Ambasadori gjerman: Nëse qeveria bën një hap të qartë e të dallueshëm, opozita nuk do e kundërshtonte

0
50

Bernd Borchardt

Nga Tema, TCH

Anëtarësimi i Shqipërisë në NATO u pa nga shumëkush si çmim i merituar për vite të tëra pune e përgatitjesh, por edhe si mundësi për të kapërcyer barrierat që i kanë frenuar vendit tonë hapjen ndaj Perëndimit.

Megjithatë, 9 muaj pas anëtarësimit në aleancën më të madhe ushtarake të botës, aktorët politikë shqiptarë pak e kanë kuptuar shansin e ofruar. Të paktën këtë mendon ambasadori gjerman në Tiranë, Bernd Borchardt, që në një intervistë për revistën “Mapo” nuk e fsheh shqetësimin mbi zhvillimet e brendshme politike në Shqipëri.

“Pas pranimit të vendit tuaj në aleancë, prisja që koha e toneve të hidhura në përballjet politike, e gjuhës së ashpër, e fyerjeve personale dhe kërcënimeve në politike, tashmë kishte marre fund. Por fatkeqësisht jam gabuar”, – rrëfehet ambasadori.

“Është koha që dy kampet e mëdha të gjejnë një zgjidhje”, – shton ai.

“Në një dialog politik konstruktiv nuk ka vend për sulme ndaj individëve ose kërcënime dhune dykuptimëshe. Stabiliteti politik dhe pjekuria demokratike bëjnë pjesë në kushtet e një rëndësie të veçantë dhe një qëndrueshmëri e tillë është parakusht kyç në garën për investime të huaja. Shpresoj që t’u jap shumë shpejt kompanive të interesuara gjermane lajme të mira mbi zhvillimet politike në Shqipëri”, – shton përfaqësuesi i Gjermanisë në vendin tonë.

Sipas tij, në thelb, zhvillimet në fushën e ekonomisë janë shumë pozitive. Ai përmendi sidomos realizimin e disa projekteve të mëdha investimi gjermane, të finalizuara pikërisht këtë vit.

Ambasadori preku në intervistë edhe çështjen nevralgjike të bojkotit të opozitës. “Nëse qeveria bën një hap të qartë e të dallueshëm për të gjithë dhe të kuptueshëm ndaj opozitës, atëherë kjo e fundit do ta ketë më të vështirë të kundërshtojë. Është krejt normale që opozita dhe mazhoranca të mos bien dakord, por ama debati politik duhet të kufizohet në çështje thelbësore”, – theksoi Borchardt.

Korrupsioni ishte një tjetër shqetësim i ambasadorit, që citoi këtu edhe raportin e fundit të Transparency International, e tha se Shqipëria duhet të vendosë një politikë më bindëse për dënimet dhe sanksionet e tjera në raste të tilla, veçanërisht sa i takon korrupsionit në nivele të larta.

Rama: PS pranon dialog, vetëm nëse hapen kutitë dhe merren mbrapsht akuzat ndaj opozitës

Socialistët do të ulen në bisedime me mazhorancën, vetëm nëse hapen kutitë e votimit dhe tërhiqen akuzat ndaj opozitës. Duke renditur si një kusht të panegociueshëm hapjen e kutive të votimit, Edi Rama shprehu dje gatishmërinë për t’u ulur në bisedime për të arritur dialog me mazhorancën. “Dialog? Po. Por më parë të marrin mbrapsht akuzat e turpshme dhe shpifjet monstruoze ndaj opozitës. Dialog? Po. Por më parë të hapin kutinë e mbyllur të të dhënave reale e të realitetit të plagëve të ekonomisë, duke filluar nga tuneli i Kalimashit, shifrat faktike të shpenzuara deri tani, sasinë e dëmit të shtuar nga shembja, parashikimin fundor të kostos së rrugës dhe, padyshim, nisja e hetimeve për të me një shprehje të qartë vullneti. Dialog?

Po. Por më parë të heqin dorë nga kushti i mos-hapjes së kutive, duke i dhënë fund gënjeshtrës që hapja e kutive bika në kundërshtim me vendimin e gjykatës. Po vëmë kushte? Jo. Po themi vetëm që dialogu duhet të jetë demokratik, i barabartë, i vërtetë, i hapur për çdo zgjidhje të krizës së rëndë dhe në asnjë mënyrë mjet shpëtimi për një pushtet që hedh lumin e vret kalin. Ashtu siç bëri me zgjedhjet, duke grisur paturpësisht dhe forcërisht ligjin që detyron hapjen e kutive me kërkesë të dy anëtarëve të KQZ. Dhe nëse duan vërtet dialog, ta harrojnë se mund ta realizojnë duke u tallur me ndërkombëtarët, se me ne nuk tallen dot më”, – tha dje Rama.

Duke iu përgjigjur akuzave të kryeministrit Berisha dhe drejtuesve të tjerë të qeverisë dhe mazhorancës, sipas të cilave opozita refuzon dialogun, Rama tha se nuk mund të akuzohet opozita për mungesë dialogu, vetëm për shkak se kërkon hapjen e kutive të votimit, pasi kjo është kërkesa më legjitime, sepse bëhet fjalë për lirinë elementare, atë të garancisë së votës së lirë.

“Ta harrojnë se e realizojnë dialogun duke bërë shfaqje banale urtësie për të larë gojën dhe për të thënë: Ja, ne duam dialog, po s’do opozita. Jo, nëse duan dialog, të krijojnë kushtet për dialog dhe ta harrojnë se mund të ekzistojë ndonjë dialog sa për të rikthyer opozitën në parlament e për të na rifilluar farsën e demokracisë pa liri e të drejta të barabarta për të gjithë, pa institucione të pavarura, pa garanci kushtetuese e ligjore për çdo qytetar të kësaj republike. Kjo Shqipëri, që nuk garanton as edhe vetë lirinë elementare të votës dhe barazinë përpara votës, e cila, pasi numërohet keq dhe shumë keq për llogari të pushtetit të Familjes, i fshihet syrit të popullit njësoj si në llumokracitë e shpifura matanë kufijve të Evropës ku duam të integrohemi, nuk mund të jetë në vitin 2010 Shqipëria që ëndërruan ata që u vranë e persekutuan për votën e lirë, Shqipëria e parafytyruar prej atyre që dolën njëzet vjet më parë në rrugë për votën e lirë, Shqipëria e çdo shqiptari, që lirinë e votës nuk e fal dhe as e shet te pushteti i radhës”, – tha dje Rama.

Meta: I kemi bërë oferta konkrete opozitës

Zëvendëskryeministri, Ilir Meta, njëkohësisht drejtues i Lëvizjes Socialiste për Integrim, tha dje se opozita nuk duhet të përhapë panik për sa i përket gjendjes ekonomike në vend. Meta tha se stabiliteti ekonomik dhe kahu pozitiv i saj janë vlerësuar dhe nga ndërkombëtarët.

“Është për të ardhur keq që synohet të përhapet panik, pa asnjë logjikë ekonomike, por mbi të gjitha politike dhe qytetare, në një kohë kur ne duhet të inkurajojmë një klimë gjithnjë e më pozitive ndaj biznesit dhe njëkohësisht dhe një sjellje më optimiste edhe për konsumatorët”, – tha Meta.

“Në këtë drejtim unë dua të shpreh besimin se, jo vetëm që situata ekonomike do të vijojë të jetë e qëndrueshme, jo vetëm që Shqipëria do të vijojë të ketë një rritje ekonomike pozitive, jo vetëm që Shqipëria do të vijojë të ketë një rritje të mëtejshme të investimeve të huaja në vend, por pa asnjë diskutim, qeveria do t’i realizojë të gjitha objektivat e saj dhe unë do të ftoja të gjithë përfaqësuesit e opozitës që të mos u kundërvihen reformave ekonomike dhe sociale, sepse kjo nuk është as në të mirë të tyre, sepse vetë procesi i integrimit evropian i kërkon këto reforma.

Natyrisht, çdo propozim konstruktiv është dhe do të jetë i mirëpritur, ashtu sikurse jam i bindur se një dialog akoma më i hapur do të zhvillohet edhe me biznesin dhe përfaqësuesit e tij dhe më të gjitha institucionet e tjera rregullatore, me qëllim përmirësimin e klimës së biznesit akoma më tej në vend dhe inkurajimin e tij për të rritur investimet dhe njëkohësisht për mos cenuar vendet e punës, por përkundrazi për të shikuar mundësitë për t’i shtuar ato, pavarësisht nga situata e përgjithshme globale ekonomike dhe financiare”, – vijoi Meta.

Kryetari i LSI tha se mazhoranca i ka bërë oferta konkrete opozitës për daljen nga kriza.

“Dialogu në çdo rast ndërtohet mbi disa parime dhe qëllime të përbashkëta. Në këtë drejtim unë mendoj se dialogu në çdo rast i ka të gjitha mundësitë për të qenë i shëndetshëm dhe si suksesshëm. Gjë që do të thotë se, kur qëndron mbi parime të tilla, ku parimi kryesor është ai i shtetit ligjor, respektimit të pavarësisë dhe ndarjes së pushteteve, dhe ku qëllimi i përbashkët mbetet gjithnjë përshpejtimi i integrimit evropian të vendit, sepse kjo për shqiptarët nënkupton çdo gjë, dhe problemin ekonomik, edhe lëvizjen e lirë, dhe standarde më të larta të shërbimeve sociale, pa asnjë diskutim që është i suksesshëm. Unë mendoj që këto pranime dhe këto qëllime janë në interes të të gjithëve dhe mbi të gjitha në interes të qytetarëve shqiptarë”, – tha Meta.