Nga Mero Baze, 5 Tetor 2012
Kemi një problem me Bujar Nishanin. Ngase askush nuk e merr seriozisht si president, ai në të vërtetë po konsumon me qetësi një axhendë tërësisht antiopozitare, duke guxuar të flasë si president. E pashë dje në Këshillin e Evropës kur foli dhe dënoi vrasjet politike në Siri. Pak më vonë ai u pyet nga gazetarja Arta Tozaj se ç’qëndrim ka për 21 Janarin tashmë si president. Pa ju dridhur qerpiku, Nishani tha se kishte besim që drejtësia do të hetonte dhe gjykonte ata që organizuan dhe mobilizuan njerëzit kundër institucioneve.
Në të vërtetë hetimet e deritanishme, që janë hetimet e FBI, kanë dëshmuar se komandanti i Gardës ka qëlluar dhe vrarë demonstrues, por as ai dhe as të akuzuarit, jo vetëm që nuk po dënohen, por as po mbahen të arrestuar. Presidenti, nga i cili nuk presim të jetë president, por as ia kemi borxh të jetë më zi se Berisha kundër opozitës, artikuloi me qetësi të madhe një thirrje për hetim dhe ndëshkim të opozitës, duke i quajtur të ligjshme vrasjet politike të katër qytetarëve.
Kjo është deklarata më e rëndë që ai ka bërë në frymën antiopozitare qyshkurse është bërë president, e cila duket se ka mobiluar një frymë dhe revansh antiopozitar në mbarë institucionet.
Një uikend më parë, ndërsa po pija një kafe në një bar të Tiranës, dëgjova dikë të egërsuar pas meje, nga këta tipat që bërtasin “më mbani se do ta vras”. Fliste për 21 janarin dhe ishte duke më “dënuar mua me vdekje”. Isha në shoqërinë e disa kolegëve të mi gazetarë dhe gazetare, dhe iu shmangëm duke u larguar pak më tutje. Dy ditë më pas më ndodhi të shkoja në Gjykatë të Tiranës e të ndiqja nga larg gjyqin e 21 janarit dhe pashë një skemë të shëmtuar.
Dhjetëra gardistë, por dhe disa halabakë rrugësh pas tyre, futeshin në rresht para trupit gjykues, i puthnin dorën me të cilën kishte qëlluar komandanti i Gardës, i thoshin “na ke pas komandant” dhe uleshin në sallën e gjyqit duke zënë gjithë vendet që të mos uleshin gazetarë. Disa reporterë të trembur rrinin tek cepi i derës dhe kështu fillonte gjykimi i 21 janarit, me një trup gjykues që më shume se sa dëshmitë, dëbonte dhe vazhdon të dëgjojë kërcënimet e njerëzve në sallë.
Mes tyre si njeri i afërt i komandantit ishte dhe ai tipi që na prishi gjakun në bar disa ditë më parë. Ishte dita kur xhaxhi i Aleks Nikës, i cili beson akoma tek drejtësia, kishte botuar një letër tek gazeta Tema drejtuar Stefan Fyles, për të vënë drejtësi për gjakun e nipit të vrarë dhe mbesat jetime në shtëpi. Por brenda asaj salle unë pashë se të vrarët ishin harruar dhe gjykata, njësoj si Presidenti ynë, ishin të shqetësuar si të gjykonin organizatorët. Para tyre ishin dy deputetë socialistë, që po dëshmonin ç’kishin bërë më 21 janar, ndërsa në krah të gjykatësve rrinin komandanti i Gardës dhe gardistë të tjerë, që ekspertiza e FBI i ka cilësuar fajtorë përtej dyshimeve.
Shumë miq të mi, kur e kam biseduar sot, reflektojnë idenë e përgjithshme se Presidenti është njeri kot dhe nuk i mendon gjërat që thotë. Të tjerë e justifikojnë se thjesht thotë ato që thotë Berisha. E pranoj mungesën e inteligjencës së tij se është shumë e deshifrueshme, por për herë të parë në historinë e 20 vjetëve ne kemi një president, që merr pozicion të egër antiopozitar, bile duke guxuar të përdhosë dhe të vrarët politikisht prej qeverisë. As Berisha në kohën e vet presidenciale, as Meidani në kohën e drejtimit politik të Presidencës, dhe natyrisht as Topi e as Moisiu, nuk kanë guxuar të bëjnë ndonjë deklaratë kaq të egër politike me frymë kaq të thellë antiopozitare.
Kjo është fryma e Presidentit në detyrë, e kryeministrit duargjakosur, dhe e gjithë pushtetit që ka filluar ta përjetojë revanshin në drejtësi, si një e drejtë që ata kanë për të fshehur një krim të shëmtuar politik që ka ndodhur më 21 janar.
Skena e asaj salle gjykimi, e përforcuar me deklaratën e Bujar Nishanit, më bën të besoj se ndërsa ne injorojmë Presidentin si një handikapat, që e ka vënë Berisha për të mos pasur president, sistemi i drejtësisë dhe krahu i armatosur i pushtetit e kanë marrë më seriozisht. Ata e shikojnë si garantin e tyre për të fshehur krimin dhe e përjetojnë realisht si të drejtë të tyre që fëmijët e Aleks Nikës, të Ziver Veizit, të Faik Myrtaj apo Hekuran Dedës, të harrojnë se do të gjykohen vrasësit e prindërve të tyre. I kuptoj gardistët se janë të inkriminuar dhe mendojnë se krimi mbulohet me krim, por Presidenti duhet të mendohet mirë kur tenton të mbulojë vrasjen politike me vrasje të opozitës.
Inkurajimi që institucioni i tij i bën frymës antiopozitare në vend, reflektohej qartë në atë sallë gjykate, ku drejtësia ishte e tmerruar nga kriminelët në sallë dhe jo nga krimi që kishin bërë, reflektohet qartë nga përballja ime dhe e kolegëve të mi me gardistët rrugëve të Tiranës, reflektohet tek gjuha diabolike e kryeministrit, i cili kërkon të mbulojë njollat e gjakut nga duart, duke përdorur drejtësinë e kontrolluar kundër viktimave. Dhe në një klimë të tillë elektorale, me një tension të ngritur politik dhe frymë revanshiste kundër opozitës nga gjithë institucionet e shtetit, përfshi Presidentin, me gardistë sykuq nga tërbimi i rrugëve të Tiranës që kërcënojnë çdo gazetar apo opozitar, Sali Berisha po e çon vendin drejt një regjimi të egër antiopozitar, si ai i vitit ‘96-‘97 kur këto fytyra gardistësh qëllonin dhe rrihnin Neritan Cekën, Zogajn, Imamin apo gazetarët rrotull tyre në klubet e Tiranës.
Presidenti Nishani, një pinjoll sirian i mbetur në Libohovë nga koha e Perandorisë Osmane, i cili kur fliste për Sirinë më ngjante si vëllai i vogël i Asadit edhe fizikisht, tani po aplikon me qetësi tezat më të egra antiopozitare dhe po frymëzon antiopozitarizmin në institucione, në rrugë, dhe deri në selinë e demokracisë në Këshill të Evropës. Nuk duhet trajtuar si handikapat, por si njeri që po gjymton rëndë demokracinë.