Amerikanët

0
82

Alba Malltezi

Nga: ALBA MALLTEZI

Do të mbajmë mend dhe do të lemë në historinë tonë, që e korrigjojmë sa herë disa duan, se në vitin 2010 shqiptarët e Shqipërisë nuk qenë në gjendje të gjejnë gjuhën e përbashkët pas 7 muajsh nga zgjedhjet e qershorit 2009, për të bërë që shteti i tyre të funksionojë si një shtet i denjë për në Bashkimin Evropian. Do të shkruajmë se gjysma mendonte se kutitë e këtyre zgjedhjeve nuk duheshin hapur dhe gjysma tjetër mendonte se duheshin hapur.

E ndërkohë, jeta në vend vështirësohet. Grabitësit kanë terrenin më të mirë për të grabitur: në fakt nuk mungojnë deklarata të hapura për pasuri përrallore nga biznese të mbështetura nga Qeveria :”Ne jetojmë më mirë se në Evropë e bëjmë televizione që na i ka zili Evropa!”, ndërsa shtresat e brishta kalojnë periudhën më të zezë të pavëmendjes falë një Shteti që është përqëndruar në një tjetër luftë: Atë të karriges.

I dërguari i OKB për të tjera çështje na kujtoi në një konferencë të gjatë për shtyp se kemi shumë probleme në shoqërinë tonë si ai i gjakmarrjes, krimit në familje dhe drejtëisë, që duhet t’i zgjidhim. Vuri në dukje gatishmërinë e Qeverisë dhe OJQ-ve, që bën pjesë në stilin tonë tashmë: të themi fjalën e mirë e të mos bëjmë asgjë që nuk na sjell të mira materiale direkte. Kështu për fatkeqët që përmenda më lart, nuk ka askush kohë për të harxhuar. Madje kritikohet dhe media, se nuk është aq “profesionale” në raportimin e halleve të tyre.

Pra, më mirë që, jo vetëm hallet të mos u zgjidhen, por edhe askush të mos flasë për ta. Kjo do të ishte e mira absolute: Varfëria, vrasjet, sëmundjet, bezdisin ata që kanë, ata që pasurinë e ekstreme nuk e nxjerrin veçse duke u marrë të tjerëve. Shteti shqiptar në 2010 shkon në këtë drejtim: mësuesit nëpër shkolla largohen nga puna e nuk zëvendësohen sepse nuk ka më para për t’u dhënë rrogat, Drejtësia për këtë vit punon me 40 përqind më pak të parave që kishte një vit më parë, ndërsa Shëndetësia nuk ka ilaçe për të kuruar të sëmurët që hyjnë e dalin nga spitalet.

Nga ana tjetër ngulmimit të Opozitës që deklaron se kërkon të hetojë krimin më të madh të një shteti në demokraci, atë të vjedhjes së votës, Mazhoranca i përgjigjet me një mjet ligjor të respektimit të Shtetit të së Drejtës dhe përballë kësaj perplasje u hutuan dhe të dërguarit e Këshillit të Evropës. Në Tiranë mbërritën 10 burra, që në deklaratën përfundimtarë thanë: O zgjidhni vetë problemin o do ju fusim në burokracinë asfiksuese që vetëm Evropa Plakë di mirë ta prodhojë. Të tjerë muaj në Komisionin e Venecias. Në këtë pikë ku vendi ka ngecur, i vetmi shans për ne, në mos ardhshin UFO-t nga hapësira, mbetet pragmatizmi amerikan. Nuk është as hera e parë dhe as e fundit.