Ambasadorët Arvizu, Sekui dhe Uollfarth kërkojnë vënien e Berishës dhe Bashës në bankën e të akuzuarve

0
44

Adriatik Doçi, Gazeta Sot

Personat përgjegjës për vrasjet e 21 Janarit, përkatësisht Sali Berisha dhe Lulzim Basha, ditët e fundit, janë nën një trysni të madhe nga ndërkombëtarët për t’u përballur me drejtësinë. Kryeministri Berisha dhe ish-ministri i Brendshëm, Lulzim Basha, si urdhëruesit kryesorë të veprimeve të Gardës së Republikës, mbajnë mbi vete përgjegjësinë e krimeve të 21 janarit. Ata e kanë pohuar vetë, se kanë drejtuar operacionin e 21 Janarit, i cili u mori jetën katër qytetarëve të pafajshëm.

Manovra mafioze për sabotuar hetimet dhe fshehja e provave të krimit, ishin dy elemente të tjera që implikojnë Bashën dhe Berishën në masakër. Në këtë kuadër, shtetet më të fuqishme të planetit po inkurajojnë drejtësinë që të verë në bangon e të akuzuarve fajtorët e vërtetë, duke treguar gishtin mbi këta dy persona.

Duket se durimi i ndërkombëtarëve u sos dhe tani fillon faza e ndëshkimeve, nëpërmjet procedurave ligjore.Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimi Evropian dhe OSBE kërkojnë dënimin e vrasësve të protestuesve në masakrën e 21 Janarit, si kusht për integrimin në BE dhe si provë për funksionimin e shtetit ligjor në Shqipëri. Një ditë pas deklaratave tronditëse të Uidhers, ku konfirmoi rënien e drejtësisë në Shqipëri, ka ardhur një tjetër mesazh i fortë nga përfaqësia diplomatike më e fuqishme në vendin tonë. Në kuadër të 1-vjetorit të 21 Janarit, ambasadori amerikan në Tiranë, Aleksandër Arvizu, ambasadori i OSBE, Eugen Uollfarth dhe ai i BE, Etore Sekui, kanë dalë më një deklaratë të përbashkët, ku i bëjnë thirrje pushtetit të mos pengojë Prokurorinë në zbardhjen e ngjarjes tragjike.

Reagimi vjen në një kohë kur Kryeministria ka fshirë pamjet e demonstratës nga serveri, për të sabotuar hetimet e organit të akuzës. Ambasadorët kujtojnë faktin se në atë ditë tragjike, katër protestues u vranë dhe dhjetëra të tjerë, përfshirë protestues, kalimtarë dhe oficerë policie, u lënduan. Për ambasadorët e huaj, është e nevojshme që të hidhet dritë e plotë mbi ngjarjet e 21 Janarit nëpërmjet një procedure gjyqësore të besueshme, përfshirë një hetim gjithëpërfshirës, të pavarur dhe të lirë nga ndikimet partiake. “21 Janari 2011 ishte një ditë e dhimbshme në historinë e afërt të Shqipërisë me demonstrata të dhunshme në kryeqytetin shqiptar. Në atë ditë tragjike, katër protestues u vranë dhe dhjetëra të tjerë, përfshirë protestues, kalimtarë dhe oficerë policie, u lënduan.

Sërish, duam të shprehim ngushëllimet tona për familjarët e viktimave të kësaj dhune të pakuptimtë dhe të pafalshme. Është e nevojshme që të hidhet dritë e plotë mbi ngjarjet e 21 janarit nëpërmjet një procedure gjyqësore të besueshme, përfshirë një hetim gjithëpërfshirës, të pavarur dhe të lirë nga ndikimet partiake. Me të drejtë, populli shqiptar pret që të jepet drejtësi. Në këtë kontekst, ne besojmë që Zyra e Prokurorisë së Përgjithshme të Shqipërisë është institucioni i duhur për ta kryer këtë hetim dhe ai institucion ka besimin dhe mbështetjen tonë të plotë”, thuhet në deklaratën e ambasadorëve.

Shteti ligjor

Përfaqësia e huaj diplomatike në Tiranë i kujton politikës shqiptare se funksionimi i shtetit ligjor është kusht i domosdoshëm për integrimin e vendit në Bashkimin Evropian. Ata kanë theksuar se ceremonia përkujtimore për 21 Janarin duhet të shërbejë për të gjithë qytetarët shqiptarë që të shohin drejt së ardhmes.

“Sigurimi i respektit për shtetin ligjor është një element thelbësor i shoqërive demokratike dhe një parakusht për përparimin drejt integrimit në BE. Kjo është gjithashtu pjesë e aspiratave të popullit shqiptar. 21 Janari 2012 duhet të jetë më tepër se një ditë përkujtimore. Duhet të jetë gjithashtu një rast për të gjithë qytetarët shqiptarë që të shohin drejt së ardhmes dhe për forcat politike që të forcojnë dialogun e tyre politik, bashkëpunimin mbi integrimin në BE dhe procesin e reformave”, shprehen ambasadorët.

Familjarët e viktimave

Në vigjilje të 1-vjetorit të ngjarjes së rendë të 21 Janarit, familjarët e katër viktimave iu drejtuan me një letër ambasadorit të SHBA në Tiranë, Aleksandër Arvizu. Duke shprehur mirënjohjen për SHBA në ndihmën e dhënë prokurorisë në zbardhjen e kësaj ngjarje, familjarët e katër viktimave të 21 Janarit ii lutën ambasadorit Arvizu për nxitjen dhe vijimin e mbështetjes së organit të akuzës për të shkuar drejt gjykimit të fajtorëve.

Familjarët e katër viktimave të 21 Janarit, theksojnë në letrën e tyre, se për të zbardhur vrasësit nuk ka nevojë për ndonjë hetim të stërholluar, pasi Garda e qeverisë ekzekutoi protestuesit e pafajshëm. “Filmimet e të gjitha mediave televizive të pranishme në bulevard me 21 Janar kanë treguar se armët e zjarrit nga Garda e Republikës u përdorën kur demonstrata po shpërndahej. Nuk ka patur dhe nuk ka nevojë për asnjë hetim të stërholluar për të provuar se me 21 Janar 2011 forcat e komanduara nga kryeministri Sali Berisha nuk shpëtuan asnjë jetë por morën jetë”, thuhet në letër.

Ambasadorja britanike: Hetim të paanshëm të 21 Janarit

Ambasadorja britanike në Tiranë ka kërkuar zbardhjen e masakrës së 21 Janarit. Gjatë një takimi me kryesocialistin Rama, Fiona McIlëham ka kërkuar hetimin e 21 Janarit. “Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama priti në takim ambasadoren e Britanisë së Madhe Fiona McIlëham. Në vijim të interesimit të ambasadores McIlëham, zoti Rama informoi për përpjekjet dhe sfidat me të cilat ndeshet Partia Socialiste për realizimin në kohë dhe me cilësi të reformës zgjedhore, parlamentare dhe të sistemit të drejtësisë në përgjithësi dhe falënderoi për vëmendjen dhe ndihmën konkrete të Britanisë së Madhe në këtë drejtim.

Bashkëbiseduesit ndanë të njëjtin mendim lidhur me rëndësinë e funksionimit të sistemit të drejtësisë në një shtet ligjor dhe domosdoshmërinë e hetimit të paanshëm të ngjarjes tragjike të 21 janarit të vitit të kaluar”, thuhet në njoftimin e PS. Rama përsëriti angazhimin e Partisë Socialiste për kryerjen e reformave të duhura për marrjen e statusit të vendit kandidat për në BE.

PS mbështet reagimin e ambasadorëve

Partia Socialiste ka përshëndetur dje reagimin e tre ambasadorëve, të cilët kërkuan zbardhjen e masakrës së 21 Janarit. Deputeti i PS, Erion Braçe theksoi se tani kërkesa për dorëzimin e vrasësve është më e fortë. “Tre ambasadorë, ai i BE-, i OSBE dhe i SHBA në deklaratën për 21 Janarin thanë: Mbështetje të fortë për një hetim të plotë. Mbështetje të fortë Prokurorisë së Republikës si autoriteti që duhet të kryejë këtë hetim të plotë. Jemi pranë dhe i shprehim dashurinë tonë familjeve të katër të vrarëve më 21 janar.

Faleminderit të tre ambasadorëve. Tani, kërkesa për ndëshkim të vrasësve është edhe më e fortë. Kërkesa dhe mbështetja e ambasadorëve erdhi menjëherë pas publikimit të një dëshmie të rëndë për njohjen dhe implikimin e vrasësit të Hekuran Dedës, prej kryeministrit Berisha dhe një oficeri të Gardës së Republikës. Kërkesa dhe mbështetja e ambasadorëve erdhi menjëherë pas heshtjes së autoriteteve zyrtare dhe opozitës rreth këtij fakti”, tha Braçe.

Braçe: Topi të thërrasë Ina Ramën për 21 Janarin

Partia Socialiste nuk heq dorë nga kërkesa për zbardhjen e 21 Janarit. Me afrimin e 1-vjetorit, e gjithë vëmendja e opozitës është fokusuar tek ajo ngjarje. “Në një shtet serioz, ligjor e të së drejtës, pas dëshmisë së vëllait të të vrarit në 21 Janar, Hekuran Dedës, mbi dijeninë e një oficeri të Gardës së Republikës për vrasësin, madje dijeninë e kryeministrit Berisha mbi vrasësin dhe, përpjekjen e tij për ta futur çështjen në një spirale gjaku: Presidenti i Republikës duhet të kishte thirrur kryeprokuroren, për t’i kërkuar përfshirjen në hetim të këtij fakti të rëndë.

Kryeministri duhet të kishte thirrur kryeprokuroren për t’i kërkuar hetimin dhe sqarimin deri në detaje të përfshirjes së tij në këtë çështje të rëndë. Opozita, mbi të gjitha opozita e vrarë, duhej t’i kishte kërkuar Presidentit të Republikës, Kryeministrit dhe Prokurorit të Republikës, hetimin urgjent të kësaj dëshmie shumë të rëndë”, theksoi Braçe.