ANIJA E TRANZICIONIT

0
43

Nga ARDIAN KLOSI, 25.07.2010

Qysh se u ndërrua pushteti në Shqipëri më 1991-1992, dëgjuam se tani filloi tranzicioni. Të gjithë e përfytyruam këtë tranzicionin pak a shumë si një rrugë, qoftë dhe e gjatë, që niset nga diku dhe përfundon diku ose si një anije që çan detet e prapambetjes për të ardhur te bregu i mirëqenies dhe i shtetit juridik. Nga Shqipëria socialiste shkojmë në Shqipërinë kapitaliste, jo, shumë e zhveshur kështu, shkojmë në Shqipërinë europiane.

Tranzicioni – një metamorfozë që ndryshon fytyrën dhe gjithë qenien e një shteti.Kanë kaluar ndërkaq 20 vjet dhe jo që vetëm që nuk kemi mbërritur diku, por as nuk kemi përshtypjen se ndodhemi në një rrugë që mbërrin në një vend, për më tepër kemi shumë zhvillime dëshpëruese si bie fjala shkatërrimin e mjedisit, ose shkërmoqjen e trashëgimisë kulturore, ose eksodin e rinisë dhe elitave të vendit, ose korrupsionin e thellë të politikës dhe administratës shtetërore, që shumë vetë i bëjnë të mendojnë se sistemi i kaluar kishte disa epërsi mbi të sotmin. Është e sigurt që vendi ndryshon, pjesë të caktuara të tij, sikurse kryeqyteti dhe disa qendra të tjera të mëdha, madje në mënyrë marramendëse, por e gjitha mbetet sërish pa kuptimin e rrugës, të shndërrimit shpëtues, të pikëmbërritjes.

Një numër i madh lëvizjesh dhe ndryshimesh janë kundërthënëse, të paplanifikuara dhe të padëshiruara, sikurse betonizimi i vijës bregdetare ose braktisja e fshatrave ose rritja kaotike e qyteteve. Në thelbin e vet koncepti i tranzicionit, së paku në rastin e Shqipërisë, ka diçka iluzive, gënjeshtare, të ngjashme me teorinë finite ose eskatologjinë e komunizmit që do të lindte Botën e Re pas ndërtimit të bazave të socializmit. Shumica e popullsisë shqiptare në vitin 1991 ishte fshatare. Po ç’ndodhi me këtë fshatarësi, cili ishte tranzicioni i saj? Një pjesë e madhe vërsheu drejt qyteteve, u ngul në periferitë e Tiranës, Durrësit, Vlorës etj., ose shkoi në emigracion drejt Greqisë dhe Italisë.

Fshatarët i braktisën kooperativat socialiste dhe nuk krijuan kooperativa të reja, një pjesë e vogël merren sot me bujqësi dhe fare pak syresh kanë siguruar mirëqenien nëpërmjet asaj që kultivojnë, pasi tregu shqiptar është përgjithësisht i mbushur me produkte të importit. Pra krahët e punës që mund të kishin zhvilluar bujqësinë shqiptare sot merren me ndërtim ose biznese më të vogla ose rrinë pa punë në qytetet e mëdha. Shumë fshatra të Veriut e të Jugut ngjajnë sot si të ngrira në kohë, disa pleq te kafeneja e fshatit e disa plaka që mbajnë dru rrugës ose punojnë një copë arë na kujtojnë se këtu ka ende jetë.

Është ky tranzicioni që do të dëshironte fshati shqiptar? Po ajo që quhej klasë punëtore e ndërmarrjeve të mëdha e të mesme industriale socialiste ç’tranzicion pësoi? Shqipëria sot nuk ka industri, uzinat, fabrikat, minierat e dikurshme u shpërbënë gati të tëra, shumë pak prej tyre arritën, pasi u holluan tej mase, të mbijetojnë në kushtet e kapitalizmit. Ndërmarrje me njëfarë suksesi sot janë vetëm ato të voglat që përgjithësisht prodhojnë për firma të huaja. Ku shkoi gjithë ai krah punëtor? Në emigracion edhe ai, ose në ndërtim e biznese të vogla ose i papunë në kafene, sikurse ish-fshatarësia punonjëse. Gjithashtu, një tranzicion i papritur dhe i padëshiruar. E kështu mund të vazhdonim me tranzicionin e të moshuarve, veteranëve e pensionistëve, me tranzicionin e ish të përndjekurve politikë, tranzicionin e rinisë… vetëm se do të vinim në tablo gjithmonë e më absurde.

Jeta e njerëzve ka ndryshuar, shpeshherë në mënyrë dramatike, shumë herë në mënyrë eksituese, me ëndje e kënaqësi që dikur as mund të përfytyroheshin, me njëmijë gëzime, mundësi, zhgënjime që i solli liria e re. Veçse askush nuk mund të thotë se u nis nga këndej dhe do të mbërrijë atje. Për fat të keq, ndryshe nga disa vende të tjera të Lindjes ishsocialiste si p.sh., Gjermania lindore që perms një tranzicioni të përshpejtuar qoftë dhe të sforcuar sot pak dallon nga pjesa tjetër e vendit që e thithi dhe e thuri atë në zhvillimet e veta, Shqipëria nuk e tregon fort qartë se ku shkon – po të mos llogarisim propagandën rraskapitëse qeveritare me integrim euro-atlantik. Të paktë janë njerëzit që bëjnë plane të sigurta për të ardhmen, inekzistuese janë ato që quhen masterplane ose strategji kombëtare.

Qarkullon në vend fjala që, aq sa zgjati regjimi komunist, pra 45 vjet, po kaq do të zgjasin mundimet tona derisa Shqipëria të bëhet një vend normal europian dhe të kapërcehet tërësisht trauma e asaj epoke. E ngjashme me prognozën që thuhet se bëri diktatori Enver Hoxha para se të vdiste më 1985: 5 vjet do të më qani, 5 vjet do të më shani, gjithë jetën do të më kujtoni. Këto të lënë të nënkuptosh se Shqipëria po ndiqte një zhvillim normal europian deri më 1944, kur
pllakosi fatkeqësia e komunizmit që e shqiti vendin me përdhunë nga ai që do të kishte qenë zhvillimi i natyrshëm në përputhje me vokacionin perëndimor të tij (perëndimor sikurse gjuha gjysmë-latine, sikurse aleancat e Skënderbeut me papët dhe Venedikun kundër pushtimit osman). Mirëpo edhe në këtë konceptim ka disa gabime, në të cilat vlen të ndalesh shkurt.

Pjesët e ndryshme të shtetit të ri të krijuar në vigjilje të Luftës së parë Botërore, ishin mjaft të pabarabarta mes tyre. Disa qendra tregtare të Jugut si Korça, Gjirokastra, Berati kishin krijuar një pasuri dhe traditë qytetase që nuk i dallonte shumë nga qytetet në Veri të Greqisë. Elbasani në Shqipëri të mesme e sidomos Shkodra në Veri, të pasuruara edhe këto nga tregtia, kishin kultivuar qendra arsimore-kulturore me rëndësi të veçantë në ngritjen e vetëdijes kombëtare. Ndërkaq provincaishte tejet e prapambetur, orientale dhe anadollake, bujqësia arkaike. Lidhja e ngushtë e kryeministrit, më pas mbretit Zog me Italinë fashiste në vitet 20 e 30 pruri njëfarë zhvillimi të kryeqytetit dhe disa akseve rrugore, në prag të pushtimit të vendit nga Musolini më 1939 mund të thuhej se shteti i vogël shqiptar kishte marrë njëfarë fizionomie.

Ndërkaq Veriu i vendit ngjante sikur vinte nga mesjeta e thellë, këtu sundonte ende Kanuni i Maleve, me një legjislacion e vetëgjyqësi kolektive që nuk e pranonte autoritetin shtetëror. Shumë gjatë është spekulluar me tezën se ç’rrugë do të kishte ndjekur Shqipëria sikur në konferencën e të mëdhenjve në Jaltë vendi t’i ishte lënë ashtu si Greqia kampit perëndimor. Jugu padyshim që nuk do të dallonte shumë nga fqinji jugor. Por s’ka kuptim të shtyhemi më tej në spekullime, sidomos në qoftë se historinë nuk e shohim si grumbullim rastësish por zhvillim pasojash logjike.

Nuk ishte rastësi që komunizmi dhe lëvizja partizane zuri aq fort rrënjë gjatë Luftës së Dytë Botërore, duke fituar shumë shpejt epërsi ndaj fronteve nacionaliste ose monarkiste. Popullata e një vendi aq të prapambetur, me strukturë primitive organizimi, u entuziazmua shpejt nga propaganda komuniste për mirëqenien dhe botën e re, ndërsa elitat e vjetra s’kishin ç’të ofronin.

Me marrjen e pushtetit regjimi komunist i shpërbëri marrëdhëniet e vjetra të pronësisë, shtetëzoi gjithçka, ngriti një bujqësi kolektiviste e industri të sforcuar që shkëputi përfundimisht çdo lidhje me të kaluarën. Kurse ndalimi i fesë dhe izolimi i thellë i vendit në vitet 60, 70, 80 plotësuan atë që ndihet edhe sot si traumë me pasoja të stërzgjatura. Në fund të tyre njerëzit nuk ndjenë ringjalljen e shpresave për një botë më të mirë, por dëshpërim dhe humbje të orientimit. Reagimi i tyre ishte sulmi ndaj anijeve dhe kufijve, një eksod me përmasa biblike. Vërtet, për ku shkon sot Shqipëria? Ajo ka drejtuar bashin për nga Veri-Perëndimi dhe është e vendosur të mbërrijë Europë. Është një vendosmëri me përmasa të mëdha, aq të mëdha sa ke dhe frikë se mos pësojë fatin e Titanikut, thyhet më dysh dhe mbetet diku rrugës.

Mirëpo vendosmëria është e derdhur në beton-arme, një masë gri larg ngjyrave dhe trajtave mesdhetare, e cila pasi ka shtruar gjire të tëra si të Durrësit ose Sarandës, pasi ka marrë edhe premtimin e qeverisë për tetë fabrika çimentoje midis Fushë Krujës dhe Shkodrës, e ka veshur krejt vendin me trajtat e një anijeje simbolike që hë për hë është hedhur diku midis Fierit dhe Beratit, pranë një qyteze të vogël, por që duke thyer ligjet e fërkimeve dhe rezistencave mekanike, do çajë një ditë gjithë rrethet vicioze historike, gjithë frenimet orientale-komuniste, gjithë paragjykimet e fqinjëve dhe të komisioneve në Bruksel, për të mbërritur mu në zemër të kontinentit. Nuk do të ndjekë më udhët detare se ato janë të gjata dhe të kujtojnë eksodet poshtëruese të viteve 1991-1997, por do ta marrë rrugën me tokë, lug më lug e breg më breg nëpër trajektoren më të shkurtër.

Kjo anije, ende e pambaruar në kantierin e Roskovecit, u fotografua në një ditë të qershorit 2010 nga Jutta Benzenberg. Ajo ka dhoma të shumta, kafene e restorante, salla për bilardo dhe lojëra fati, brenda do ulen jo më një delegacion qeveritar ose parlamentar me kryetarin e shtetit dhe sekretaret e hijshme rrotull tij, por përfaqësues nga të gjitha shtresat punëtore dhe jopunëtore të vendit.

Nuk do të jetë nevoja ta tërheqin me litarë 100 a 1000 vetë përmbi male e lugina sikurse bënë dikur peruanët e gjorë nën urdhrat e baronit të marrë Fitzcarraldo dhe regjisorit Werner Herzog; jo, me marazin 550-vjeçar të mbledhur në gji që nga koha e luftërave të Skënderbeut, kur na shkëputën me përdhunë nga Europa, ajo do të ecë vetvetiu me tërë fuqinë e motorit kohë-kapës e kur ta shohin anijen prej betoni shqiptare, këtë ëndërr industriale të viteve ’60 që u bë realitet vetëm në shekullin 21, popujt dhe qeveritë e integruara europiane do të hapin rrugën me respekt.

Në fotografi po buzëqesh një plakë me anijen në sfond. Është pronarja, nëna e zbatuesit rastësor të asaj ideje, që u ngjiz shumë më thellë ndër shekuj e që sot gjen shprehje të shumta në këtë vend, të kapur disi në vështirësi me vetveten dhe jo shumë të qartë për rrugët dhe mjetet udhëtuese që duhet të zgjedhë. Se bie fjala, tridhjetë kilometra më në veri, në qytetin e Kavajës, dikush e ktheu oxhakun e fabrikës së gozhdë-bulonave në minare xhamie, me ballkonin dhe altoparlantin e myezinit të kthyer nga Lindja.