Ana e errët e Vatikanit

0
52

Nga Josef Nary, BILD, 13 Shkurt 2013

Kisha Katolike numëron 265 Papë në historinë e saj 2000 vjeçare- por jo të gjithë pasardhësit e Pjetrit ishin shenjtorë.

Vatikan
30 vdiqën si martirë, katër në mërgim ose në burg, gjashtë u vranë, njëri madje në krevat nga burri i të dashurës.

Përsëri e gjithmonë dëgjojmë për thashetheme dhe skandale, madje edhe për krime.

Vatikan, Vatikrim, Vatileaks: a është zemra e Kishës Katolike në fakt një gropë gjarpërinjsh? A janë në Romë në pushtet forca të errëta, që lajnë duart me çdo Papë, që nuk u përshtatet atyre?

Gjithmonë e më qartë zbulohet një betejë e hidhur për pushtet në Kolegjin e Kardinalëve. Ka dy kampe, që punojnë kundër njëri- tjetrit- natyrisht të mbuluar, por të ndarë në aleanca dhe intriga.

Edhe gjatë drejtimit të Papa Benediktit XVI, ato u përpoqën që të shtyjnë përpara interesat e tyre.

Menjëherë pas zgjedhjes, Benedikti vendosi në postet kyçe njerëzit e besuar, si për shembull Tarcisio Bertne. Ai mori përsipër si Sekretar i Shtetit politikën dhe diplomacinë.

Beteja mes të besuarve të Papës dhe kundërshtarëve të tij shpërfaqet hapur nga kriza në bankën e Vatikanit, IOR.

IOR menaxhon një pasuri gjigande, rreth 10 miliard euro, mes tyre pasuri të patundshme në mbarë botën.

Kaq shumë para janë padyshim të rrezikshme edhe për njerëzit e Kishës.

Pas thashethemeve të këqija për pastrim parash dhe kontakte me mafien, Papa dërgoi në vitin 2009 ekspertin e ekonomisë, Ettore Gotti Tedeschi për të rregulluar gjërat në IOR.

Por mbikëqyrja dhe rregullat e tij për transparencë injorohen shpesh dhe në vitin 2012 ai jep dorëheqjen, pas përplasjeve me Bertonen.

Ditën tjetër fluturon nga detyra mazhordomi Paolo Gabriele.

Paolo kishte hyrë vjedhurazi në dhomën private duke marrë materiale nga tavolina e Papa Benediktit XVI. Pasi kontrollonte me sy disa herë, futej pa zhurmë brenda, duke bërë punën e tij.

Lexonte letrat private, studionte dokumentet sekrete, hapte sirtarët. Dokumentet më të rëndësishme i fotografonte. Pastaj i vendoste sërish të gjitha letrat në vendet e tyre me kujdes dhe largohej nga dhoma.

Paolo Gabriele është dënuar, por punëdhënësit e tij mbeten të panjohur për publikun deri më tani. A i ka treguar ai ato për policinë? A i njeh Benedikti emrat e tyre?

Letrat që ai kishte vjedhur flisnin kryesisht për makinacionet e dyshimta të Bankës së Vatikanit. Ajo bankë që dikur ishte implikuar në një komplot të dyshimtë për vrasje.

Dhe thashethemet nuk reshtin. Një plan për të hetuar pastrimin e parave duket se i ka kushtuar edhe jetën Papa Gjon Palit të Parë.

Ishte 29 shtator 1978, ora pesë e mëngjesit. Murgesha që kujdesej për Papën, Motër Vincenza, futet në dhomën e gjumit të tij.

Ajo ishte e shqetësuar pasi një natë më parë, Papa, që kishte vetëm 33 ditë në detyrë, ishte ankuar për kollë dhe dhimbje.

Përpara syve i shfaqet Papa, i shtrirë në krevat, me një buzëqeshje të stampuar në fytyrë dhe me një dokument në dorë- por ai është i vdekur pas një ataku kardiak.

Kështu shkruhet në certifikatën e vdekjes. Por për shkak se familja dhe Vatikani e refuzuan një autopsi, lulëzuan teoritë konspirative.

Anglezi David Yallop shkruante në vitin 1984 se Papa ishte helmuar, pasi kishte rënë në gjurmë të makinacioneve të korruptuara të Bankës së Vatikanit. Si vrasës, ai akuzonte kardinalin francez Jean- Marie Villot.

Ai e kishte vrarë Papën, që donte ta shkarkonte, me një helm në pije. Vetë Kardinali do deklaronte më vonë se Papa kishte marrë më shumë mjekim nga sa duhej.

Është një nga këto krime që tregon se jo vetëm në Mesjetë, por edhe sot në Vatikan ka skandale, afera dhe lojëra për pushtet, që nuk e lënë të qetë shtetin e vogël.

Ndoshta janë pikërisht këto që i kanë shterur fuqinë Papa Benediktit XVI. Fuqi që tani i mungon.

—————–

Ana e errët e Vatikanit (II)

Nga Josef Nyary, BILD, 14 Shkurt 2013

Është errësirë kur konti kthehet në kështjellën e tij, dy orë me kalë larg nga Roma. Negociatat me Vatikanin kishin përfunduar shpejt dhe konti i devotshëm mezi priste të kthehej tek gruaja e tij e re.

Papa i vrarë në krevatin e dashnores

Në kështjellë është qetësi, por nga dhoma e gruas dëgjohen rënkime të lehta. I alarmuar, i zoti i shtëpisë hap derën dhe sheh: Bukuroshja e tij nuk është vetëm në krevat. I tërbuar nga zemërimi, me gjithë fuqinë e tij godet në kokë personin që ishte në krevat.

Kur drita e llambadarit bie mbi fytyrën e të goditurit, ai mbetet pa frymë: mëkatari është vetë shenjtëria e tij, Papa Gjoni XII, sundimtar i Romës, përfaqësues i Zotit në Tokë dhe kreu i krishterimit.

Shërbëtorët nxitojnë për ta vendosur të dëmtuarin në krevat. Një mjek vjen me shpejtësi. Por Papa nuk jetoi më shumë se një javë. Ndërsa vetëdija nuk iu kthye as gjatë kësaj kohe.

* * *

Sot është një sensacion kur një Papë paraqet dorëheqjen. 1100 vjet më parë ishte diçka normale- vetëm se shumica e pasardhësve të Pjetrit nuk hiqnin dorë vullnetarisht nga detyra: vetëm në 20 vite mes viteve 896 dhe 916 janë 12 Papë të zhdukur, të mbyllur në manastir ose nën tokë.

Por këta mëkatarë nuk janë asgjë me periudhën e Mesjetës. Në shekullin e 10-të në Vatikan ekzistonte një gjendje që historianët e përshkruajnë me terma si “pornokraci” apo “regjimenti i kurvave”.

Në fokus është e bukura dhe e keqja Marozia (892-932). Ajo kishte tre dashnorë dhe një nga ta u bë Papë: Serxhio III. Që në moshën 22- vjeçare ajo kishte kontrollin mbi shtetin kishtar. Edhe nëna e motra e saj ishin dashnore të njerëzve të fuqishëm.

“Ajo filloi me kujdes të përdorte Papët e madje t’i vriste,” shkruan një kronist i kohës. Të gjithë kandidatët vinin nga familjet e përçara fisnike të Romës.

I preferuari i Marozia-s, Serxhio III, vrau tre Papë. Madje vendosi një rekord të tmerrshëm: në përplasjet për zgjedhjen e Papës, përkrahësit e tij zhvarrosën Papën Formosus, të vdekur përpara 11 muajsh, e vendosën kufomën e tij në një bankë të akuzuarish, e dënuan, e gjymtuan dhe e hodhën në Tiber.

Me vendimin për paraardhësin e tij të vdekur, Papa vrasës mund të legjitimonte sundimin e tij.

* * *

Në këtë kohë Vatikani ishte si një bordello. Kardinalët bënin festa dhe orgji. Por kur Marozia kërkoi që të bëhej perandoreshë, i biri i saj, Alberich, nuk e pranoi.

Ai nis një luftë kundër mamasë së tij dhe e flaku atë në burg, ku vdiq në mjerim, pa i mbushur akoma 40 vjet.

Pesë Papët e tjerë janë marionetat e Alberich. Duke vdekur, ai vendosi djalin e tij 16- vjeç në fron si Papa Gjoni XII: ai bëhet më i keqi i të gjithëve, një simbol i Papës së padenjë.

Historianët e quajnë atë një nga personazhet më të mjerueshëm dhe më të neveritshëm që ka luajtur rol ndonjëherë në Kishë. Papa ftonte miqtë e tij në orgji masive në Vatikan dhe paguante qindra prostituta me thesaret e Kishës.

Peshkopi Liutprang i Kremonës ka shprehur keqardhje për vrasjet, gjymtimet, tradhtitë, incestin, simoninë, bixhozin, dëshmitë e rreme dhe blasfemitë në këtë kohë. Uria për pushtet e Marozia bëri që më vonë të thuhej se dikur kishte qenë një Papë femër, “Xhoana”.