ANALIZA TRONDITESE/ Makiaveli Berisha dhe Princi Basha duargjakosur lypin vota

0
47


Një vështrim në thellësi mbi ngjarjet e 21 Janarit për vrasjen e katër personave të pafajshëm nga Berisha e Basha

Nga Prof. Skënder Gjoni

Tremujori i parë i këtij viti ishte me plot ngjarje të trishtueshme e tragjike, ngjarje të cilat si për çudi tashmë në Shqipëri nuk po zbardhen por zvarriten dhe frenohen ndoshta me shpresën se do mund të zbehen e do të harrohen vetëkuptohet nga autorët dhe bashkëautorët. Ai që mundohet të harroj, të mbuloj apo të tjetërsoj krimin është pa dyshim dora vetë, autori i tyre.

Padyshim që vrasjet e 21 janarit janë akti më kriminal dhe i “pastër” i bërë nga z.Sali Berisha që nga viti 1991 e këtej në morinë e krimeve të tjera, e që nuk është rasti për t’i përmendur në këtë shkrim.

Do parashtroj e do komentoj disa arsyetime personale rreth këtij krimi të “pastër” shtetëror të rrallë e të paparë në Europën demokratike që nga koha e Musolinit dhe Hitlerit. Qëllimi im nuk është fort për të bindur shqiptarët e Shqipërisë, por më shumë këta të disaporës që jo rrallë herë më habisin me naivitetin e tyre duke më bërë pyetje dhe dërguar shkrime për shpjegime ma profesionale. Paraprakisht i kërkoj ndjesë lexuesit për ndonjë zgjatje e për disa detaje profesionale që për mua kanë nevojë të njihen nga të gjithë përpara se të krijojnë një ide sa më të saktë dhe mos ma keq, të kapen e t’i besojnë aksionit demagogjik e gënjeshtar që megjithëse i gatuar trashë- trashë nga Sali Berisha arrin të denigrojë “naivët” e të krijojë çoroditje, sadoqë problemi është fare i qartë.

Fshati që duket s’do kallauz, thonim herët, kur ishim pak ma të mençur, me sa duket dhe shumë ma të pastër. Para se ta filloj interpretimin e ngjarjes së parë në fjalë do i kujtoj lexuesit një thënie si formulë që e lexojnë në të gjitha fillimet e teksteve të kriminologjisë: “krimi perfekt nuk ekziston”. Edhe në raste krimesh shumë- shumë të menduara, syri i mprehët i hetuesit ekspert në kriminologji din të kapi gjithmonë një detaj ose të interpretoj një veprim që në studim të t’cilit kthehet në një provë të pakundërshtueshme. Të tilla, në rastin e 21 Janarit ka plotë. Provat direkte apo indirekte të zbuluara e të parashtruara qartësisht nuk të lënë mundësinë të bëhen as spekullime, as interpretime diametralisht të kundërta siç është tendenca aktuale.

Jo rrallë herë provat indirekte që gjithmonë si numër janë shumë herë më të mëdha sesa provat direkte bëhen shpesh më bindëse dhe më të fuqishme mbasi përmbajnë në vetvete shpjegimin dhe motivimin e fajësisë së kriminelit bazuar edhe mbi arsyetimin e çastit veprues, situatën mendore, gjendjen psikologjike para dhe pas krimit. Për një ekspert me eksperiencë çdo send, gjurmë, fjalë, arsyetim, gjendje, kthehet në një provë me vlerë akuzuese dhe bindëse.

Tragjedia e Gërdecit ishte një aksident tragjik që zbuloi një krim makabër shtetëror ku fatkeqësisht u vranë 26 vetë, ndërsa më 21 Janar kemi katër krime që janë vrasje me urdhër për të “Vrarë”, dhe fatkeqësisht jo për shkelje ligji, as për vetëmbrojtje. U vranë këta njerëz që, për fatin e tyre të keq me mënyrën e kryerjes së vrasjes provon pafajësinë e tyre. E thënë shkurt: mënyra si u vranë provon qartë se janë vrarë fare pafajshmërisht. Praktikisht viktimat fatkeqe u vranë sepse pikërisht në momentin fatal që vrasësi Llupo merrte shenjë mbi ata, pikërisht në atë çast ata ishin në gjëndje statike, të palëvizur mbi rreth pesë sekonda. E tepërt të shtoj se ishin shumë larg gardheve, zonave e kangjellave të gjoja rregulloreve të mbrojtjes siç na këndoi Kryeministri midis të tjerash të koduara me zona A,B,C etj….

Ka norma të koduara me imtësi të studiuara nga specialistë për sa i përket mënyrës dhe efektit të goditjes me armë. Ato që kanë bërë shkollë për këto punë i njohin mirë këto norma ushtarake apo kriminalistike. Të vrasësh një njeri nuk është punë e kollajtë. Ata që kanë marrë pjesë në luftë e dinë shumë mirë këtë veprim. Aq sa kollaj vritet njeriu aksidentalisht, aq me vështirësi vritet në luftë apo në aksion. Si në çdo gjë edhe në këtë veprim kryesore mbetet shkollimi specifik dhe eksperienca e madhe. Normalisht një qitës detyre apo qitës elite profesional duhet të stërvitet rreth 25-30 e ma tepër orë në javë. Kuptohet thjeshtë që një njeri i pa lëvizur qëllohet shumë më lehtë sesa një njeri në dinamikë. Ja disa të dhëna që më janë ngulitur në mendje edhe sot që shkruaj. Njeriun në pa lëvizje, një qitës “mesatar”, i stërvitur, e merr në shenjë për 3-5 sekonda duke e qëlluar për vdekje. Rasti kur një njeri vrapon me ritëm të rregullt dhe në një drejtim po ky qitës e merr në shenjë për afërsisht 7-10 sekonda, ndërsa një njeri që lëviz në mënyrë të çrregullt që ta marrësh në shenjë për ta vrarë për vdekje duhet ta shoqërosh për rreth 15 – 20 sekonda pa marrë frymë që të arrish të sinkronizohesh, duke shoqëruar lëvizjen e viktimës dhe në momentin e përputhjes së gjithë këtij kombinimi intuite, eksperience e dijesh të tërheqësh këmbëzën. Ky rast kërkon veç stërvitjes dhe talent të veçantë prandaj dhe plagosja me vrasjen janë në përpjesëtim 70% me 30% bazuar në statistika serioze kriminologjike.

Duke parë filmimet s’ka si të mos bëjë përshtypje vrasja e Veizit. Fatkeqi, duke qenë edhe disa metra larg portës e jashtë territorit as nuk i ka vajtur mendja që syri dhe dora vrastare e kriminelit Llupo e selektoi si më të kollajshëm për ta vrarë. Dhe e vrau. Kriminelit Llupo ia ka lehtësuar marrjen në shenjë edhe dera e zezë e hapur, e cila ishte po ashtu statike dhe nga pozicioni i vrasësit ishte paralel me Veizin e gjorë në projeksion fare afër tij, si të thuash e orientoi më mirë për ta vënë në shenjë. E them këtë sepse një njeri, qoftë statik e merr më kollaj në shenjë kur është afër një objekti po statik, paralel me të dhe me ngjyrë dalluese më mirë sesa kur viktima është krejt vetëm ose i rrethuar nga objekte të lëvizshme. Në procesin e qitjes pamja anësore “orbitale” ndihmon orientimin e pamjes kryesore. Po të ishte fjala për të mbrojtur territorin brenda kangjellave, krimineli Llupo duhet të kishte qëlluar një djalë të ri që nga lëvizjet aktive duhej të ishte rreth 20 vjeç. Ky djalë trim dhe kokë krisur siç e kemi parë shumë herë qëllonte me gurë vrasësin Llupo. Duel tepër i frikshëm. Llupo me skafandër komplete dhe me një automatik Pb5 – 9 mm dhe përballë tij i ziu djalë e qëllonte me gurë rreth 20 metër larg. Duel, të themi “berishian”. Të ishte për të mbrojtur territorin, Llupo mund ta inaktivizonte djalin e ri kokëkrisur me një breshëri të shkurtër këmbëve për 2 sekonda, siç duhet ta ketë rregullorja dikur e siç e kanë rregulloret e të gjithë botës sot. Është mjerim i demokracisë së Sali Berishës modeli i vrasjeve në 21 janar sepse edhe në kohën e diktaturës ushtarët e gardës në Bllok kur kishte raste që ndonjë këmbësor hynte në bllok urdhri ishte që të qëllohej nga këmbët fillimisht, pasi t’i ishte bërë thirrja “Ndal” disa herë për t’u inaktivizuar. Dhe kështu ka ndodhur realisht në një rast kur dikush me biçikletë hyri në bllok, apo edhe kur një natë dikush si i dehur në vjeshtën e vitit 1978 tentoi të kalonte në thellësi të bllokut. Kurse sot automatikët e gardës qëllojnë direkt në trup njerëzish të pafajshëm.

***

Këtu qëndron e fshehta e problemit tonë. Urdhri ishte pa dyshim “Vrisni” dhe jo “plagosini” shkelësit nga këmbët, etj. Në momentin që vrasësi Llupo shenjonte fatkeqin Veizi, i cili në atë moment po vrojtonte me duar në xhepa – provoni duke parë videon.. numëroni me ritmin e sekondave, 1-2-3-4-5, nuk do ta kaloni 4 sekondëshin, Veizi shembet i vdekur. Duke qenë me gjysëm apo çerek profili vrasësi Llupo ka marrë shenjë në gjoks. Sqarim: Njeriun po ta qëllosh nga përpara, ballas, po nuk i preke zemrën apo shtyllën kurrizore nuk vdes menjëherë. Madje ka shanse të jetojë po iu dha ndihma shpejt. Ndryshon krejtësisht puna kur e qëllon në lartësinë e gjoksit dhe në profil. Në goditjen anash, majtas djathtas e anasjelltas, siç thuhet brinjë më brinjë, vdekja është e sigurt. Vrasja në fjalë më kujton vrasjen e Bardhok Bibës nga mirditorët. Këta veriorë e mjeshtër të pushkës denbabaden e dinin mirë këtë mënyrë vrasjeje. Nishantarë të klasit të parë, pritën e zinin gjithmonë për të qëlluar objektin anash. Rasti i Bardhok Bibës i qëlluar brinjë më brinjë është tipik i mirditorëve. I shoqëruar nga dy shokë të tjerë kemi shkuar, e kemi marrë e transportuar trupin e të vrarit. Ai ishte qëlluar mbi 700 hapa larg, vetëm me një plumb dhe në pritë gjetëm vetëm një gëzhojë e disa bishta cigaresh të dredhur. Plumbi i kish përshkuar mushkëritë, zemrën pa asnjë lloj shprese shpëtimi. Vrasja e Veizit më duket shumë analoge, por shumë- shumë më afër dhe mjerisht shumë më e kollajshme për t’u realizuar. Në këtë rast përjashtohet çdo mundësi për ta paraqitur si një vrasje rastësore.

***

Vrasja e Hekuranit ka ndodhur gjithashtu qëllimisht. Ky grup njerëzish të hipur mbi një tavolinë së bashku me një kamera u qëllua në drejtim “koke”, as për t’u plagosur, as për t’u trembur. Me rikoshetë e pa rikoshetë kemi një qitje me objektiv për të vrarë, kjo është e qartë. Ndërsa njeriu i qëlluar me plumb në kokë është 99% i destinuar që të vdesë, sidomos me plumb pushke apo automatiku 9 mm. Gjatë periudhës së luftës kurrë nuk kam parë ose dëgjuar që një njeri të goditet nga një plumb në kokë e të shpëtojë. Njoh vetëm një rast që për kuriozitet vlen të përmendet. Në një aksion sulmi partizani dhe atentatori Safet Kurti i ngritur në këmbë me automatik në dorë duke bërtitur të famshmen thirrje luftarake, “Para partizanë”. Pa mbyllur gojën një plumb i hyn drejt në gojë duke mos i prekur për fatin e tij shtyllën kurrizore por afërsisht 1-1.5 cm larg vertebrës së qafës. Safetin e kujtuam të vdekur kur e pamë rastësisht të rënë përmbys që villte gjak. E mbartëm në krahë dhe e lamë në Pezë në një bazë tonën në një familje fshatarësh me aspak shpresë shpëtimi. Fshatarët e mjekuan me mjaltë e me duhan e ai shpëtoi për mrekulli. Flitej për një rast tjetër kur një partizan kishte marrë një plumb në ballë, pak sipër, dhe që plumbi i kishte dalë në anën tjetër duke i kaluar përmes dy hemisferave trunore pa i dëmtuar gjë. Edhe ai shpëtoi nga kjo, por u vra më pas, nga një plumb qorr pak para çlirimit!!.

***

Dy vrasjet e tjera të 21 janarit janë kryer me plumb në kokë. Kam ndjekur “si të gjithë” gjendjen në koma të Aleksit, i cili u dërgua mbas kaq ditësh për t’u kuruar në Turqi. Të kishte pasur vërtetë shpresë për t’u operuar, dhe kjo në konsultë me specialistë merr një mundësi probabiliteti përgjigjeje pothuaj 100% të saktë me mundësitë diagnostike me aparat MRI dhe CT scaner të trurit e të kokës, atëherë Qeveria e dhimbsur për qytetarët e saj mund të sillte me urgjencë një specialist të mirëfilltë nga jashtë (si solli Berisha në rastin e Kosta Trebickës!!!!) ose e dërgonte menjëherë të sëmurin në një klinikë të specializuar. Por të mos harrojmë se kemi edhe ne specialistë të aftë si Petrela me kolegët e tij, etj.

Të kish qenë fjala, larg qoftë për ndonjë si gjeneralët tanë Ndre Preni apo Ahmet Burgaj do ishin dërguar me helikopterë që atë natë. Por protestuesi opozitar, buletini mjekësor i të cilit raportohej në televizor nga disa mjekë ushtarakë që për keqardhjen e shikuesve e të pacientëve ishin me pamje qoftexhinjsh, u dërgua pas disa ditësh në Turqi. Shtet me dashuri të madhe për Qeverinë tonë e sidomos për kryeministrin e saj S. Berisha. E në këto rrethana ndërrimi i plumbit mund të bëhej me “kollajlluk”, rezultati, një vdekje më pak. Nuk duhet harruar se ka shumë mundësi që edhe kalibra të njëjtë t’u përkasin armëve me marka të ndryshme.

Pyes, përse duhet të hetohet rasti në Turqi, në kundërshtim me të gjitha normat ligjore të vendit e ato ndërkombëtare? Përse përdhoset deri në këtë farë feje institucioni shqiptar i hetimit?

***

Përsa u përket armëve, problemi në Shqipëri mund të komplikohet së tepërmi për ekspertizat qofshin dhe amerikane. Numri i armëve dhe llojshmëria e tyre në një vend si i yni, me gjithë ato pushtime, ushtri e armatime është tejet i ngatërruar. Vetëm kur kujtoj armët që kishim në bodrumet e Ministrisë së Brendshme them se mund të mbusheshin disa muze gjigandë. Gjithfarësoj pushkësh automatike, revole, pistoleta të të gjitha kalibrave e të të gjitha markave. Armë të rralla që nga koha e Turqisë, austriake, të kohës së Zogut, gjermane, ruse, kineze, amerikane, britanike pa fund. Me gjithë asgjësimet dhe groposjet e herëpashershme kishte ngelur një thesar i vërtetë për amatorët dhe të apasionuarit. Nuk mungonin pushkët me dylbi, pushkët snajper gjermane, ruse, kineze, zvicerane, franceze. Sigurisht të qëlluar nga tarraca dy vrasjet e tjera janë bërë me këto armë të precizionit të lartë. Të tilla kemi pasur boll. Unë kam informacion të besueshëm se armët e stokuara në bodrumet e MPB nuk janë prekur në vitet 1996-1997. Kam dijeni të plotë për mirëmbajtjen e tyre pasi njeriu i posaçëm që merrej me to, shef Çarçani më konsultonte gjithmonë për mënyrën e trajtimit të tyre me detaje. Kur gjenerali Zhukov erdhi për vizitë në Shqipëri ai bëri shumë dhurata. Veç dylbive cilësore ruse, aparateve fotografikë, dhuroi edhe katër pushkë gjysëm automatike me dylbi të një preçizioni të jashtëzakonshëm fabrikacion sovjetik i vitit 1938 në kuti të zeza me kadife të kuqe, dhe siç pohoi vet Zhukovi në një darkë në Pallatin e Brigadave. Me po të njëjtët modele snajperët sovjetikët i kishin bërë gjëmën gjermanëve gjatë luftës. (Me snajper ishin vrarë rreth 800 ushtarë gjerman). Ai na tha se një armë e tillë identike i ishte dhuruar vet Stalinit në një kongres në vitin 1938. Më vonë erdhën të porositura nga Gjermania Lindore armë të preçizionit të lartë akoma më të sofistikuara e veçanërisht mjaft më të bukura, të prodhuara në qytetin e njohur botërisht për prodhime të tilla “SUHL”, së bashku me çiftet e famshme MERKEL nga e njëjta fabrikë. E gjithë Byroja posedonte çifte të markës SUHL-MERKEL. Po ashtu në numër të vogël disponojmë armë snajper të mrekullueshme çekosllovake C.Z. të cilat janë shumë të ngjashme me austriaket. Të kuptohemi, për shkak të çmimit shumë të lartë blerja e këtyre ishte në numër 2-3 armë në çdo rast. Këto armë ndodhen të disponueshme diku në depo të veçanta, nuk kanë humbur. Janë të kalibrave të ndryshëm dhe me fuqi të ndryshme. Janë afërsisht, e pakta 90 – 100 armë snajper të tilla pa shtuar ato kinezet. Këto sigurisht nuk janë në regjistrat që pasqyrojnë armatimin e rregullt ushtarak të efektivit të Gardës. Në vitet 1974 – 1975 janë blerë armë të preçizionit të lartë akoma më të avancuara, deri me lazer dhe me bateri nga Austria. Ashtu si u blenë çifte nga më të shtrenjtat në botë në Angli dhe pushkë me dylbi prodhime të reja në numër 4-6 copë. Disa nga këto armë i dërgonim në drejtorinë e pritjes te Sterjo Gjokoreci, në rastet kur udhëheqësit i përdornin për gjueti derrash dhe kaprojsh. Flas gjithmonë për armë që janë blerë me pakicë të paguara nga nëpunës të shtetit, pasi ato që janë futur më vonë duke u blerë në tregun e zi në rrugë shërbimesh të errëta për të vrarë e për të mos u gjetur kurrë arma, nuk kam dijeni.

***

Deri para pak vitesh armët snajper kishin trajtim të veçantë. Nxirreshin me vetëm dy firma, një firmë nga përgjegjësi i armatimit dhe një firmë nga vet Ministri për një qëllim të veçantë dhe duhet të ktheheshin menjëherë mbas mbarimit të përdorimit të përkohshëm. Kur udhëheqësit e lartë, kushdo që të ishte, i huazonin për gjueti të rëndë, arma detyrimisht duhej të “flinte” në depo, nën supozimin që mund të vidhej e mund të përdorej kundër udhëheqjes.

Këto armë janë jashtë regjistrave të armatimit tradicional ushtarak. Njerëz të stërvitur, të zgjedhur dhe për nga aftësia, të policisë e të gardës me armë të tilla në dorë janë vetëm për të vrarë saktësisht e jo për të trembur apo për të plagosur. Drejtuesit e këtyre aksioneve kanë autoritetin urdhërues që këto armë të mbajtura për të vrarë nuk ekzistojnë me emrin e askujt. Do ishte naive për shqiptarët që të besojnë që nga kreu i zinxhirit komandues e deri te gardisti më i thjeshtë, që të gjithë të mbanin armët e standardit të regjistruara e të vrisnin me to. Armët vrastare që kanë lënë gëzhojat jetime besoj se nuk do të gjenden më kurrë. Logjikisht ato duhet të jenë zhdukur një herë e përgjithmonë. Dhe për të zhdukur armët e tilla që kanë bërë vrasjet nuk përbën ndonjë vështirësi të madhe, madje është si një lodër zbavitëse ustallarësh. Sidomos më shumë akoma kur “zinxhiri komandues” ndenji i lirë për tre javë, i pa thirrur dot nga prokuroria gjoja nga lapsusi i fletë thirrjes. Brenda kësaj kohe tepër- tepër të gjatë, zinxhiri drejtues “mashtrues” do thoja, i drejtuar nga Ahmet Burgaj (ky miniaturë e Ahmet Zogut), Ndre Preni etj, ka pasur kohë të mjaftueshme për me bërë e ribërë regjistra, firma, me zhduk armët e përdorura e me i zëvendësuar me të tjera. Me mundësitë që kanë, me kohën rreth 20 ditë do kishin zhdukur pa vështirësi, jo revole e pushkë snajper, etj, por edhe TOPA 180 mm do të zhduknin pa gjurmë…..

***

Nga burime shumë të besueshme mësohet se gjatë protestës së 21 Janarit ka pasur gardistë të vetëplagosur apo edhe që, në momente paqëndrueshmërie psikologjike kanë humbur kontrollin nën presionin e urdhrit për të vrarë qytetarët protestues dhe për pasojë u është shkrepur arma pavullnetshëm përgjatë tentativave për të mos zbatuar urdhrin. Prandaj janë bërë trajtime mjekësore brenda ndërtesës së Kryeministrisë. Kjo bëri që të flitej nga kryeministri Berisha për gardistë të plagosur prej demonstruesve. Prandaj kishte plumba brenda Kryeministrisë, por nuk kishte xhama të thyer në dritaret prej goditjeve nga jashtë ndërtesës së Kryeministrisë. Ky ishte skenari i parë i përgatitur nga Berisha për të akuzuar demonstruesit, por që ndryshoi shpejt nga rrethanat e reja të orëve të mëvonshme e ditëve në vazhdim.

Kur deputeti Hoxha në krah të Eduard Halimit në komisionin parlamentar e pyeti gjeneralin Ndre Preni se, a kishte të plagosur me armë zjarri nga ana e gardistëve, Preni tepër i ngurosur, sikur të kishte gëlltitur okllainë nuk iu përgjigj pyetjes. Deputeti e përsëriti prapë pyetjen, a kishte të plagosur me armë zjarri nga ana e Policisë dhe Gardës. Preni rrinte si i ngrirë pa asnjë përgjigje. Dikush deshi ta përsërisë pyetjen, por Halimi me një gjest të dorës e ndërpreu pyetjen tepër të bezdisshme. Kjo ishte më se e qartë se Preni kishte skenarin e ri, ndërsa deputeti Hoxha pyeste me skenarin e vjetër. Me sa duket zinxhiri mashtrues e kishte parë të arsyeshme të hiqnin dorë nga Shakaja e Puçit (mjerisht).

***

Të kthehemi te problemi i vrasjes së parë, akoma pa u parë “kaseta e famshme” filmike e vrasjes së Veizit. Ndoqa deklaratën e mjekut ushtarak Sami Koçeku, ku me njohuritë e një eksperti dallova menjëherë gënjeshtrën fatale. Kjo gënjeshtër për një ekspert mjafton për të shërbyer si filli i Arianës në mitologjinë greke që të të shpjerë direkt te Minotauri ynë gjysëm njeri e gjysëm kafshë “kriminele”. Siç e kemi parë dhe riparë, mjeku Koçeku shpjegoi se vrasja është shkaktuar nga një plumb tepër i vogël që ka vetëm një hyrje në trup pa dalje. Gjë që presupozon se fatkeqi është qëlluar nga fare afër, mbasi nga kurora e djegies rreth vrimës së plumbit vërteton që distanca e qitjes është rreth 1 m – 1, 20 m. Çka do të thotë me fjalë të tjera se është qëlluar nga vetë demonstruesit, d.m.th një krim i qëllimtë për të akuzuar më vonë demonstruesit. At’kohë nuk dihej akoma ekzistenca e “Kasetës Shpëtimtare”. Atë natë mendja e sëmurë e kryeministrit nuk mendonte gjatë (ekspertiza nga tanët e të huaj, etj).

E vërteta dhe gënjeshtra e pastër për të fshehur krimin: Ekzistojnë pistoleta të vogla të quajtura pistoleta grash. Fillojnë nga kalibri 6.25 mm dhe ka 6 ose 5 plumba dhe një dorë e madhe e mbështjellë plotësisht. Tyta e saj është 6 cm e gjatë, doza e barutit është 0.1 gram. Kjo pistoletë mund të vrasë në distancë fare afër, 20-40 cm maksimumi. Më tutje s’ka as forcë dhe as preçizion (tyta e shkurtër), por zhurmën e bënë shumë të madhe. Kjo lloj arme grash nuk bën pjesë në asnjë armatim profesional si te ne, ashtu edhe në asnjë armatim profesional të botës. Në depon tonë të MPB as atëherë as tani këto pistoleta nuk ishin e nuk janë të regjistruara dhe kryesisht janë markat Beretta, Ëalther, Herstal, Broëning, C.Z.. Kanë dekoracione shumë tërheqëse me zedef, fildish e të kromuara.

Një kalibër paksa më i madh 7.65 mm është minimali i pranueshëm në ushtri. Oficerët gjermanë kishin të tillë për në qytet, jo për në luftë. Hitleri vet është vetëvrarë me një kalibër 7.65 mm të markës Ëalter. Këto të dhëna siç merret me mend janë pak më profesionale dhe nuk ka si t’i dijë as kryeministri kardiolog e as mjeku Koçeku patolog. Pra këtu qëndron gënjeshtra kriminale: Unaza e kuqe e flakës së barutit nga distanca e afërt që të dy doktorët e shpjeguan me kaq bindje e siguri ekzistuese që, ishte gjoja e pranishme në trupin e të vrarit sikur ky të ishte qëlluar nga shumë afër por, detyrimisht duhej të ishte lakuriq, i zbuluar në pjesën e qëlluar. Pra praktikisht me kraharor lakuriq si në plazh ose në shtëpi në një stinë vere e vape të fortë e jo në mes të janarit. Insistoj se mjeku ushtarak nuk ka parë asnjë shenjë flake nga minipistoleta e sajuar me fantazi e as ai vetë s’kishte si ta shpikte. Shpikje me zarar kjo që të shpie direkt në bankën e të akuzuarve. Po të kishte drejtësi, në kodin penal përpjekja për të fshehur krimin quhet bashkëfajësi kriminale.

Të dhënat e kësaj mini pistolete janë sugjeruar nga një gjysëm profesionist, supozoj i Gardës, e kanë shkuar te mjeku Koçeku. Kush i kërkoi këto të dhëna me kaq urgjencë dhe që me po kaq urgjencë e nxitim u dhanë në TV? Sigurisht pa asnjë mëdyshje nga vrasësit. Kujt i vajti mendja dhe kishte kurajon që të krijonte këtë krim të dytë po aq me peshë sa vrasja vetë? Këtë kompetencë dhe kurajo për këtë veprim të dytë mjeran, të ndyrë e shumë të dënueshëm e kishin vetëm dy vetë, Kryeministri dhe Ministri i punëve të brendshme. Vetëkuptohet urdhëruesit e vrasjeve për t’i mbuluar ato. Madje po atë natë, Kryeministri në delirin e panikut deklaroi me “sinqeritet” se kjo armë nuk është në pajisjen e ushtarakëve tanë. Shumë qesharake për një njohës. Njësoj si të thuash llastikat ose pengallot me gurë nuk janë pjesë e armatimit ushtarak. Për ta përforcuar alibinë e tij shtoi se këto armë mund të ishin me silenciatorë. Akoma kjo një e pamundur tjetër mashtruese. Merreni me mend marrëzinë më tej kur Kryeministri shtoi se demonstruesit ishin të pajisur me stilolapsa pistoletë me nga një mikroplumb. Në rastin e këtyre plumbave mikro jo vetëm duhet të jesh shumë afër, por edhe maja e plumbit të jetë lyer me një përzierje cianuri dhe mbuluar me komponent të tjerë që i rezistojnë temperaturës dhe që në kontakt me gjakun shkrijnë menjëherë duke paralizuar sistemin nervor të viktimës, pra jetën në 1-2 sekonda. Këto stilolapsa pistoletë kryeministri i ka parë në ekspozitën e MPB që ndodhej përballë Vollgës, ku u ekspozuan armatimet e Xhevdet Mustafës. Besoj që i ka parë sepse në atë kohë u zgjodhën disa kuadro partie që ta shikonin këtë ekspozitë në mënyrë që të propagandonin aktivitetin armiqësor të agjentëve të imperializmit. Këto deklarata i përsëriti në Qeveri dhe Kuvend. Shpjegoi edhe për një trajnim fizik të demonstruesve në grupe 5-she… si në kohën e Enverit kur trajnoheshin terroristët arabë e amerikano-latinë në shkollat e fushat e shkollave të sigurimit të Hasan Luçit. Dhe shtoi që këto grupe pritej të furnizoheshin me armë nga një automjet diku në bulevard, por kësaj radhe me armë të rënda, kallashnikovë etj.(skema e parapërgatitur dhe e funksionuar nga ai vet Sali Berisha në ditët që pasuan vrasjen e Azem Hajdarit me historinë e pushtimit të televizionit). Nga i kishte marrë këto të dhëna kur akuzoi SHIK-u po atë natë se nuk i kishin bërë asnjë sinjalizim? Dhe akuzoi Ramën, presidentin e Kryeprokuroren për PUÇ. Ndyu dhe gojën për habinë e bashkëatdhetarëve e të ndërkombëtarëve duke e quajtur të nderuarën Kryeprokuroren e vendit të vet, shoqen e vajzës së tij Argita lavire (kurvë)!!.

***

Duke e parë shpesh herë fytyrën e tij gjatë këtyre dy fjalimeve 21 e 22 janarit, për një specialist është e qartë, identike, gjendja e një krimineli para dhe mbas krimit. Nga një super eksitim imediat i trurit (fly or fight) nxitet prodhimi i adrenalinës në maksimum. Fytyra e kriminelit në 85 % të rasteve skuqet, rrahjet e zemrës dyfishohen e ka hipertension arterial fulminant, akselerimi i ideve është në maksimum dhe logjika del jashtë kontrollit. Si të thuash bëhet një dyzim në tru, më thjeshtë duket sikur ka dy njerëz në një. Njëri ndjek pak si nga larg, dëgjon tjetrin sikur flet, që arsyeton e vepron kodra mbas bregut e jashtë përgjegjësie dhe duke e kuptuar që është gabim por që, në asnjë mënyrë nuk e ndalon dot. Qëllimi i vetëm është që sa më shpejt e sa më shpejt të justifikoj, të mbuloj krimin, të bindë të tjerët që s’ka bërë gjë.. të tjerët janë ata që kanë bërë.

Në këtë kaos patologjik të tmerrshëm që fatkeqësisht është prodhuar nga po ai vet me historikun e përgjakshëm të ngulitur në memorie, paniku nxitet në maksimum nga skena të ngjashme që i kanë ndodhur vrasësve e kriminelëve të tjerë që jetojnë gjithmonë gjallërisht në memorien e vrasësit. Në rastin tonë kryeministri Berisha, padyshim që në ato momentet e 21 Janarit nga paniku i madh më shumë i kanë ardhur para syve skenat historike të Çausheskut të përgjakur me këmbët e përthyera dhe kravatën e kuqe, të arrestimit të Millosheviçit apo vrasja e Sadatit në Egjypt. Çdo individ seleksionon ngjarjet e ngjashme sipas një riti krejt personal që kondicionohet nga shumë premisa tejet personale të perceptuara e të regjistruara në situatën tronditëse personale që, me nxitjen e pamjeve agresive të shoqëruara me derdhje të fuqishme adrenaline në gjak çoroditin arsyen drejt krimit.

***

Zinxhiri komandues i Gardës i cili faktikisht u kthye në një zinxhir mashtrues të fakteve dhe provave, të drejtuar nga Makiaveli Berisha dhe Princi Basha me veprimet e kryera më shtyjnë të mendoj se, në ka ndonjë shpresë për zbardhje më shumë është bazuar te rastësia sesa te aftësia që u dobësua nga zgjatja tre javore. Duke iu referuar psikologjisë mashtruese të klasit të lartë ku e ka hypur kryeministri ynë Qeverinë dhe Politikën e tij shikojmë e dëgjojmë ndonjëherë veprime kontradiktore edhe të përfaqësuesve të huaj. Sado të jenë të shkolluar ambasadorët, sado të kenë eksperienca nga vendet e tjera, sado të zgjuar e të mprehtë ta kenë mendjen, sado të djallëzuar sipas masës amerikane, as amerikani e as europianët nuk mund ta marrin me mend kurrë sesa të thellë e ka Pusin e Mashtrimit Sali Berisha i ynë dhe Qeveria e të pandehurve të tij. Te Berisha dhe Qeveria e tij, gënjeshtra, mashtrimi, korrupsioni, s’janë më TURP. Kanë hyrë në një fazë të re të paparë deri më sot. Ato janë bërë si Puna dhe Detyra e përditshme në një shtet tjetër europian.

***

Mësuam me trishtim për vetvrasjen e djalit 22 vjeçar të Myrtajt. Lexova pak komente, shumë pak për një rast tejet tragjik ku fajtorët i shohim tepër të lumtur nëpër ekrane. Një ngjarje e tillë është shumë tronditëse për mendimin e një shoqërie demokratike. Kjo provon se vdekja dhe vrasja po bëhet një gjë e zakonshme nën qeverinë e “të pandehurve”. Në një këndvështrim profesional vetvrasja në vetvete është një akt sublim kurajoz kur bëhet me koshiencë. Po përjashtoj rastin e të sëmurit skizofrenik. Bëhet edhe nga një pleqëri që refuzon të torturohet e të torturojë të afërmit dhe sigurisht edhe nga presioni i madh i një sëmundjeje të pashërueshme. Literatura të orienton që jashtë kushteve të sipër përmendura vetvrasja në përqindje të madhe rastesh përmban në vetvete një akt hakmarrjeje. Në tekstet e kriminologjisë theksohet që të mos injorohet kjo mundësi nga hetuesit e ngarkuar për hetim. Eshtë pikërisht kjo që në literaturën kriminalistike në të shumtën e rasteve quhet “Hakmarrja e të Pafuqishmit”. Në rastin tonë ky djalë 22 vjeçar i Myrtos, nuk duhet të ketë qenë fare djalë agresiv. Duhet të ketë qenë një djalë i zgjuar dhe me një sensibilitet të thellë sipëror. Ai nuk ishte i lindur me ADN-në e kanunit të Lekë Dukagjinit që të gjente një armë dore e të nisej në Tiranë për të marrë hakun e babait të vrarë. Presionin psikologjik për hakmarrje e ka pasur sigurisht tmerrësisht të fortë. Ka qenë aq i ndershëm sa të mos bënte një marri e të vriste një dikënd nga fisi Berisha (nji të kollajshëm), si e bëri një verior që vrau dy vëllezër para 3 javësh dhe shkoi u dorëzua vet në polici. E ka ditur mirë dhe sigurisht ka vuajtur për atë se çfarë mendojnë dhe presin njerëzia nga ai. Sigurisht nga drejtësia e Berishës e vrasësit dora vetë, nuk kishte ç’të priste, kështu ky djalë i mirë trim vendosi ta vrasë apo ndëshkoi Berishën, Bashën e familjet e tyre indirekt duke vrarë veten. Ky arsyetim nuk është i një njeriu letrar e romantik. Por i një eksperience personale të mjaftueshme për të interpretuar rastin në fjalë. Me keqardhje dhe dhimbje më vjen keq ta them që djali viktimë me gjasa është gabuar. Basha dhe Berisha janë i një brumi tjetër, shumë më tepër refraktarë, një brumë i veçantë vrastar. Ndoshta është me vend që ta ilustroj këtë me një rast të ndodhur në vitin 1982. Mbas vetëvrasjes së Mehmet Shehut, djali i madh i tij, Vladimiri së bashku me gruan e tij, Bardha, dhe dy vajzat u transferuan me punë në Gramsh. Sigurisht jetonin të izoluar sipas orientimeve dhe nga presioni i fanatikëve. Sipas pohimeve të operativit, familja jetonte me ankth të madh megjithëse komshinjtë ruanin një farë respekti që s’mungonin t’ia shprehnin sipas rasteve. Ndryshe me fëmijët. Fëmijët në mungesë të logjikës së pjekur bëhen shpesh shumë agresivë. Kështu ndodhte që vajzat vinin dhe të përgjakura në shtëpi nga rruga kur provonin të dilnin e të luanin me fëmijët e tjerë. Vladimiri si zgjidhje gjeti të niste të shoqen dhe dy vajzat në Tiranë te i ati Tano Shyti dhe vet qëndroi në Gramsh. Mbas disa kohësh u gjet i vdekur. Kishte gjetur si mënyrë vetëvrasjeje të lidhej me korrentin e shtëpisë mbasi kishte zëvendësuar telat e hollë të siguresave të shtëpisë me tela bakri 1mm të trashë dyfish. Vladimiri ishte inxhinier elektrik. Ai u gjet me dy duart e karbonizuara deri te bërrylat gjë që tregon se siguresat kishin funksionuar mirë. Vladimiri ishte djalë i zgjuar, i qetë, tipik midis tipit sanguin e atij flegmatik. Akti ishte i menduar plotësisht prej tij. Ai ishte shumë shok me fëmijët e Enverit, ai ishte si i shtëpisë te Hoxhatët. Dhe pikërisht atë e donte shumë Ai. Kjo dihej nga të gjithë. Vladimiri e ka vrarë veten pikërisht për të vrarë Enverin, hakmarrja tipike e të pafuqishmit. Ndryshe nga Saliu dhe Luli. Enveri, bile edhe Nexhmija e hekurt nuk e kaluan kollaj provën para të cilës i vuri vetëvrasja e Vladimirit. Në ato kohë tejet të trishtuara Nexhmija shpeshtoi vizitat nëpër familjet e Byrosë dhe përsëriste si në makth po të njëjtën shprehje: “Po ai Ladi ç’pati? Enveri s’kishte ndonjë gjë me atë.”… Tregues i thellë i një gjendje turbullie të madhe që s’e fshihte dot.

Enveri që nga vetëvrasja e Vladimirit bënte përditë shëtitjen tradicionale, por filloi të ndalej me minuta të tëra para shtëpisë së Mehmetit. Aq sa nga drejtuesi i sigurimit të udhëheqjes iu dha udhëzim rojeve që të bënin sikur nuk e shikonin kur qëndronte ashtu, i palëvizur, gati- gati sikur bënte homazhe përpara shtëpisë bosh të Mehmetit gjithnjë rreth orës pesë mbasdite. Vetëvrasja e Vladimirit agravoi në mënyrë fulminante diabetin, por sidomos ngarkesën psikologjike të tij dhe precipitoi fillimin e fundit të Enver Hoxhës e ai nuk e mori më veten asnjëherë. Ky ishte mendimi ynë konfidencial bazuar në të gjitha arsyetimet e rrethanave mjekësore e politike. Shkurt Vladimiri e pagoi me jetën e tij të re aktin e hakmarrjes por ama Enverin e plagosi shumë rëndë e, e dërgoi në vdekje para kohe. Dua të them se Enveri ishte një vrasës i madh por me sa duket ka gjithnjë më të këqinj siç na mëson aktualiteti sot me Berishën e Bashën.

***

Një sinjal i kriminalitetit të papërmbajtur Berisha – Basha është edhe ajo ngjarja tepër e trishtueshme e kryeministrit me të shoqen Liri Berisha ndaj asaj vajzës jo fort të vogël por një derro zonjushë e cila me një gjest të turpshëm të gishtit të mesëm të dorës (gjest burrash dhe horrash) që kishte provokuar një demonstrues e që ai për ndëshkim i kishte dhënë një a dy shpulla korrektuese. Ky gjest barbarie i çiftit Berisha bëri që në TV të zhvillohej një spektakël që gati- gati më kujtonte spektaklet e Shkurte Pal Vatës dhe barcaletat shoqëruese të këtyre shfaqjeve absurde.

Nuk mund të përmbahet indinjata kur me pak imagjinatë mendoja fëmijët e të vrarëve viktima përpara ekraneve të etur për të parë një reagim sado pozitiv ngushëllues e mishërues për ata e për prindërit e vrarë. E në vend të kësaj shohim kryeministrin Berisha me të shoqen Liri të veshur me të bardha që me plot dinjitet mbante dhe një peshqesh për vajzën e dhunuar e cila si për çudi na paskej pasur edhe ditëlindjen. Të rrethuar nga kamerat plot puthje prindërore e dashuri të gjithanshme. Çfarë kanë menduar ato zemra të vogla me baballarët e vrarë në këto momente! Kjo ka vetëm një koment. Një kriminel që vrau katër baballarët po plagos e vret fëmijët e tyre. Çfarë vuajtje për nënat, për fëmijët që kuptojnë mesazhin makabër. A kujtoni ju o kriminel se i biri i Myrtajt që vrau veten ka ngelur indiferent duke parë “dhembshurinë” e çiftit Berisha ndaj një shpulle? Këtu u përfshi edhe Liri Berisha, vet nënë dhe e njeh dhembshurinë e nënës. Ka vetëm një shpjegim.

Sikur ata katër viktima të mos ishin shqiptarë por të paskeshin qëlluar minoritarë serbë, gospodinie Sllobodanka (Liri Berisha) nuk do ta kishte provuar kurrë që ti bënte karshillëk në TV fëmijëve të gjorë bashkëkombas. Sa për këtë avdallin kryeministër, ka kohë që e ka vërtetuar katërcipërisht proverbin jugor që tregon: Nga je ti more? Jam nga fshati i gruas, bile bile kam mik shtëpie Fazlliçin dhe e kam kaq mik sa po të doni ua sjell këtu në parlament. Pra ju bëj dylber të Fazlliçit edhe juve, baballarët e kombit.

Berisha thotë se e ka lexuar Makbethin. Po ju Lady Berisha a e keni lexuar? A e ke ndigjue ti zojë proverbin mitik verior: mos baj (keq) se ta bajn e ta teprojnë. Me çfarë ilaçi hypnotik flini ju çifti i lumtur i dhuratave, bashkëshortët Berisha?

***

Po flitet shumë për prezencë të huaj në zgjedhje dhe shpresoj që ajo të jetë efikase në maksimum. Këta të huajt duhet të kenë mirë të qartë specifikën tonë makiavelike të 50 vjeçarit të fundit që nënkupton se te ne frika nuk mundet me arsye por, vetëm me një frikë më të madhe, dhuna ndalet nga frika e një dhune më të madhe. Sa për predikime apostolike ambasadorash, kërcënimet e tyre të holla indirekte, aha, Bualli ynë nga Viçidoli nuk pyet për mushkonja vendi, qofshin këto edhe të “jashtëme”.

Nga gjithë informacionet dhe me çfarë na paraqitet në TV gjendja duket shumë e tensionuar dhe paralajmëruese. Dikur gjatë luftës motivoheshim nga faktori ideologjik marksist dhe lufta patriotike kundër okupatorit. Siç më informojnë miqtë, qeveritarët tanë sot kanë krijuar në të gjithë vendin një rrjet segmentesh këmishash blu të Berishës të ngjashme me këmishat e zeza të Musolinit e këmishat e murrme të Hitlerit, të gatshëm në çdo moment e në çdo formë të përdorin dhunë fizike, psiqike individuale apo familjare. Motiv të vërtetë s’kanë ideologji por, vetëm motivin e parasë dhe të përvetësimeve të paimagjinuara që disponon Qeveria e të Pandehurve të Berishës. Parimi i tyre është: të derdhet para pa kursim për të mbrojtur paranë e gllabëruar dhe për të fituar para të tjera. Për ata, disfata sado e vogël është e pa pranueshme sepse është një hap drejt burgut.

Një prokuror amerikan në pension më dërgonte opinionin e tij në Facebook lidhur me vrasjet e 21 Janarit dhe gjykonte se për atë ngjarje në rrethana të ngjashme në disa shtete të Amerikës personat përgjegjës si Kryeministri Berisha dhe Ministri Basha do kishin marrë dënim kapital në karrige elektrike. Ndërsa në shtete të tjera do ishte dhënë dënimi kapital me injeksion, i cili sipas mendimit të tij do ishte më komod atje ku është hequr karrigia elektrike. Dënim me burgim të përjetshëm do rezervohej sipas atij për mjekun ushtarak Koçeku, si fillues i gënjeshtrës dhe për pasojë bashkëfajësi në krim. Kur shoh Bashën me pretendim për kryetar bashkie me fytyrën e bardhë e të nginjur që shkëlqen midis fytyrave të vrara e të hequra të tiranasve duke u premtuar gjithçka, veç të zgjidhet kryetar, më kujton Çiçikovin e Gogolit që gënjente njerëzit për të blerë shpirtrat e vdekur, ndërsa ky bën çmos të blej shpirtrat e gjallë për t’i vdekur me “dashamirësi e sinqeritet të ëmbël” të pastër, sikur të lahej jo me ujë por me mjaltë ose sherbet. Basha lut Zotin të zgjidhet kryetar, vetëm të zgjidhet që vetëm të lerë mbrapa 21 janarin, vetëm të rihyjë në jetën shoqërore e të riciklohet i “pastruar nga krimi” kujton ai. Tani kryeministri i ekzaltuar në ekstrem predikon me forcë zgjedhje të qeta, pa konflikte, por nga ana tjetër sipas informatave që më vijnë ka vënë në funksion maksimal skalionet me këmishat e tij blu. Shikohet qartë që Berisha lumturohet para edhe mbrapa entuziazmit të pjesëmarrësve nëpër mitingje të organizuara nga ai vet. Vini re se, sa më shumë eksitohet e skuqet duke kaluar deri në ulëritje ekstazore, duke më kujtuar gjithmonë valet e dervishëve dikur. Suksesi, duartrokitjet, thirrjet e të rinjve të ekstazuar, flamuret blu të PD-së kanë kaluar tashmë në një drogë të domosdoshme për Atë..

Sigurisht kjo i krijon sensacionin e sigurisë së dashurisë të popullit që e adhuron e e brohoret shefin e vet. Kur i thanë Napoleonit, Sire (Imzot) dilni dhe përshëndetni entuziazmin e popullit në ballkon, u përgjigj: “Të jeni të sigurtë se me atë entuzuiazëm do të brohorasin po të më prisnin kokën”. Praktikisht e historikisht janë diktatorët vrastar që brohoriten deri në delir nga masa popullore. Kujtoni Hitlerin, Stalinin, vdekjen e Enverit…..Ashtu si i droguari ka drogën domosdoshmëri ashtu Berisha s’jeton dot tashmë pa fjalime triumfale dhe ekranet e TV. A ju shqetëson shumë mënyra e çjerrur bërtitëse e zërit të tij me refrenin “Ju siguroj unë juve”? Bukur fort. Ajo që ka arritur të sigurojë në masë sipërore është “PASIGURIA” e gjithanëshme.

Mendoj sinqerisht që sikur të ishim një popull normal, i pa dëmtuar në psikologjinë e jetës në komunitet në këto kondita që kam përshkruar më sipër, atëherë opozita në këto zgjedhje duhej të shkonte pa fushatë fare. Do duhej të ishte Pozita ajo që duhej të bënte fushatë sa më agresive pasi humbja e pushtetit prej saj përkthehet humbje e lirive dhe pasurive, pra humbje totale.

***

Duke ndjekur një polemikë në Opinion të TV Klan për kandidaturën e Bashës më në fund dëgjova Preç Zogaj që vuri në dukje me mjaft kujdes e ndrojtje që s’duhej harrue fakti që Basha në ditën e vrasjeve të 21 janarit ishte Ministër i Brendshëm dhe brenda në Kryeministri, prezent në vendin e ngjarjes. Zoti Neritan Ceka menjëherë dhe me një zell të madh, i alarmuar u mundua të bëj zhurmuesin tradicional e stereotip blu të PD-istëve. Iu kundërvu Zogajt duke i thënë që s’duhet spekulluar e përfituar nga një fakt i së kaluarës, “të mos i kthehemi të kaluarës që tashmë është një histori”. E pabesueshme!! Si mundet kaq lehtë të anashkalosh e të quash histori një vrasje të freskët e kaq makabre kur kufomat nën tokë janë akoma në fazën e parë të dekompozimit. Si mundet që ky historian dhe bir historiani të jetë vet kaq i dekompozuar moralisht që të marrë në mbrojtje anën e kriminelit. Lind pyetja: A ka zoti Neritan Ceka vallë në historinë e tij personale gjëra të tilla të errëta që tashmë janë të shkuara?. Mos harro zoti Ceka se 3 muaj nga dita e vrasjeve të 21 janarit janë baraz me tre minuta në historinë e kombeve dhe jo histori mijëvjeçarësh poçesh arkeologjike. Siç kërkon enët e antikitetit për të bërë historinë e kombit ashtu duhet kërkuar më fort akoma drejtësia e vrasjeve të 21 Janarit për të bërë historinë e moralit të kombit.

***

Duke i ardhur fundit dua të theksoj edhe një herë prioritetin njerëzor mbi atë politik, material, etj. Asnjë njeri, cilido qoftë s’ka asnjë të drejtë që t’i marri jetën një tjetri qëllimisht. Vrasësi është kriminel kushdo qoftë ai. Paratë e vjedhura, abuzimet, përvetësimet e paligjshme, etj etj, janë tepër të dëmshme, prapë në një mënyrë apo tjetër ato janë materiale. Po të jemi popull me pak mend ato prapë pjesërisht apo tërësisht kthehen kurse jetët e 31 personave të vrarë kot nga Qeveria nuk kthehen më kurrë. Po e konkretizoj me një shembull. Të mendojmë 31 të vdekur në balancë në këmbim të 100 kilometrave autostradë, apo në këmbim të pesë tuneleve, etj. Kush do ngrinte dorën kundër 31 jetëve në favor të veprave të sipër cituara?? No Koment!

Të gjitha bëmat tragjike të Berishës nuk mund të harrohen. Një ditë Ajsbergu Berisha do të dali apo do ta nxjerrim më në fund në breg, në të thatë, dhe atëhere bota do ngelet pa mend (të brendshëm e të jashtëm) për bëmat e tij. Pa dyshim shkrimtari i madh sot për sot dhe zbërthyesi i talentuar psikanalist Fahri Balliu nuk do mungoj të shkruajë një libër me titull “Zotrija i Zi ose Kryeministri i Zi”. Unë besoj se me intuicionin e hollë që e karakterizon, Romanin historik tashmë në trurin e tij e ka të përgatitur. I mungon vetëm kapitulli i fundit dhe epilogu.

Të jetë i sigurt se populli shqiptar do ia falë me këtë rast të gjitha gjynahet që ka bërë në shërbim të Zotnisë së Zi.

Veç në mos ia kalon publiçisti Frrok Çupi me botimin e ndonjë libri për Zotrinë e tij Sali Berisha. Kështu vepron Berisha, në fillim të dhunon pastaj të detyron të shkruash libër. Njësoj si veproi me autorin e librit Berisha mes kasandrave.

Mjerimit të këtyre iu shtua edhe shkrimtari Visar Zhiti. Ka vuajtur burgun nga diktatura vrastare dhe sot rrjeshtohet me diktaturën e vrasësve të qytetarëve që kërkojnë drejtësi, dhe të drejta njerëzore ku përfshihet edhe e drejta e votës së padhunuar.

Është shumë revoltues, shkatërrues i ndërgjegjes së kombit fakti i të “Harruarit të Krimeve”. Akoma më shumë kurajoja e vrasësve për poste dhe vota. Është shumë revoltues entuziazmi dhe duartrokitje e masës së caktuar popullore për vrasësit demagogë. Dikush mund të thotë, mjaft më me të vrarët, ata u nderuan, u bë një meting madhështor, koha ecën përpara. Kjo më kujton proverbin verior: “I gjalli me të gjallë, i dekmi me të dekun”. Dakord, por me një kusht ama. Që edhe vrasësi kriminel të jetë me vrasësit kriminel e jo të bëjnë sikur s’kanë ba gja e të pretendojnë për kryetar bashkie e Kryeministër të përjetshëm.

A e keni lexuar deklaratën e Ambasadorit hollandez? Mos vallë ata ambasadorë që nuk flasin janë dakord me vrasësit tanë dhe veprimet e tyre? Një konkluzion më mundon: Bota që na ndjek habitet për qeverinë tonë me të pandehur apo sigurisht për fat të keq dhe për durimin dhe bindjen prej skllavi të popullit tonë përballë krimit e korrupsionit të përbindshëm qeveritar???.