“…Berisha po përpiqej, duke shpenzuar paratë e taksapaguesve shqiptarë, në mënyrë që qëndrimet e qeverisë amerikane, për sa i takon Shqipërisë, të formësoheshin jo nga informacionet e diplomatëve si Uidhers, por nga lobime e kompani si “Podesta Grup” apo prej ndikimeve të miqve të paguar të Berishës si Tom Rixh…”
Në librin e Andrea Stefanit, ofruar dje lexuesit në panairin e librit, janë marrë në analizë edhe skandalet më të zëshme të tranzicionit, si dhe implikimi i mundshëm i politikës dhe diplomacisë në këto skandale. Një nga ato është edhe ai i tregtimit të fishekëve kinezë nga Shqipëria për në Afganistan, sipas një skeme mafioze, ku ishin përfshirë, përveç kompanisë shqiptare të Ministrisë së Mbrojtjes “MEICO”, edhe një kompani amerikane me një pronar trafikant me emrin Efraim Diveroli që sot vuan dënimin, si dhe një firmë qipriote që më vonë rezultoi fantazmë. Skandali nxiti dyshime, të shfaqura jo vetëm në median shqiptare, por edhe atë amerikane, mbi rolin e ambasadorit amerikan, Xhon Uidhers, në maskimin e kësaj afere nga sytë e medias dhe publikut amerikan e shqiptar. Ja çfarë thuhet në faqet e “Komplotit” për këtë mister:
Zemërimi i Uidhers / Fragment nga libri “Komploti kundër Lirisë”
Në ditët dhe muajt pas tragjedisë të Gërdecit kam pasur dyshime të forta se ambasadori Uidhers ka qenë, në një formë ose në një tjetër, i implikuar në aferën e kontrabandimit të fishekëve kinezë apo edhe në atë të punishtes së Gërdecit. Kohët po provojnë se nuk ka qenë fare ashtu. Një shqyrtim i kujdesshëm i fakteve të jep të kuptosh se ambasadori Uidhers e ka parë befas veten në kurth, thuajse viktimë të skandalit të fishekëve. Implikimi i mundshëm i niveleve të ndryshme të diplomatëve apo zyrtarëve amerikanë në këtë aferë e nxirrte automatikisht edhe atë vetë, të implikuar qoftë edhe për mungesë kujdesi dhe parandalimi. Si çdo njeri krejtësisht i papërlyer, duhet të jetë ndjerë i frustruar dhe i zemëruar, i keqpërdorur që akuzohej dhe duhej të mbrohej për një krim që s’e kish bërë madje, që detyrohej të ndihmonte t’i fshihej medias dhe publikut shqiptar dhe amerikan, një ministër i korruptuar shqiptar që, sipas “Nju Jork Taims”, kishte prova se merrte ryshfet si pjesë e kontratës së municioneve të “AEY”. Uidhers është ndjerë i neveritur nga që i është dashur të bëjë diplomaci me një kryeministër, djali i të cilit dhe ai vetë, ishin përfolur nga një trafikant si Diveroli, si mafia e gjithë kësaj afere të ndyrë.
Kish ardhur në Shqipëri me misionin që të përshpejtonte integrimin e këtij vendi në NATO. Dhe për këtë, ndoshta i ish thënë nga eprorët të bëjë kujdes me stabilitetin e vendit. Pavarësisht xanxës autokratike të një kryeministri dhe pushtetit të tij. Një xanxë që nuk i rezultoi e huaj as edhe për lidershipin e opozitës. Kjo ndoshta shpjegon se përse Uidhers u shfaq aq i ankthshëm dhe pengues për sa i takon protestave të opozitës pas tragjedisë të Gërdecit. Por ishte kjo tragjedi dhe afera e fishekëve kinezë që i shfaqën befas para syve, kriminalizimin dhe korruptimin e pushtetit të Berishës. Ndoshta kish menduar se ca doza autoritarizmi edhe mund të toleroheshin përkohësisht në emër të një qëllimi më të lartë, por krimi kurrsesi. Do të ishte njësoj si të kriminalizoheshe dhe të tradhtoje shqiptarë dhe amerikanë së bashku.
Ndaj menjëherë pas Gërdecit thyerja në marrëdhëniet mes Uidhers dhe Berishës është evidente dhe nuk i shpëton as syrit të gazetarëve. Uidhers përpiqet të bëjë gjithçka lejon hapësira e ngushtë e korridoreve diplomatike, për të denoncuar tek shqiptarët lakminë e pangijshme të pushtetit. Në një rast merr takim me fëmijët e një kopshti dhe i tregon, me gjuhën e Ezopit, një përrallë për një krimb që fryhet dhe pëlcet nga lakmia. Mesazhi ishte i qartë. Fabula transmetohet në të gjithë mediat duke ngjallur sensacion në publik dhe duke nervozuar qeverinë. Por Berisha nuk do t’ia dijë. Pikërisht në këtë moment ai shfaq natyrën e tij prej shantazhisti dhe sfiduesi autokrat. I shpall luftë ambasadorit të SHBA. Një dyluftim që kërkon ta fitojë për t’i dhënë një mësim edhe ambasadorëve të tjerë. E ka ushtruar me sukses cezarizmin duke përçarë shqiptarët. Tani mendon se suksesin mund ta përsërisë me amerikanët. Lobimeve të shumta dhe të kushtueshme në Uashington kundër opozitës shqiptare, i shtohen edhe demarshet politike kundër ambasadorit Uidhers. Në maj të 2010-s urdhëron ministrin e Jashtëm, Ilir Meta, të dërgojë një ankesë në Departamentin e Shtetit. Por ndihmëssekretari Filip Gordon (Philip Gordon) i kujton Berishës rolin e Uidhers në anëtarësimin e Shqipërisë në NATO.
Në një intervistë të dhënë në shtator 2011, Berisha përpiqet ta paraqesë sulmin ndaj Uidhers si “transparencë”. Ai pohoi se ia kish bërë të qarta qëndrimet e tij dhe të qeverisë eprorëve të ambasadorit Uidhers. Shtoi se kështu vepronte kur kish probleme edhe me ambasadorë të tjerë. Mesazhi i autokratit për këta të fundit ishte i qartë: nëse kuturisnin të rebeloheshin si Uidhers, do të kishin probleme me qeveritë e tyre ndoshta edhe më pisk se Uidhers. Dhe duket se ka pasur sukses me shumicën prej ambasadorëve në Tiranë që rrinë squk, më keq se shqiptarët, para bëmave të autokratit. Në po këtë intervistë, dhënë në emisionin “Opinion”, duke kundërshtuar që informacionet dhe konkluzionet e kabllogrameve të Uidhers mbi zhvillimet në Shqipëri të ishin pikëpamje të qeverisë së SHBA-ve, Berisha tha:
“Qëndrimi i qeverisë së SHBA-ve nuk shkon nga Tirana në Uashington, por nga Uashingtoni në Tiranë”.
Kishim të bënim jo vetëm me një taktikë cezariane për të përçarë diplomacinë e SHBA lidhur me qëndrimin e Tiranës, por edhe një mashtrim. Sepse në fakt Berisha po përpiqej, duke shpenzuar paratë e taksapaguesve shqiptarë në mënyrë që qëndrimet e qeverisë amerikane, për sa i takon Shqipërisë, të formësoheshin jo nga informacionet e diplomatëve si Uidhers, por nga lobime e kompani si “Podesta Grup” apo prej ndikimeve të miqve të paguar të Berishës si Tom Rixh.
Kabllogramet e publikuara nga Wikileaks, dëshmojnë se Uidhers ka vazhduar të informojë Uashingtonin për një autokratizëm të inkriminuar dhe për këtë shkak, të prirur të pengojë hetimet dhe drejtësinë. Kapjen e Shërbimit Informativ Kombëtar si dhe bërjen zap të Prokurorisë, Uidhers e komenton, pa ekuivokë, si një hap autokratik për të kontrolluar zgjedhjet parlamentare që priteshin të zhvilloheshin në 2009-n.
Uidhers u largua nga Shqipëria, në mbarim të mandatit 3-vjeçar, në gusht 2010. Dhe pikërisht kur thuajse ishte harruar, ai rikthehet në skenën e politikës duke e tronditur atë me një letër të hapur mbi të vërtetat që i kish raportuar në Uashington, por që kishin mbetur të mbyllura në kabllograme. Shkak u bënë publikimet nga “Wikileaks” të këtyre kabllogrameve, por mbi të gjitha avokatia e gënjeshtërt e Berishës dhe e ministrave të tij. Berisha vetë i ironizoi kabllogramet si “valixhe thashethemesh apo pasqyrë e paplotë e shtypit shqiptar”. Praktikisht i shpalli gënjeshtra të vërtetat e raportuara nga ambasadori amerikan Uidhers. Por baltosja kulmoi kur ish-shefi i shtabit të ushtrisë shqiptare, gjeneral Luan Hoxha, mohoi publikisht të kish marrë urdhra nga djali i Berishës për dërgim municionesh të kalibrit të madh në punishten e demontimit në Gërdec, sikundër Uidhers informonte në kabllograme. Kuptohej se deklarata ishte produkt i faktit që gjenerali, i shkarkuar nga detyra pas shpërthimit në Gërdec, ishte i tmerruar se mos pushteti, me anë manipulimesh të drejtësisë, ia hidhte atij fajin për tragjedinë. Shkurt, kishim të bënim me një tjetër viktimë shantazhi. Berisha mezi e kish pritur deklarimin e Hoxhës. Ai e përdori që atë natë në një intervistë dhënë në “Opinion”. E shikoni, sikundër tha dhe gjenerali, djali im nuk ka gisht në këtë punë – u shpreh, në esencë, Berisha.
Ndërkaq, Uidhers ishte damkosur si shpifës. Sipas asaj që kish fabrikuar makina e shantazhit dhe e propagandës berishiste, ai kish sajuar informacione të rreme, në funksion të një hakmarrje dhe “politike personale” aspak në përputhje me misionin e tij në shërbim të Presidentit të SHBA-ve dhe popullit amerikan. Berisha pretendonte se Uidhers po hakmerrej kundër Berishës nga që kish krijuar përshtypjen e gabuar se ishte qeveria Berisha ajo që e kish paditur për çështjen Diveroli.
Janë këto insinuata, kjo fyerje dhe baltosje e karrierës së tij, që duket se e kanë detyruar Uidhers, edhe pse mijëra kilometra larg, të ulet e të shkruajë një letër. Tashmë, i çliruar nga etika dhe shtrëngimet diplomatike, mund të flasë më hapur në një letër të hapur për shqiptarët. Tani, më shumë se kurrë, diplomati amerikan e ndjen se ka një kauzë të përbashkët me ta. T’u tregojë se nuk ka gënjyer, se ato që Berisha dhe propaganda e tij i shpallin thashetheme janë të vërteta, do të thotë edhe t’i bëjë të kuptojnë më në shumicë se po qeverisen nga një pushtet i gënjeshtrës. Prandaj nënvizon në letër:
“Sado i keq të jetë lajmi apo sado e sikletshme të jetë një rrethanë, një ambasadë amerikane raporton të vërtetën, edhe për një aleat të ngushtë si Shqipëria. Nëse zgjedhjet janë të dyshimta, ne e themi këtë. Nëse autoritetet qeveritare kërcënojnë pavarësinë e institucioneve demokratike të vendit dhe mediat, ne e themi këtë. Nëse besnikëria partiake pengon qeverisjen e vendit; nëse korrupsioni i kudogjendur minon zhvillimin e mirëfilltë ekonomik; nëse përparësia e udhëheqësve është të rendin me këmbëngulje drejt pushtetit, në vend që të rendin për t’i shërbyer popullit, ne e themi këtë. Dhe nëse parimet universale të demokracisë lihen mënjanë dhe vetë demokracia bën prapa, ne e themi këtë dhe do vazhdojmë ta themi derisa të fillojë përparimi i vërtetë”.
Të gjitha këto janë bëma të Berishës dhe qeverisë së tij. Në fakt janë alarme të ngritura në kohë nga media dhe opozita. Por të thëna nga një diplomat i lartë amerikan patën jehonë shpërthyese në mjedisin publik e mediatik. Mund të thuhet se letra pati atë ndikim që dikur, në vitin e mbrapshtë ‘97, kish pasur artikulli i gazetarit britanik, Endrju Gembëll, “Qeveria e gangsterëve që ne financojmë”. E keqja autokratike e shoqëruar pashmangësisht nga korruptimi absolut kishte dalë përsëri hapur. Tashmë është detyrë e shqiptarëve dhe e ndërkombëtarëve për ta çmontuar atë. Si do ta zgjidhin ata këtë sfidë, duke bërë pazar me të keqen apo duke e mposhtur përfundimisht atë?