Ambasadori i Danimarkës, miku ‘rebel’ i shqiptarëve

0
33

Nga Artan Mullaj, 9 Janar 2012

Ambasadori Jensen i Danimarkës bëri një hap tjetër të rëndësishëm në konsolidimin e zakonit të të thënit “troç” të gjërave, ndërsa në intervistën e radhës, synoi të shpërndajë me modesti mjegullën shqiptare të gjërave. Sepse Danimarka ka presidencën e radhës, finesa e interpretimeve të tij këtë herë pati shkëlqimin rrëzëllitës të pushtetit të ri e të shëndetshëm që ky ambasador përfaqëson për shqiptarët e thjeshtë.

Duke qenë i drejtpërdrejtë, përtej etikës diplomatike që kufizon zakonisht një zyrtar perëndimor në Shqipëri, ai tregoi se ndodhet pranë vendimit për të ndihmuar këtë vend konkretisht, duke lehtësuar kuptimin e gjërave. Lehtësi për krijimin psikologjik të institucionit të së vërtetës, që nuk ka ekzistuar kurrë në tranzicion. Ky është konstatimi dhe kjo gjë shpjegon strategjinë modeste të një zyrtari europian për të ndihmuar shqiptarët të kuptojnë se demokracia nuk mund të funksionojë pa drejtësinë, se drejtësia nuk mund të ekzistojë pa lirinë, se liria nuk mund të fitohet pa hedhur dritë mbi të vërtetën.

E vërteta, si koncept, ka kurthet e veta. Perceptimi i saj nuk mund të krijohet veçse përmes ngjarjeve që mbeten përgjithmonë në memorien e një kombi. Të gjithë e dimë se çfarë ngërçi historik krijuan dhe sa fatale është sot pamundësia për tu fshirë nga kujtesa kolektive e vërteta për ngjarjet makabre të tranzicionit: Viti 97, Gërdeci, e sidomos 21 Janari. Nëse nuk ndriçohen këto ngjarje, të vërtetat e tyre, në Shqipëri do të sundojnë përgjithmonë demagogjia dhe perversiteti.

21 Janari! Mbase ambasadori i nderuar parandjen qetësinë para një furtune shpirtërore në 21 Janar. Mund të ketë një protestë opozitare ose jo! Mund të gjëmojë qielli dhe të shkarkohen rrufetë, ose dielli të ndrijë në Tiranë! Mund të jemi një model i pashembullt i zhvillimit ekonomik në planet, si një lajm spektakolar i ekraneve të pushtetit, pikërisht këtë datë. Ose mund të mos ndodhë asgjë atë përvjetor. Por nëse ndodh, çfarëdo që të ndodhë, asgjë nuk do mund të ndalojë rebelimin shpirtëror, rebelimin e pafajshëm, rebelimin njerëzor të qytetarëve të thjeshtë për njerëzit e vrarë në shesh një vit më parë. Ky është një një përvjetor i kobshëm, që do ndriçojë qetësisht të vërtetën se ky vend është i mërzitur dhe i trazuar.

Edhe pa interferimin e natyrës, edhe me kundërshtinë mediatike të mediave proqeveritare, një stuhi do të shpërthejë në 21 janar, e heshtur dhe në formën e vrasjes së ndërgjegjes së një populli të gjakosur nga shteti me armë… Ambasadori e di, ambasadorët e dinë, kryeministri e di, të gjithë shqiptarët e dinë, se 21 Janari nuk mund të jetë një ditë e gëzueshme. Engjëjt e dëshpërimit do të vërtiten në sheshet e Tiranës këtë ditë. Atje, në sheshin e frymës së fundit, para kryeministrisë, në përfytyrim, në gjallërimin e përshpirtshëm të kujtesës, do të jenë shpirtrat e pa qetë të të vrarëve, për të na ndriçuar neve, dhe gjithë ambasadorëve të huaj të vërtetën për pafajësinë e tyre si edhe të vërtetën për dhunën e shtetit vrasës që i ndau ata nga kjo botë.

* * *

Një prirje kolektive në Shqipëri për të marrë seriozisht mesazhet e diplomatit danez, pikërisht për shkak të nevojës urgjente të vlerësimit të situatës komplekse në Shqipëri, do të ishte, natyrisht, një lajm i mirë. Kjo do të ndihmonte të kuptohej se kompleksiteti publik zë fill pikërisht tek çoroditja që sjell “diktatura e faktit të kryer” si kundër citon kryetari i opozitës Edi Rama. Kjo diktaturë, e cila sundon realisht në Shqipëri nëpërmjet kapjes së institucioneve, është sfida e pushtetit të një pushtetit që buron pikërisht jo nga respektimi, por nga shkelja e ligjeve.

Pavarësia nga pushteti i institucioneve demokratike, sipas ambasadorit brilant, pikërisht kjo gjë, do të lajmëronte fillimin e një demokracie funksionale në vend

Diplomacia pa diplomaci që ka përdorur zoti ambasador për thënien e të vërtetave, i ka shtuar një vlerë më shumë diplomacisë perëndimore në Shqipëri, aq më shumë që duket se ai le të hapur ftesën që edhe ambasadorë të tjerë të kontribuojnë njëlloj me thënien “troç” të gjërave. Të kontribuojnë të kuptohet që Shqipëria nuk ka demokraci reale dhe as është superfuqi ekonomike, si thuhet. Që ky vend i korruptuar nuk ka drejtësi dhe as shumë mundësi për gjithkënd. Që këtu nuk bëhen zgjedhje të lira dhe votat vidhen në dritën e diellit. Që Bashkia e Tiranës u rrëmbye me thonj. Që e ardhmja do të jetë më e vështirë se kaq. Kjo do të ndihmonte në shpërndarjen e mjegullës së krijuar.

Sepse kanë rolin e tyre dhe përgjegjësinë e tyre në krijimin e kësaj mjegulle, ndërsa deri tani me heshtjen e tyre jo rrallë kanë ushqyer paqartësinë, kujdesi i tepruar nga perëndimoret për ngjarjet e mëdha kobzeza të shqiptarëve deri tani, duhet reduktuar në të ardhmen. Se sa dashamirës do jetë ekipi ndërkombëtar i diplomatëve me Shqipërinë, kjo do të duket së afërmi, me qëndrimin e tyre në çështje të rëndësishme, siç është zgjedhja e presidentit.

Prova e presidentit të ardhshëm, që do të jetë një “sprovë” për politikanët shqiptarë, do të mund të qartësojë gjithashtu, nëse pastrimi i imazhit të Shqipërisë, por edhe i moralit të tyre, do të ketë një fillim realisht, por jo vetëm. Ka një pritshmëri që ndërkombëtarët të ndryshojnë mënyrën e të menduarit të tyre, të paktën në qëndrimin ndaj kësaj çështje, çka do t’i verë një kufi të shkuarës së dështuar dhe reformave të tyre diplomatike me të cilat kanë operuar në Shqipëri.

Është e ngutshme që ndërkombëtarët të kristalizojnë veprimet e tyre në Shqipëri. Duhet të thonë troç edhe thjesht më në fund, çfarë ata mendojnë për politikanët tanë. Të na thonë, a mendojnë ata se politikanët fodullë të Shqipërisë e kanë në axhendën e interesave të tyre anëtarësimin tonë në Europë, apo interesat e tyre private bien ndesh me këtë. A i intereson sipas tyre politikës shqiptare kjo gjë? A duan vetë shqiptarët të jenë pjesë e perëndimit dhe kulturës europiane. Nëse realisht duan, a do mund të jenë ndonjëherë të denjë ata për t’ju dhënë dora në fund. Ambasadorët nuk janë të detyruar të shpjegohen për gjëra të tilla, madje kjo nuk është puna e tyre, megjithatë ata duhet të “krishtërojnë” qëndrimet e tyre përballë mënyrës primitive të qeverisjes së shqiptarëve.

Të ngrenë gishtin drejt fajtorëve vrasës të Gërdecit dhe 21 janarit. Të kritikojnë hapur qeverinë për korrupsionin dhe kapjen e institucioneve. Po nuk e bënë këtë, ç’mbetet të bëjnë? Të heqin dorë nga përgjithësimet diplomatike, prej të cilave nuk laget, nuk ndëshkohet dhe nuk mbështetet askush. Të na thonë se sa shumë gabojmë ne shqiptaret kur pikojmë mes bindjeve tona se ky vend nuk ka shpresë të bëhet ndonjëherë, me këta dhe ata. Të na thonë që, po, keni krejtësisht të drejtën e zotit të shpresoni më të mirën e fëmijëve tuaj. Ose, ngaqë në Shqipëri kanë një përmasë të përzotshme, të na thonë me kurajo të kundërtën. Njerëz, vështirë të bëhet ky vend. Të tundin kambanën. Pse jo, të ulërijnë! Shpresa nuk ka! Po korrni çfarë vetë mbollët në 91-shin, o njerëz! Sali Berishën!

Ambasadori danez përmendi në intervistën e zymtë rregëtimin e një shpresë të vogël. Duke përmendur bashkinë e Korçës si model zhvillimi për bashkitë e tjera, ndërsa në Tiranë “Monaliza nuk buzëqesh por zgërdhihet”, mbase diplomatët e tjerë do ndihen të ftuar. Të thonë atë cka mendojnë realisht. Çfarë mendon realisht zoti Arvizu për fatin e shqiptarëve? Psh, a do të kish vullnet Arvizuja dhe të tjerët të na ngushëllonin hapur me diplomacinë dhe shpresën se pas “shuarjes së diellit”, mund të ngrohesh edhe nga yjet e natës?….

Mendimi se perëndimorët kanë dështuar deri tani me Shqipërinë, për shkaqe që ata vetë i dinë ose nuk i dinë, dëshmi e së cilës është mosthënia troç e gjërave dhe mjegulla e dendur mbi Shqipëri dhe mbi çatitë e tyre, po shndërrohet gjithnjë e më shumë në një perceptim shoqëror… Rreth tyre ngrihen dilema. Koha të ndryshojnë. Si një qytetar i thjeshtë i këtij vendi, si një shqiptar, si një njeri që nesër europianëve mund tju duket i çuditshëm, sic citon ambasadori danez, preferoj ti kushtoj vëmendje këtyre ambasadorëve, duke i kujtuar atyre rëndësinë dhe fuqinë e së vërtetës. Preferoj ti kushtoj mirënjohje zotit ambasador të Danimarkës, për ndihmën që ai na jep të gjithëve, që ne, mos jemi “të çuditshmit” në mes të Europës, as “të çmendurit” në zemër të saj, por anëtarë të denjë të një bashkësie ku sundon demokracia liberale dhe ku mbase meritojmë të jemi pjesë e së tërës.