Ambasadori gjerman: Tre pikat ku ngeleni pa viza

0
42

Bernd Borchardt

Nga Tema

Ambasadori gjerman, Bernd Borchardt, vizitoi pikën e kontrollit kufitar Muriqan në kufi me Malin e Zi së bashku me ministrin e Brendshëm, Lulzim Basha. Duke folur për mediet, ai tha se kishte një lajm të mirë, se po bëhet progres për sa i përket informatizimit të policisë. Por Borchardt ishte shumë i ashpër, kur numëroi lajmet e këqija. Sipas tij, për të arritur te liberalizimi i vizave duhet luftuar korrupsioni, trafiqet dhe krimi i organizuar. Borchardt, duke iu referuar organizmave ndërkombëtarë, tha se në këto fusha, Shqipëria është shumë prapa.

“Falënderoj ministrin e Brendshëm, Basha, për mundësinë për të vizituar nga afër pajisjet e instaluara së fundi në kufirin me Malin e Zi, të cilat duhet të japin një kontribut në luftën kundër migracionit të paligjshëm dhe përmirësimin e menaxhimit të kufijve. Në mars të vitit të ardhshëm Bashkimi Evropian do të dërgojë në Shqipëri një mision vlerësues, i cili ndër të tjera do të verifikojë, nëse këto pajisje përmbushin standardet e domosdoshme për një liberalizim vizash.

Parimisht mund të them: Gjermania e mbështet një liberalizim vizash për Shqipërinë, sapo kushtet e përcaktuara nga Bashkimi Evropian të jenë përmbushur. Vetëm në vitin 2009 ne kemi vënë në dispozicion mbi 1 milion euro për të mbështetur Shqipërinë në përmbushjen e kushteve si lufta

kundër krimit të organizuar, korrupsionit, trafiqeve të qenieve njerëzore dhe lëndëve narkotike dhe përmirësimin e menaxhimit të kufijve.

Për sa i përket përmbushjes së parakushteve ka lajme të mira dhe të këqija. Te lajmet e mira përfshihen ndër të tjera progreset e dukshme këtu në aplikimin e teknologjisë së informacionit në fushën e policisë dhe atë kufitare.

Por, nga ana tjetër, ka edhe lajme të këqija: Para pak ditësh indeksi i korrupsionit i Transparency International, i njohur në mbarë botën, konstatonte një përkeqësim të situatës në Shqipëri. Raporti vjetor 2009 i EUROPOL shënonte se Shqipëria ende shërben si qendër grumbullimi dhe transporti për shpërndarjen e heroinës në Bashkimin Evropian. Raporti i Progresit i Bashkimit Evropian në tetor 2009 arriti në përfundimin se përpjekjet e qeverisë shqiptare për të luftuar krimin e organizuar ende janë në një fazë fillestare dhe se përpjekjet për të luftuar pastrimin e parave duhet të intensifikohen më tej.

Progreset në këto fusha janë parakusht për liberalizmin e vizave. Përfitoj nga rasti të inkurajoj qeverinë shqiptare për të thelluar përpjekjet në këto fusha, në mënyrë që më në fund regjimi i vizave të hiqet. Gjermania do të vazhdojë ta mbështesë Shqipërinë në këtë rrugë”, – tha Borchardt.

Qëndrimi i fortë i Borchardt vjen pasi qeveria ka nisur një fushatë sulmi ndaj opozitës se është ajo që po pengon procesin e liberalizimit të vizave.

Gjermania ka dëshmuar shpesh pozicionin e saj të qartë për reforma të plota për të arritur integrimin.

Një ditë pasi mediet bënë të ditur lajmin se Shqipëria do jetë jashtë listës së vendeve që përfitojnë lëvizje pa viza, ambasadori gjerman tha se sinjali që erdhi nga Komisioni Evropian në lidhje me regjimin e vizave ishte shumë i qartë.

Borchardt tha se nuk duhet të jepen premtime boshe, por duhet të plotësohen kushtet që qytetarët e vendit të lëvizin lirshëm drejt vendeve të Bashkimit Evropian.

Përgjigjja e tij është një qëndrim i fortë ndaj reagimeve krejt qesharake të qeverisë sonë, e cila, pasi dështoi në përmbushjen e kritereve për të lëvizur pa viza dhe pasi e përdori fort si kartë elektorale atë, vazhdoi mashtrimet, edhe pasi u bë e qartë se kishim dështuar.

Ministri i Jashtëm, Lulzim Basha, tha se do jetë mesi i vitit që vjen momenti kur shqiptarët do të lëvizin pa viza. Kurse ministri i Brendshëm, Bujar Nishani, shkoi dhe më tej, kur thotë se Shqipëria është përpara fqinjëve në përmbushjen e kritereve për të lëvizur pa viza.

Pikërisht për të sqaruar këtë moment, ambasadori gjerman tha se vendet e tjera të rajonit kanë plotësuar kushtet, ndaj dhe kanë marrë sistem të ri lëvizjeje.

Zyrtarët shqiptarë nuk kanë preferuar asnjëherë gjatë këtyre viteve që të sqarojnë se cilat kanë qenë kushtet që kemi plotësuar dhe cilat jo.

Në deklaratën e përgatitur nga Komisioni Evropian ditën e publikimit të vendimit thuhet se Shqipëria dhe Bosnja nuk kanë arritur të luftojnë krimin e organizuar dhe korrupsionin, kushte kryesore këto për të përfituar liberalizimin e vizave.