Argumentet e Ristanit dhe manipulimet e vetëdijshme të zgjedhjeve

0
24

Mero Baze

Nga Mero Baze, “Faktori Plus

Kryetari i KQZ, Arben Ristani, u përdor sot nga shumica parlamentare për të riprodhuar argumentet e tyre kundër hetimit të zgjedhjeve dhe për të injoruar thelbin e krizës politike në vend, që ka të bëjë me bllokimin e hetimit mbi këto zgjedhje. I paraqitur në Komisionin e Ligjeve, me kërkesë të këtij të fundit, zoti Ristani u përpoq të banalizonte thelbin e problemeve që shoqëruan zgjedhjet duke i reduktuar ato në parregullsi teknike dhe duke akuzuar prokurorinë që ka hetuar, sipas tij, në mënyrë të njëanshme çështjen e Ruzhdies. Një qëndrim i tillë i kreut të KQZ është në të vërtetë ilustrimi më i mirë i angazhimit zyrtar të shumicës parlamentare pro manipulimit.

Për ta kuptuar më qartë se çfarë koncepti ka mbi zgjedhjet kryetari i KQZ, le të mendojmë për një moment që problemet në zgjedhje të zgjidheshin sipas mënyrës së tij. Sipas zotit Ristani, problemi i vetëm që ka pasur në zgjedhjet e fshatit Ruzhdie, ishte që një komisioner socialist, është larguar nga Komisioni në mesditë duke marrë vulën me vete dhe për këtë zoti Ristani ka bërë kallëzim penal. Nëse për një moment zoti Ristani do të ishte dhe prokuror për këtë rast, ai do ta kishte arrestuar komisionerin që u largua me vulë në mesditë. Por prokurori i Fierit që ka nisur hetimin edhe pas kallëzimit të zotit Ristani ka provuar me fakte se komisioneri është kërcënuar dhe ndaj tij është ushtruar dhunë fizike.

Ky fakt për kryetarin e KQZ nuk përbëka problem. Prokuroria ka provuar se komisioneri nuk është larguar, por ka shkuar dhe ka dorëzuar vulën pranë autoriteteve, pasi e ka pasur të pamundur vazhdimin e procesit. Ky fakt për zotin Ristani nuk përbëka problem. Prokuroria ka provuar pastaj se komisionerët e PD kanë mbushur kutitë me mbi 300 vota. Kjo për zotin Ristani nuk përbëka problem. Prokuroria ka provuar se banorë të fshatit kanë votuar për njerëz që nuk kanë qenë fare në Shqipëri. Kjo për zotin Ristani nuk përbëka problem. Problemi i vetëm për të, duket se ka qenë vetëm fakti, që një komisioner i opozitës nuk iu nënshtrua dhunës dhe nuk pranoi manipulimin.

Me këtë standard në mendje dhe në praktikë zoti Ristani ka drejtuar një proces të tërë zgjedhjesh që tanimë po bëhet shkak për një krizë të thellë politike në vend. Ajo që ka bërë prokuroria me qendrën e Ruzhdies, në të vërtetë është modeli se si duhen hetuar zgjedhjet dhe nëse kreu i institucionit të zgjedhjeve, i kundërvihet një procesi kaq transparent dhe kaq të hetuar siç është hetimi për Ruzhdien, do të thotë se kemi pasur një manipulim të vetëdijshëm edhe prej tij si drejtues i institucionit kryesor të zgjedhjeve.

Ajo që më së paku duhet të bënte zoti Ristani dhe pas tij dhe krerët e qeverisë pas skandalit të Ruzhdies është të kërkonin ndjesë për përdorimin e pushtetit kundër opozitës në zgjedhje dhe jo t’i tregonin muskujt prokurorisë pse ka hetuar këtë skandal. Fakti që ata kërkojnë revansh ndaj atyre që hetojnë në vend që t’i hapin rrugën dhe hetimit të qendrave të tjera, i bën ata jo vetëm përgjegjës, por edhe fajtorë për problemet e këtij procesi.