TemA, 12 Maj 2012
Ambasadori danez, Karsten Jensen, njihet për gjuhën e tij të drejtpërdrejtë. Edhe kur flet në një aktivitet kulturor, ai sërish do e përçojë një mesazh politik. Kësaj here ai ka folur në kuadër të lancimit të një projekti kulturor e festiv, të quajtur “Rock the Block”. Është hera e katërt që në Shqipëri organizohet koncerti “Rock the Block”. Më përpara është organizuar në mars, në Ditën e Verës. Vjet u festua në qershor, kurse sivjet do bëhet në maj, në kuadër të Muajit të Europës. Dhe meqë mesazhi i koncertit është ‘ta shkundim Bllokun’, ambasadori danez ka bërë një lojë fjalësh kur u ka kërkuar të rinjve shqiptarë që të shkundin të kaluarën.
“Të gjithë në Shqipëri e dinë se ku dhe çfarë është Blloku. Duke thënë “rock the block”, ne po përpiqemi të çojmë edhe një mesazh të vogël politik. Ndoshta duhet të shkundim edhe një pjesë të së kaluarës së këtij vendi dhe të shikojmë rreth të ardhmes. E mendoj se këta të rinj që ne i sjellim nga vende të ndryshme të Europës e tregojnë të ardhmen”, tha ai.
Në fakt blloku në Shqipëri ka disa kuptime, është blloku ku jetonte nomenklatura, blloku ku jeton sot rina e patrazuar shqiptare, blloku i të pasurve, por edhe blloku i Ilir Metës, që u bë i famshëm në videon e tij me Priftin.







