Magdalena Alla
Arbëreshët bujtin përsëri. Sa herë që duan në ‘shtëpinë’ që mbetet përherë edhe e tyre. Më shpesh se ne, madje. Dje në një seminar në kuadër të 150-vjetorit të bashkimit të Italisë dhe 100-vjetorit në prag të Rilindjes së Shqipërisë, Pavarësisë së saj. Përveç dy arbëreshëve të mëdhenj: Antonio Gramshit, themelues i Partisë Komuniste italiane, deputet, filozof, gazetar apo Francesco Crispit, dy herë kryeministër i Italisë në fund të shek. 19, emra që dominuan Italinë përpara Musolinit, në seminar janë përmendur fort edhe dy emra të tjerë të shkëlqyer, Pasquale Scura dhe Terenzo Toçi. I pari ndër shumë arbëreshë të tjerë, u rreshtua me Garibaldin dhe vuri më pas gurë themeltarë në ekzistencën e shtetit të sotëm italian.
I dyti ka çartur të bëjë atë që bëri Galibardi në Itali; të çlironte Shqipërinë nga otomanët dhe të shpallte pavarësinë e saj që në vitin 1911. Një konferencë për rolin e arbëreshëve në Bashkimin e Italisë dhe dedikuar këtyre dy emrave të spikatur në Pallatin e Kongreseve në Tiranë. “Do kisha dashur të dinin më shumë në Itali dhe Shqipëri për vlerat e arbëreshëve në bashkimin e Italisë. Por është krenari dhe në këtë mënyrë promovojmë vlerat tona. Por dhe ne shqiptarët duhet të bëjmë më shumë për arbëreshët, – u shpreh ambasadori shqiptar në Romë, Llesh Kola, në këtë takim, – duke propozuar që kur vizitojnë Italinë, të vizitojnë arbëreshët, tek të cilët do të ndihen më krenarë që janë shqiptarë, pasi kanë ruajtur me konservatorizëm traditat e tyre”.
“Falë edhe respektit dhe tolerancës që gjetën në Itali”, do të kujtonte ish-ambasadori Mario Bova, fjalët e ish-presidentit Mejdani në një vizitë në komunitetet arbëreshe në Itali. Duke shtuar që është një rast unik se si një minorancë vihet në rolin e shpëtimit të një vendi mikpritës. “Dhe arbëreshët sot kanë ndikuar në imazhin e shqiptarëve në Itali, që nuk është më ai i përpara dhjetë vjetëve. ‘Këtë shqiptarët e kanë bërë me sakrifica, trimëri të pashoqe dhe me gjak për pavarësinë e Greqisë, e kanë bërë me kryengritjet në Rumani, por sidomos në Bashkimin e Italisë. Nisur nga shpirti i tyre liridashës”, do të shtonte profesor Nasho Jorgaqi në diskutimin e tij të gjatë për rolin arbëresh.
Gjuhëtari Gjovalin Shkurtaj do të përmendte se në gjuhën e arbëreshëve mbizotëron vetëdija e të qenit ‘ndryshe’, ‘i papërzier’. Me shprehje si ‘ne jemi arbëreshë’, ‘jemi gjak arbëresh’, ‘jemi të ndarë, por arbëresh’, gjuha jonë’ etj.
Box
Ish-ministri i Garibaldit, Pasquale Scura
Mbi Pasquale Scurën ka shkruar një libër prej katërqind faqesh autori tjetër po arbëresh, Francesco Perri. Duke dëshmuar jetën e Paquale Scurës tërësisht përmes dokumenteve. Arëbreshi, i lindur në 1781-shin në katundin arbëresh të Vaçarizo Albanese, e që doli nga bankat e kolegjit avangardë të San Adrianos të San Demetrio Corone, ku ka dhënë mësim Jeronim De Rada. I laureuar në Jurisprudencë, do të bëhej një jurist tepër i suksesshëm. Një intelektual i vërtetë që ka argumentuar me forcë, me ide konkrete promovimin e plebishitit të 1860-s të Giuseppe Garibaldit, edhe duke e shkruar atë. Garibaldi më pas për t’ia shpërblyer atij, por dhe gjithë arbëreshëve kontributin e jashtëzakonshëm që dhanë për Bashkimin e Italisë e bëri ministër të Drejtësisë. Një tjetër ministër arbëresh, por i transporteve në qeverinë e Giuseppe Garibaldit do të bëhej Luigi Giura.
Pasardhësja e familjes Scura në konferencën e djeshme në Tiranë, Maria Asunta Ioele, do të tregonte detaje personale mbi përndjekjet që iu bënë Pasquale Scurës pas vitit 1848, pasi mbreti Ferdinand II i Napolit dyshonte se ai punonte kundër borbonëve. Kësisoj u detyrua të emigronte në Xhenova, e më pas në Torino, ku do të qëndronte shtatë vjet. Kohë kur familja e tij mbeti në Kalabri, në një varfëri ekstreme ekonomike, pasi iu ndërprenë të gjitha trajtimet ekonomike, dhe mbahej me ndihmat e miqve. Ajo lexoi dhe letrën që babai me dhembshuri dhe dinjitet i dërgonte nga larg familjes. I lejohet të kthehet në vendlindje dy vjet pas vendimit në Katanzaro. Në 1860-n bëhet ministër Drejtësie dhe po këtë vit thirret nga Gjykata e Lartë si Këshilltar i Kasacionit në Napoli. Në 12 janar 1868, ndërsa dëgjonte diskutimin e përurimit të vitit juridik, u godit papritur nga një dhimbje dhe vdiq.
Kontributi i kolegjit Sant’Adriano
Për kontributin e kolegjit të Sant’Adrianos në San Demetrio Corone ka referuar Domenico Cassiano. Për të, ky kolegj që daton nga 1732, ka luajtur një rol të madh në prodhimin e intelektualëve arbëreshe, që u bënë avangardë e zhvillimit të gjithë Kalabrisë. Familje si Mauro, Damis, Baffi, Scura, Crispi, Giura u zhvilluan dhe dolën nga kjo shkollë. Familjet Baffi-Bellusci-Bulgari u bënë motor të lëvizjes demokratike në Napoli kundër borbonëve. “Jo më kot ra në sy të Garibaldit, i cili bëri një donacion prej 12 mijë dukatesh për meritat e shqiptarëve bujarë”, do të veçonte Cassiano. Por jo vetëm intelektualët arbëreshë. Pararojë e shoqërisë kalabreze ishte gjithë popullsia shqiptare, e cila ngrihej si askush tjetër për marrjen dhe ndarjen e tokës.