Argita ka përgatitur vizitën e Berishës në New York?

0
36

TemA

Argita Malltezi dhe i shoqi i saj Jamarbër Malltezi, i kanë paraprirë vizitës së Berishës në OKB dhjetë ditë më parë. Vajza e kryeministrit dhe burri i saj kanë udhëtuar drejt SHBA së paku dhjetë ditë para Berishës. Burime afër Berishës thonë se ata u angazhuan me lobistët amerikanë për një axhendë të rëndësishme takimesh të Berishës. Por siç shihet, duket se udhëtimi ka dështuar. Berisha ka takuar në SHBA biznesmenët që ka në Tiranë dhe lobistët e tij në një aktivitet të organizuar nga kompani, shumica e të cilave janë klientë të vajzës së vet.

Kryeministri Berisha siç shihet është tërësisht i izoluar dhe disa here më larg se niveli i delegacionit kosovar, i cili ka arritur të takoj disa personalitete të rëndësishëm amerikanë.

Vizita qesharake

Kryeministri Sali Berisha po qëndron në New Jork, ku merr pjesë në Asamblenë e përvitshme të OKB-së, por në tentativë për ta bërë sa më produktive vizitën e tij po bën takime që s’kanë asnjë interes për atë vetë dhe për Shqipërinë. Pasi organizoi një takim me biznesmenë shqiptarë dhe amerikanë që operojnë aktualisht në Shqipëri dhe e quajti një forum investimesh, dje ka marrë pjesë në një takim ku flitej për ngrohjen globale dhe problemet që do t’i sjellin Afrikës ndryshimet klimaterike. Se çfarë ka dashur kryeministri i një vendi si Shqipëria në një aktivitet të tillë nuk kuptohet, përveç faktit që donte të rreshtonte emrin e tij në një njoftim shtypi pranë emrave të ish-presidentit amerikan Bill Klinton apo kreut të KE-së, Barroso.

(Me asnjërin nuk ka pasur takim). Por siç bëjnë të gjithë zyrtarët e kësaj mazhorance, takimi më i sigurt që Berisha do të kishte në New Jork është ai me kongresmen Eliot Engel, i cili nuk përton të vijë dhe në Tiranë sa herë ia kërkon Berisha, pasi njihet si një lobist i kësaj qeverie. Duke tentuar të takojë ndonjë president të vendeve anëtare të OKB-së, nuk ka pasur asnjë takim të frytshëm dhe me interes për vendin tonë, por ka takuar kryeministrin e Butanit (sa shqiptarë e dinë se ku bie Butani?) dhe me presidentin e Sllovenisë, përsëri pa interes pasi duket dhe nga njoftimi i shkurtër i kryeministrisë.

“Podesta” mori 700 mijë USD, “Patton Boggs”, 1,5 milionë USD

Siç njofton Ama News, këto janë dy shifrat që qarkullojnë aktualisht si pagesa për mbajtjen e forumit të Investimeve Ekonomike Shqipëri-SHBA i mbajtur dy ditë më parë në Nju Jork. Megjithëse mësohet se shumë kompani të huaja, kryesisht amerikane, e kanë bojkotuar këtë eveniment të cilësuar sukses nga qeveria shqiptare, nuk kanë munguar shoqëri apo firma që i njohim nëpërmjet familjes qeveritare këto vite. Firma shqiptare, banka dhe biznese të huaja si “Gjiri Lalëzit”, “Sky petroleum”, “Tirex”, “Podesta” dhe “Paton”.

Madje “Podesta Group”, firma lotuese personale e Berishës në zgjedhje, mësohet se ka qenë organizatorja e forumit dhe për këtë është paguar 700 mijë dollarë amerikanë. Toni Podesta ka qenë dhe moderatori i takimit. Mirëpo ka dhe më shumë. Sepse xhepit të taksapaguesve shqiptarë i ka kushtuar edhe pazari apo çmimi që kishte firma e dytë lotuese “Patton Boggs”, e cila ka marrë merita përsipër për ndihmën ndaj qeverisë shqiptare. Në arkën e saj kryeministri mësohet të ketë derdhur 1,5 milionë dollarë. Dhe kur dihet se drejtues i kësaj firme është ambasadori Uisner, një nga “miqtë” amerikanë që sa herë Berisha është në vështirësi del dhe e mbështet, pavarësisht kostos së demokracisë që ka vendi.

Mirëpo ka dhe një tjetër fakt tepër të frikshëm që raportohet nga shqiptarët e Amerikës në Nju Jork. Pasi është parë të jetë prezente një javë para forumit edhe vajza e kryeministrit, Argita Berisha. Mbase kur të kthehet kryeministri duhet të japë shpjegime më shumë për këtë vizitë misterioze, ku ka marrë me vete edhe familjen e tij, bashkëshorten dhe vajzën. Burime të besueshme i thanë agjencisë AMA se Asambleja e OKB-së nuk ka pasur ndonjë rëndësi të veçantë për prezencën e Berishës, por ajo ka qenë sebepi që kryeministri të organizonte edhe forumin e “bujshëm” për të thurur planet e së ardhmes me lobistët e tij që mbështesin qeveritë më të korruptuara në botë dhe diktatorët më famëkeq.