Ana, Perëndesha e dhimbjes tonë

0
55


Ilir Yzeiri, 30.01.2011

Nëse do të mundnim ta përmblidhnim gjithë atë që ka ndodhur në këtë javë, pra nga vrasja makabre e tre protestuesve deri te dita e djeshme, te marshim në funebër dhe paqësor, i dhimbshëm dhe dinjitoz i popullit të zemëruar, do të mjaftonte vetëm fotoja e botuar dje në faqen e parë të gazetës “Shekulli”, e shkrepur nga fotografja dhe artistja Jutta Benzenberg.

Në atë portret të vajzës 11-vjeçare të Ziver Veizit dukej se koha ishte ndalur dhe nuk lëvisten më. Pika e lotit që i rridhte në faqe, buzët e shtrënguara me elegancë dhe lehtë, një dritë natyrale që i bie nga sipër.. Zot!

Nëse mund ta përfytyrojmë dhimbjen e vërtetë, pra nëse do të
kërkojmë të dimë se ç’pamje ka ajo, ç’fytyrë ka – ose nëse ndonjë ditë, pas shumë vjetësh, do të kërkojmë dhe do të pyesim se çfarë ndodhi më 21 janar – ajo foto do të na i tregojë të gjitha. Siç thotë Bart, fotoja është një mit, një histori.

Është koha e ndalur në mes. Dhe duke e parë atë foto ti bindesh se gjithë Shqipëria është ndalur në atë çast në portretin e vajzës së Ziver Veizit, në lotin që i rrëshket mbi faqe dhe në buzët e mbledhura si një perëndeshë e dhimbjes.
Por… le të ecim më tej.

Pas Shqipërisë dhe Tunizisë është ndezur edhe Egjipti dhe me këtë rast
gjithë media ndërkombëtare po merren me Hosni Mubarakun, me pushtetin e tij dhe me korrupsionin gjithashtu. Gazeta ” Le Monde “, në editorialin me titull ” Revolucioni tunizian-mësim për të gjithë “, mes të tjerash shkruante : ” Lëvizjet e kohëve të fundit po vertetojnë se nuk ka asnjë fatalitet arab dhe aq më shumë një fatalitet musliman…

Përballë këtij fenomeni cili mund të jetë roli i amerikanëve dhe europianëve ? Këta udhëheqës të pandryshueshëm që nuk kanë bërë demokratizimn në vendet e tyre janë mbështetur në të shkuarën në emër të parimit të shenjtë të stabilitetit dhe kanë rezultuar tani si regjime që janë larguar nga vlerat që shpallin…Ndryshimi i regjimit me dorë ushtarake siç bënë USA në Irak dhe dhuna që do vazhdon atje, u kanë dhënë këtyre monarkëve një fuqi shtesë, në emër të stabilitetit…

Por ka ardhur koha që të shkatërrohet kjo mbështetje e verbër e real-politikës, sepse ajo është maska e dembelizmit intelektual dhe injorancës që herët a vonë do të çojë në largimin me dhunë : mbështetja e protestave është udha më e mirë që mund të ndjekë Perëndimi ” (Le Monde du 29.01.11 Mirëpo ne i kemi parë këto ditë se si kanë reaguar amerikanët dhe europianët.

Mesa duket ka ardhur koha që edhe ata të ndryshojnë qëndrim dhe ai që e ndjek me vëmendje atë që po ndodh në Egjipt apo atë që ndodhi më parë në Tunizi, ka vënë re një fakt. Këto ditë kanë filluar të qarkullojnë barcaletat për Mubarak-un. Siç dihet nga fenomenologjia, një ngjarje apo një epokë nis me tragjedi, vazhdon me dramë dhe largohet me komedi.

Fundi i Mubarakut po shënohet tani edhe me barcaletat për të, dy prej të cilave unë po i përmend edhe këtu : 1. Presidenti Bill Klinton viziton Mubarakun
në Egjipt dhe mbetet i mahnitur nga popullariteti që gëzonte Mubarak në Egjipt dhe sidomos u
mahnit nga lehtësia me të cilën ai rizgjidhej sa herë që kishte zgjedhje ” Mubarak-i thotë ai-unë do të jem përsëri kandidat për mandatin e dytë. Mund të më dërgosh këshilltarët e tu që të më ndihmojnë në fushatë ?

Mubarak e pranoi menjëherë dhe dërgoi njerëzit e tij në Amerikë që të ndihmonin në fushatë Klintonin. Ditën që po numuroheshin votat, në përfundim të numurimit doli ky rezultat : 90% ishin në favor të …Mubarakut. 2. Në shtratin e vdekjes, Mubarak nisi të ngashërehej : ” Çfarë do të bëjnë egjiptianët e mi kur të vdes unë ? Këshilltari i tij u përpoq ta
qetësointe : ” Mos u mërzit Madhëri.

Egjiptianët janë një popull solid që do të mbijetojnë edhe duke ngrënë gurë “. Mubaraku i menduar urdhëroi menjëherë këshilltarin e tij që monopolin e shitjes së gurëve ta merrte menjëherë djali i tij, Alaa-ni. Më në fund vjen karagjozi i Ballkanit ose
kryeministri i shqiptarëve Sali Berisha që ka nxjerrë nga goja aq fjalë të ndyta, aq pisllëk, që ka përdorur një fjalor të padëgjuar më parë nga asnjë politikan, nga asnjë njeri publik.

Ky njeri e mori fjalorin e rrugës, fjalorin e mejhaneve të ndyta, fjalorin e cubave të çetave të Haxhi Qamilit dhe e bëri publik duke shkaktuar një nga ndotjet më të mëdha akustike që kanë provuar veshët e shqiptarëve. Ky njeri që është bërë i padurueshëm sapo hap gojën, nuk meriton barcaletat e Mubarakut. Për këtë njeri që është kthyer në kllounin politik të Ballkanit, mjafton vetëm ironizimi që i bën Doktori i “Fix Fare”: “Puçi, puçi të dua, puçi puçi me mua”.

Gjithçka tjetër është e tepërt. Amerikanët dhe europianët duhet të mendojnë që të na çlirojnë nga kjo ndotje. Një popull i ndjeshëm siç janë shqiptarët nuk mund të durojnë më të fyhen natë e ditë…