ALIBITË E BRENDISË SË TRADHTUAR

0
41

ALEKSANDËR ÇIPA, 14 Maj 2013

Aleksander CipaNga “Kaçi” te “Koçua” dhe tek “autobusi mavi”: Kaq ditë, deri në mbrëmjen e çeljes së fushatës zyrtare për zgjedhjet e 23 qershorit, Kryeministri Berisha po shpotit kundërshtarin zyrtar, kryetarin e socialistëve, zotin Rama.(!) Për gati 10 ditë është një histori polemistike, e cila vlen përkohësisht dhe mbetet fatpandryshuar.

Një mënyrë dinake për të evituar analizën e nevojshme të përfaqësimit të të dyja palëve në Parlamentin e ri të vendit. Por po kaq tinëzare është mënyra për të evituar analizimin e fenomeneve që po tjetërsojnë brendinë e përfaqësimit dhe sidomos skrupujt e munguar plotësisht të doktrinarizmit politik në skenën e vendit.

Kandidati për deputet i socialistëve, botuesi në detyrë Koço Kokëdhima, po e mban të hapur polemikën e iniciuar së pari prej zotit Berisha dhe njëherazi prej ish-kryesocialistit Fatos Nano, me kreun aktual të PS-së, zotin Rama. Nuk është kaq i thjeshtë qëllimi!

Indiciet që vijnë prej kësaj zgjedhjeje të zotit Rama janë të shumta dhe, më të shumta kanë për të qenë. Nuk ka lidhje me qenësinë e majtë apo të djathtë të Kokëdhimës. Në këtë pikë, çuditërisht edhe të majtët po e injorojnë faktin fondamental se kapitalisti Kokëdhima është nip i një heroine të pazakontë të Luftës së Dytë Botërore, e martirizuar me një simotër të saj gjirokastrite, (është fjala për Persefoni Kokëdhimën dhe Bule Naipin), të cilat u varën në rrapin e Sheshit të Çerçizit). Por ka kohë që brendia nuk është më çështje në politikëbërjen shqiptare. Sikundër procesi i zhbërjes së përkatësive është natyrë e ditës në politikën dhe zgjedhjet e fundit shqiptare. Problemi qëndron gjetkë.

Improvizimi i subjekteve të ditës, i polemikës dhe replikës ditore, eklipson një mungesë dhe një brendi të munguar. Mungesa lidhet me programet elektorale dhe sidomos me paketat e reja që duhej të kishin edhe pala e vjetër në qeverisje, edhe pala e re për qeverisje. Por ato nuk janë dhe për shkak të mosqenies, nuk duhet të ketë debat analitik dhe respektiv për to.

Kjo brendi e munguar, e streson gjithsesi Kryeministrin Berisha, më shumë se çdo akuzë që ka lidhje me ngjarjet tronditëse të qeverisjes së tij. Po, po, kjo e shqetëson fatkeqësisht, më shumë se historia pa ndëshkim e Gërdecit, më shumë se dosjet e shumta dhe të “fjetura”, (por jo të fshehura) të korrupsionit në këta tetë vjet.

Kjo brendi nuk po tradhton pretendimin apo aksionin e tij për të kërkuar dhe mbrojtur posedimin e mëtejshëm të qeverisjes në mandat të tretë. Kjo brendi e munguar po e streson në të ardhmen e afërt edhe më shumë, për shkak se nuk ka mbetur më asnjë mburojë apo çadër për dashurinë e rreme të kapitalizmit dhe sidomos të demokracisë. Koha e tanishme, dramatikisht po shumëfishon dëshminë e tjetërsimit dhe zhbërjes së skrupujve mbi të cilin bazohet sistemi i demokracisë dhe kapitalizmi.

Procesi socialisto-komunistizues i kapitalizmit dhe demokracisë shqiptare në këto kohë, është një ndër aspektet më alarmante. Fatkeqësisht është brendia dominuese në realitetin e sotëm sociopolitik të vendit. Kjo brendi tradhtuese vijon dhe po shpërfaqet dimensionalisht në të dy kahet e politikës së vendit. Nuk është kapitalisti Kokëdhima që e kërcënon PS-në me ikjen nga brendia e përfaqësimit dhe sidomos me “kapjen” e konstatuar nga ish-kryetari Nano. Nuk e ka këtë meritë kurrsesi një personazh, sado protagonist apo ndikim të ketë ai te kryetari aktual Rama. Ky tradhtim buron nga një sistem, apo më mirë nga vetë rrjeta e merimangës në të cilën ka rënë demokracia partiake dhe përfaqësimi në këtë vend.

Një kapje e tillë, por me subjekt tjetër, është edhe ajo që ka ngjarë si askund tjetër, e trafikimit të dy apo tre deputetëve djathtas, për llogari të një votë-bese në mandatin e saposhkuar. Rasti i zotit Islami është unik në llojin e vet. Nuk ka ndodhur metamorfoza, por kalimi “i blerë”, duke u marrë një karton “blu” nga një zemërkuq i së majtës për t’u pasur prej “bluve” në kohën e ardhme. Ik e besoi kësaj qëndrestarie, por po kaq edhe besoji bashkëjetesës që do t’i ofrojnë “djathtistët” të adaptuarit të fundit!!! (Dikur, në 10 vjetëshin e parë të politikës së këtij tranzicioni, rasti i ish-deputetit S.Rexhepi, ishte një bujë e përkohshme, por jeta e tij në politikë u fik pakthyeshmërisht).

Kjo histori kalimesh (Kaçi-Kadeli-Dogjani) do të vijojë të përdoret si kazus polemikash të mëtejshme në itineraret elektorale të këtij turi mes zotit Berisha dhe zotit Rama.

Por e gjitha kjo është një subjekt alibik për ikjen nga përkatësia, skrupujt dhe sidomos doktrinat respektive, mbi të cilat në çdo vend normal do të bazoheshin dhe do të krijonin diferencën dy partitë kryesore të vendit. Kësi ikjesh, sipas përvojës dhe realiteteve politike të ngjara në vendet të cilat janë “alteregoja” jonë si Italia apo Greqia, kanë sjellë pasoja për vetë autorët-udhëheqësit politikë dhe shumë pak për ikanakët-deputetë. Shtimi i subjekteve të tilla, degradojnë shumëçka prej politikës dhe njëherazi edhe më keq, besimin dhe sidomos përmbajtjen e përdorimit të votës.

Mirëpo ky aspekt nuk është fare në interesimin apo ndërgjegjen e kryesuesve tanë partiakë. Në këtë vend, një individ politik mund të jetë brenda tetë vjetësh edhe demokrat, edhe socialist, edhe republikan, edhe legalist etj., etj. Kjo lloj qëndrestarie duket si arkaizëm në ditët e realpolitikës allashqiptare.

Tashmë edhe Kryeministri Berisha, edhe kryesocialisti Rama duket se më të përkushtuar janë për qëllimin me “çdo kusht”! Itineraret e tyre në këtë fushatë vetëm këtë semantikë deklamojnë dhe shprehin. Të gjitha janë alibi të ndërgjegjes dhe brendisë së tradhtuar të të dy udhëheqësve. Dhe si e tillë rrjedhoja për palët që ata udhëheqin, jo nga njëra gjendje te tjetra, por nga një qëllim te tjetri, verifikueshëm ka për të qenë degradues për shtetin dhe sistemin politik në vend.