(“Nudo”-Ridvan Dibra, MÇM. Tiranë, 1995)
“Nudo” është nga ata libra që nuk mbarohen më një të lexuar. Ai vazhdon të punojë brenda nesh mbas leximit, duke na nxitur të kërkojmë lidhjet e fshehura kuptimore, që zgjaten përtej romanit dhe përtej autorit të tij. E kjo nuk ndodh fort shpesh, madje mjaft rrallë me autorë dhe vepra të letërsisë sonë.
“Nudo” është një roman në kufi të ideologjisë, të psikanalizës dhe të artit, pra një roman që mbahet në fije të perit. Shumë kujdes dhe mjeshtri lipset që rrëfimi ta ruajë drejtpeshimin. Nga njëra anë ideja krejt origjinale e subjektit (pra, mbetet ende mundësi për origjinalitet në botën globale), kurse nga ana tjetër trajtimi po kaq origjinal i saj, përbëjnë dy shtyllat e forta për të cilat peri i rrëfimit mbahet i tendosur.
Protagonisti i gjithë kësaj lodre është një mjeshtër, artist i formave dhe i ngjyrave, piktor dhe skulptor profesionist. Ka mbetur pa punë në një moment kur ende askush nga shokët e tij nuk ka atelie private. Pranon të emërohet drejtor i një konvikti vajzash studente. Këtë situatë prozaike të artistit, romancieri e kthen në një aventurë shpirtërore dhe intelektuale krejtësisht të veçantë: në fund të saj, ndihemi të ndryshëm, siç ndihemi në jetë mbas një sprove të veçantë ose fort të vështirë. Artisti, drejtor i njëmijë vajzave konviktore, e ka pisk punën. Në një kësi rrethane, lexuesi nuk vë dot bast për asgjë.
Mjeshtëria e këtij romani qëndron te harmonizimi i rrafsheve të ndryshme të leximit brenda një rrëfimi që ofron një fabul të thjeshtë me një linjë të vetme veprimi. Kurse e veçanta e tij është se fabula nis të zbërthehet në mendjen e lexuesit në kuptime paralele dhe në transpozime gjithfarësh, me degëzime kuptimore të befasishme, po krejt të natyrshme për atë tip rrëfimi. Rrëfimi, në të vërtetë, ndërthur rrafshe të ndryshme leximi, ndonjëherë mjaft të largët nga njëri-tjetri, që i japin romanit formën e një sprove mitologjizuese. Siç është folur dhe vazhdon të flitet për mitin antik të pesëdhjetë vajzave danaideve, mund të fillohet të flitet për mitin modern të njëmijë vajzave konviktore.
Mashkulli i thjeshtë, të cilit i takon të kalojë para një ndërtese ku flenë njëmijë vajza të reja, formulon në mënyrë të pavullnetshme dëshirën për t’u bërë objekt i ëndrrave të tyre erotike. Artisti, qenie disa herë më e sofistikuar sesa mashkulli i thjeshtë, fsheh dëshira dhe fantazma shumë më të sofistikuara. I emëruar drejtor i konviktit të vajzave, ai bie me të gjithë qenien e vet në grackën e mbretit Eros, e kështu nis aventura. Aventurë e mirëqenë, sepse kemi të bëjmë me njëmijë vajza: sa pak interesantë do të kishin qenë njëmijë hamshorë djem në vend të njëmijë vajzave të mistershme! Dhe sa pak interesant do të ishte romani, nëse drejtor i konviktit do të kishte qenë një zotëri Gjithkushi, e jo një Artist. Le të imagjinojmë, për një çast, se në vend të artistit do të kishim si drejtor konvikti një pensionist, siç ndodh me emërimet e sotme në universitetet private: thjesht nga ndryshimi i statusit të protagonistit, romani do të ndryshonte pamje dhe drejtim, për të na dhënë, ndoshta, një miniaturë të ngjashme me epokën e dekadentizmit romak…
Gjithçka në romanin e Dibrës zhvillohet duke pasur në sfond të ngjarjes një Nudo – vepër skulpturore e drejtorit të ri – e vendosur në oborrin e konviktit të vajzave me miratimin e organeve bashkiake. Nudoja, kjo vepër brenda veprës (sikurse drama brenda dramës te “Hamleti”), përbën një tjetër gjetje artistike të spikatur, ku fokusohen një mori simbolesh të rendit psikanalitik. Nudoja bën lidhjen shpirtërore midis drejtorit dhe vajzave: prej ekspozimit të Nudos në oborrin e konviktit, i gjithë konvikti fiton një shpirt të vetëm artistik, çka e shtyn drejtorin artist të ngashënjehet dhe ta mendojë veten si mbret i pallatit të njëmijë engjëjve. Ai shndërrohet kështu, si pakuptuar, në një pigmalion të dashuruar me veprën e vet.
Nudoja, prej vetë esencës së saj ‘nudo’, lëshon orë e çast në drejtim të krijuesit të vet pigmalion impulse të mirëfillta seksuale, të cilat bëjnë që, dita-ditës, te drejtori të vdesë artisti dhe të zgjohet mashkulli. Me të njëjtin ritëm progresiv, por në kah të kundërt, tek njëmijë vajzat nis të fashitet joshja për Nudon dhe për autorin e saj, Artistin, ndërkohë që zgjohet revolta kundër Drejtorit dhe kundër Mashkullit. Në këtë mënyrë, simboli i mirë-gjetur i ‘atit Edipian’ dhe simbole të tjera frojdiste plotësojnë dhe gjallërojnë leximin në rrafsh psikanalitik.
Në rrafshin artistik, Nudoja nxjerr mjeshtërisht në pah karakterin ekuivok të artit. Nga njëra anë arti është joshje, kurse nga ana tjetër është subversion. Me Nudon e, më pas, me fjalimin e tij artistik, drejtori arrin të joshë njëmijë qenie njerëzore dhe, duke përfituar nga kjo joshje, ai përgatit pushtimin e tyre shpirtëror e fizik. Afërsia e artit me sferat e ideologjisë e të propagandës paraqitet tronditëse: artisti, duke u rrekur të bëhet i vetmi pushtues i zemrave të njëmijë konviktoreve, tregohet po aq agresiv e totalitar sa një pushtues i mirëfilltë. I ngritur në pozitën e drejtorit, ish-artisti synon të vejë gjithçka nën kontroll, pushtetin e postit (drejtor) ai e dublon dhe e përforcon me pushtetin e artit (skulptor), pa ngurruar aspak që t’i keqpërdorë si njërin pushtet edhe tjetrin.
Në këtë pikë, te drejtori i vajzave studente nis të punojë psikologjia e pushtuesit. Ai përpunon një strategji të vetën për pushtimin e vajzave dhe nis ta vejë atë në zbatim me një skrupolozitet dhe kokëfortësi të denja për cilindo nga Çezarët e historisë. Për të, tjetri është individ që duhet zaptuar dhe jo një vetvete tjetër me të cilin lipset bashkëjetuar. Si çdo pushtues, ai e mat forcën e vet me faktin se sa arrin që ta dominojë tjetrin; me të siguruar dominimin shpirtëror, ai thur strategjinë e dominimit fizik dhe me këtë hap ai vetë-afirmohet si pinjoll i mbrapshtë i racës së pushtuesve të mëdhenj.
Sivëlla i tij i vogël mund të jetë një komandant garnizoni, sivëlla i tij binjak një kryetar parlamenti, sivëlla i tij i madh mund të jetë tirani i mbarë një populli. Të njëmijë konviktoret mund të jenë ekuivalenti i transpozuar i një garnizoni prej njëmijë ushtarësh, i një kuvendi prej njëmijë parlamentarësh, i një populli prej miliona frymësh, i një globi prej miliarda qeniesh: çdo qenie është qenie për t’u pushtuar. Prandaj kësaj bote nuk i kanë munguar kurrë pushtuesit. Fatmirësisht, përvoja e qenies njerëzore tregon se pushtimi total është i pamundur. Në thelb, çdo pushtim është iluziv, pse qenia nuk e dorëzon kurrë veten përfundimisht: ka pushtim të gjatë, por jo pushtim të përjetshëm.
Në krye të një viti pune, drejtori i konviktit detyrohet të dorëzojë çelësat. Edhe “çelësat” janë një tjetër element i mirë-gjetur në roman, përderisa pushteti i tyre shpreh simbolikisht egoizmin e pafre të protagonistit. Kjo finale e pritur e romanit na sugjeron të kalojmë nga rrafshi psikologjik i leximit në rrafshin social. Vajzat dallojnë te drejtori i ri dikë që mund të bëjë për to gjëra të mrekullueshme. Sepse, në rrallë të parë, vajzat ndjejnë nevojën e një rilindjeje shpirtërore, çka pohohet fuqimisht nëpërmjet skulpturës Nudo të vendosur në oborr, si dhe nëpërmjet fjalimit me të cilin drejtori artist prezantohet para tyre.
Por, në këtë çast, suksesi i fjalimit bën që euforia të zhvendoset nga vajzat te drejtori, i cili në mënyre iluzive nis ta vlerësojë veten si qenie supreme, si shpëtimtari madhështor i njëmijë vajzave të reja. Ky deformim etik në vlerësimin e situatës e kthen drejtorin artist në një qenie të rrezikshme, meqenëse synimi i tij fillestar korruptohet me ndjesi perverse. Duke e zhvendosur vëmendjen nga veprimi në dobi të vajzave tek përmbushja e egoizmit vetjak, artisti jo vetëm që e braktis qëllimin e vet human, por vihet në zbatim të një qëllimi paranojak me pasoja të paparashikueshme.
Pikërisht njeriu që ka më tepër prirje dhe shanse për të realizuar lumturinë e të tjerëve, pikërisht ky njeri, duke iu shmangur në mënyre egoiste këtij qëllimi, u sjell të tjerëve zhgënjimin dhe dëmin më të madh: në çastin kur drejtori dorëzon çelësat, konvikti i shëmbëllen një shoqërie të shpartalluar nga zezona shkatërrimtare. Në fakt, andej sapo ka kaluar një mesi i rremë dhe pervers, e në këtë rrafsh të ri romani sërish sugjeron të tjera qasje interesante.
Egoizmi i pacak, kjo ‘sëmundje e shekullit’, e shtyn heroin e romanit që të mendojë e veprojë veç për vete dhe kundër të tjerëve. Deri në çastin kur bashkësia e vajzave konviktore, për vetëmbrojtje, shtrëngohet të marrë kundërmasa të dëshpëruara, të cilat pohojnë me forcë egoizmin burimor të qenies dhe pamjaftueshmërinë e komunikimit në mes të individëve modernë. Aty ku arti përfillet si bashkim, egoizmi shfaqet si divorc. Mungesa e synimeve humane afirmohet si turpësi dhe si dekadencë. Që këtej, aktualizimi mjeshtëror i personazhit Alfred (më në fund, kështu quhet heroi i romanit) shërben për të nxjerrë në pah një hero të tipit dekadent.
Alfredi i vë aftësitë e veta intelektuale në shërbim të qëllimeve që s’mund të quhen qëllime. Ai mendon, logjikon dhe madje ka brumin e një strategu mendjehollë e të guximshëm, porse gjithçka e tij mbetet në planin volitiv të dëshirave: ai nuk është i zoti për të vepruar. Ai nuk realizon asgjë, në mos të kundërtën e asaj çka synonte. I vetmi realizim i tij për t’u marrë në konsideratë është fjalimi masturbues në fillim të romanit: ‘masturbues’, sepse në fakt ky fjalim i drejtohet veç egos të tij, dëshirës për t’i bërë qejfin vetes, për t’u ndjerë interesant dhe i vlerësuar nga të tjerët.
Shembull flagrant i impotencës, Alfredi mendon se është padroni i vetëm i njëmijë vajzave, por ai vetëm sa vetë-mashtrohet nga kjo perspektivë, teksa në realitet nuk mbërrin të bëhet padron i asnjërës. ‘Hero i palavdishëm i një epoke të palavdishme’, Alfredi ngjason me heroin dekadent të Uajldit dhe të D’Anuncios, në synimin e tij pretencioz për ta ndërtuar jetën e vet sipas shëmbëlltyrës së një vepre arti. Këtij qëllimi Alfredi ia arrin mjeshtërisht, e pikërisht falë kësaj arritjeje ai afirmohet si personazh romanesk i realizuar. Nudoja e vendosur në oborr, me rrezatimin ekuivok që lëshon drejt vajzave – si thirrje njëkohësisht estetike dhe seksuale – i ngjan krijuesit të vet jo vetën në aspektin e mishërimit fizik të ndjenjave, po edhe në atë ekzistencial: thelbi i një Nudoje të ekspozuar a nuk është që të përmbushë nevoja intime të shikuesve, por duke mbetur ajo vetë në qendër të vëmendjes së tyre? Në këtë kuptim, Alfredi dhe Nudoja e tij janë një qenie e njëjtë dhe e vetme, qenie me esencë të dyzuar: krejt e bukur dhe krejt e ftohtë.
Artistit të shndërruar në drejtor konvikti i mjafton vetëm një gjest simbolik, dorëzimi i çelësave të drejtorit, në mënyrë që të rikthehet në pikën e nisjes, kur ishte vetëm artist. Edhe pse i mundur nga realiteti faktik, ai nuk mund të quhet as dështak e as i mposhtur: ai ka artin e vet – një realitet virtual dhe një hapësirë e pafund për t’u pushtuar. I rikthyer në vetminë e tij burimore, në artin e tij, ai sërish ka mundësinë të mbetet pushtues, ose tekembramja të provojë edhe mijëra herë të tjera për t’u bërë pushtues. Mjafton që një tjetër Nudo e tij të vendoset në një tjetër vend dhe një tjetër pushtim bëhet i mundshëm. Pushtim për të mirë apo për të keq: në pikëpamje të artit, kjo s’ka rëndësi. Në pikëpamje të artdashësit, rëndësi ka që të ndihemi të pushtuar dhe ky roman i Dibrës na e dhuron këtë ndjesi.