Policia e Tiranës i kthehet normalitetit
Policia la të zbuluar portën kryesore të Kryeministrisë
Profesionalizmi i policisë nuk ka qenë në nivelin e duhur ditën e protestës, më datë 21 janar. Në analizat e bëra nga specialistët rezulton se policia ka bërë të paktën tri gabime, që mund t’i kishin kushtuar shumë sigurisë, megjithëse është vënë re se protestuesit nuk i kanë shfrytëzuar këto raste, duke lënë dyshime se ata nuk kanë dashur të hyjnë në ambientet e Kryeministrisë, pasi mundësia u është dhënë. Këto gabime kanë të bëjnë me rreshtimin e punonjësve të policisë, me sasinë e hedhur të gazit lotsjellës dhe me ruajtjen e derës së përparme të Kryeministrisë.
Rreshtimi
Para fillimit të protestës së datës 21 janar, nga ana e policisë nuk pritej se do të kishte trazira aq të mëdha sa të arrihej të qëllohej ndaj protestuesve, ku mbetën të vrarë tre prej tyre. Masat për demonstratën ishin marrë normalisht, siç ka ndodhur në protestat e tjera të opozitës, ku numri i tubuesve ka qenë më i vogël. Kështu, në pamje të parë, punonjësit e policisë dukeshin në një rreshtim të mirë, pavarësisht se jo gjithçka ka shkuar sipas planit. Kjo, sipas specialistëve të policisë që kanë analizuar masat e marra, ka sjellë probleme.
Në rresht ishin vendosur edhe oficerë të hetimit të krimit, të veshur civilë, ku sipas eksperiencës, tubuesit irritohen më shumë nga civilët në radhët e policisë se nga ata me uniformë. Madje, kjo vihet re edhe në pamje, ku drejtues të hetimit të krimit në Tiranë marrin mburojat dhe fillojnë të shtyjnë turmën, e cila është irrituar edhe më shumë, duke goditur punonjësit e policisë. Defekti i dytë, sipas policisë, qëndron në faktin se futja në veprim e Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë është bërë shumë vonë, kur situata po dilte jashtë kontrollit dhe deri atëherë në linjë të parë ishin lënë punonjësit e rendit, të pambrojtur, çka ka sjellë një numër më të lartë të dëmtuarish në radhët e policisë.
Gazi lotsjellës
Specialistët tregojnë se një gabim tjetër është hedhja e gazit lotsjellës. Pasi situata është vënë re se nuk mund të vihej nën kontroll, Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë kanë përdorur gaz lotsjellës në një masë tejet të lartë. Gazi nuk ka qenë për një vend të caktuar, por efekti është dhënë deri larg Kryeministrisë. Madje, lëshimi i gazit lotsjellës ka sjellë dëm edhe në radhët e policisë, duke shkaktuar probleme frymëmarrjeje dhe shikimi për shumë punonjës policie, të cilët i ka kapur vala e mbrojtjes së godinës.
Veç gazit, një tjetër problem është vënë re në ruajtjen e pozicioneve nga ana e efektivëve blu. Ata janë shpërndarë, duke rënë akoma më shumë pre e protestuesve, saqë janë detyruar të kthehen me të njëjtën monedhë duke goditur me gurë protestuesit, ndërkohë që siç dihet policia ka mjetet e saj për të shpërndarë turmën dhe nuk duhej të kalonte në këtë nivel, ku dukej qartë se demonstruesit kanë fituar terren.
Braktisja
Problemi më i madh ka qëndruar në braktisjen e vendit të shërbimit para derës së godinës së Kryeministrisë. Nuk bëhet fjalë për portën e hekurit, e cila ka qenë e hapur dhe jo siç mbyllet me zinxhirë në çdo ditë të zakonshme, por për tri portat e drurit me xhama përballë bulevardit “Dëshmorët e Kombit”. Pra, hyrja kryesore e Kryeministrisë është lënë pothuajse pa asnjë punonjës policie, dhe ku duket qartë nga pamjet filmike të medias se ata janë dislokuar në anë të saj. Nuk dihet se si ka ndodhur kjo tërheqje, por mbetet e qartë se demonstruesit që ishin në hekurat pranë derës kryesore, nuk kishin si qëllim të hynin brenda Kryeministrisë.
Të gjitha këto veprime të policisë dhe të tjera pas demonstratës së 21 janarit, ku flitet se situata u ka dalë jashtë kontrollit, por kjo nuk konfirmohet, janë analizuar nga specialistët, sidomos ata të rendit. Madje, analiza e gabimeve të kryera u vu re në tubimin-homazh, që u zhvillua më 28 janar. Në këtë tubim, pavarësisht se ishte paqësor, nuk kanë munguar edhe rrjetat e telit, që më 21 janar mungonin në çdo anë të Kryeministrisë.