Ambasador Arvizu, po tani çfarë do ta quani Berishën – burrë shteti apo burrë llazore?

0
30

Nga Eduard Zaloshnja, 12 tetor 2012

Ambasador Arvizu, siç keni deklaruar disa herë, bosi juaj suprem është Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, i cili ju ka emëruar në postin që mbani dhe që, po të dojë, mund t’ju shkarkojë nga ai post. Por tërthorazi, “bosët” tuaj janë edhe miliona amerikanët që votojnë për zgjedhjen e Presidentit dhe që paguajnë me taksat e tyre rrogën tuaj. Ndër këta miliona “bosë të tërthortë” amerikanë, kam qëlluar të jem edhe unë, sepse, me votën time, mund të “riemëroj ose shkarkoj” bosin tuaj suprem dhe, me taksat që i paguaj në një vit qeverisë federale amerikane, mbuloj ndoshta 1/5 e rrogës tuaj vjetore. Dhe nga ky pozicion, po ju shkruaj disa rreshta publikisht, në lidhje me qëndrimin tuaj ndaj kryeministrit të vendit ku ju përfaqësoni SHBA-në.

Fill pasi kishit shkelur për herë të parë në Shqipëri, një ngjarje tragjike ndodhi në Tiranë — në pjesën e bulevardit para kryeministrisë, gardistët shqiptarë vranë me armë zjarri 4 protestues që, siç e patë dhe ju në TV, po bënin sehir me duar në xhepa. Dhe udhëheqësit e opozitës bënë thirrje për një tubim të madh para kryeministrisë, për të protestuar për ato vrasje makabre. Por Kryeministri shqiptar u bëri thirrje përkrahësve të vet për një anti-tubim, i cili mund të kthehej në shkëndijë për një luftë civile.

Në këto kushte, ju, duke ditur sesi kishin shkuar punët në Shqipëri në vitin 1997, e këshilluat Kryeministrit shqiptar që ta anullonte anti-tubimin e tij dhe, pasi ai e dëgjoi këshillën tuaj, deklaruat se u soll si burrë shteti në atë rast. Në fakt, ju mund ta kishit kursyer atë epitet, i cili është përdorur për burra si Presidenti Uashington apo Presidenti Ruzvelt, por situata inkandeshente e atyre ditëve ndoshta e justifikonte një krehje bishti të një kryeministri që fliste përçart për stilolapsa-pistoletë dhe çadra-automatikë…

Fast-Forward: Tetor 2012. Pasi një grup të ish të burgosurish politikë ishte futur në grevë urie në Tiranë, për të kërkuar nga shteti shqiptar dëmshpërblimin e plotë për burgimin e tyre të padrejtë, Kryeministri i vendit deklaroi se nuk negocion me grevistë politikë. Dhe për të argumentuar se ata ishin grevistë politikë, ai tha se po e zhvillojnë grevën në studion e Kristaq Ramës, të atit të ndjerë të udhëheqësit të opozitës. Dhe këtë e tha pasi ju e patë vetë me sytë tuaj se greva po zhvillohej në qiell të hapur me dy çadra mbi kokën e grevistëve, pranë apartamentit të njërit prej tyre.

Kur njëri prej grevistëve, Gjergj Ndreca, u lye me benzinë në sy të kamerave televizive dhe u përpoq t’i vinte flakën vetes në shenjë proteste ndaj kryeneçësisë së Kryeministrit shqiptar, ky i fundit përgojoji publikisht përpjekjet që ky martir kishte bërë për të ndërtuar një jetë më të mirë pas daljes nga burgu komunist. Ndërkohë, përgojoji edhe Perekli Shqevin, ish të burgosurin që u duk se e ndihmoi Gjergjin të vetëdigjej.

Po Lirak Bejko, a ju kujtohet Ambasador Arvizu? Ishte ai ish i burgosuri politik që ju tregoi protezën e dhëmbëve në vizitën tuaj të dytë tek greva e urisë. Ia kishin thyer dhëmbët ish shokët komunistë të Kryeministrit shqiptar në burgjet e tyre të tmerrshme (Ju kujtoj se Kryeministri shqiptar ka qenë 22 vjet komunist, përpara se të bëhej antikomunist). Dhe pikërisht Liraku, Ambasador Arvizu, ishte njeriu që u lye me benzinë në sy të kamerave televizive dhe qartazi i vuri flakën vetes me çakmakun e tij.

Për Lirakun, Kryeministri shqiptar ende nuk ka bërë ndonjë përgojim publik, por mos u çudisni kur ai (ose ndonjë prej lejtnatëve të tij) ta përgojojë edhe këtë martir të dytë. Madje ai do të mundohet të përgojojë edhe të gjithë ata që u ngujuan në atë grevë, duke u përmendur zoti e di se çfarë nga jeta e tyre personale.

Por ata njerëz, Ambasador Arvizu, nuk janë ngujuar në grevë urie vetëm për të rregulluar problemet e tyre personale. Po të ishte kështu, të jeni i bindur se dikush do t’u kishte ofruar para nën dorë, që të dilnin nga greva pa bërë shumë zhurmë, dhe ata do të kishin dalë. Por, Ambasador Arvizu, ata kanë një kauzë – ata po protestojnë në formën më të skajshme, sepse Kryeminstri shqiptar është tallur për 22 vjet me 22 mijë familjet e ish të burgosurve politikë.

Vetëm 11 mijë prej tyre kanë marrë këstin e parë të dëmshpërblimit, që duhej të ishte kryer i plotë deri më sot. 11 mijë familje të tjera janë sorrollatur nëpër labirinthet burokratike dhe ende nuk e kanë marrë as këstin e parë të dëmshpërblimit. Vetëm 3 mijë familje, nga 22 mijë, kanë marrë apartamente të subvencionuara, por të vlerësuara qindra herë më tepër sesa çmimi që paguan qytetarët e tjerë shqiptarë, kur morën apartamente nga shteti në vitin 1993. Dhe shumica e letrave me vlerë që morën ish të burgosurit politikë në vitin 1994 janë kthyer tashmë në letra pa vlerë.

Por Kryeministri shqiptar nuk i përmend gjërat që NUK ka bërë për të shlyer sadopak fajin e ish shokëve të tij komunistë ndaj 22 mijë familjeve të ish të burgosurve politikë. Ai parapëlqen të përgojojë Gjergjin, Perekliun, Lirakun, etj. Dhe në atdheun tim të origjinës (Shqipëri), burrat që merren me përgojime quhen burra llazore, Ambasador Arvizu. Nuk jam i sigurtë se çfarë fjale do të ishte e barazvlefshme me këtë fjalë në atdheun tim të adoptuar (SHBA), por besoj se ju mund ta gjeni atë. Dhe ju kërkoj që, në rastin më të parë, ta përdorni për Kryeministrin shqiptar, pavarsisht zgjidhjes që mund t’i jepet grevës me ndërmjetësinë tuaj.

Dhe në qoftë se etiketa diplomatike nuk jua lejon këtë gjë, të paktën mos përdorni më atë fjalën “burrë shteti” për Kryeministrin shqiptar. Unë, si një “bos i tërthortë” i juaj, do të ndiehesha shumë i zhgënjyer nga ju në një rast të tillë, Ambasador Arvizu…