohet me armët komike të partisë së tij.

Goditja e parë serioze, lidershipit të Bashës, iu dha në faktin se ai dhe Edi Rama janë kontaktuar të dy njësoj nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, dhe të dy njësoj i kanë krijuar SHBA perceptimin se ata janë dakord që ky proces të ecë më tej. SHBA, në rastin e Shqipërisë, janë ndodhur në një situatë të pazakontë pasi dy përfaqësuesit më të rëndësishëm të politikës shqiptare, kryeministri dhe kandidati për kryeministër, kanë qenë pro tyre. Por duke mos qenë kryetari real i PD-së, dhe duke mos pasur guximin as t’ia transmetojë Sali Berishës atë që u kishte premtuar SHBA, Lulzim Basha u shmang nga përgjegjësia me të cilën kishte dhënë pëlqimin së bashku me Genc Pollon, dhe krijuan një situatë komike duke i kërkuar transparencë Edi Ramës, ndërkohë që i fshihnin të vërtetën partisë së tyre.

Edi Rama, njësoj si Lulzim Basha, e kishte pritur pozitivisht ofertën amerikane duke menduar se do negocionte kushtet, por ai i qëndroi deri në sekondën e fundit perceptimit të tij fillestar. Ai thjesht bëri detyrën si kryeministër duke iu nënshtruar vullnetit popullor dhe presionit të opozitës kundër qëndrimit të tij. Fjalimi i tij përmbyllës ishte një konfirmim i qëndrimit të tij pro negociatave me SHBA për këtë çështje, por që binte ndesh me një situatë shpërthyese në vend.

Përkundrazi, Lulzim Basha nuk dinte ç’të bënte me “JO”-në e Edi Ramës dhe me “PO”-në e tij për SHBA. Ai nuk merrte përsipër as njërën dhe as tjetrën pas së premtes pasdite. Ai mohonte si fëmijë bisedat zyrtare me SHBA, edhe pse ambasadori i përmendi dhe një tjetër personazh të errët që skuq pranë tij, Genc Pollon, të cilit i është komunikuar në emër të Departamentit të Shtetit kërkesa. Por nga ana tjetër, ai nuk merrte dot përsipër as efektet e refuzimit të Edi Ramës, pasi i ngeli në derë antiamerikanizmi i hapur, që detyroi kryeministrin të tërhiqej. Dhe fill pas “JO”-së së Edi Ramës, shpjegimi i vetëm që ai ka, është se protestat i organizoi vetë Rama, se sulmin mbi ambasadë e organizoi Rama, se njerëzit në rrugë i nxori Rama dhe gati sa nuk thonë se ne ishim dakord të vinin armët, por nuk donte Rama.

Goditja e dytë serioze për Bashën është brenda PD-së. Në valën e protestave kundër armëve kimike, kundërshtarët e Bashës në parti, pa pyetur Bashën dhe Berishën, bënë thirrje publike të bashkoheshin me demonstruesit. Olldashi, Doda dhe disa të tjerë u panë të dilnin në protestë, të rrinin mënjanë protestuesve në fund të tyre dhe të mos trazoheshin nga askush. I futur në panik se mos kjo do t’i bënte ata popullorë, Basha dhe Berisha nxituan me urgjencë t’i bashkoheshin protestës. Ata dolën nga parlamenti në bulevard, m’u atje ku kanë vrarë katër protestues dhe tentuan të ulen këmbëkryq mes protestuesve. Kaq mjaftoi që të rinjtë t’i sulmonin me gjeste dhe fyerje, t’i konsideronin “plehra me dy këmbë” dhe t’i detyronin të iknin nga sheshi, duke marrë me vete, njëri kunatin e tjetri mbesën. Ky qëndrim i ndryshëm i turmës ndaj Bashës e Berishës, në raport me qëndrimin paqësor dhe aspak reaktiv që pati me kundërshtarët e tij, Olldashin dhe Dodën, që kishin tre ditë që ndiqnin protestën, është një test i humbur mospranimi për të nga publiku, për faktin se shihet si shoqërues i Sali Berishës më shumë se sa si kryetar i PD-së. Dhe për këtë arsye është më i përbuzur në publik, se sa kundërshtarët e tij.

Dhe pasi ka marrë dy goditje të forta, si përballë partnerëve ndërkombëtarë ashtu dhe në raportet e brendshme në parti në raport me publikun shqiptar, Lulzim Basha duket se ka hequr dorë nga armët kimike dhe po na ekspozon armët komike të partisë së tij. Tani nuk ka më asnjë diskutim serioz përse ky njeri gënjeu SHBA, përse gënjeu partinë e vet, përse gënjeu shqiptarët, përse tentoi të privatizonte protestat dhe përse nuk ka ende një përgjigje ishte apo nuk ishte pro ardhjes së armëve kimike për demontim në Shqipëri. Tani ai po përdor të vetmet armë komike që i kanë ngelur në PD, Aldo Bumçin, Eduard Halimin dhe Genc Pollon. Ata janë realisht të papërballueshëm në gjërat qesharake që thonë. Dhe Basha nuk ka asnjë armë tjetër për të luftuar tani, veç këtyre armëve komike.