Lindita Çela
Kolë Rrethi të pret me krahë hapur. Për Anën dhe Kejdin, dy jetimët e Ziver Veizit, pamjet e vrasjes së të cilit përballë kryeministrisë tronditën Shqipërinë një vit më parë, plaku tashmë duhet të jetë jo vetëm gjysh po edhe baba. Jetojnë me pensionin e tij (80 mijë lekë të vjetra në muaj) dhe rrogën që Alma, nëna e dy fëmijëve merr në ndërmarrjen e gjelbërimit. Gjyshërit, Kola dhe Violeta janë të shqetësuar.
“Fëmijët po rriten, duan të shkollohen e më dhëmb shpirti se të dy janë fort të mbarë por këtu… Që Kejdi të vazhdojë shkollën e mesme, vetëm për autobusin duhen 60 mijë lekë në muaj, pa përmendur të tjerat. Por dhe Ana u rrit. Është vajzë dhe ka kërkesa të tjera. Të kishin babain gjallë ishte ndryshe. Unë jam plak, s’di nëse do mundem…”- thotë Kolë Rethi. Kejdi shkruan dhe pikturon bukur. Ndërsa Ana, dëshiron të studiojë për drejtësi. Ndoshta një ditë do të mund të vërë drejtësi edhe për babanë e vrarë. Por Alma, nëna e tyre ngre supet.
“Këtu në fshat nuk ka as shkollë të mesme ndërkohë që për në Fier duhen para që Kejdi të shkojë në shkollë, nuk di, nuk di çtë them”- thotë gruaja rreth të 30-tave. Ana të sheh grua e pjekur dhe Kejdi ngjan si një burrë i heshtur. Kejdi shkruan bukur poezi dhe njëra prej tyre ngjan si një peng. Ndoshta për herë të fundit është ndarë i zemëruar me babanë pa e ditur se vdekja do hynte mes tyre..
Kurse sytë e Anës, – të bërë të famshëm nga një foto e Juta Benzenberg në kopertinën e Shekullit, – përloten sapo nis e flet për të atin. Familjarët thonë se Ana ka qenë pika e dobët e Ziverit të ndjerë. Ana është 13 vjeç. Nga ajo që na thotë, vetëm vogëlushe nuk të duket më Ana.
Ana, mund të më thuash si i kalon ditët?
Po ja, shkoj në shkollë. Tani kam filluar të përmirësoj sërish notat se për disa kohë rashë në mësime. Nuk mund të mësoja. Mendoja vetëm për babin. Babi ishte gjithçka për mua, ndaj ato ditët unë nuk do ti harroj dot kurrë. Por tani të paktën po mësoj, jam serisht tek 9-ta. Rri ndonjëherë me shoqet por rrallë, ata kanë gjera të tjera në mendje, dhe unë të tjera. Unë duhet të mësoj. Babi donte që unë të bëhesha aktore.
Do bëhesh aktore…
Sa ishte babi gjallë dhe unë doja të bëhesha aktore, por tani gjërat janë ndryshe. Besoj se do të studioj për juriste. E mendoj si të vetmen rrugë për të vënë drejtësi për babin tim. Megjithatë s’e kam vendosur akoma. Ndoshta edhe babi do donte të studioj për drejtësi . Nuk e di. Kur shkojmë në varreza, më vjen ta pyes edhe njëherë babin. Do doja shumë ta dëgjoja dhe një herë zërin e babit …
E ndjek televizionin?
Para se të më vrisnin babin shikoja vetëm filma ndërsa tani ndjek të gjitha lajmet. Dhe të gjitha çfarë thuhet për 21 janarin.
Çfarë mendon kur ndjek lajmet për 21 janarin?
I dëgjoj. Ndonjëherë qaj dhe kam urrejtje të madhe
Për kë?
Për ata që më vranë babin. Ndjej si neveri të madhe, më vjen të qaj kur shoh çfarë flasin ashtu. Do të doja ta kisha përballë atë Berishën dhe ta pyesja përse ma vrau babin tim? Çfarë i bëri babi im? Cfarë u bëri babi im atyre? E patë ju babin tim të qëllonte dikë? Babi nuk kishte as gurë, as armë nuk kishte, asgjë nuk kishte. E patë babin tim si ishte në këmbë, ai po rrinte si gjithë të tjerët… Pse e vrau babin tim? Këtë dua tja them. Sa të jem gjallë këtë pyetje e kam…
Poezi e Kejdit për 9 mujorin e vrasjes së babait
9 muaj kaluan…
Babi, zemra shumë më është copëtuar,
dhe krahët më janë mpirë.
Kishim zënkën tonë të mallkuar
Por unë babi të gjitha i kam harruar
Veç mos të shihja ty,
në mes të dhomës shtrirë9 muaj kaluan
Syri u tha për të t’shikuar
9 muaj kaluan
Zemra më loton si pa kuptuar
9 muaj kaluan
Krahët mu mpinë për të t’përqafuar







