TemA Online, 18 Mars 2013
Pagesa e qirasë për muajin shkurt
E bija e kryeministrit të Shqipërisë, Sali Berisha qëndron pas operacionit për të zbuar Top Channel-in tre muaj para zgjedhjeve nga mjediset e veta, për të cilat ka pasur një kontratë 25- vjeçare me Ministrinë e Ekonomisë.
Një javë më parë, Top Channel i kërkoi Gjykatës së Lartë të ndërpresë veprimet përmbarimore pas vendimit të Gjykatës së Apelit për t’i njohur pronësinë një përfaqësuesi të ish- pronarëve, deri në përfundim të procesit të gjykimit në Gjykatën e Lartë. Vendimet e ndërmjetme të Gjykatës së Lartë për pezullim urdhrash përmbarimorë janë një rutinë e zakonshme që u lënë kohë palëve deri në fund të procesit. Por tensioni i shkaktuar nga ndërhyrja e familjes Berisha u pa qysh në fillim. Dy anëtarë të trupit gjykues u tërhoqën pa zhurmë nga procesi, dhe vetëm gjysmë ore para fillimit të seancës gjyqësore, gjithçka ishte në favor të Top Channel.
Një anëtar i trupit gjykues i tha gazetës Tema, se gjithçka ndodhi gjysmë ore para fillimit të seancës dhe raporti u përmbys në 3 me 2 kundër Top Channel, duke lejuar të zbatohet vendimi i Apelit pa mbaruar gjyqi në Gjykatë të Lartë.
Edhe pse Top Channel u përpoq të negocionte me përfaqësuesin e pronarëve dhe zyrtarë të lartë të shtetit shqiptar për këtë çështje, gjithçka u refuzua. Të gjithë palët nxjerrin nën zë, ndërhyrjen e së bijës së kryeministrit Berisha në proces. Për shkak të këtij sulmi të paprecedent të qeverisë, disa prej emisioneve më të ndjekura të shqiptarëve në Top Channel si ‘Portokalli’, ‘Top Story’, ‘Top Show’, ‘Procesi Sportiv’ apo ‘E dua vendin tim’ rrezikojnë të ndërpresin transmetimin.
Historia
Prej katër vitesh Top Channel ka kërkuar të bëjë drejtësi për çështjen e ish-Ekspozitës, kur ministri i Ekonomisë i asaj kohe, Genc Ruli, vendosi pa asnjë paralajmërim, në mënyrë të dyshimtë dhe në ditën e fundit të tij si ministër për të ndërprerë kontratën në mënyrë të njëanshme dhe të menjëhershme me Top Channel dhe për t’i dhënë udhë sulmit të radhës ndaj Top Channel me synim eliminimin e televizionit. Në letrën e beftë që i dërgoi atë kohë Top Channel, ministri Ruli i referohej ligjit për zgjidhjen e njëanshme të kontratës, por nuk thoshte asgjë për kushtet ligjore të kontratës mes ministrisë dhe shoqërisë Top Channel, e cila kishte vlerë ligjore deri në vitin 2025. Top Channel i është përmbajtur jo vetëm me rigorozitet, por ka tejkaluar me disa herë kushtet e kontratës, duke e kthyer godinën e vjetër të ish-Ekspozitës “Shqipëria Sot”, në ekspozitën e kulturës dhe artit të së ardhmes. Ky vendim i ministrit Ruli u padit në gjykatë nga Top Channel.
Top Channel deklaron se respekton të drejtën e ish-pronarëve për të marrë pronën e tyre dhe ka qenë një zë i fuqishëm në mbrojtje te të drejtave të tyre. Por ndërkohë Top Channel kërkonte edhe zbatimin e ligjit nga ana e qeverise, siç është në rastin e kontratës që Top Channel kishte nënshkruar me qeverinë për objektet ku ushtron një pjesë të rëndësishme të veprimtarisë së tij dhe ku ka kryer investime në disa milionë euro.
Nga ana tjetër Ministria e Ekonomisë dëshmoi vullnet të plotë për të qenë në anën e pretenduesve të pronës dhe kur pretenduesit ish- pronarë tentuan të manipulojnë me njollën e pronës së tyre duke përfshirë brenda saj dhe një hapësirë, e cila nuk ka qenë pronë e tyre, por shtrat i lumit Lanë. Pas diskreditimit në media për këtë çështje, Ministria e Ekonomisë ua ofroi atë pjesë ish- pronarëve për ta blerë, ndërkohë që mund t’ia ofronte Top Channel si subjekt që ishte në atë mjedis. E gjitha u bë vetëm që të përgatitej beteja për t’i nxjerrë jashtë nga mjediset para 23 qershorit.
Nxitimi i qeverisë për të nxjerrë median më të madhe në vend në mes të katër rrugëve para zgjedhjeve, synon presionin mbi të përpara zgjedhjeve dhe frikën e ndryshimit të pushtetit më 23 qershor, pas së cilës mund të dalin dhe gjithë manipulimet që janë bërë në favor të palës tjetër në këtë histori.
Në komentet e tyre për këtë çështje, drejtuesit e Top Channel kanë akuzuar qeverinë për presion ndaj tyre dhe janë shprehur se nuk mund të lëvizin fizikisht së paku për tre muaj.
Protesta në mbrojtje të Top Channel
Pamundësia e Top Channel për të lëvizur do të thotë mbyllja e emisioneve më të shikuara të tij para zgjedhjeve. Kjo e bën të pamundur daljen e tyre dhe e vetmja mundësi në këto kushte është të rezistojnë dhe të mbrohen nga qytetarët.
Disa organizata gazetarësh po përgatisin një thirrje për të mbrojtur mjediset e Top Channel nga njerëzit e pushtetit, që duan t’i nxjerrin në rrugë. Shpresojmë që dhe shumica e qytetarëve të Tiranës të mbështesë këtë qëndrim dhe ta kthejë betejën për mbrojtjen e Top Channel deri në qershor në një betejë për demokracinë në Shqipëri.