Ambasadorët amerikanë, më të fuqishëm edhe se qeveritë

0
33

Në Shqipëri dhe në Kosovë, dy vende të palëkundura pro-amerikane, të dërguarit amerikanë kanë aq shumë ndikim mbi politikën lokale sa disa vëzhgues besojnë se ata kanë më shumë fuqi se qeveritë e zgjedhura

Nga Besar Likmeta, Diplomatic Courier, 15 Qershor 2012

Ish- presidenti amerikan, George W. Bush nuk ishte shumë popullor në vendin e tij kur vizitoi Shqipërinë në korrik të vitit 2007. Në fakt, kudo që udhëtoi në Europë në atë kohë, ai u përball me protesta, disa të dhunshme. Protestuesit e shoqëruan nga Çekia, në Gjermani e Itali. Konfrontimet dramatike në Romë paralizuan disa pjesë të qytetit.

Megjithatë, kur Air Force u ul në aeroportin Nënë Tereza në Tiranë, u përshëndet me 21 të shtëna dhe vendësit mbushën rrugët e siguruara rëndshëm duke hedhur parulla si ‘krenarë që jemi partnerë’.

Në qytetin e vogël të Fushë Krujës, ku Bush ndaloi shkurtimisht për të diskutuar një program mikrokredish të financuara nga amerikanët me një bukëpjekës, një berber, një rrobaqepës dhe një bari, ai u prit sikur të ishte një rock-star. Sot një statujë 2.85 metër e gjatë e presidentit të 43-të amerikan zbukuron sheshin kryesor të qytetit.

Në të njëjtën mënyrë, kur Bill Clinton vizitoi Kosovën një vit më vonë, u inaugurua një statujë e artë e tij, ndërkohë që mijëra njerëz sfiduan temperaturat e ulëta për të hedhur një sy.

Shumë njerëz në Prishtinë e shohin Clinton si hero për nisjen e fushatës së bombardimeve kundër forcave të Millosheviçit në vitin 1999, me të cilat iu dha fund pastrimit etnik të shqiptarëve dhe u hap rruga e pavarësisë së Kosovës.

Njësoj si presidentët amerikanë, ambasadorët e SHBA në rajon gëzojnë një influencë të pashembullt, ndryshe nga çdo diplomat tjetër. Shpesh trajtohen si të famshëm. Mediat i ndjekin kudo, gazetarët vihen në radhe për t’i pasur në emisionet e tyre, ndërkohë që deklaratat e tyre konspektohen fjalë për fjale.

Disa analistë besojnë se një përzierje mes standardeve të dobëta demokratike në rajon dhe mungesës së legjitimitetit nga elitat politika vendase ka krijuar një institucion të vetëm- edhe pse diplomatët nuk janë zgjedhur, duke bërë që ata të zotërojnë më shumë pushtet se qeveria.

Një anekdotë e famshme e viteve ’90 e thekson paradoksin: “Nëse nuk do ekzistonte një ambasador amerikan, do e kishim shpikur me patjetër një”.

Ndikimi i tyre në çështjet publike në rajon është aq i madh sa filozofi dhe kritiku slloven, Slavoj Zizek, dikur ka thënë se qytetarët e Ballkanit duhet të kenë të drejtën të votojnë për ambasadorin e tyre amerikan.

Entuziazmi pro- amerikan në Shqipëri daton që prej Luftës së Parë Botërore kur presidenti Woodrow Wilson ndaloi përpjekjet për ndarjen e Shqipërisë mes fqinjëve. Ironikisht, Shqipëria ishte një vend i krijuar nga ambasadorët ne emër të Konferencës së Londrës në vitin 1913, kur përfaqësuesit e gjashtë fuqive evropiane të asaj kohe ri-vizatuan kufijtë në rajon pas disfatës së Perandorisë Osmane pas luftërave ballkanike.

Rreth një shekull më vonë, diplomatët sërish luajnë një rol të rëndësishëm në jetën politike në vend, madje edhe kur nuk janë të prirur për tu bërë protagonistë.

Për shkak të entuziazmit pro- amerikan në Albanosferë- një term që përdoret gjithmonë e më shumë për t’iu referuar shqiptarëve etnikë në Ballkan- ambasadorët amerikanë kanë më shumë ndikim se kushdo nga kolegët e tyre.

“Janë aq të rëndësishëm sa ndonjëherë duket sikur politika vendase rrjedh sipas interpretimit të fjalëve të tyre,” tha Andi Kananaj, një avokat dhe aktivist. “Ata duket sikur janë emëruar nga ndonjë perandori për të diktuar qeveritë”.

Komentatori politik, Mustafa Nano, pranon këtë gjë duke thënë se ambasadori amerikan në Tiranë, Aleksandër Arvizu, ka madje më shumë fuqi se kryeministri i vendit. “Është shumë e qartë se ambasadori amerikan është institucioni më i fuqishëm në vend, edhe pse jo kushtetues,” thotë ai.

Për të ilustruar rolin që ambasadorët e huaj luajnë në Shqipëri, Nano madje përdor edhe termin ‘ambasadoro-kracia’, i cili vjen sipas tij prej revoltës si qytetar që ndjen se dëshira e tij për të qenë sovran është dhunuar.

“Fuqia e ambasadorëve më mërzit, siç mërzit gjithkënd në këtë vend, megjithatë pa ta do kisha mbaruar dhe do kisha marrë pyjet,” thotë ai, duke iu referuar rolit pozitiv që kanë ambasadorët për të mbrojtur liritë e njeriut dhe të medias.

“Vende si Shqipëria jo vetëm që e justifikojnë rolin e ambasadorëve, por edhe e inkurajojnë,” thotë ai.

*Marrë me shkurtime