(Tirana jonë është e poetëve…)
…hijeshi e përjetëshme
Fytyra jote rinore,
Qesh më fisnike se vetë natyra.
Nuk ke nevojë për përditësime rimelesh,
Kurash të kota pafytyrësisht ekraneve reklamuar,
Për sallone luksozë stilistësh me emër, sepse
Ti – je stina më e bukur e vitit,
Ti – je vetë pranvera…– – – – – – – – – – – – – – – – – – – – – – – – – –
“GOOD MORNING” TIRANA
“Good morning” Tiranë e dashur,
Në këtë të dielë të kthjellët dhe
Mëngjesi pranveror.
Përsëri u zgjova edhe sot, ashtu
Si përherë me ëndrrën time
Të lashtë e të marrë që
Prej lirisë mbeti e tillë,
Mbeti terr. Vitet s’mbahen
Më mend nga çasti i mbarë
Kur i ekzaltuar klitha qosheve
Të kalldrëmta të një qyteti: ej, a dëgjoni,
Do të shkoj edhe unë në Tiranë.
Kohët moderne, ah këto kohë,
Janë të pabesa, e rënuan jetën,
Dashuritë e para nuk jetojnë më,
Të dëshpëruara dergjen pashpirt
Mes promemorieve kapica të zbrazëta,
Nëpër sallonet e vetmuara luksoze
Buzëtharë. Por, dashuria ime
Kurrë nuk ndryshoi, prandaj mos
U dëshpëro, edhe kur larg të kam,
Të gjitha mendimet tek ty gëlojnë, e
Natën e mbyll me dëshirën
Tunduese të patharë, sa mirë,
Do të shkoj tek ajo. Më kot aty hiqen
Si padronë politikanë e pushtetarë,
Tirana jonë është e poetëve, e
Të dashuruarve margaritarë.MIMOZAT E LIQENIT
Mimozat e verdha të liqenit
Nuk ekzistonin më. Një psherëtimë
E lehtë zie kishte pllakosur kudo.
Shiritat e saj dukshëm qëndronin
Të lidhur fort pas krahut të përgjumur
Prej hidhërimit. Sa keq,
Pranverën e bukur nuk e pritën!
Dikush i detyroi të çelnin parakohe dhe
Si një fëmijë shtatanik i mangët në peshë
I kryen shërbesat një e nga një. Hynë
Në çdo zemër për ta gëzuar disi
Atë çast festash nga mijëra duar.
Prej Luleve hatërmëdha kishin mbetur
Vetëm ca goxhe të vyshkura, që të fikura
Fundin tragjik e pashpresë po prisnin.
Degët dergjeshin të shqyera nga babëzia e konsumit, që
Dhunshëm ua preu jetën në mes, tamam
Në moshën e tyre më të shtrenjtë.
Të zbrazura vajtonin plakjen e parakohëshme
Apo lakuriqësinë mosmirënjohëse, ditët e tyre
Të njoma që lamtumirën sapo ia kishin dhënë dimrit.
Si nuk gjeta një lule të vetme për ty
Qoftë edhe një degëz kryeneçe që frikshëm
T’ia kishte ndalur dorën krimit! Po edhe sikur
Ta kisha blerë atë qyqare, ndruhesha në shpirt
Se ajo copëze e gjysëmuar jetë përballë teje
Do të mbetej lulja e kujtimit.TI JE VETË PRANVERA
Edhe pse mes imazhesh
Të ngrysura nga shiu tek bie
Puhizësh mbi bulevard, o moj, Sirenë,
E ke braktisur për një çast detin,
Shtëpizën tënde ku u fshihesh
Qindra shikimeve kureshtare të njerëzve
Me bukuri parajsash dashuruar, tek zhyten
Përhumbësisht në Ëndërrime
Të pakoha të jetës.
Porsi një diell mëngjesi të kaltër
E ke ndezur ti ditën, sado prapaskenash
Të luajnë retë. Kërcënimet nuk janë
Veç shenja të rëndomta primitive
Ndaj së pazonjës zili.
Sytë e tu si vetëtimat e pabesa
Strukur mes reve të murme ngarkuar
Dalin papritur nga ferri dantesk
I përplasjeve të padukshme dhe
Qindra sy kalimtarësh i verbon.
Hijeshi e përjetëshme
Fytyra jote rinore,
Qesh më fisnike se vetë natyra.
Nuk ke nevojë për përditësime rimelesh,
Kurash të kota pafytyrësisht ekraneve reklamuar,
Për sallone luksozë stilistësh me emër, sepse
Ti – je stina më e bukur e vitit,
Ti – je vetë pranvera.BASHKËRRUGËSI HAPASH
Hapat e tu qetësisht të ndrojtur,
Të kapur peng nga një pafundësi mendimesh,
Pa e ditur dhe pa e kuptuar, shtrihen
Në një rrugë të vetme, bashkë
Me kujtimet e mia të rinisë. Vite të
Mbetur diku larg, në disa akriva bardh’ e zi
Të qytetit, por që në fakt i tillë
Nuk ishte. Të tjera dashuri, ndoshta sot,
Do t’i kishim hedhur prapa, braktisur
Në godinat e shembura të jetës,
Ma brengosnin shpirtin. Një dallgësi
E papërmbajtur moshe që, duam s’duam,
Ronitet pak e nga pak, si uji i detit
Kur bregun prek fillikat i vetëm, pa
Patur më nevojë për konvencione
Të firmosura mbi letër.
Eh, ti, vajzë, e kam mëse të qartë,
Nuk je veç vegimi që shpejt
Do të shuhet, mos u bëj xheloze
Për një kohë që s’është kurrë e jotja,
Tash e coptuar në detaje shpërfillëse
Dhe të zbehta. E tashmja ka
Ngjyra marramendëse, fluturuese, funde
Edhe më të shpejtë, sepse gjithmonë
Dashuritë digjen në etapat
E domosdoshme të njohjes.“CIAO” APO LAMTUMIRË
Një shumësi kohësh na përshkon udhëtimin
– ekuacione apo formula – tek të cilat
jeta jonë reh, merr kuptim. Më pas
Një “Ciao”, ndoshta një përqafim dhe
gjithçka zhduket në muzgun e largët
të harresës. Nesër dikush nuk është
më në apelin e frikshëm apo në takim.
Të tjera kohë ikin dhe vijnë,
E pashmangshme lamtumira – ej ciao –
Ndoshta do të ishte më mirë,
Kur mendon për kumtin e gjatë
Të ndarjes, të pasuara herë me lotë
Herë me dëshpërim.
Më ngjajnë me Liturgjitë e përsëritshme
Të lujteve që kohën duan gjithmonë
ta mbajnë të mbërthyer në akrepat
e orës së apelit të parë. Nxitojmë
pastaj t’i kapim fragmentet e radhës e
më pas të themi krenarë: unë
ndodhesha aty, kur ato papyetur
dhunshëm na mësynë.
E kapa një syresh dikur, por
Shumë çaste të pajetuara ikën, fluturuan
ia mbathën të trembura, si për të na e
kujtuar se Koha e caktuar për ne mbaroi.
Jeta – mishelë shpërthyese me kohësi
Të parrokshme ndjenjash përzjerrë.
Ciao, ciao, ciao…tinguj mistikë
të shpresës së pashmangshme të agimit.AMOUR, MON AMOUR
Kudo të kërkova dashuri, e
Çuditërisht kudo të gjeta!
Mes njerëzve të përlotur
Nga hallet e shumta të ditës
Dhe zënkat për ca ego të pakuptimta
Që shpesh na kanë ndarë.
Në sytë e nënave martire
Nga fatet e mbrapshta përkulur
Tek lodhen të rritin të ardhmen
Në heshtje duke qarë.
Në sytë e të rinjve të pashpresë
Tek enden rrugëve parrugë me
Plot ëndrra të thurrura të moshës
Por të mbyllura mizorisht në sirtarë.
Edhe në sytë e çifteve pleq
Të thinjur nga koha në stolat e rinj
Të liqenit tek kujtojnë
Vitet e largëta të përmalluar.
Je po ajo Dritë e ndezur përjetësisht
më parë, Po ajo mes bijtë e tu
Përjetësisht e pandarë.
Unë jam me të gjitha ata
Që e e lënë përgjithmonë këtë botë
dhe të gjithë ata të dashuruar
që tash kanë hedhur farë.
Arjan Th. Kallço – Tiranë, Mars 2013
Ars Poetica – http://www.letrat.eu/alfa-sg_arspo_fp.php?id=311