Alibi ‘kombëtare’ për prekjen e zgjedhjeve

0
72


Nga Mero Baze

Kryeministri Berisha ka nxituar të urojë kryeministrin në detyrë Hashim Thaçi për zgjedhjet e fundit në Kosovë, të cilat janë dukshëm të manipuluara dhe të kontestuara nga një spektër i gjerë politik atje. Nxitimi për të uruar homologun e tij, duke theksuar dhe “fitoren e merituar”, është një cinizëm i tepërt për një vend, i cili po përjeton dramën e zgjedhjeve të manipuluara, importuar si virus nga shteti amë. Shpikësi i këtij virusi është pikërisht njeriu që dje ka nxituar të urojë kryeministrin e Kosovës.

Por përtej kortezisë “shtetërore” të shkëmbimit të urimeve në rast zgjedhjesh, nxitimi i Berishës për të uruar lidhet me një situatë psikologjike de-inkurajimi për ata shqiptarë që ende besojnë se duhet protestuar për zgjedhje të lira nga të dy anët e kufirit.

Hashim Thaçi mund të ishte dhe fituesi i pranuar i këtyre zgjedhjeve, por kufiri i ngushtë që ndante shansin për të qenë parti e parë dhe etja e pamasë për pushtet, prodhuan një proces zgjedhor të manipuluar, i cili do t’i kushtojë gjatë Kosovës dhe ndoshta karrierës së tij politike. Në këto kushte, më shumë se Hashim Thaçi për ta uruar për një “Fitore të Pirros”, ka pasur nevojë Sali Berisha të uronte një “identikun” e tij përtej kufirit, si për ta kthyer në problem mbarëkombëtar, mbylljen e gojës për zgjedhjet e lira.

Sali Berisha kishte nevojë pikërisht për këto lloj zgjedhjesh në Kosovë, pikërisht për këtë lloj kontestimi, pikërisht për këtë delikatesë politike, që të shfaqej për të ndarë historinë dhe për të injoruar ata që luftojnë për zgjedhje të lira. Aq shumë e ka dëshiruar këtë situatë, sa për një moment tejkaloi çdo etikë politike dhe çdo respekt për partitë e tjera në Kosovë, që po ashtu e kanë respektuar Berishën.

Duke uruar Hashim Thaçin, pa përmendur asgjë për manipulimet, ai nuk brengoset pse fyen rëndë gjithë ata që janë prekur ky proces, por është i interesuar vetëm që i ngjashmi i tij në këtë rast të ndjehet i fortë, dhe të mos u hapë rrugë kërkesave për rishikim rezultati apo hapje kutish. Në përpjekje për të krijuar një klimë të banalizimit mbarëkombëtar të respektit ndaj votës, Sali Berisha ngjan i ringjallur nga ajo që ka ndodhur në Kosovë, pasi ajo e ka bërë tashmë me aleatë në krimin e tij elektoral.

Ndaj telefonata falenderuese e Berishës për Thaçin, më shumë se sa si mbështetje për të, është një ngazëllim për të ngjashmin e vet përtej kufirit, dhe prodhimin e një arsyeje tashmë “kombëtare” për të mbyllur gojën për votat e vjedhura.

Ajo që unë nuk kuptoj mirë në këtë histori, është qëndrimi i Hashim Thaçit. Atij më pak se kujtdo tjetër tani i duhet mbështetja e Berishës. I duhet më pak se kujtdo tjetër, jo aq për reputacionin e rënë të Berishës në Shqipëri, por dhe për faktin se ai po e mbështet atë për ta barazuar me veten. Ndoshta në koshiencën e Hashim Thaçit ka mbetur Sali Berisha si i pari i këtij vendi, por shqiptarët e njohin Berishën si të parin që ka prishur zgjedhjet në vendin e tij.

Ky është i vetmi vend “i parë” që Berisha ka në Shqipëri. Lavdërimet e tij në adresë të zgjedhjeve, pa prekur askund manipulimet serioze që konstatuan SHBA, BE si dhe vëzhguesit shqiptarë, tregon standardin e ulët demokratik që ekziston në mendësinë e kreut të Shqipërisë, për procesin zgjedhor. Hashim Thaçit i bën shumë herë më tepër punë një rekomandim perëndimor që e fton të korrigjojë procesin, se sa një lavdërim cinik nga Tirana që e fton atë të ndjekë shembullin e Shqipërisë për të mbuluar në të vërtetë “krimin elektoral” të Berishës në Tiranë.