Anasjelltas nuk ka!

0
26

Bledar H. Prifti, 30.10.2009

Kudo dëgjojmë ankesa dhe protesta për kapjen e medias nga politika, për kapjen e institucioneve shoqërore nga politika, për kapjen e sistemit të drejtësisë nga politika, për kapjen e individëve dhe grupimeve shoqërore nga një histori politike dhe për kapjen e institucioneve politike nga krimi.

Me pak fjalë, ne jemi përballë një situate ku mendohet se të gjithë janë kapur nga të gjithë. Por në gjithë këtë vorbull kapjesh, shumë analistë janë fokusuar te “kapja” e medias nga politika. Por media dhe politika nuk janë përjashtuese të njëra – tjetrës dhe zakonisht janë inklusive.

Të dyja janë produkt i një tregu konsumi – shoqëria. E para ekziston sepse dëgjohet, shikohet dhe lexohet, e dyta ekziston sepse pranohet dhe votohet. Por cilat janë disa tipare të medias dhe politikës?

Së pari, politika përkufizohet si një shpërndarje autoritative e vlerave të një shoqërie. Këto vlera shpërndahen përmes institucioneve shoqërore edhe politike. Veprimtaria e këtyre institucioneve (ku përfshihet edhe media) është e krijuar, kushtëzuar dhe normuar nga kultura e përgjithshme e një shoqërie.

Kultura politike (pjesë e kulturës së përgjithshme) e një shoqërie nuk është gjë tjetër por kombinim i orientimeve afektive (ndjesia), njohëse (njohuri dhe besim) dhe evaluative (gjykim dhe opinione) që një shoqëri ka përkundrejt institucioneve politike.

Ndaj, kjo kulturë politike formohet nga ndjesia që shoqëria ka përkundrejt institucioneve politike, mënyra sesi këto institucione politike dhe roli i tyre perceptohet nga shoqëria dhe opinioni apo gjykimi që ka kjo shoqëri përkundrejt institucioneve politike.

Kultura politike e shoqërisë shqiptare është e karakterizuar nga (1) skepticizmi radikal dhe mungesa e mbështetjes përkundrejt institucioneve politike, (2) injoranca mbi të drejtat, detyrimet, dhe funksionimin e institucioneve politike, dhe nga (3) një gjykim me nota tejet negative (me doza animositeti) të veprimtarisë së institucioneve politike.

Këto karakteristika të kulturës politike shqiptare jo vetëm që e margjinalizojnë sistemin politik nga shoqëria, por edhe krijojnë premisa për krizë, manipulim dhe instrumentalizim të vetë sistemit.

Dhe kjo zgjat deri atëherë kur anomalitë e ndryshme rezultojnë në një krizë totale të sistemit nga ku gjenerohen oportunitete politike për të sjellë ndryshime në sistem, qofshin këto sipërfaqësore apo thelbësore.

Ashtu si politika, media e ushtron aktivitetin e saj në një ambient të caktuar social -kulturor. Media shqiptare e ushtron aktivitetin e saj brenda ambientit social – kulturor shqiptar.

Kudo dhe kurdoherë, media nuk do të mund t’i largohet dot vlerësimeve normative dhe impaktit të ideologjisë dhe as përplasjeve me apo pa mbështetjen për grupime të caktuara politike apo shoqërore.

Dhe mbi të gjitha, media nuk do të mund t’i largohet dot ndonjëherë kulturës politike të një shoqërie. Media, ashtu si politika, kushtëzohet nga faktori shoqëri, përbërja dhe sofistikimi politik dhe social i kësaj shoqërie.

Të dyja ushqejnë njëra – tjetrën. Ashtu si politika, mediat, si ato të shkruara dhe ato figurative, përfaqësojnë traditat, vlerat, bindjet, dhe përbërjen e shoqërisë. Gazetat dhe televizionet ekzistojnë sepse ka njerëz që i lexojnë ose i shikojnë ato.

Nga ana tjetër, partitë politike ekzistojnë sepse ka njerëz që votojnë për ato. Pozicionimi ideologjik dhe politik i mediave të sotme korrespondon me pozicionimin ideologjik dhe politik të elementeve të shoqërisë.

Media dhe politika nuk mund të bëjnë dot pa njëra – tjetrën. Pak rëndësi ka nëse politika influencon median apo media influencon politikën derisa në një shoqëri lejohet kundërshtia e mendimeve dhe liria e shprehjes.

Pavarësia e medias nga politika apo anasjelltas më shumë se një indikator i një demokracie të shëndoshë është një indikator i profesionalizmit dhe i etikës që karakterizon këto dy entitete. Marrëdhënia midis tyre është rezultat i formimit të tyre profesional dhe etik, gjithashtu edhe shëmbëlltyrë e sofistikimit politik të vet shoqërisë.

Media ka një rëndësi të veçantë në promovimin e socializimit dhe komunikimit politik. Socializimi politik është i rëndësishëm për të transmetuar vlerat dhe traditat nga një gjeneratë në tjetrën. Komunikimi politik është shumë i nevojshëm për të informuar, mobilizuar dhe rekrutuar publikun për të marrë pjesë në proceset politike të një shoqërie.

Komunikimi politik, gjithashtu, është i rëndësishëm për të artikuluar interesat e shoqërisë, nevojat dhe problemet e saj.
Në rastin e medias shqiptare, ajo besohet të jetë më përparimtare se vetë politika, të paktën kështu duket.

Pavarësisht influencës që ka politika në të, ne mund të vërejmë se media arrin të artikulojë interesat, nevojat dhe problemet e shoqërisë shqiptare dhe të sistemit politik. Janë të rralla ditët pa të reja që lidhen me korrupsionin politik dhe rrallë mund të gjesh një shqiptar që nuk pranon se klasa politike është tërësisht e korruptuar.

Madje mund të themi se ky artikulim është bërë aq i vazhdueshëm, intensiv, dhe i çrregullt sa, fatkeqësisht, ka humbur spontanitetin dhe fuqinë apel – bërëse në shoqëri.

Skandali dhe korrupsioni politik dhe ligjor nuk përbëjnë më ndonjë gjë të re për shoqërinë shqiptare. Një politikë imorale dhe e korruptuar duket sikur nuk shqetëson njeri.

Në këtë pikë duket sikur shoqëria është imunizuar përkundrejt këtyre sëmundjeve. Në rastin më të keq thonë se “çudia më e madhe zgjat vetëm tre ditë”. Por kjo nuk ndodh më shumë për faj të medias (apo edhe politikës) sesa për faj të shoqërisë që nuk është në gjendje të mbrojë dhe të promovojë interesat e saj.

Kjo situatë mund të jetë rezultat i disa faktorëve kryesorë. Një faktor është polarizimi politik i tejskajshëm i shoqërisë shqiptare dhe i klasës së saj intelektuale. Ky polarizim politik i shoqërisë dhe i klasës intelektuale ka krijuar një marrëdhënie dikotomike dhe antagoniste midis palëve. Në kësi marrëdhëniesh, e mira dhe e drejta shpeshherë ngelen viktima apo jetime dhe e keqja me të padrejtën triumfojnë.

Faktori i dytë mund të jetë hegjemonia që klasa politike ka vendosur mbi të gjitha grupimet e tjera shoqërore, duke i bërë këto të fundit të pranojnë ato tërësi normash, vlerash dhe parimesh që udhëheqin dhe i shërbejnë klasës politike.

Një faktor i tretë i rëndësishëm mund të jetë dështimi profesional, moral dhe politik i klasës intelektuale për të mobilizuar grupimet shoqërore në mbrojtje të interesave të tyre. Një faktor i katërt është mosndërtimi i një shteti të mirëfilltë kapitalist të bazuar në ekonominë e tregut. Kjo bën që për nevoja ekonomike, njerëzia t’i drejtohet politikës dhe qeverisë, madje duke eliminuar edhe ekspertët e fushës.

Ndodhur në këto kushte, vetvetiu krijohet një klasë politike biznesmenësh dhe pazarxhinjsh dhe një shoqëri që e lidh politikën jo me vlerat dhe principet por me nevojën për të mbijetuar, me nevojën e kafshatës. Kjo situatë ka krijuar një politikë që shërben si cirk (apo krijon cirqe) ku ofrohet bukë, tamam si në Romën e lashtë.

Po përse përflitet që media është e “kapur” nga politika apo që media është viktimë e politikës? Një arsye mund të jetë tendenca për t’ia faturuar (në mënyrë të pavetëdijshme) medias dështimet e shoqërisë, klasës intelektuale, dhe shtetit ligjor. Mediat nuk janë pjesë të gjyqësorit, legjislativit apo e ekzekutivit dhe nuk ndikojnë direkt në jetën e përditshme të popullit.

Edhe pse gjendja e medias shqiptare, nga ana profesionale, është për t’u vajtuar me “ooiiii”, ky është një problem që ka lidhje me dështimin e të gjithë përbërësve kryesorë të shoqërisë civile dhe klasës politike në veçanti, për të vendosur shtetin ligjor.

Një arsye tjetër mund të jetë mosrespektimi i mendimit ndryshe dhe etiketimi i pozicionimit dhe mendimit ndryshe si një pozicionim apo mendim negativ. Bazuar në këtë logjikë, në mos e konsiderojnë të keqe, palët e konsiderojnë njëra – tjetrën si pronë të forcave politike. Dhe arsyet mund të vazhdojnë më tej.

Pavarësisht mendimeve dhe pretendimeve, asnjëri nuk mund të japë argumente të plota nëse politika influencon median apo anasjelltas. Por, ajo që mund të thuhet me nivel të lartë besueshmërie është fakti se të dyja ia dedikojnë ekzistencën konsumatorit të tyre të përbashkët dhe të përhershëm – shoqërisë. Mediat ekzistojnë sepse dëgjohen, shikohen dhe lexohen. Politika ekziston sepse pranohet dhe votohet. Anasjelltas nuk ka!