Arbnori, “Nderi i Kombit”. Topi: Burim frymëzimi

0
32

Panorama, 28 Tetor 2011

TIRANË- Presidenti Bamir Topi dekoroi sot të dënuarin nga diktatura, politikanin dhe parlamentarin, shkrimtarin dhe publicistin e shquar shkodran, Pjetër Arbnori (Pas vdekjes), me Urdhrin “Nderi i Kombit”. Bashke me urdhrin ai i dorezoi familjes edhe dekretin përkatës me motivacionin: “Personalitetit të shquar të Shkodrës dhe të gjithë Shqipërisë, simbolit të sakrificave mbinjerëzore nën persekutimin komunist, politikanit paqësor dhe shkrimtarit të talentuar, intelektualit vizionar e qytetarit fisnik, që gjithë jetën dhe veprimtarinë e tij ia kushtoi idealeve të mëdha të demokracisë, shtetit të së drejtës dhe të përparimit kombëtar”.

Presidenti e cilësoi Arbnorin një prej personaliteteve më të shquara kombëtare, politikan paqësor, disident politik, shkrimtar te talentuar dhe njeri te mrekullueshëm.

Më poshtë fjala e Topit

Në kujtesën tonë të përbashkët, me sakrificat e jashtëzakonshme dhe veprën e tij, Pjetër Arbnori mbetet një simbol qëndrese dhe humanizmi, një politikan e intelektual me horizont të gjerë dhe urtësi shembullore, një burim frymëzimi për sjellje qytetare dhe mendimin e lirë. Jeta e tij u përshkrua nga drama dhe sakrifica të panumërta. Në moshën 26-vjeçare, ai pati vizionin për të hedhur në letër piketat e një programi politik modern. Bindjet e tij politike, talenti në krijimtari dhe guximi për të kundërshtuar parimet staliniste të regjimit, i morën Pjetrit 28 vjet nga jeta e tij, duke e shndërruar kështu në “Mandelën e Shqipërisë”. Burgjet, vuajtjet dhe dhimbjet e Pjetër Arbnorit janë burgjet, vuajtjet dhe dhimbjet e Shqipërisë.

Gjatë kalvarit të gjatë të burgjeve dhe sakrificave, ai u udhëhoq, sikurse e thotë vetë në kujtimet e tij, nga motivi i luftës për të mbetur njeri. Askush tjetër nuk ia doli si ai, t’i mbijetojë terrorit dhe persekutimit, të ruajë të paprekur energjitë dhe forcën e shpirtit, të kultivojë brenda vetes aq shumë kulturë dhe humanizëm, dhe së fundi, të na dhurojë aq shumë dëshmi autentike mbi atë të kaluar tragjike. Në vendet ish-komuniste, shumë disidentë hynë në politikë, por asnjë rast tjetër nuk u krahasua me rastin Arbnori, i cili pas mëse tre dekadash në burgje ia doli të zgjidhet dhe të ushtrojë me sukses historik detyrën e lartë të Kryetarit të Parlamentit demokratik.

Në kontrast me modelet politike konfliktuale dhe ideologjike, me sjelljet politike joqytetare dhe penguese për vendin, Arbnori kujtohet nga të gjithë për qetësinë, argumentin dhe integritetin e lartë. I zgjedhur deputet në pesë legjislatura, një nga përfaqësuesit më të denjë të qytetarisë shkodrane, Arbnori krijoi edhe në demokraci modelin e politikanit evropian, – mbështetës i vendosur i dialogut politik dhe i shtetit të së drejtës, aktivist i palodhur i të drejtave të njeriut, politikan që vendos mbi gjithçka tjetër interesin publik e kombëtar.

Për shkak të cilësive të veçanta të tij, Pjetrin e donin dhe e respektonin kudo, në Parlament dhe jashtë tij, në Shkodër dhe në Vlorë, në Prishtinë ku mori nderime të larta, në Strasburg dhe Vjenë, në Romë dhe Uashington. Asnjë politikan tjetër i tranzicionit nuk ka marrë më shumë nderime e respekt nga bashkëkombasit e tij dhe miqtë e Shqipërisë, sepse asnjë politikan tjetër nuk ka sakrifikuar më shumë se ai për Shqipërinë demokratike dhe evropiane, të cilën e përfaqësoi me dinjitet dhe mjeshtëri të veçantë.

Personalisht kam pasur kënaqësinë ta njoh nga afër si mik, si koleg në Parlament, si bashkudhëtar të ideve të njëjta, por edhe si lexues i rregullt i krijimtarisë së tij. Gjithçka ruaj e kujtoj nga jeta e gjatë miqësore e politike, është respekti e mirënjohja, të cilën sot, me cilësinë e Kryetarit të Shtetit po e shpreh publikisht, përmes një nderimi të merituar. Pjetër Arbnori ka zënë vend tashmë në kujtesën historike të Shqipërisë dhe kombit shqiptar. Kjo dekoratë vetëm sa formalizon atë respekt të madh për njeriun fisnik, për sakrificat e tij të pashoqe, gjithçka që ai përfaqësoi, prezantoi dhe solli risi në politikën dhe qytetarinë shqiptare.

Fjalën time dua ta mbyll me vetë gjuhën e shkruar të Pjetrit, i cili në kujtimet e veta shprehet se parimet udhëheqëse të jetës së tij ishin:

“Të mbështetem në besimin tek Zoti
Të ruaj krenarinë e familjes
T’i shtrohem punës me zell e këmbëngulje
Të mos i ankohem njeriu për hallet e mia
Të mos turpërohem moralisht
Të mos prek gjënë e botës
Të mos tradhëtoj as miq dhe as të huaj
Të mos bëhem shërbëtor i askujt
Të mos humbas humorin as në kushte të vështira
Pa u shitur trim, të jem qëndrestar”

Fjala e vajzës së Arbnorit

Në emër të familjes Arbnori, dëshiroj t’ju falenderoj përzemërsisht zoti President, për urdhrin e lartë, që e përkujtoni babain tonë pas vdekjes.

Unë dhe vëllai im, ndihemi me shumë fat që, edhe pas pesë vjetëve të ndarjes nga jeta të babait tonë, kemi të freskëta kujtimet më të bukura nga një njeri që vazhdon të gëzojë respektin e të gjithëve për kontributin konkret që dha për demokracinë në Shqipëri, për mençurinë, maturinë, idealizmin dhe dashurinë për vendin. Siç dihet, e kanë quajtur dhe ‘Mandela e Ballkanit’ për shkak të karakterit të tij rezistent e gjithmonë paqësor. Por, për ne ka qenë më shumë se aq. Babai ka qenë një shkollë më vete, më shumë se një prind. Ai ka qenë një shok që gjente gjithmonë kohën të na nxiste, që krahas të mësuarit në shkollë, të bëheshim njerëz me karakter e me personalitet, të edukuar dhe të respektuar kudo. Ka qenë e vështirë të kaloje adoleshencën pa praninë e tij, por unë dhe vëllai im, i jemi shumë mirënjohës mamasë sonë, Suzanës, që na ka mbështetur në këtë rrugëtim jo dhe aq të lehtë.

Emri i babait është një përgjegjësi shumë e madhe për ne, një detyrim për të vazhduar rrugën dhe filozofinë e tij. Ky vlerësim që i jepet sot babait, i shkon natyrisht dhe mamasë sonë, që ka ndarë me të çdo moment të bukur dhe të vështirë në karrierën e tij, si politikan dhe shkrimtar, deri në momentet e fundit, por dhe të gjithë shokëve, miqve dhe dashamirësve të familjes sonë, që kontribuojnë duke mbajtur gjallë emrin e tij. Ata janë vërtet të shumtë në numër dhe në emër të të gjithëve, unë Ju them dhe njëherë: Faleminderit për këtë dekoratë!”