Dr. Kujtim Kapllani, 21.03.2011
Prof.Androkli Kostallarit, me rastin e përvjetorit të vdekjes së profesor Androkli Kostallarit
Gjuha letrare kombëtare a, siç përmendet shpesh, gjuha standarde përfaqëson trajtën më të arrirë të gjuhës së njësuar të një kombi të kulturuar. Përvoja e popujve dhe e kombeve të ndryshme e ka arritur nivelin e gjuhës standarde sipas larmisë së rrethanave shoqërore , kulturore, etnike dhe shtetformuese.
Gjuha ruse, p.sh., mori si bazë dialektin e Oriolit, se në atë variant ishin shkruar veprat e Pushkinit, i cili njihet si themelues i letrësisë me të cilën vijon të përfaqësohet kombi rus në arenën ndërkombëtare ( fillimi i të gjitha fillimeve në art e letrsi, sipas Gorkit); por natyrisht, mori elemente të rëndësishme nga dialektet e tjera .
Gjuha italiane, ditëlindja e së cilës mendohet shekulli VI, ka në themel dialektin e Toskanës , në të cilin u shkruan veprat e Dante Aligerit: natyrisht ndihmuar e pasuruar nga elemente të rëndësishme të dialekteve të tjera.
Ndër të parët që guxuan e përvijuan nevojën e gjuhës letrare kombëtare shqipe ishte poeti i formatit të madh J. De Rada, i cili mendonte se nje variant të tillë të njësuar duhej ta përgatitnin mëmëdhetarët e kulturuar e t’i a jepnin popullit shqiptar… Komisia letrare shtroi nevojën e një gjuhe të njësuar.
I ndjeri P. Marko, në një bisedë në prani të poetit Xh. Spahiu, na përmendi një kujtim nga Gj. Fishta. Poeti i Mrizit të zanave ishte ulur në një tryezë poetësh dhe kishte pyetur për më të riun ndërmjet tyre:
– Po ky, kush âsht?
– Petro Marko, jam nga Dhërmiu i Vlorës.
– Mirë boll, të kam lexue… Vreni këtu, shkrueni në gjuhën e përbashkët. Mos bâni gabimin që bâna unë!…
Prof. A. Xhuvani propozoi që në themel të gjuhës letrare kombëtare të vihej Toskërishtja, si varianti më i përpunuar nga krijimtaria e Naimit , e Samiut, e F. Konicës , e F. Nolit etj.; por drejtshkrimi të mbështetej në gegërisht, që edhe veriorët të mos mbeteshin të pakënaqur…
Pas Çlirimit qendrat albanologjike u shpërngulën nga Viena e Myniu , nga Leningradi e Berlini, nga Kopenhagen e Parisi etj.
Për t’u vendosur në Tiranë e, më pas, në Prishtinë. Në kushtet e reja etnokulturore , me zhvillimin e vrullshëm të arsimit e të kulturës , me rolin gjithnjë e më të madh që mori Tirana si kryeqendër, u krijuan rrethana të reja dhe përzierje të folurash e ngjyrime kulturore.
Nëpunës nga Jugu u emëruan dhe punonin në Veri e anasjelltas. Ndërkaq, e folura e Veriut kishte arritur te koineja letrare e gegërishtes, siç kishte arritur të përvijohej qartë edhe koineja letrare e toskërishtes.
Me kalimin e viteve, me gjithë pengesat e papërsëritshme, filluan të hapeshin shkolla shqipe në trojet shqiptare të ish- Jugosllavisë, që mundësuan më vonë edhe Universitetin e Prishtinës. Në këto kushte korifejtë e kulturës sonë e kthyen gjysmën e dytë të shëkullit XX në një lëvizje të fuqishme për t’i dhënë kombit fytyrën e njësuar letrare.
Në këtë lëvizje masive 5-6 -milionëshe nuk di kë të radhitësh të parin e një populli të kulturuar: Aleks Budën a Eqerem Çabej, Idriz Ajetin a Rexhep Qosen, Françesko Solano a Françesko Altimarin- ndër arbëreshë; Mahir Domia a Dritëro Agollin , Ismail Kadarenë a Shaban Demiraj, Xh. Spahiun a Ali Podrimen, Dh. Shteriqin apo A. V. Desnickaja…
Në këtë udhë Prof. A. Kostallari ka meritën e padiskutueshme se doli si i pari midis të barabartëve: vërejti prirjet dhe hartoi parimet e gjuhës letrare kombëtare. Shqipja standarde, ndryshe nga mjaft gjuhë të tjera, u ngjiz në bazën e bashkëveprimit të të dyja dialekteve.
Studiuesit shqiptarë, të bindur për misionin, por edhe për përgjegjësinë që do të mbanin para historisë, po vijonin punën e gjigantëve të shkollave gramatikore më në zë, si: F. Bop, G. Majer. R. Rask, F. Miklosiç, V. Humbold, N. Jokl, A. V. Desnickaja etj.
Nëse A. Buda u fut vendosmërisht në largësinë e pazhbiruar të historisë, A. Xhuvani në hullinë e pastërtisë së gjuhës shqipe, E. Çabej në mjegullnajën e rrënjëve të fjalëve, M. Domi në strukturën e fjalisë dhe Sh. Demiraj në format historike të fjalëve; Prof. A. Kostallari është pa dyshim kolona zanore e gjuhës sonë letrare kombëtare . Vepra e tij shkencore ka vulën e epokës dhe përmasat e saj.
Shqiptarët kudo në botë dolën në të katërtën e fundit të shekullit XX me një ligjërim të njësuar në të gjitha normat themelore. Ai përfaqëson shkallën më të lartë të një gjuhe të përpunuar, shumëfunksionale dhe fazën më të lartë të kulturës së popullit tonë – këtej e matanë kufijve shtetërorë.
Gjuhës letrare kombëtare Prof. Kostallari i kushtoi gjithçka: dijenitë e tij, shpirtin dhe jetën e tij; për të luftoi me penë në dorë, për të shpesh la edhe familjen në harresë… Këtë nuk e bën kushdo, vetëm ata që bartin tiparet më të larta të racës njerëzore, të dijeve të saj.
Publicisti, gojëtari, gjuhëtari mendjendritur dhe organizatori i shkëlqyer i punës shkencore në Institutin e Gjuhësisë e të Letërsisë dhe në Akademinë e Shkencave lindi më 7 nëntor në Leusë të Përmetit.
Mbaroi shkollën e mesme në Shkodër në konviktin “Trimat e maleve” dhe njëzetvjeçar doli partizan në Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare. Në vitet 1945 – 1949 shfrytëzoi të gjitha energjitë për të ripërtërirë publicistikën shiptare duke punuar si përgjegjës i redaksisë së brendshme, sekretar kolegjumi dhe kryeredaktor i gazetës “Bashkimi”.
Në vitet 1949 – 1954 kreu studimet e larta për gjuhësi në universitetin “Lomonosov” të Moskës- njëri ndër më të dëgjuarit në botë. Atje paralelisht kreu edhe tri vitet e para të studimeve për gazetari.
Në prill të vitit 1955 emërohet nëndrejtor i Institutit të Gjuhësisë dhe të Historisë, më 1957 zëvendësdekan i Fakultetit të Historisë e të Filologjisë: më 1958 – 1962 dekan i këtij Fakulteti dhe drejtor i Institutit të Gjuhësisë dhe të Historisë.
Të punoje në një sektor ku derdhnin talentin e tyre më të mëdhenjtë e shkencës sonë,si: Prof. Xhuvani, Prof. Çabej, Prof. M. Domi dhe Prof. A. Buda- që atëherë ishte nëndrejtor i Institutit të Gjuhësisë dhe të Historisë( ndé pa u ndarë Historia nga Gjuhësia)- duheshin jo vetëm aftësi të rralla drejtuese; por, së pari, si shkencëtar. Fatkeqësisht, gjithë ç’ përmendëm, bëjnë nder në botën e përtejme.
Krahas punës shkencore dhe drejtuese Prof. Kostallari shërbeu si pedagog i leksikografisë, i leksikologjisë dhe i gjuhësisë së përgjithshme në Universitetin e Tiranës. Me dijenitë e thella në këto disiplina arriti të formonte një rrjet të gjerë specialistësh në institucione shkencore e arsimore, të cilët flakën e diturisë e çuan në skajet më të largëta të vendit. Në këtë pikëpamje, puna del mirëfilli më e dobishme për synimet dhe arritjet e shënuara nëpërmjet armatës së frymëzuar prej tij.
Ai i njihte mirë teoritë moderne të gjuhësisë botërore, dinte të përzgjidhte ndër to; si pasojë edhe të hartonte metodologjinë e duhur shkencore. Në këtë veprimtari atë e ndihmoi njohja me themel e një sërë gjuhësh të huaja, vullneti i papërkulur dhe mendjemprehtësia e veçantë për t’u futur në shtjellat më të ndërlikuara të oqeanit ku gërshetohen ligjërimet e ndryshme.
Si mjeshtër i vërtetë ai vlerësoi për herë studuiuesit më të ndritur të gjuhësisë botërore- që nga antikiteti e deri te bashkëkohësit; por edhe studiues të shquar vetëm për forcën shkatërruese- për karakterin vetëm kritik për gjithë ç’ shkruhej- si Hugo Shukhardi etj.
Ndërkohë Prof. Kostallari kryente detyrën e kryeredaktorit të revistave shkencore ” Sudime filologjike” , “Studia Albanica” e detyra të tjera në komisione e redaksi shkencore, në çdo organ me karakter të tillë. Pasioni i tij ishte puna e palodhur, përkushtimi ishte gjuhësia, adhurimi ishte fjala- të cilën e gjurmonte deri te folësi më i largët dhe më i moshuar.
Në këtë udhë organizoi një rrjet të gjerë studiuesish e gjurmuesish të fjalës shqipe në çdo qendër fshati të bashkuar, të cilat do të shërbenin si visar për të pasuruar gjuhën e njësuar letrare. Në këtë mënyrë u arrit që deri në vitet 1990 kartoteka e leksikut të shqipes të numëronte mbi tre milionë fjalë e forma fjalësh.
Bashkëkohësit (ndonjëri edhe me ndonjë ngjyrë keqdashje) thoshin se ai të çon në njëqind çezma e s’të jep ujë. Kjo nënkuptonte aftësitë e tij për të depërtuar te bashkëbiseduesi, për t’u mbushur mendjen të tjerëve.
Me autoritetin e theksuar shkencor ai depërtoi deri te hallkat më të larta partiake e shtetërore dhe mundi të specializonte një numër të madh punonjësish në shkollat gjuhësore botërore më të përparuara. Në këtë mënyrë u krijua një brez i ndërmjetëm që do të vijonte punën e pararendësve, që të mos krijohej shkëputje, zbrazëti.
Për t’i çuar gjërat, si gjithmonë, deri në fund; ai ndërhyri aq fuqishëm në organet shtetërore, sa u mundësua një ligj detyrues për drejtshkrimin e normuar në të gjitha organet e shtypit dhe të mjeteve të komunikimit masiv. Kështu u arrit për një kohë të shkurtër të ndërgjegjësoheshin thuajse të gjithë njerëzit e letrave, mësuesit etj. për domosdoshmërinë e drejtshkrimit letrar.
Studimet pas vdekjes së Prof. Kostallarit, kryer në një realitet asnjanës, theksojnë se te ky gjuhëtar, ku ndikimi i politikës pritej të ishte i ndjeshëm- çuditërisht vetëm një për qind e veprës së tij ndikohet nga politika!
Këtë, fare mirë mund ta quajmë “ndikim par exellence”, se tetëdhjetë e gjashtë për qind e këtij njëpërqindëshi e përbëjnë vetëm citime në hyrje konferencash, duke cituar thënie për çështje të marksizmit në gjuhësi! Dijetari i vërtetë di të ndalet atje ku duhet, që të japë sa më shumë; di t’u shmanget ndikimeve të panevojshme dhe di të ndjekë rrjedhat moderne shkencore.
Kostallari ishte ndër të paktët- në mos i vetmi- që zbatonte parimet e gramatikës gjenerative , përfaqësuar nga N. S. Çomski. Më 1978 ai këshillonte të studiohej sintaksa popullore, të vreheshin me vëmendje përjetimet intuitive të folësve të gjuhës popullore.
Aftësinë për të folur njerëzit e kanë të trashëguar. Ai kërkonte të hapte në Institut një sektor të tillë, të cilin jo më kot e quante “sintaksë popullore”. Në vitet ’90, kur lehtë mund të lexonim Çomskin a L. Hajgen etj., kemi vërejtur nënkuptimet e diskutimeve të Prof. Kostallarit(kjo është e natyrshme për një studiues, në bibliotekën vetjake të të cilit nuk mungonte asnjë botim i studimeve botërore më të përparuara). Aftësinë e njeriut për të krijuar ligjërim Çomski e quan gramatikë universale.
Ndërsa shumësinë e ligjërimeve në glob e shpjegon me faktin që G.U. nuk është një sistem i mbyllur, por lë disa drejtime a tipare të hapura, të cilat i quan parametra. Këto të fundit zhvillohen sipas mjedisit ligjërimfolës me të cilin përballet njriu që sa lind e rritet.
Prof. Kostallari studioi me vëmendje rrugët e pasurimit e të pastrimit të gjuhës shqipe. Ndihmesë të madhe kanë dhënë studimet e tij “Mbi disa veçori të fjalës së përbërë të gjuhës shqipe”(1961), “Kompozitat dëshirore dhe urdhërore të shqipes”(1968) .
Në studimet e tij nënvizohen rrugët si mund të pasurohet shqipja letrare, veçoritë që fiton leksiku i gjuhës letrare duke vërejtur më pas se fjalët njërrokshe pakësohen në përpjesëtimin e përgjithshëm të leksikut, fjalët dyrrokshe pothuaj mbeten në vend, ndërsa fjalët trirrokshe shtohen- të cilat janë burimi kryesor i formimeve të reja të fjalëve, i pasurimit të gjuhës letrare. Vëren se në këtë fazë shtohen fjalët motivuese.
Në referatin e konferencës shkencore të vitit 1984 përgjithësoi arritjet e gjuhës letrare dhe përcaktoi drejtimet e së ardhmes. Argumentoi shkencërisht lidhjen e ndërsjellë të trajtës së shqpituar me atë të shkruar të gjuhës letrare. Gjuhësia normative dhe kultura gjuhësore u shpallën fushat kryesore të gjuhësisë shqiptare.
Për sintaksën popullore u nënvizua nevoja të studioheshin veçoritë ndërtimore të fjalisë e të ligjërimit dhe u përvijua detyra për të hartuar një sërë fjalorësh terminologjikë, redaktor përgjegjës i shumicës të të cilëve ishte vetë ai. Argumentoi shkencërisht edhe shtatë atributet e gjuhës standarde, e dalë nga përpunimi i dy koineve letare dhe bashkëveprimi ndërdialektor.
Në trajtën mbidialektore vërtet 3/5 e leksikut i përkasin toskërishtes dhe 2/5 gegërishtes; por në fonetikë, në gramatikë- si në pjesën më të madhe të leksikut- mbizotërojnë elementet e përbashkëta; ndërsa ç’ mbetet: herë njëri e herë tjetri dialekt.
Shqipja letrare është model i një gjuhe që nuk u krijua ad hoc, por arriti të njësohet nëpërmjet theksimit e fuqizimit të elementeve bashkëvepruese ( shih rev. Paidea, Brescia-München, 1975(XXX), f. 275. Klaus Steinke, “Diachronie und Synchronie in der Balkanlinguistik ” në përmbledhësin Ziele und dhe Wege der Balkanlinguistik, Berlin 1983, f. 229- 230). Kështu trajta letrare u pranua jo vetëm nga shkenca gjuhësore, por edhe nga shoqëria. Ky njësim solli shuarjen e dy varianteve letrare të mëparshme, por nuk “zhduku dialektet” si variante të gjuhës së folur.
Veçori origjinale e shqipes letrare është se njësimi i saj u arrit me përpjekje të përbashkëta të pjesëtarëve të kombit shqiptar në kontekste të ndryshme shtetërore e shoqërore.
Pra u vlerësuan me objektivitet edhe përfundimet e Konferencës Gjuhësore të 22- 23 prillit 1968, mbajtur në Prishtinë; edhe Simpoziumi shkencor i Prishtinës i dhjetorit 1980 etj. Këtë arritje e përkrahën shkrimtarët dhe intelektualët arbëreshë.
Në revistën “Vija”, n. 1, korrik 1976, në Cosenca, thuhet: “Nuk ka rrugë tjetër për ta pasuruar e përmirësuar gjuhën e kulturën arbëreshe përveçse me lidhje sa më të plota me gjuhën dhe kulturën e mëmëdheut”.
Idenë e gjuhës së njësuar të hedhur që në Rilindje, Prof. Kostallari e argumentoi shkencërisht; duke qortuar si të padrejtë nxitimin e albanologëve N. Jokl dhe A. V. Desnickaja, të cilët nuk arritën dot të përligjnin përpjekjet e rilindësve për një gjuhë të pastër amtare.
Mprehtësia dhe puna e palodhur shkencore e dalloi jo vetëm si vetëdija e kombit, por tërhoqi edhe vëmendjen e organizmave ndërkombëtare. Më 1959 dekorohet me Urdhërin e Punës të Klasit të Dytë për veprimtari të shquar në fushën e shtypit.
Në prill 1970 u bë Profesor, më 1972 dekorohet me Urdhërin “Naim Frashëri” të Klasit të Parë- për ndihmesë të shquar në fushën e arsimit dhe të kulturës; më 1974 mori Çmimin e Republikës të Shkallës së Parë- për veprën shkencore “Drejtshkrimi i gjuhës shqipe”. Këtë çmim mori edhe për Fjalor i gjuhës së sotme shqipe, si edhe bashkautorët; në mars 1986 “Mësues i Popullit”.
Më 1963 u zgjodh anëtar i Komitetit të Organizatës Ndërkombëtare të Studimeve për Europën Juglindore(AIESEi) dhe më 1974- anëtar i Byrosë së këtij Komiteti dhe nënkryetar i tij.
Më 1969 e zgjodhën anëtar të Komitetit Ndërkombëtar të Shkencave Onomastike(CIOS). Disa herë ka marrë pjesë me referate e kumtesa shkencore në kongrese e simpoziume, duke kryesuar dhe delegacionet shqiptare në veprimtari të tilla, si në: Athinë, Romë, Sofie, Mynih, Kopenhagen, Pris etj.
Prof. Kostallari ka marrë pjesë edhe në Kongreset Ndërkombëtare të Shkencave Onomastike në Amsterdam, në Vienë; në Kongresin Ndërkombëtar të Linguistikës në Berlin- më 1987 etj.
Për gjuhën shqipe ka mbajtur konferenca shkencore në Universitetin e Gotemborgut( Suedi), ku mori titullin “Doctor Honoris Causa et Magister Artim Literatium”, i pari i këtij lloji në historinë e studiuesve shqiptarë.
Në bibliografinë e pasur të studimeve shkencore të Prof. Kostallarit përmendim : Fjalor shqip- rusisht, Fjalor rusisht- shqip, Drejtshkrimi i gjuhës shqipe(1973), Fjalor drejtshkrimor i gjuhës shqipe(1976).
Ka botuar edhe 18 monografi e studime, ndër të cilat: Sur les traits principaux de l’ albanais litéraire contemporain”(1966), La figure de Scanderbeg dans la litèrature mondiale(1968), Parimet themelore për hartimin e Fjalorit të gjuhës së sotme shqipe (1968), Gjuha letrare shqipe dhe epoka jonë( 1985); është kryeredaktor i veprës madhore “Fjalor i gjuhës së sotme shqipe”(1980), Fjalor i shqipes së sotme(1984) etj.
Vepra e tij do të mbetet libër tryeze edhe për brezat që do të vijnë, se përfshin organikisht të djeshmen e punës studimore, të sotmen dhe të ardhmen e kulturës filologjike shqiptare.
*Anëtar i Akademisë së Mesdheut