Shekulli Online, 11.10.2010
Në kuadër të programit të mirëqeverisjes, Fondacioni Shoqëria e Hapur për Shqipërinë ka komisionuar kryerjen e një studimi mbi perceptimin e publikut për performancën e qeverisë, demokracinë në vend dhe çështjet e ndërlidhura të krizës politike (hapja e kutive, greva opozitare), dhe integrimin në BE, korrupsionin dhe transparencën, shëndetsinë dhe arsimin. Gjithashtu, qytetarët janë pyetur se cilat janë çështjet madhore për ta, në mënyrë që të mundësohet një krahasim me çështjet madhore në debatin publik politik. Më poshtë janë rezultatet e studimit të fondacionit në fjalë, i cili investohet nga rrjeti Soros
Studimi paraqet një popullatë të dyzuar për sa i përket nivelit të kënaqësisë me ecurinë e përgjithshme të demokracisë në vend, ku 48.6% e tyre shprehen se janë shumë ose mjaftueshëm të kënaqur përkundrejt 49.1%, të cilët pohojnë se janë të aspak ose jo shumë të kënaqur dhe mendojnë se ka gjëra që duhen përmirësuar.
Në vijim logjik, e njëjta situatë e dyzuar paraqitet edhe për çështjen e „hapjes së kutive” ku 47.5% e të anketuarve mendojnë se ajo ishte një kauzë e drejtë dhe 45.8% e tyre se ishte e gabuar. Ndërkohë, pjesa dërrmuese (66.7%) pohojnë se Shumica (Qeveri, PD+LSI) ka përgjegjësinë më të madhe për zgjidhjen e krizave të tilla politike.
Gjithashtu, shumica e të anketuarve (52.5%) shprehen se greva as e dobësoi dhe as e forcoi gjendjen e demokracisë në vend dhe (61%) se as e vonoi dhe as nuk e ndihmoi procesin e integrimit të Shqipërisë drejt BE-së.
40.1% është shkalla e miratimit të punës aktuale të kryer nga Qeveria. Në lidhje me transparencën në qeverisje, qytetarët kanë renditur organet e pushtetit vendor si më transparentë (65.9% mendojnë se janë transparentë përkundrejt 29% që mendojnë të kundërtën), të ndjekur nga Parlamenti(63.3% vs. 32.8%), dhe Këshilli i Ministrave (59.3% vs. 33.9%). Specifikisht për nivelin e korrupsionit tek zyrtarët publikë përgjatë vitit të kaluar, 39.5% e të anketuarve vlerësojnë se niveli i tij është rritur, 35.6% se ka mbetur i njëjtë dhe 18.6% se është pakësuar.
Studimi gjithashtu paraqet përfundime të rëndësishme për sa i përket sektorit të shëndetësisë, i vlerësuar negativisht nga 65 % e të anketuarve. Në shëndetësi, qytetarët mendojnë se prioritet i duhet dhënë teknologjisë, infrastrukturës dhe mjediseve spitalore, rritjes së përgjegjshmërisë së mjekëve, përgatitjes dhe pagave të tyre, dhe subvencionimit të medikamenteve të listës (dhe jo të skaduara me origjinë indiane) të cilat duhet të jenë cilësore dhe ato që janë të shtrenjta.
Ndërkohë që duket qartë se të anketuarit nuk kanë njohuritë e duhura apo edhe të mjaftueshme për skemën e ofrimit të shërbimit shëndetësor kompensuar me sigurimet shëndetësore, apo mënyrën e funksionimit të shërbimit mjekësor parësor dhe dytësor, apo ndihmën psikologjike që ofrohet nga personeli mjekësor në raste kur pacienti përballet me humbjen e personave të dashur.
„Mendimet e qytetarëve që ky studim na paraqet mbi çështjet madhore të vendit duket të pasqyrojë polarizimin e situatës politike. Shqiptarët nuk shohin fitues, identifikojnë përgjegjës kryesor për zgjidhjen e ngërçit politik, dhe mbi të gjitha shprehin çështjet e tyre më kryesore: punësimi, ekonomia, lufta ndaj korrupsionit dhe arsimi. Këto janë rezultate të cilat duhet të çojnë aktorët politik në reflektim dhe të informojnë qasjet ndaj zgjidhjes së ngërçit politik. Ky studim, së bashku me shumë përpjekje të tjera të shoqërisë civile duhet të mirëpërdoren nga aktorët politik dhe qeverisës si mjete ndërtimi politikash të informuara, në përgjigje të shqetësimeve të qytetarëve”, tha Drejtori Ekzekutiv i Fondacionit Shoqëria e Hapur për Shqipërinë, z. Andi Dobrushi.
Nevoja e menjëhershme e këtij studimi është diktuar nga atmosfera tërësisht e politizuar dhe e tensionuar e muajve të fundit në Shqipëri, një nga pasojat e menjëhershme të të cilës, sidomos kohët e fundit me shpërthimin e një fushatë të egër akuzash të ndërsjellta për korrupsion, ka qënë vështirësimi i vlerësimit objektiv dhe të paanshëm të punës së qeverisë.
Ky studim paraqet mendimet e tre grupesh përfaqësuese të shoqërisë shqiptare mbi 18 vjeç, në qytetet Tiranë, Durrës, Fier, Vlorë, Elbasan, Korçë dhe Shkodër: (a) Anëtarë të Administratës Publike Qendrore apo Vendore; (b) Të vetëpunësuar në SME apo sipërmarrje tjetër biznesi të mesëm apo të madh; dhe (c) Anëtarë të OJF-ve aktive apo të shoqërisë civile në zonat e sipërpërmendura.