Shkruan: Shefqet DIBRANI
1.
Dr. Isa Mustafa, ka siguruar qytetarët se blloku LDK-AAK-NISMA do t’i sigurojë vendit një qeverisje të qëndrueshme. A mund ta besoj njeriu normal këtë pohim të kryetarit të LDK-së?! E nëse kjo do të ndodhte të gjithë duhet t’i besojmë proverbit se në dimra të ashpër rrinë bashkë “ujku e dhia”, por njohësit e mirë janë skeptik po aq edhe ldkistët dhe rugovistët e vërtetë. Po sikur të ndodhte?! Atëherë Gjykata Speciale do ta prish sigurisht harmonin. Jo pse ajo ua ka inat, por grepi nuk dihet nëse nxjerr në sipërfaqe një peshk të madh a një ma të vogël. E dyta premtimet e Isa Mustafës janë të njohura që nga koha e “ndryshimeve kushtetuese për një Serbi unike”, në qeverinë e Jusuf Zejnullahut, duke vazhduar në Diasporë me 3%, me Huan Popullore, (për të cilën herët a vonë duhet të merret prokuroria e Kosovës), për të përfunduar në reformat brenda LDK-së që nuk ndodhën kurrë, sikurse as dorëheqja e tij në rast se e humb Prishtinën dhe tani Kosovën.
Blloku manipulues, LDK-AAK-NISMA, nuk i ofron Kosovës një qeveri të qëndrueshme dhe me integritet, pasi asnjëri nga liderët e tyre nuk kanë dinjitet dhe aq kredibilitet moral për të sjellë një qeverisje të mirë. Shtoja kësaj shkallën e edukimit dhe nivelin e emancipimit, gjendja bëhet edhe më dëshpëruese.
Qeverisja LDK-AAK-NISMA, nuk ka mundësi të siguroj stabilitet politik dhe zhvillim ekonomik, pasi edhe mirëqenia e tyre ekonomike është e dyshimtë dhe e kontestuar. Asnjë proces politik nuk mund të zgjidhet nga njerëzit të cilët për humbjet e zgjedhjeve prolongojnë proceset në parti, e në kohën kur vet kanë shkelë çdo procedurë të avancimit partiak, si ka mundësi të sjellin stabilitet ata të cilët nuk e pranojnë humbjen në zgjedhje, bëjnë për 5 min. marrëveshje për të nxjerrë në pah këtë diversitet konceptesh vlerash dhe dyshimesh të pafundme në njërën anë dhe në anën tjetër për ta krijuar këtë anarki institucionale e cila po sikur të mos ishin Amerikanët, Kosovën do ta bënin Egjipt, Siri e bile edhe ma zi, ku qeni nuk do ta njihte më të zotin e vet?!
Fundosja e rugovizmit që po e bënë dr. Isa Mustafa na ka bindur edhe më shumë se kësaj Partie (LDK-së), i duhet t’ia heqim hallkën e sundimit komunist, t’i largojmë analfabetët provincial që po e ngulfasin LDK-në çdo ditë e më tepër, nepotizmin dhe servilet e paarsimuar, pavarësisht nga ajo se çfarë grade akademike mund të posedojë ndonjëri syresh.
A do të kuptoj ndonjëherë dr. Isa Mustafa se ai në çdo plan ka dështuar, dhe se autoriteti i tij qytetar tërësisht është rrënuar, prandaj zgjidhja më e mirë për të do të ishte ikja nga LDK-ja dhe nga politike, e bashkë me të edhe stafi i tij, i cili është përgjegjës për gjendjen e krijuar.
2.
Telit të dr. Isa Mustafës për një “qeverisje të mirë?!” të bllokut LDK-AAK-NISMA, i bie edhe nxënësi shembullor i dr. Sabri Hamitit, për të cilin thuhet se është kopje e mësuesit, prandaj Hamiti për ta forcuar pozitën e tij e solli në krye të LDK-së. Duket se dr. Kujtim Shala ka pak afinitet për politikë, e sa për novatorizëm demokratik të mos flasim. Kujtimit, po i duhet shumë për t’u Kujtuar, prandaj atij i duhet një emancipim më i thellë politik, për të besuar më shumë në veten e tij. Atij nuk duhet t’ia rrisin mendjen votat e rregulluara sepse qytetarët që kanë mundur t’ia dhënë votën, janë pak nga ata që ia kanë lexuar “shkencën” në librat që ka botuar, për t’u treguar i zoti hë për hë nuk ia ka arritur qëllimit. Prandaj Kujtimi, duhet të kujtohet për të lënë në plan të dytë letërsinë, atij i duhet urgjentisht edukimi politikë, në mënyrë që edhe politikën ta trajtoj si shkencë, nëse me të vërtetë ai ka ambicie për t’i mësuar intrigat e shefave të tij.
3.
Edhe kumbara i bllokut LDK-AAK-NISMA, Lutfi Haziri ka shprehur bindjen se propozimi i tij do të ngadhënjej pasi ai beson në “ALLAH?!”, këtë ia dëshmojnë gishtat dhe allishverishet fundamentaliste që ia ka sjell Gjilanit dhe Kosovës, njeriu që më sa duket s’ka lexuar kurrë një libër, që ka ndërruar poste e pozita dhe kurrë nuk është shquar për sukses, që ka krijuar pasuri dhe pretendon se atij ia paska ndihmuar Allahu?!
Edhe me të gjitha elementet pozitive që mund t’i ketë Luta, ai po dallohet me një qëndrim që bie ndesh me civilizimin evropian të shqiptarëve, dhe po kundërmon qëndrim antiamerikan! Nuk e di nëse Luta e di se këto veprime e qëndrime i kanë bërë dëm të madh LDK-së, dhe vendit në përgjithësi. Këto vese fundamentaliste atij iu kanë ashpërsuar kohëve të fundit. Mbllaçitë pa ndal, por fjalor i tij mbetet në nivelin e klasave të ulëta të shkollës fillore, për strategji politike ai s’ka lidhje, bash hiç, sepse po të kishte ai nuk iu kundërvihej strategjisë së dr. Rugovës dhe sidomos pragmatizmit amerikan. Nuk e di nëse Lutfi Haziri e din se derisa Rugova e evropianizoi Kosovën, duke i bërë kosovarët si popullin më proamerikan, ai po ia fut nga prapa këtij koncepti. Me fundamentalizmin e tij, qoftë me gishtin lart, ose katër gishtat e vëllazërisë myslimane, ose me shkuarjen në haxh e deri tek instalimin e shamisë në pushtetin lokal në Gjilan, ai vetëm dëme është duke i sjell LDK-së dhe Kosovës, elemente këto të cilat si kurrë më parë, ditëve të fundit janë aktualizuar dhe drejtpërdrejt nga amerikanët janë kritikuar.
Do të ishte në dinjitetin e tij, nëse donë ta mbaj pushtetin lokal në Gjilan, dhe bashkë me dr. Isa Mustafën ta ndajnë fajësinë për dëmin që i shkatuan LDK-së dhe Kosovës, të heqin dorë nga veprimet e shëmtuara dhe antidemokratike që ia kanë imputuar demokracisë të cilën e kanë sjell në një anarki të pashembullt.
St. Gallen, 31.07.2014.
Botuar në gazetën “Kosova sot”, më 2.08.2014.
Publikuar edhe në portalin e kësaj gazete në internet!
http://www.kosova-sot.info/opinione/reformat-brenda-ldkse-nuk-ndodhen-kurre