Arbën Xhaferi: Militantët e ndryshimit të standardit gjuhësor po rrënojnë identitetin

0
47

TemA, 17 Korrik 2012

Mendimtari i njohur shqiptar, Arbën Xhaferi, në një intervistë për Shqip, flet për debatin e hapur për ndryshimin e gjuhës standarde shqipe. Ai thotë se ky është një debat i stisur nga një grup njerëzish që duan të lëkundin të vetmen vlerë identitare të mbetur pas viteve ’90.

“Një grup njerëzish të organizuar mirë, mund të krijojnë përshtypjen se diçka e kalbur qenka në themelet mbi të cilat ndërtohet Shqipëria. Ata paraqiten zhurmshëm në opinion, paralajmërojnë kriza sikur të ishin vetë kalorës apokaliptikë dhe ofrojnë zgjidhje të menjëhershme: ndërrimin e identitetit. Aktualisht, tema e parapëlqyer e atyre që dëshirojnë të imponojnë qasjen ‘kritike’ në vlerësimin e proceseve politike, historike, shoqërore në përgjithësi, është vlera e vetme gjithëkombëtare që na mbeti pas rrënimeve shkurtpamëse të viteve të ’90, gjuha e standardizuar shqipe,” thotë Xhaferi.

Madje Xhaferi u jep një përgjigje atyre që thonë se vendimi për gjuhën ka qenë një vendim politik.

“Gjithkund në botë këto vendime merren në institucione politike. Kritikuesit e ndërlidhin idenë e standardizimit me politikën, ngaqë për ta nocioni ‘politikë’ ka konotacion negativ. Mirëpo vendimmarrja për standardizim të një gjuhe gjithmonë ka qenë politike, të paktën derisa nuk zgjidhet kodi i njësimit.

Argumenti që përdoret nga kontestuesit që e ndërlidhin gjuhën standarde me politikë, me komunizmin ose Enver Hoxhën, nuk janë të vetëdijshëm se çfarë lavdërimi i bëjnë komunizmit dhe Enver Hoxhës”.

Xhaferi ka komentuar edhe mungesën e ftesës ndaj Rexhep Qosjes me rastin e festimeve të 100 vjetorit të Pavarësisë, duke thënë se Qosja duhet pranuar ashtu siç është, jo siç e parapëlqejnë të tjerët.