Arka e shtetit bosh, Thesari ribllokon pagat për institucionet

0
49

Bode, Berisha dhe Meta

Shekulli Online, 13.01.2010

TIRANË – Procedurat ligjore që përcaktojnë aktivitetin e thesarit të shtetit bllokojnë lëvrimin e fondeve për të gjitha institucionet shtetërore, përfshirë edhe pushtetin lokal. Të gjitha ministritë, komunat dhe bashkitë që kanë dërguar kërkesat pranë thesarit për lëvrimin e fondeve pas datës 18 dhjetor duhet t’i drejtohen edhe njëherë kësaj zyre duke ribërë dokumentet. Në lidhje me këtë reagoi dje edhe Bashkia e Tiranës duke akuzuar Ministrine e Financave se kishte bllokuar me qëllim lëvrimin e fondeve.

I kontaktuar nga gazeta, Drejtori i thesarit, Agim Paskali, theksoi se çështja nuk ka të bëjë vetëm me bashkinë e kryeqytetit pasi janë edhe shumë bashki apo komuna të tjera të cilave nuk i janë lëvruar fondet. “Çështja e kthimit të dokumenteve mbrapsht pa i lëvruar fondet nuk ka të bëjë vetëm me Bashkinë e Tiranës por edhe me shumë njësi të tjera të qeverisjes vendore. Ndër institucionet që nuk u janë lëvruar fondet përshihen edhe ministri, përshembull Ministrisë së Transporteve i janë bllokuar rreth një miliard lekë”, – tha Paskali.

Ndërkohë, Bashkia e Tiranës deklaron se financat kanë bllokuar në mënyrë selektive fondet, pasi nuk janë firmosur dokumentet e dërguara që në datat 17 dhe 18 dhjetor 2009 duke i kthyer mbrapsht ato më 8 janar 2010. Këtë fakt, Paskali e lidh me rregulloren për veprimtarinë e thesarit sipas të cilës ndërpritet çdo lëvrim fondi duke filluar nga data 18 dhjetor duke krijuar kushtet për kryerjen e bilancit. Madje sipas tij, të gjitha institucionet të cilave iu janë rikthyer dokumentet pa u firmosur duhet t’i ribëjnë ato dhe t’ia dërgojnë zyrës së thesarit. “Për sa i përket fondeve të pushtetit lokal referuar ligjit ‘Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë” trashëgohen për vitin tjetër. Veçse, nëse nuk është miratuar ende buxheti nga këshilli i komunës apo bashkisë, deri në miratimin e tij ato kanë të drejtë të përdorin 1/12 pjesë të shpenzimeve faktike të buxhetit të vitit paraardhës. Duhet që institucionet që u janë kthyer dokumentet t’i ribëjnë edhe një herë ato”, – vijoi Paskali.

Një ditë më parë, Ministria e Financave i cilësoi deklarata politike kërkesën e bashkisë së Tiranës për lëvrimin e fondeve për shlyerjen e kompanive që kanë kryer punime në territorin e saj, ndërsa tashmë pranohet zyrtarisht se paratë nuk janë dhënë për shkaqe proceduriale.

Alarmi per boshatisjen e arkes se shtetit eshte dhene qe ne fund te vitit te kaluar nderkohe qe ekspertet prej kohesh po deklarojne nje krize ekonomike te thelle, per shkak te ndikimit te krizes boterore por edhe perpjekjeve titanike te qeverise per ta mbajtur te fshehur kete krize, ne kushtet e deklarimeve propagandistike per rritje dyshofrore ekonomike etj.

Edhe festat e fundit i gjetën pensionistët shqiptarë pa marrë shpërblimet e tyre dhe shumë punonjës të administratës me rroga të shtyra për vitin tjetër. Ndërkohë që qeveria është në krizë të dukshme financiare për shkak të shpenzimeve marramendëse, ajo nuk i ka kursyer paratë për propagandë dhe spote televizive. Një dokument zyrtar i Këshillit të Ministrave, autorizon shpenzimin e mbi një miliard lekëve për mitingun e 8 dhjetorit, duke i harxhuar këto para nga buxheti i shtetit.

Partia Socialiste ka kërkuar madje që Guvernatori i Bankës së Shqipërisë të mos rrijë në heshje, kur rritet borxhi publik. “Qeveria vendos të ndryshojnë nivelin e deficitit në buxhet, duke konfirmuar edhe një herë se arka e shtetit është bosh ne shkelje me Kushtetuten dhe e gjitha kjo ndodh nën heshtjen skandaloze të Guvernatorit, që është kthyer në shami mode në xhepin e kostumit të shtrenjtë të Sali Berishës”. është shprehur para disa ditesh deputeti socialist, Erjon Brace në një konferencë për shtyp.