Ardian Vehbiu polemizon me Markun e Elezin lidhur me gegnishten

0
35

ResPublica.al | 17 shkurt 2014

Ardian Vehbiu ka veçuar nga një shkrim i Rudolf Markut, për të cilin ne kemi ‘raportuar’ në faqen tonë, një copëz ku autori shfaqet i befasuar prej një ndërhyrje të deputetit Blushi në komisionin parlamentar për politikën e jashtme. Ndërhyrja e Blushit ishte një nënvizim mbi marrëdhënien jo fort miqësore të Ndrecës, kandidat për kreun e Ambasadës në Vatikan, me shqipen standarde. Copëza e Markut e veçuar nga Vehbiu është:

“Ndjehesh i trishtuar tek mendon se profesor Ardian Ndreca, me komandën e latinishtes, greqishtes së vjetër, gjermanishtes, italishtes, frëngjishtes, anglishtes, duhet të diskutohet nëse është i denjë që të jetë ambasador i vendit të vet në Vatikan, ngase di dhe gegnisht…Gjë që do të thotë se dhe Luigj Gurakuqi, padër Gjergj Fishta, Ndre Mjeda, Migjeni, at Zef Pllumi do të ishin të përjashtuar nga nderi për të qenë ambasadorë të vendit tonë për shkakun e mëkatit të gegnishtes.”

Dhe Vehbiu thotë të vetën më pas: “Argumenti është manipulativ dhe, në thelb, i padenjë për penën e Markut. Ndrecës nuk ia kanë përfolur faktin që di gegnisht, as që e shkruan atë në publik; por faktin që ndoshta nuk di, ose nuk dëshiron të dijë, se kur duhet përdorur gegnishtja dhe kur shqipja standard.” Dhe këtu Vehbiu e mbyll me Markun. Për t’u hedhur tek Mehmet Elezi, i cili në shkrimet e veta bën një martesë voluntariste të standardit me gegnishten. Shembuj që Vehbiu i ka veçuar nga një shkrim i Elezit mbi Vaçe Zelën: “1. Borën e kishin shkaktuar të tjerët.

Një këngëtar nuk duhej me këndue më shumë se dy këngë gjatë një shfaqjeje. 2. Një këngëtar nuk duhej me këndue më shumë se dy këngë gjatë një shfaqjeje. Ky ishte rregulli. Për recital as që mund të bëhej fjalë. 3. E kishim dëgjuar shumë herë në radio, sidomos në programin me muzikë të kërkuar Radio-Posta, kishim parë ndonjë fotografi të shpërlarë bardhë e zi nëpër gazetat e kohës. Tashti, ja rasti me e ndjekë drejtpërdrejt në skenë, me e pa e me e dëgjue disa hapa larg teje.”

Vehbiu afërmendsh e qorton këtë “përzierje, ad libitum, të formave fonetike dhe morfologjike të standardit me ato të gegnishtes”.

Shkrimin e plotë të Vehbiut mund ta gjeni në linkun http://peizazhe.com/2014/02/15/gjuhe-diplomatike/

Re.Pu.