Amnistia fiskale, dështimi i radhës i shtetit të së drejtës

0
47

Adri Nurellari, 20.08.2010
Botuar tek gazeta Shqip

Prej ca kohësh janë ndezur në Shqipëri diskutimet për bërjen e një amnestie fiskale të përgjithshme. Kuptohet qartë që në kushtet e krizës ekonomike që ka pllakosur, qeveria është e dëshpëruar që të shtjerë në dorë të ardhura nga çfarëdo burimi pa vrarë shumë mendjen për pasojat afatmesme. Mirëpo në këtë situatë më mirë do ishte të legalizohej droga e lehtë dhe prostitucioni e të vileshin taksa prej këtyre aktiviteteve, sesa të bëhej një tjetër dorëzim i shtetit para padrejtësisë dhe sërish shteti t’i trajtonte qytetërët në mënyrë të barabartë.

Marrja përsipër e këtij projekti nga qeveria është imorale për shumë arsye. Piksëpari sepse është e pandershme për shtetin ligjor, dhe përkundrejt njerëzve të ndershëm. Një amnesti çimenton pandëshkueshmërinë dhe shpërblen shkelësin dhe kriminelin dhë dekurajon të gjithë ata që kanë vendosur të ecin në rrugë të drejtë.

Përpos kësaj, është imorale që një reformë e tillë kaq e rëndësishme nuk ka qenë propozuar në asnjë platformë elektorale ose program partiak. Opinioni i qytetarëve nuk mund të vazhdojë të shpërfillet pafundësisht dhe shteti nuk mund të vazhdoj gjithnjë të administrohet me improvizime dhe arnime që bëhen në rrugë e sipër si ta sjellë situata.

Një tjetër problem i madh i kësaj nisme lidhet me papërputhshmërinë që do kishte amnestia me ligjin e sapokaluar të anti-mafies. Nga një anë shteti ka një ligj që autorizon konfiskimin e pronës apo pasurisë private për të cilën nuk vërtetëtohet burimi i ligjshëm dhe nga ana tjetër mendohet të kaloj një ligj që do të legalizojë çdo lloj prone apo pasurie të paligjshme.

Mes dy ligjeve që bien ndesh me njëri tjetrin, kuptohet që gjithçka do ngelet në dorën e Maliqit, i cili do të vendosë në mënyrë arbitrare, i ndikuar nga lidhjet partiake, nepotike apo ryshfetet, që të aplikojë njërin apo tjetrin ligj. Kjo gjë nuk ëshë as serioze me partnerët ndërkombëtarë dhe në mënyrë të veçantë na jep një imazh të keq para Bashkimit Evropian. Fundja kur u bë ligji anti-mafia u pretendua se ligji ishte dëshmi e angazhimeve serioze të luftës kundër krimit të organizuar dhe trafiqeve dhe i shërbente përshpejtimit të procesit të integrimit evropian dhe liberalizimit të vizave.

Zakonisht amnistitë bëhen në një situatë kur shteti ka aftësi të shtrëngojë në vijim situatën dhe të lërë të kuptohet që prej sot e tutje këto shkelje nuk do të tolerohen, por do të pengoneh ose do të ndëshkohen rëndë. Kuptohet që nëse kjo gjë nuk bëhet, atëhere çfarë interesi do kishte një zotërues parash të pista që të legalizohej. Ai do vazhdonte të ushqente iluzionin se edhe në të ardhmen do të mund të tolerohet evazioni fiskal prandaj. Ne tanimë kemi pasur disa amnisti të bëra hera herës të cilat nuk e kanë ndaluar fenomenin për të cilën u bënë, sepse shteti nuk solli ndonjë shtrëngim të madh më pas ose ishte i papërgatitur për to.

Rasti tipik është legalizimi i ndërtimeve pa leje që amnistoi zaptimin e tokës dhe ndërtimet pa kriter i cili nuk ia ka dalë t’i vërë fre ndërtimeve abuzive që ende sot vazhdojnë anembanë Shqipërisë. E njëjta mund të thuhet për amnistitë për vjedhësit e energjisë elektrike apo amnistitë e panumërta të bëra për gjithnjë e më shumë të burgosur. Për mos të folur pastaj për amnistinë e 11 marsit 1997, që jo vetëm nuk parandaloi, por i inkurajoi krimet e panumërta që ndodhën në pjesën e ngelur të vitit.

Një tjetër aspekt shumë i pandershëm i kësaj nisme është edhe vetë përqindja e penalizimit që hamendësohet të derdhin ata që do duan të formalizojnë paratë e pista. Nga përfaqësues të qeverisa apo të biznesit po përflitet një përqindje prej 3-5% që është jo vetëm qesharake por edhe shumë e rrezikshme për vendin tonë.

Është qesharake në vetëvete që “indulgjencat” për “larjen e mëkateve” të jenë kaq të lira dhe shkelësit e ligjit ta hedhin lumin kaq lehtë ndërkohë që në Shqipëri biznesmenët e ndershëm paguajnë një TVSH prej 20% dhe një tatim fitimi prej 10%. Kjo do të thotë që nëse kalon një ligj amnistie në Shqipëri me këto tarifa, çdo biznesmeni që deri sot i ka paguar detyrimet kokër më kokër, i leverdis që të dalë në të zezë e të ardhurat e tija të vitit t’i deklarojë si të pista e të paguajë maksimumi 5% sesa minimumin e 30% që i takon duke qenë formal.

Në dhjetor të vitit 2002, kur kancelari Shrëder deklaroi një plan për të bërë amnesti për shtetasit gjermanë që kishin asete jashtë vendit, ai parashikoi që ata që do i ktheni këto para në vend do paguanin të paktën 25% të pasurisë. Por në këtë rast ishte paraparë që të amnestoheshin evazionistët e taksave dhe do sqarohej mënyra si ishte vënë ajo pasuri, kurse në rastin tonë po bëhet fjalë që të mbyllen sytë plotësisht për burimin nga kanë ardhur paratë duke e çuar në kosh të plehërave ligjin anti-mafia.

Mirëpo ka një aspekt tjetër që e bën këtë tarifë të ulët shumë të rrezikshme, konkurrueshmëria e saj me aktivitetet e pastrimit të parave në nivel ndërkombëtar. Domethënë sipas institucioneve ndërkombëtare të ligjit siç ëshë Interpoli, shuma që trafikantët paguajnë nëpër parajsa fiskale si ishujt Kajman apo Bahamas për të pastruar paratë është diku tek 3 deri në 5 përqind të totalit që do të thotë që shumë pastrues parash mund të joshen nga një amnisti fiskale e mundshme jona që ta transferojnë këtë aktivitet në Shqipëri duke na përlyer me rrjete të fuqishme kriminale ndërkombëtare me të cilat nuk jemi hiç të përgatitur për t’u përballur. Gjithashtu ka për të nxitur një reagim të madh kundër nesh nga BE dhe SHBA, aktorë këta që kanë ndjeshmëri të madhe kundër pastrimit të parave.

Së fundmi ka boll arsye për ta konsideruar edhe vetë qëllimin e kësaj amnistie shumë të dyshimte dhe për të menduar se amnistia nuk do ketë efektin që pretendohet të ketë. Ekonomia jonë informale është de facto e formalizuar pasi paratë e pista qarkullojnë lirisht, investohen rregullisht dhe askush nuk shteti nuk është kujdesur që të shqyrtojë se nga ka ardhur burimi i këtyre parave që janë investuar këtu.

Paratë e zeza janë prej kohësh pjesë thelbësore përbërëse e ekonomisë dhe kjo duket qartë nga fakti që këto para në mënyrë të qetë kanë ushqyer sektorë të ndryshëm të ekonomisë prej kohësh. Nga një anë vihet re lehtë rritje e lartë ekonomike, investime të shumta, konsum i madh mallrash luksoze, nga ana tjetër vihet re që kjo sasi e madhe kapitali që investohet nuk figuron të ketë patur ndonjë kontribut tek tatimi që është mbledhur për fitimin. Për më tepër vihet re gjithashtu që niveli i kredisë ka qenë relativisht i ulët, pra investimet e bëra sidomos në ndërtim, nuk kanë pasur si burim bankat por paratë e pista.

Kjo do të thotë që edhe po të bëhet amnistia, nuk është se do ketë një bum investimesh, sepse investimet nuk i ka penguar burimi i pistë i parave. Një investitori shqiptar nuk ka çfarë ta dojë pastërtinë e parave, sepse në Shqipëri nuk pyet njeri për të. Jashtë shtetit po. Për pastërtinë e parasë pyesin kryesisht ata që duan të largojnë paratë nga Shqipëria ose që duan të investojnë jashtë vendit apo të hynë në partneritet ndërkombëtar. Ose mund të jenë edhe politikanët apo zyrtarët të interesuar sepse ata k

uptohet që sduan t’i hedhin këtu paratë pasi bien lehtë në sy po investuan në Shqipëri dhe iu del në shesh korrupsioni. Kjo do të thotë që një amnisti jo vetëm që sdo të shtonte sasinë e likuiditetit që qarkullon në Shqipëri por madje rrezikon që të lehtësojë edhe largimin e likuiditetit nga vendi.