ANDREA STEFANI, 5 Gusht 2013
Andrea StefaniI larguar me votë plebishitare të shqiptarëve, edhe për shkak të korrupsionit galopant që kishte kalbëzuar qeverinë e tij, Sali Berisha ka nisur të ngrejë alarme në “Facebook” për qeverinë Rama, e cila, edhe pse nuk ka qeverisur as edhe një ditë, anatemohet prej tij si “ekipi më i korruptuar që është instaluar ndonjëherë në Shqipëri”. Nuk e vëmë fare në dyshim aftësinë e Berishës për të dalluar simptomat e një qeverie të korruptuar. Sepse ai, dora vetë, është babai i korrupsionit në Shqipëri duke nisur nga piramidat mashtruese e deri te skandali i përgjakshëm i Gërdecit.
Një prind nuk mund të mos e njohë krijesën e vet edhe pasi ajo është rritur duke u shndërruar në një përbindësh. E megjithatë, ish-kryeministrit nuk mund t’i njohim aftësinë profetike që të dallojë e parathotë korrupsionin edhe në një qeveri që nuk ka qeverisur ende asnjë ditë. Për t’u besuar Berisha duhet të japë fakte. Po cilat janë “faktet” që u ofron shqiptarëve Sali Berisha? Janë po ato “fjalë kazani” që ka nja 10 vjet që i llomotit pa pushim, herë duke i pohuar dhe herë duke i mohuar po vetë.
* * *
Në vitin 2005, Sali Berisha u rikthye në pushtet duke u përbetuar se do të zhvillonte një luftë me tolerancë zero kundër korrupsionit, si dhe do të qeveriste me “duar të pastra”. Edhe pse 8 vite më parë e kishin rrëzuar për shkak të piramidave korruptive të krijuara sipas parullës berishiane “me ne fitojnë të gjithë”, shqiptarët bënë budallallëkun duke e besuar. Në fakt, Berisha kish mundur të mbijetonte në politikë, sepse ia kish arritur të paralizonte vullnetin e dobët të qeverive socialiste për të ndëshkuar korrupsionin e qeverisë “demokratike”.
Tani ishte radha e Berishës të premtonte me një emfazë vulgare ndëshkimin e korrupsionit të padrinos Fatos Nano, si dhe të “mamuthëve” të korrupsionit apo të “klanit të Zemunit”. Dhe ç’ndodhi? Jo vetëm që Berisha nuk e ndëshkoi korrupsionin e Fatos Nanos, por erdhi një moment kur për nevoja politike, ndërsa i shtrëngonte dorën liderit “historik” të së majtës, deklaroi se të gjitha akuzat kundër tij kishin qenë “fjalë kazani”. Domethënë gjëra që thuhen rëndom në politikë, por që në realitet nuk kanë asgjë të vërtetë.
* * *
Kohët treguan se Berisha nuk kishte fare ndërmend ta luftonte korrupsionin. Sepse të luftosh korrupsionin do të thotë të krijosh në trupin e shtetit “antikorpet” institucionale që kanë predispozitë thuajse organike të luftojnë korrupsionin. Por kjo do të thoshte se këto “antikorpe” do të luftonin edhe korrupsionin e qeverisë së re, pra atë të Berishës vetë. Dhe Berisha e klani i tij, pavarësisht nga mburrjet e parullat, ishin rikthyer në pushtet për t’u pasuruar edhe më pangishëm se më parë.
Mjafton të ngresh një institucion që të masë pasurinë e ministrave dhe jo pak deputetëve të qeverisë në largim, dhe nuk do të jetë fare e vështirë të konstatosh se apartamentet, vilat, paratë në banka, makinat luksoze nuk mund të realizohen vetëm me rrogat që atyre u jep publiku. Luksi i jetëve të tyre rrëzëllen në sfondin e mjerimit ku, për shkak të diferencimit të skajshëm pasuror që sjell korrupsioni, janë zhytur jo pak shqiptarë.
* * *
Dhe sot, pasi ka shpërdoruar 8 vjet besim të shqiptarëve, pasi zhvilloi një qeverisje me tolerancë maksimale ndaj korrupsionit, pasi i zheu duart jo vetëm me para të pista korrupsioni, por edhe me gjakun e viktimave të korrupsionit si në Gërdec dhe 21 janar, ish-kryeministri ka paturpësinë t’u rikthehet fjalëve të kazanit me akuza kundër qeverisë së re. Dhe çfarë thotë? Akuzon Edi Ramën për afera që paska bërë dikur si ministër i Kulturës i Nanos apo për 20 përqindëshat që paska marrë si kryetar bashkie. Akuzon Shkëlqim Canin se paska vjedhur floririn kur ishte guvernatori i Bankës së Shqipërisë.
Akuzon Arben Ahmetajn se paska vjedhur 10 milionë euro të “Albtelekomit”, Ilir Beqen se paska falsifikuar mijëra e mijëra pensione, Saimir Tahirin për korrupsionin e kontrabandën e babës e nënës, si dhe Erion Velinë se ka vjedhur paratë e “MJAFT”-it. Por është tamam koha për t’i thënë mjaft këtij gojëkeqi që beson se gënjeshtra ka aq fuqi sa në mos ta risjellë prapë në pushtet të paktën ta shpëtojë nga ndëshkimi, se shqiptarët qenkan aq pa tru sa të besojnë përsëri në gënjeshtrën e tij antikorrupsion. Pyetja e parë që shtrohet për Berishën është kjo: Nëse paska pasur kaq “fakte” për korrupsionin e Edi Ramës, Shkëlqim Canit, Arben Ahmetajt, Ilir Beqes, Saimir Tahirit apo Erion Velisë, përse nuk e ka luftuar këtë korrupsion? Edi Rama ka qenë ministër Kulture thuajse një dekadë më parë.
Përse nuk i përdore 8 vjet qeverisje me duar të pastra për ta ndëshkuar këtë korrupsion? Por është e qartë. Akuzat e Berishës për korrupsion vijnë si kofini pas të vjeli. Ato synojnë të paralizojnë aksionin antikorrupsion që po përgatit qeveria e re, e cila duket nuk ka ndërmend të përsërisë fajin e tij. As atë të Fatos Nanos. Berisha e ndien se këtë herë antikorrupsioni po vjen më seriozisht. Dhe është aq i pashpresë sa kërkon ta bllokojë me “fjalë kazani”. Një i mbytur që kapet pas fijes së barit, kur në fakt, duhet të heshtë si fija e barit.







