TemA Online, 14 Mars 2012
Ambasadori i Danimarkës, Karsten Ankjær Jensen, tha se integrimi është i mundshëm. I pranishëm në Elbasan në festimet e Ditës së Verës, ambasadori danez komentoi zhvillimet politike në Shqipëri, duke theksuar se do të ishte e mrekullueshme nëse Shqipëria do të mund të marrë statusin kandidat për në BE, në vjeshtën e këtij viti, pikërisht në përvjetorin e 100 të pavarësisë së vendit. Por ai ritheksoi se kjo varet nga vullneti politik dhe se politika duhet të punojë intensivisht për të plotësuar 12 kushtet. “Unë besoj se vera dhe dielli do të vijnë për Shqipërinë dhe besoj se do të vijnë edhe më shpejt nga sesa presin shqiptarët.
Sot të gjithë janë të fokusuar në kohën e keqe, por dielli do të vijë dhe arsyeja është sepse shqiptarët kanë gjithçka që të përparojnë. Është një shenjë e mirë që kryeministri dhe kreu i opozitës kanë zgjedhur për të festuar në Elbasan për ardhjen e verës dhe shpresojmë se do të vazhdojnë ta bëjnë këtë gjë. Janë 12 gjërat që duhen bërë dhe kjo nuk është e ngjashme me ngjitjen e malit të Everestit. Do të ishte e mrekullueshme që Shqipëria me rastin e 100-vjetorit të pavarësisë të mund të merrte statusin e vendit kandidat. Dhe është vetëm në dorë të politikanëve për të treguar se e kanë vullnetin e duhur për këtë gjë. Është në dorën tuaj nëse do të bëheshit vend kandidat për në BE dhe padyshim kjo është diçka e arritshme”, tha dje ambasadori danez në Tiranë Jensen.
Thirrjet e ndërkombëtarëve për politikën shqiptare sa i përket plotësimit të 12 kushteve sa vijnë e intensifikohen. Ndërsa politika shqiptare pretendon që në vjeshtën e këtij viti të mund të marrë statusin kandidat, ndërkombëtarët vazhdojnë të kërkojnë prej palës shqiptare lënien e retorikës dhe plotësimin konkretisht të 12 kushteve. Pak ditë më parë, zëdhënësi i komisionerit Fyle, Peter Stano, tha se me gjithë përparimet që u bënë pas marrëveshjes politike të vjeshtës, kërkohen rezultate konkrete në përmbushjen e kritereve.
Ai theksoi se Bashkimi Europian kërkon që politika shqiptare të heqë dorë nga retorika dhe t’i kthehet punës për përmbushjen e kritereve integruese. Në vitin 2010, kur Shqipërisë iu refuzua për herë të parë statusi, Komisioni Europian, organi ekzekutiv i Bashkimit Europian, përcaktoi 12 përparësi që Shqipëria duhet të përmbushte.
“Unë besoj se vera dhe dielli do të vijnë për Shqipërinë dhe besoj se do të vijnë edhe më shpejt nga sesa presin shqiptarët.”
Edhe une ashtu mendoje,por problemi eshte se çfare thone “ATA”.
Comments are closed.