Aparati i përgjimit kushtoi 1.3 milionë euro. Ka firmosur vetë Imami!

0
34

TemA Online, 16 Korrik 2012

Ministria e Mbrojtjes e Shqipërisë ka blerë në muajin shkurt 2011 një aparaturë për përgjimin jashtë sistemit ligjor të opozitës, diplomatëve dhe gazetarëve kritikë me regjimin. Një zyrtar i lartë i Ministrisë së Mbrojtjes i tha gazetës Tema se aparati i përgjimit që ka blerë Shërbimi Informativ i Ushtrisë i përket muajit shkurt 2011, disa javë pas ngjarjeve të 21 Janarit. Ai ka kushtuar rreth 1.3 milionë euro dhe urdhri për blerje me prokurim të drejtpërdrejtë është firmosur nga ministri Arben Imami.

Ligji për përgjimin në Shqipëri e ka të rregulluar në mënyrë të qartë se cilat janë rregullat e përgjimit. Aparaturat zyrtare të përgjimit ndodhen në Shërbimin Informativ Shtetëror, por çelësin e lejimit të përgjimit e ka prokuroria. Asnjë përgjim tjetër jashtë këtij sistemi nuk ka qenë i mundur deri në shkurt të vitit 2011.

Menjëherë pas ngjarjeve të 21 Janarit, në një klimë armiqësore dhe paranojake ndaj kundërshtarëve, regjimi ka porositur një aparaturë super të shtrenjtë, fjala e fundit e shkencës dhe teknikës, e cila mundëson përgjimin e qindra vetëve njëkohësisht, dhe është kontrolluar nga njerëz të besuar të Familjes Berisha në Shërbimin Informativ të Ushtrisë.

Blerësi i aparaturës, ministri i Mbrojtjes Arben Imami, ka kundërshtuar akuzat, por ka refuzuar kontrollin parlamentar për këtë skandal.

E sigurt është se pas këtij gjesti ai hyri në listën e njerëzve të besuar të familjes Berisha dhe ishte një nga kandidatët për president që Berisha propozoi në bisedimet me opozitën.