Bledar H. Prifti, 30.07.2010
Nuk ka gjë më irrituese për një njëri normal sesa të lexoj nga analistët politik marrëzira apo “analiza” mediatike të cilat nga njëra anë flasin për fatkeqësinë që e ka pllakosur shtetin dhe institucionet e tij nën diktatin e Sali Berishës dhe nga ana tjetër lëshojnë në mënyrë naïve dhe mediokre akuza kundër opozitës se gjoja kjo e fundit është e paaftë, duhet të jetë më agresive, dhe nuk duhet të merret me LSI dhe Ilir Metën por vetëm me Sali Berishën. Përpara se të vazhdoj, dua të bëjë me dije publikun për një virus tejet të rëndë që ka pllakosur median dhe opinion-bërjen politike.
Na dalin nëpër ekrane televizionesh dhe lexojmë në shtypin e përditshëm analistë që hiqen si të pavarur politikisht. Këta ose janë finokë dhe diabolikë ose jan të paaftë apo nuk kanë kurajon të zgjedhin anën ose palën që gëzon të drejtën morale dhe politike. Synimi i një pjese të konsiderueshme të këtyre analistëve finokë është që në mënyrë diabolike ta gënjejnë dhe t’i servirin publikut analiza tërësisht fallco dhe të pakuptimta. Të tillë analistë përfundojnë në listat e deputetëve ose drejtues institucionesh të rëndësishme.
Gjithashtu, na dalin analistë “të pavarur” apo “të majtë” që nga njëra anë sulmojnë Sali Berishën kurse nga ana tjetër nuk reshtin së sulmuari opozitën dhe Partinë Socialiste, a thua po zbatojnë thënien se “kush të do të rreh”. E kam thënë ngahera se nuk ka rëndësi nëse sulmohet apo jo Berisha; nëse sulmohet opozita e tij politike, atherë ne ruajmë “status quo”-në dhe pushtetin e Berishës. Berisha, pas 1997-ës, asnjëherë nuk ka pasur shumicë qeverisëse apo kredo politike dhe nuk duhet pritur që sulmet të këtilla do i ulin atij pikë që ai nuk i ka pasur ndonjëherë.
Berisha asnjëherë nuk e ka marrë dhe nuk e ka mbajtur pushtetin përmes kredos dhe kuotave të tij politike por përmes diversionit dhe pazareve të ulta si ai i fundit me Dritan Priftin, LSI, dhe Ilir Metën.
Por ky shkrim tenton të nxjerr në shesh disa fallsitete dhe paradokse të analizave që na serviren sot në media nga eksponentë që sforcohen për tu dukur “të pavarur” apo që janë të paaftë për të zgjedhur anën e drejtë të debatit.
Disa analistë analizojnë situatën politike dhe deklarojnë se Partia Socialiste nuk duhet të sulmojë Ministrin Prifti të kabinetit Berisha-Meta (i cili u bë miliarder brënda një vit) pasi ai nuk bën pjesë tek “peshkaqënët” e grupimit të politikës sonë grabitqare. Dikush tjetër bën një analizë mbi (mos)ndryshimin e Berishës dhe politikës nga 1996-ta e deri më tani duke shpenzuar një pjesë të konsiderueshme të analizës kundër opozitës socialiste dhe duke lënë në hije rolin që ka LSI, Ilir Meta, dhe Dritan Prifti në sjelljen dhe mbajtjen në pushtet të Sali Berishës.
Të gjithë e dimë se ardhja në pushtet e Sali Berishës në vitin 2005 u bë e mundur nga ndarja e LSI nga Partia Socialiste. Kjo ishte një ndarje e motivuar nga interesat personale për pushtet të Ilir Metës dhe Dritan Priftit të cilët shfrytëzuan dhe pakënaqësit brënda PS të gjeneruara nga sjellja e papërgjegjshme me kolegët dhe bazën e ish-liderit socialist Fatos Nano. Po kështu, në vitin 2009, Sali Berisha mbahet përsëri në pushtet nga LSI, Ilir Meta dhe Dritan Prifti.
Mund të them i sigurt se analisti i cili kundërshton sulmet e PS kundër Ministrit Prifti, me preteksin se ky i fundit na qënkërka “peshk i vogël”, është kryekëput i gabuar në mendimet e tij. Dritan Prifti mund dhe duhet të cilësohet lideri aktual i LSI dhe figura politike më intriguese dhe influencuese në arenën politike. Nuk duhet harruar se ishte Dritan Prifti ai që deklaroi hapur në media se vota e tij do të shkonte për një qeveri të re Berisha 2. Reagimi i Ilir Metës ishte i menjëhershëm dhe i prerë duke deklaruar se deklarata e Priftit ishte një “deklaratë emocionale”. Nuk vonoi shumë dhe fjala e Priftit ra në vesh të Perëndisë; LSI-ja e Metës pranoi papritmas të bënte kualicion me Berishën kryeministër.
Këtu lind pyetja: Cila është realisht fuqia politike dhe ekonomike e Dritan Priftit? A mund të konsiderohet Prifti “peshk i vogël” i politikës shqiptare edhe tani që të gjithë e kuptojmë se ishte Prifti ai që planifikoi, filloi dhe finalizoi kualicionin me Sali Berishën? Kujtdo do t’i dukej absurd pretendimi që Ministri Prifti është një “peshk i vogël” apo “qengj i urtë” i politikës shqiptare.
Por më absurdja dhe e pakuptimta do të shfaqej në një shkrim/analizë të Mentor Nazarkos të botuar para disa ditësh në lidhje me (mos)ndryshimin që ka bërë politika shqiptare që nga 1996-ta e deri më tani.
Ajo mund të konsiderohet analiza më surprizuese dhe më irrituese që mund të kem lexuar ndonjëherë në shtypin e ditës. Nuk arrij ta kuptojë se si analistë të nivelit të Nazarkos nuk arrijnë të kuptojë domethënien dhe llogjikën e asaj çfarë ata shkruajnë. Nga njëra anë, Nazarko, me të drejtë, flet kundër qeverive apo regjimeve që ka ndërtuar Sali Berisha që nga 1996-ta e deri më tani. Flet për të keqen e madhe që ka pllakosur politikën dhe shoqërinë shqiptare nën diktatin e kryeministrit Berisha. Flet për monopole dhe klane që kanë uzurpuar dhe po uzurpojnë ekonominë.
Gjithashtu, ai flet për tendencat grabitqare që ka Berisha për të vendosur nën hyqëm të gjitha institucionet e pavarura, sidomos gjykatat dhe SHISH. Për më shumë, ai flet për tragjeditë dhe Gërdecet që Berisha i ka shkaktuar dhe po i shkakton shoqërisë sonë. Me pak fjalë, Nazarko flet për gjithcka të keqe që ka lidhje me të qënit e Berishës kryeministër. Sipas asaj që fjalos Nazarko, duket që ai pretendon se e vetmja zgjidhje për ta shpëtuar shtetin dhe shoqërinë shqiptare do të ishte largimi i Sali Berishës nga posti i kryeministrit dhe ndalimi i metodave Berishiane të qeverisjes.
Nga ana tjetër, dhe në mënyrën më të pakuptimtë dhe absurde, Nazarko sulmon opozitën socialiste duke e konsideruar atë të paaftë për të sulmuar dhe larguar Berishën nga pushteti i tij grabitqar dhe për të mbrojtur interesat e shoqërisë. Opozita mund të ket mangësitë e saj, por jam I sigurtë se ato nuk ndikojnë aspak në situatën aktuale!
Akuzohet opozita socialiste për qëndrimin në pushtet të Sali Berishës, për krijimin prej tij të monopoleve, për uzurpim nga Berisha të institucioneve të pavarura, dhe për çdo të keqe që po kalon politika Shqiptare. Nazarko e akuzon opozitën socialiste se dje ajo nuk u tregua e ashpër me Berishën në rastin e tragjedisë së Gërdecit, por që deri dje ai nuk mbështeti format radikale apo agresive që opozita ndërmori përmes protestave, bojkotit, dhe grevës së urisë.
Flet për opozitën socialiste që duhet të zhvilloj betejën politike në parlament. Ai tregohet i pakuptimtë në mendimet e tij sa flet për “shfaqje teatrale” që duhet të ndodhin në parlament ku PS mund të bashkoj votat me LSI për të ndaluar terrorin Berishian. Na tregon përralla të pakuptimta se a thua miratimi në parlament i kandidaturës së një gjyqtari apo mosaprovimi i ndryshime në SHISH do të shpëtonin politikën, ekonominë, dhe shoqërinë tonë.
A thua këto gjykata dhe ky SHISH që kemi aktualisht na qënkan shpëtimtarët tanë dhe se po i ndryshuam ato, ne na morri lumi. O popull, “nuk pyet i mbyturi nga e lagura!!!” Duhet kuptuar se rasti i kandidaturës së gjyqtarit dhe ndryshimet në SHISH janë farsa të ngritura nga Berisha-Meta për t’i hedhur hi syve opinion-bërësve dhe mbarë opinion publik. Berishës dhe Metës nuk iu prishin punë sot as gjykata dhe as SHISH.
Por Nazarko, çuditërisht nuk përmënd dhe nuk analizon diçka shumë shumë të rëndësishme: Kush e solli dhe kush e mban në këmbë qeverinë Berisha. Si në 2005 dhe në 2009, Berisha u soll në pushtet nga LSI, Meta dhe Prifti. Në 2009-ën, LSI kontribuoi direkt për mbajtjen e qeverisjes “alla-berishiane” në pushtet.
Në të vërtetë, nëse Nazarko i ndjen dhe i mendon ato që flet për qeverisjen aktuale “alla-berishiane”, ai duhet tregojë të vërtetën se qeveria aktuale nuk njihet si “qeveria Berisha” por si “qeveria Berisha-Meta”. Pa votat e LSI, Ilir Metës dhe Dritan Priftit nuk mund të ketë as uzurpim të institucioneve të pavarura, të gjykatave dhe SHISH, nuk mund të ketë as monopole që krijojnë pasurira miliarda lekëshe si ajo e ministrit të LSI, Dritan Priftit, nuk mund të ketë as tragjedira si ajo e Gërdecit, dhe nuk mund të ketë si ajo soj qeverisje “alla-berishiane” që filloi me qeverinë “Berisha 1” dhe që po vazhdon sot me qeverinë Berisha-Meta.
Në rastin e ndryshimeve teatrale që qeveria tentoi t’i bënte SHISH, LSI, po në mënyrë teatrale, vendosi të dalë kundra kryeministrit Berisha duke mos lejuar ndryshimet në SHISH. Tani lind pyetja: Kur LSI, Meta, dhe Prifti e kanë fuqinë që së bashku me opozitën socialiste të ndalojnë ndryshimet në SHISH, përse Nazarko nuk ia kërkon LSI-së që të ndalojë edhe monopolet, kusaritë, dhe tragjeditë që po shkakton Berisha kryeministër? Përse Nazarko e anashkalon rolin parësor dhe vendimtar që ka LSI, Meta, dhe Prifti në gjenerimin e një politike dhe qeverisje grabitqare “alla-berishiane”?
Përse merret me opozitën Nazarko kur LSI paska në dorë rrëzimin e qeverisjes Berishiane? A ju kujtohet krekosja e kryeministrit, në pikun e debatit për SHISH, kur ai sfidonte opozitën për t’i bërë mocion mosbesimi qeverisë së tij? Me sa duket iu paska shpëtuar kjo gjë dhe nuk e paskeni kuptuar lojën Berisha-Meta.
Nëse LSI do të ishte forcë politike përparimtare dhe nëse do të mbahej përgjegjëse për veprimet e saj nga media dhe opinion publik, atherë nuk do të kishte nevojë për shumë angazhim apo agresivitet të pozitës dhe të shoqërisë civile për të rrëzuar dhe larguar qeverisjen “alla-Berishiane”.
Do të mjaftonte një largim i LSI-së, Metës, dhe Priftit nga qeveria Berisha-Meta, dhe kjo mënyrë qeverisëse “alla-Berishiane” që ka “shqetësuar” seriozisht Nazarkon do të kapitullonte menjëherë. Ky fakt nuk kërkon shumë sofistikim politik për tu kuptuar. Cudia më e madhe është se si disa analistë të mirnjohur i vijnë vërdallë argumentit duke prodhuar paradokse dhe pa e cikur nervin apo thelbin e tij. Jam i bindur se opinioni publiku nuk është aq i paaftë sa të mos kuptojë përgjegjësinë kryesore që kanë LSI, Meta, dhe Prifti në mbajtjen dhe konsolidimin e pushtetit “alla-berishian”.