ANALIZA/ “Atdheu privat” dhe kapja e ekonomisë

0
62

Nga Erion Braçe*, 15 Shtator 2012

(Një vëzhgim mbi lirinë ekonomike e të transaksioneve, burimet e pasurisë kombëtare, tregjet kryesore, pjesëmarrjen, konkurrencën, përfitimet, përfituesit, aksesin e qytetarëve në burimet e pasurisë kombëtare si dhe në transaksionet tregtare).

1. Forumi Ekonomik Botëror-Indeksi i Konkurrueshmërisë

-Shqipëria u rendit për vitin 2011 në vendin e 89 (nga 144 ekonomi) me indeksin 3.9 (nga 7 maksimumi); në zonë me dhe nën Armeninë, Moldavinë, Bosnjën, Kamboxhian.

-Shqipëria humbi 11 vende njëherësh në këtë klasifikim.

-Shqipëria është vlerësuar në bazë të 12 indikatorëve të tille si: institucionet, efiçenca e tregjeve, infrastruktura, situata makroekonomike, shëndeti dhe arsimimi bazë, arsimi i lartë dhe trajnimi, efiçenca e tregut të punës, zhvillimi i tregut financiar, inovacioni etj.

-Shqipëria, në indikatorin bazë “institucionet”, vlerësohet e renditet kështu:

·Të drejtat e pronësisë: vendi 129/144, indeksi 3.1/7; në zonë me dhe nën Jemenin, Lesoton, Bregu i Fildishtë, Guinean.

·Besimi publik tek politikanët: vendi 75/144, indeksi 2.6; në zonë me dhe nën Egjiptin, Armeninë, Porto Rikon, Malavin, Sierra Leonen.

·Pagesa të parregullta dhe ryshfete: vendi 84/144, indeksi 3.6/7; në zonë me dhe nën Gabonin, Tailandën, Rumaninë, Meksikën, Suazilandin.

·Pavarësia e gjyqësorit: vendi 121/144, indeksi 2.6/7; në zonë me dhe nën Salvadorin, Gabonin, Senegalin, Guinenë, Rusinë.

·Favorizim në vendime i zyrtarëve të qeverisë: vendi 84/144, indeksi 2.9; në zonë me dhe nën Ganën, Vietnamin, Ekuadorin, Mozambikun, Madagaskarin.

·Transparenca e politikbërjes së qeverisë: vendi 67/144, indeksi 4.3; në zonë me dhe nën Nigerinë, Meksikën, Sri Lankën, Taxhikistanin.

·Kostot e biznesit si shkak i krimit dhe dhunës: vendi 80/144, indeksi 4.7; në zonë me dhe nën Taxhikistanin, Republikën Islamike të Iranit, Zambian, Greqinë.

·Krimi i organizuar: vendi 99/144, indeksi 4.7; në zonë me dhe nën Tanzaninë, Panamanë, Kamerunin, Rumaninë.

·Besimi tek shërbimet policore: vendi 77/144, indeksi 4.0/7; në zonë me Namibinë, Kolumbinë, Suazilandin, Taxhikistanin, Serbinë.

-Shqipëria në indikatorin bazë “efiçenca e tregut”, vlerësohet e renditet kështu:

·Intensiteti i konkurrueshmërisë lokale: vendi 128/144, indeksi 3.9/7; në zonë me dhe nën Kirgizstanin, Rusinë, Mauritaninë, Malauin.

·Përqendrimi, dominancë në treg: vendi 100/144, indeksi 3.3/7; në zonë me dhe nën Kolumbinë, Maqedoninë, Korenë, Tanzaninë, Burundin.

·Efektiviteti i politikave antimonopol: vendi 99/144, indeksi 3.6/7; në zonë me dhe nën Honduras, Kazakistan, Maqedoni, Lituani, Salvadorin.

-Biznesi në Shqipëri, ka identifikuar kështu faktorët problematike për të bërë biznes:

·Aksesin në financime- të parin problem me 23.3%

·Korrupsionin- të dytin problem me 22.2% (dyfish nga një vit më parë)

·Inefiçencën e burokracisë qeveritare- të tretin problem me 11.6%

·Rregullat fiskale- të katërtin problem me 9.8%

·Nivelin e taksave-të pestin problem me 6.1%

2. Privatizimi si element për strukturimin e ekonomisë dhe zhvillimin e tregjeve

-Në Shqipëri, privatizimi u ligjërua, aplikua, zhvillua, konsolidua më së shumti si “shitje”, “koncesion”, “kalim i të drejtave ekskluzivisht shtetërore”:

·Shitje e aksioneve të ndërmarrjeve strategjike-publike

·Shitje e ndërmarrjeve ekonomike

·Shitje e aseteve të ndërmarrjeve ekonomike në konservim

·Shitje e institucioneve të shërbimeve financiare

·Shitje të trojeve (kryesisht në pronat e Ushtrisë)

·Shitje të licencave të përdorimit të brezit kombëtar të frekuencave

·Koncesionim i burimeve minerare

·Koncesionim i burimeve ujore

·Koncesionim i shërbimeve ekskluzive të identifikimit, kontrollit teknik e financiar

·Koncesionim i të drejtës ekskluzive për ndërtimin e rrjetit të fibrave optike me bandë të gjerë

·Kalim i të drejtës për administrimin e zonave të kërkimit të hidrokarbureve

·Kalim i të drejtës për organizimin e “Lotarisë Kombëtare”

SHITJE-SHEMBULL:

Rrjeti Kombëtar i Shpërndarjes së energjisë elektrike-CEZ, 5 hidrocentrale që prodhojnë deri ne 6% të sasisë totale të energjisë së prodhuar, kompaninë unike të rafinimit të hidrokarbureve-ARMO, kompaninë kombëtare të prodhimit të hidrokarbureve ALBPETROL, pronat e pamasa të Ushtrisë Shqiptare;

KONCESIONIM-SHEMBULL:

Minierat e kromit dhe bakrit, minierat e gurit, mermerit, argjiles për prodhimin e materialeve të ndërtimit, çimentos etj, burimeve ujore të lumenjve kryesore të Shqipërisë-degëzime të tyre për prodhimin e energjisë elektrike, burimeve ujore detare për ndërtimin e porteve, shërbimit të identifikimit të shtetasve, shërbimeve të kontrollit teknik-për automjetet, cilësisë së karburanteve, shërbimeve të kontrollit financiar-kasat fiskale, pullat fiskale;

KALIMI I TË DREJTAVE-SHEMBULL:

Kalimi i të drejtave të kërkimit në zonat naftë e gaz mbajtëse, kalimi i të drejtës së organizimit të “Lotarisë Kombëtare”.

3. Privatizimi-tiparet kryesore

-Transferim i monopoleve natyrore-shtetërore tek privati (CEZ, ARMO, ALBPETROL, TIA-Aeroporti etj)

-Transferim i të drejtave ekskluzive të shtetit (ALBPETROL, SICPA SECURITY, KASAT, SAGEM-ALEAT, SGS, AUSTRIAN LOTARY etj)

-Transferim I të drejtave mbi “zhvillimin” (në fakt është përdorimin) e burimeve të pasurisë natyrore kombëtare pa shpërblim (ACR, 190 leje minerare, 100 kontrata për HC, për çimento ANTEA CEMENT, GENER2, AGILA etj)

-Mungesë thuajse totale të garave, procedurave me konkurrencë reale për “shitjen”, “kalimin e të drejtave”, “koncesionimin” e pasurisë kombëtare (gjithë sa më sipër)

-Privatizimin e fitimeve dhe shtetëzim i humbjeve (ARMO, ALBPETROL, HC, CEZ etj)

3.1. Pas privatizimi-tiparet kryesore

-Ruajtja e pozitave të forta monopol në treg (CEZ, ARMO, ALBPETROL, SGS, KASAT fiskale, SICPA SECURITY, ALBTELEKOM, TIA, ATU etj).

-Refuzimi i rekomandimeve të Autoritetit të Konkurrencës për masa konkrete për të lejuar konkurrencën në tregjet ku ata administrojnë monopolet (KESH, CEZ, ALBTELEKOM, ARMO etj)

-Mosrespektim i kontratave të zhvillimit si pjesë e kontratave të “shitjes” dhe “koncesionimit” (CEZ, ARMO, BANKERS, STREAM, ACR, koncesionarët e HC, koncesionarët e minierave etj)

-Përkeqësim i shërbimit të marrë në administrim dhe ruajtje të nivelit të korrupsionit e abuzimit (CEZ, SGS, ALBTELEKOM etj)

-Rritje të kostove të shërbimit-çmime e tarifa, për qytetarin (CEZ, SGS, ARMO, 2 kompanitë e kasave, SICPA, ALBTELEKOM etj)

-Shkurtim të vendeve të punës (CEZ, ARMO, ALBPETROL, STREAM, ACR etj)

-Pengimin e zhvillimit të burimeve të pasurive natyrore kombëtare dhe pengim të punësimit (kontratat e HC-ve, ARMO, lejet Minerare, ACR, STREAM, BANKERS etj)

-Ulje të të ardhurave për Buxhetin e Shtetit apo dështim në rritjen e të ardhurave në Buxhetin e Shtetit (CEZ, ARMO, 2 kompanitë e Kasave, SICPA, BANKERS, STREAM, ACR etj)

4. Raste tipike

– Rasti i “Tregut të Energjisë Elektrike”

·Tregu është i zhytur tërësisht në një zinxhir borxhesh mes KESH, CEZ, OST, Kompanive të importit të energjisë, koncesionarëve të rinj, bankave tregtare vendase, bankave të zhvillimit

·CEZ nuk ia doli të përmirësojë parametrat kyç ekonomik të kompanisë e tani është në qendër të problemit të gjithë tregut dhe qeveria nuk respektoi detyrimet e saj në marrëdhënie me të

·CEZ nuk paguan prej muajit shkurt 2011 detyrimet ndaj KESH dhe detyrimet e pretenduara kanë arritur në 100 milion dollarë

·KESH kontabilizon deri në qershor 2012 një borxh prej 280 milion dollarësh

·KESH vetëm bankave tregtare vendase i ka 215 milion dollarë borxh

·KESH iu ka koncesionarëve të rinj 11 milion dollarë borxh

·ERE përkeqësoi edhe me gjendjen financiare të KESH kur uli çmimin me të cilin KESH i shet energjinë CEZ, efekti financiar është minus 80 milion dollarë

·CEZ ka 15 ditë që ka ndërprerë importin e energjisë për të mbuluar humbjet në rrjet-detyrim kontraktual ky, ndërkohë që niveli i liqeneve në kaskadën e Drinit po bie frikshëm

·Qytetarët vijojnë të paguajnë fatura të shtrenjta, abuzive

·Vendimmarrja politike e qeverisë, ERE, situata thuajse në faliment e sistemit, paralajmëron një të ardhme të rëndë e të kushtueshme jo për çdo qeveri që do të drejtojë këtë vend por për çdo qytetar që ka vendosur të jetojë në këtë vend

-Rasti i kompanisë unike të rafinimit “ARMO”

·ARMO thuajse nuk ka punuar fare gjatë vitit 2011 dhe fillimit të këtij viti

·Kompania unike e rafinimit të naftës në një vend prodhues si Shqipëria ka qenë aktive vetëm në import të produktit të gatshëm

·Kompania nuk ka respektuar kontratën e privatizimit-pjesa e investime kur deri në këtë vit duhet të kishte investuar 213 milion dollarë

·Kompania është në mes të një zinxhiri borxhesh të pretenduar prej bankës kredituese me 75 milion euro, kompanisë ALBPETROL me afro 50 milion dollarë, tatime në vlerën e pretenduar prej 20 milion dollarë, një furnitori tjetër të pretenduar në gjykatë në vlerën prej 11 milion dollarë

Ky është “atdheu privat” sipas modelit “Berisha”. Rregulli i tij është “privatizimi i fitimeve” në favor të një grushti kompanish dhe shtetëzim i humbjeve në dëm të shtetit.

Ky atdhe nuk rezulton më i mirë se “Atdheu publik”.

Privatizimi, pavarësisht pretendimeve për të thithur investime të nevojshme për zhvillimin e sektorëve strategjikë, përmirësim të shërbimit, uljes së kostove të këtij shërbimi për qytetarin ( çmimet e tarifat e tjera), luftës dhe eliminimit të korrupsionit në ofrimin e këtyre shërbimeve, rezulton një dështim spektakolar!

Ndërkohë përfitimet për kompanitë e favorizuara në privatizim kanë ruajtur trendin e lartë duke shtuar fitimet e tyre.

Në të tilla kushte ja vlen të diskutohet rreth çështjes:

A ka një kufi për privatizimin? A mundet një qeveri e dalë nga zgjedhje të vjedhura, e krijuar nga një koalicion interesash, të marrë vendime strategjike në mënyrë të njëanshme, përjashtuese, të cilat në thelb kanë shitjen pa kthim të pasurisë kombëtare? A mundet që një Kryeministër në ikje nga pushteti, në prag të fundit politik dhe biologjik, pra në kufij të përgjegjshmërisë para ligjit, të vendosë në mënyrë të njëanshme, përjashtuese për 30 vitet që vinë, duke përcaktuar- nisur nga interesa korruptive, të ardhmen e një brezi të tërë duke e marrë peng atë?

E dini si? Si një prind që shet shtëpi e katandi të familjes për të futur para në xhep për të pirë edhe pse lë fëmijët nesër jashtë, në diell e në shi?!!

1. Rasti i sektorit të hidrokarbureve

·Shqipëria ka një pasuri që vlerësohet në 7.5 mld fuçi nafte në rezerva. Të ndara në:

Patos-Marinza: 5,7 miliard fuçi në rezerva /136 milion fuçi të prodhuara deri më sot

Kuçova: 297 milion fuçi në rezerva /24 milionë të prodhuara deri më sot

Cakrani: 550 milionë fuçi në rezerva

Gorishti: 360 milionë fuçi në rezerva

Ballshi: 650 milionë fuçi në rezerva

Vlera totale e rezervave të naftës dhe gazit në zonat e lartpërmendura vlerësohet në 4 mld usd. Por vlera e këtyre rezervave po rritet për shkak të rritjes së çmimeve në bursat ndërkombëtare.

·Për shkak të vendimmarrjes së Kryeministrit Berisha, shteti ka hequr dorë përfundimisht nga sektori i hidrokarbureve.

·Kërkimi, prodhimi, rafinimi elementët e këtij sektori strategjik i është dhënë privatit

·Kërkimi ka dështuar kur pas shumë vitesh operim nuk është zbuluar ndonjë vendburim I ri nafte e gazi

·Rafinimi ka dështuar kur vitin e fundit pas privatizimit nuk përpunohet asnjë fuçi nafte

·Prodhimi është rritur duke shkuar vitin që shkoi në gati 1 milion tonë por pa arritur parametrat e përcaktuar në kontrata

·Prodhimi ngjan më shumë si plaçkitje kur kushtet e investimeve, vendosur në kontratat qeveritare, nuk janë respektuar

·Përfitimet në buxhetin e shtetit nga ky nivel prodhimi është qesharak, ndërkohë që kompanitë që operojnë në prodhim kanë paguar zero lekë si “tatim fitimi”.

·Shitja e momentit, shitja e ALBPETROL, e bën edhe më të fortë dominimin e privatit në këtë sektor strategjik. Qeveria e Sali Berishës ka kaluar të drejtat e kërkimit dhe shfrytëzimit në naftë e gaz nga Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore tek private që do të blejë ALBPETROL!! Kjo është e paprecedentë.

·Anomalia është e madhe dhe e shtrenjtë në treg për çdo shqiptar: Sot në Shqipëri prodhohet 1 milion ton nafte në vit; nuk përpunohet asnjë gram; importohet 550 mijë tonë për konsum; eksportohet me çmimin 520 dollarë/ton; importohet me 1020 dollarë/ton. ÇMIMI I NAFTËS SOT PËR ÇDO SHQIPTAR ËSHTË 2000 LEKË/LITËR.

5. Si ndahen përfitimet, 5 miliard euro në “tregjet e përqendruara” dhe “tregjet monopol” (analizë e shkurtër e disa tregjeve të rëndësishme- bazuar në shifra konkrete publikuar nga të dhëna të organeve tatimore, përfituesit konkretë të identifikuar në xhiron e deklaruar zyrtarisht në organet tatimore).

-Tregu i energjisë elektrike: xhiro e vitit 2011-780 milion dollarë

·KESH-”monopoli i natyral”, dominon në prodhim me mbi 115 milion dollarë/xhiro.

·OST-”monopoli i natyral”, dominon në transmetim me mbi 44 milion dollarë/xhiro.

·CEZ-”monopoli natyral” që qeveria ia dha privatit, zapton tregun deri në ekstrem me mbi 485 milion dollarë/xhiro.

·CEZ, CEZ Trade, GEN I, GSA dominojnë tregun në import eksport me mbi 150 milion dollarë/xhiro.

-Tregu i hidrokarbureve: xhiro e vitit 2011-2 miliard dollarë

Në kërkim:

·PETROMANAS-kompania e prezantuar si kanadeze, vijon të mbajë të drejtat e kërkimit në shumicën e zonave naftë e gaz mbajtëse të vendit; PETROMANAS njoftoi së fundi se ka ndarë përgjysmë kontratat me kompaninë SHELL; nuk ka ndonjë të dhënë për xhiron e kësaj kompanie për shumë vite rresht.

Në prodhim:

·Bankers Petroleum-monopoli që shteti e la tek privati, dominon nxjerrjen dhe eksportin e naftës me mbi 380 milion dollarë/xhiro.

·ALBPETROL-monopoli ende shtetëror i të drejtave mbi vendburimet e naftës e gazit, realizoi 64 milion dollarë/xhiro.

Në tregtim:

·3 grupe të mëdha që importojnë karburante zotërojnë pothuajse 85% të tregut; në to shquhen kompanitë në pronësi të biznesmenit Rezart Taçi me mbi 320 milion dollarë (e veçanta: monopoli i përpunimit të naftës nuk punon, ARMO është tërësisht aktive në import).

-Tregu i mineraleve

·BERALB-monopoli i bakrit, realizoi gjatë vitit 2011 mbi 45 milion dollarë/xhiro (nga këto 18 mln usd fitim).

-Tregu i telefonisë: xhiro e vitit 2011-550 milion dollarë/xhiro

Në telefoninë fikse

·ALBTELECOM-”monopoli natyral” që Qeveria ja dha privatit, zotëron sot mbi 80% të abonentëve dhe të thirrjeve dalëse, për pasojë dhe 90% të të ardhurave në këtë treg me mbi 95 milion dollarë/xhiro (nga këto 9.3 mln usd fitim).

Në telefoninë e lëvizshme

·VODAFONE-për 2011 monopoli i shërbimit të internetit të shpejtë apo edhe i shërbimit BB, dominon tregun me mbi 200 milion dollarë/xhiro (nga këto 50 mln usd fitim).

·AMC-kompania që plotësoi duopolin e shërbimit të internetit të shpejtë, është ndjekësi më i afërt me 150 milion dollarë/xhiro (nga këto 43 mln usd fitim).

·EAGLE-mbetet shumë larg me vetëm 48 milion dollarë/xhiro.

-Tregu i punëve publike/kontratat qeveritare: xhiro e vitit 2011 e barabartë me vlerën e investimeve publike

·Mbetet e paqartë vlera e kontratave qeveritare në punë publike për arsye se qeveria ka prokuruar me vlerë të plotë projekte të shtrira në disa vite; arsyeja tjetër që e bën edhe më të paqartë xhiron vjetore në këtë treg lidhet me mospagesat nga ana e Qeverisë për punët e kryera.

·Vlera e plotë e projekteve të qeverisë në infrastrukturën rrugore, të nisura në fundvitin 2008, 2009, 2010, 2011 është 560 milion dollarë; për këto vite qeveria ka paguar dhe planifikuar të paguajë, duke përfshirë edhe vitin 2012, vetëm 156 milion dollarë.

·Borxhi i qeverisë deri në qershor të këtij viti është llogaritur në mbi 179 milionë euro.

·Në listën e kompanive me xhiron më të madhe vjetore për vitin 2011 rreshtohen ALB STAR me 64 milion dollarë/xhiro (14 mln usd fitim), GENER 2 me 48 milion dollarë/xhiro (1.1 mln usd fitim), më pas TRISS (2.6 mln usd fitim), SALILLARI (5.2 mln usd fitim), AEGEK (greke) me 30 milion dollarë/xhiro, AKTOR (4 mln usd fitim) etj.

-Tregu i materialeve të ndërtimit/hekur, çimento etj: xhiro vjetore-550 milion dollarë/xhiro

·KURUM-monopoli që qeveria ja dha privatit (uzinën e Elbasanit) dominon tregun me mbi 234 milion dollarë (nga këto 7.1 mln usd fitim).

·CEMENT FACTORY e Fushë Krujës dhe Elbasanit-monopoli që Qeveria ja kaloi privatit (dy fabrikat më të mëdha në vend) ndan përgjysmë tregun e çimentos me mbi 90 milion dollarë/xhiro ANTEA CEMENT-licenca e re dhënë pa garë e pagesë nga Qeveria në Fushë Krujë, dominon pjesën e mbetur të tregut me mbi 85 milion dollarë/xhiro.

·SHËNIM: MANE TCI e grupit “Balfin”, në tregun e ndërtimeve civile shënon mbi 35 milion dollarë/xhiro (nga këto 2.3 mln usd fitim) e pasuruar nga një grup prej 8 kompanish të tjera në këtë sektor.

-Tregu i miellit për bukë: xhiro e vitit 2011-mbi 80 milionë dollarë

· “MIELLI”, BLOJA, ATLAS ndajnë në tresh tregun me respektivisht 30, 21 dhe 21 milion dollarë/xhiro.

·SHËNIM: Autoriteti i Konkurrencës ndërmori një hetim të plotë në tregun e ushqimeve, veçanërisht të vajit, orizit dhe sheqerit. Autoriteti nuk gjeti në treg konkurrencë efektive por solli argument që tregonin se tregjet ishin mesatarisht të përqendruara kur, në tregun e importit të vajit 3 kompani zotërojnë deri në 56% të tij; në tregun e orizit 2 kompani zotërojnë deri në 83% të tij; në tregun e sheqerit 3 kompani zotërojnë deri në 64% të tij.

-Tregu i transportit ajror (menaxhimi/transporti): xhiro e vitit 2011- mbi 210 milionë dollarë

·TIA-”monopoli natyral” që Qeveria e kaloi tek privati, realizoi 48 milionë dollarë/xhiro gjatë vitit 2011 (nga këto 17 mln usd fitimi i TIA).

·BELLE AIR-kompania që mori e vetme tregun e transportit ajror nga vendimmarrja administrative e Qeverisë, zapton tregun e fluturimeve me avion me mbi 140 milion dollarë/xhiro.

-Tregu i identifikimit të shtetasve dhe prodhimit të dokumenteve të identitetit

ALEAT-monopoli i prodhimit të dokumenteve të identitetit të cilin Qeveria ja dha privatit, ka realizuar mbi 53 milionë dollarë/xhiro (nga këto 13 mln usd fitimi i ALEAT).

-TREGU I KONCESIONEVE (energji, çimento, ujë// kontrata të nënshkruar me një vlerë 244.8 mld lekë)

·Qeveria ka miratuar gjatë 3 viteve të fundit mbi 100 kontrata koncesioni, të gjitha në tregun e energjisë.

·Sipas kontratave duhet të ndërtohen 264 hidrocentrale, me fuqi të instaluar 1055MW dhe prodhim mesatar vjetor 4.5 mld kwh energji.

·Procesi i dhënies së këtyre kontratave koncesionare është treguar nga disa institucione ligjzbatuese, mes tyre dhe Avokati i Prokurimeve, si jo transparent, jo konkurrues, abuziv e klientelist.

·100% e kontratave koncesionare janë dhënë përmes praktikës “propozim i pa kërkuar”. Komisioni i BE e ka konsideruar këtë praktikë abuzive dhe që shmang konkurrencën.

·Sa më shumë heton në këtë proces, aq më shumë shtohen rastet kur përfitues të këtyre kontratave koncesionare rezultojnë politikanë, deputetë, familjarë të tyre apo grupe të rëndësishme financiare klientë politikë tek qeveria vendimmarrëse.

·Ajo që është e dukshme qysh pas vitit 2009, nxjerr në pah faktin se kalimi i Ministrisë së Ekonomisë në duart e një partie tjetër të koalicionit, LSI-së, ka shtuar gamën e klientëve të cilët tashmë i përkasin edhe njerëzve politik apo të afërm me zyrtarët e kësaj partie.

·Për shkak të këtij procesi korruptiv e politik të përzgjedhjes së koncesionareve, 80% e kontratave koncesionare nuk janë zbatuar dhe tashmë janë jashtë termave ligjore të kontratave të miratuara.

·Në datën 16.06.2010, me vendim qeveria ka vendosur t’i japë të drejtën Ministrit të Ekonomisë të rivendosë në afat secilën prej këtyre kontratave.

· Problem i madh për këtë treg rezultoi dalja jashtë kushteve e afateve ligjore i këtyre kontratave. Rivendosja në afat e këtyre kontratave është një mundësi e re që i krijohet Familjes politike të Kryeministrit për të përfituar me çdo kusht nga tregtimi i këtyre kontratave.

-Tregu bankar

·BKT dhe RAIFFEISEN-dy bankat e trashëguara prej shtetit, mbajtëset kryesore të borxhit të qeverisë dhe depozitave të qytetarëve, dominojnë tregun e shërbimeve bankare me mbi 290 milion dollarë/xhiro secila (nga këto 66 mln usd fitim i RFZ/ 17 mln usd fitimi i BKT).

-Tregu i reklamës së paguar nga qeveria, festave e lobimit politik (tregu me anormal e më i përqendruar në Shqipëri)

·Mbi 12 milion dollarë janë paratë publike të hedhura në këtë treg për reklama të ministrive, festa të përsëritura dhe lobim politikë.

·4.7 milion dollarë ka shpenzuar Ministria e Brendshme në këto zëra.

·1.4 milion dollarë ka shpenzuar Ministria e Mbrojtjes në këto zëra.

·Paratë publike kanë shkuar në favor të vetëm 3 kompanive, PROMO shpk (pjesën më të madhe), NEW POLITICS, Ministry of Comunication, të treja në oborrin e PD dhe TV-ve kliente të saj.

Konkluzion:

Nisur nga indeksi i konkurrueshmërisë, revista e specializuar “The Economist” ka ndërtuar dhe dëshmuar një relacion të rëndësishëm mes “konkurrueshmërisë” dhe “nivelit të të ardhurave për fryme-mirëqenies” në vendet respektive:

·SHQIPËRIA ËSHTË NË FUND! KONKURUESHMËRIA E ULËT, SHOQËRON TË ARDHURA TË PAKTA PËR SHQIPTARËT, PËR PASOJË MIRËQENIE TË MUNGUAR!

·PËR QYTETARËT, NDËRKOHË PËR NJË GRUSHT TË VOGËL KOMPANISH TË LIDHURA ME QEVERINË, FITIMET JANË SHTUAR.

*Fjala e anëtarit të Kryesisë së PS, Erjon Braçe, në forumin “Dialog për të ardhmen e Ekonomisë”