Aristokratët e rinj socialistë

0
84

Marin Mema, 04.10.2011

Pavarësisht fitores së rrëmbyer në tavolinë, Partia Socialiste nuk mund të thotë se kundërshtarët e saj politikë janë përgjegjësit e vetëm për humbjen e pas 11 viteve në Tiranë. 10 votat ishin të mjaftueshme, por socialistët duhet ende të analizojnë arsyet që çuan në humbjen e mbi 23 mijë votave të tjera në diferencë me demokratët në 2007. Lëvizja Socialiste për Integrim ishte një element i fortë parësor që ndikoi në këtë ngushtim marramendës të rezultatit, por kjo nuk ishte e vetmja arsye që thithi mijëra vota nga shporta rozë.

Më 8 maj, socialistët harruan sërish se ishin në opozitë ndaj dhe kaluan më shumë kohë duke u endur e kolovitur mes arritjeve të kryetarit të tyre në kryeqytet. Edi Rama duhet të drejtonte partinë në të gjithë vendin, ndaj kreu një fushatë të gjysmuar në Tiranë, së cilës, për hir të së vërtetës, i kish ndryshuar fytyrën, nga një bajgatore erërëndë në një kryeqytet modern dhe të jetueshëm për thuajse të gjithë. Por kjo nuk mjaftoi.

Edi Rama i besoi mandatin e tij deputetëve të kryeqytetit, të cilët duhet të garantonin zonat përkatëse, duke bërë një fushatë agresive përballë një kundërshtari që e kish nisur atë me takime nën e mbi tavolina që ndoshta një vit më parë.

Kjo ishte skema që prodhoi antiskemën e kryesocialistit. Deputetët e PS-së në kryeqytet jo vetëm treguan paaftësi të plotë në menaxhimin e elektoratit, por përkundrazi në raste jo të pakta, shkaktuan edhe reagim të kundërt të tij.

Vetëm disa prej tyre arritën të dilnin mbi ujë, ndër këta edhe Saimir Tahiri, fitues në një zonë të vështirë si ajo e Kombinatit, një rezultat që duket se e detyroi edhe Ramën t’i besojë drejtimin e partisë në kryeqytet.

Shumica tjetër e deputetëve thuajse nuk u duk në zonat përkatëse, por u mjaftua me takime sporadike, të përcipta dhe aspak efikase. Një politikë çalamane, që sot ka shkaktuar jo pak luhatje te socialistët kryeqytetas, të cilët sigurisht prisnin nga “rinia” rozë diçka më shumë, sesa fshehja pas xhaketës apo hijes së gjatë të Ramës.

Nga 15 deputetë të Tiranës, vetëm 3 apo 4 ditën të formulojnë apo ngrenë shpirtin opozitar, të tjerët duket se ngrohën më shumë karriget e ofruara nga mandati, duke shijuar nën rrezet e diellit pushtetin. Xhiro mes lagjesh me makina luksoze, këpucë lustrafinë të pabaltosura, flokë mbytur në xhel e fytyra të ngërdheshura sa herë takonin një të krahut tjetër, një opozitar…

Kjo ishte ushtria e fryrë me të cilën kryetari Rama tentoi të rimerrte kryeqytetin. Buratinë të vegjël të cilëve u vjen ndot nga varfëria, nga papunësia, nga hallet e problemet e vërteta të tiranasve. Pakkush prej tyre di apo ndjen diçka përtej përkëdheljeve dhe hipokrizive televizive.

Ushtarët e Ramës, edhe pse thonë jemi socialistë, nuk njohin ende rrugicat dhe shtëpizat e vogla ku lundron jeta e vërtetë, ajo larg selisë rozë, larg bulevardit, larg dritave, larg institucioneve dhe Kuvendit, ajo ku jetojnë njerëzit e thjeshtë, ata që nuk u dëgjohet zëri, ata që, siç thotë edhe vetë lideri i PS-së, u kanë rrëmbyer ëndrrat.

Askush prej tyre nuk e di ku jetojnë këta njerëz, sepse ata vetë vegjetojnë në luks. Një luks që i mban larg, pasi pasuria ka ndot nga skamja, ka ndot nga gjithçka që e rrethon, ka ndot edhe nga Luli i vocërr, ai Luli i shekullit të 21-të që pak ndryshon nga paraardhësi i tij e që sot qëndron ndër cepa me sytë rrahur nga zoti, e nga çizmet e aristokratëve të rinj socialistë.

Lideri i opozitës nuk ka mundur t’i transferojë asnjë cifël nga egoja e tij politike shumicës së deputetëve të kryeqytetit, asaj egoje përmes së cilës zoti Rama u katapultua lart, duke dashur të ndryshojë një faqe të rëndësishme në politikën shqiptare, me bindjen se votat nuk fitohen duke injoruar qytetarët, duke u krekosur, duke admiruar veten si Narçizi… a thua se ke hipur mbi një platformë mbretërore e jo mbi një mandat të thjeshtë deputeti.

Ky ishte realiteti i para 8 majit, ku mes palëve qëndronte një çarje si humnerë, për të cituar vetë Ramën, ku përplaseshin dy botë, ajo e çifligarëve të rinj dhe ajo e njerëzve normalë, që duhet të punojnë e luftojnë për të mbijetuar. Kjo ishte antiskema e Ramës, i cili konturoi një fitore marramendëse në Shqipëri, por shkarraviti me dorën e të zgjedhurve të tij humbjen e Tiranës.

Ky mund të ishte rezultati i vetëm pas fjalëve boshe, opozitarizmit të cekët dhe fodullëkut meskin që morën kryeqytetasit nga të zgjedhurit socialistë. Te shumica e tyre ata nuk gjetën asgjë, asgjë të vërtetë, përveç disa vicklave të hedhura lart e poshtë apo disa sloganeve të mësuar përmendësh.

Por opozita nuk mësohet, ndjeshmëria nuk blihet, pastërtia dhe ndershmëria nuk falen, sepse opozita nuk është thjesht një konferencë për shtyp, ndaj socialistët dështuan në Tiranë, ose më mirë ndaj pseudopozitarët u votuan kundër. Këto janë arsyet e vërteta pse diferenca u tkurr në 10 vota, në vetëm 10 vota, aq të vlefshme për të treguar se tiranasit i ofruan deputetëve të tyre me të dyja duart një shuplakë të vetme.