Nga Auron Tare, 2 Shkurt 2013
Kujtdo që i ka rënë rruga për në Janinë është habitur me ruajtjen dhe respektin që janinasit i kane bërë Kalasë së Aliut. Për Greqinë dhe grekët, veziri i famshëm i Tepelenës nuk është hero. Përkundrazi e kanë nëmur jo pak në folklorin dhe gojëdhënat e tyre. E kanë përçmuar madhështinë e tij, e kanë sulmuar famën e tij, e kanë baltosur jetën e tij, por çuditërisht grekët ia kanë ruajtur trashëgiminë. Kalaja e sotme e Janinës është dhe mbetet vepër madhështore e fuqisë së tepelenasit që fama i kishte mbërritur në sallonet e aristokracisë europiane.
Mirëpo grekët janë komb i qytetëruar, kanë edhe kryeministra që në mos e duan, të paktën e respektojnë trashëgiminë kulturore. Grekët janë edhe komb praktik. E dinë mire se pasuri të rralla si Kalaja e Ali Pashës në Janine sjell turizëm dhe për këtë arsye Kalaja e Janinës është stolisur si mos më mirë, e restauruar, e pastruar, rrugë të pastra me shtëpiza të ruajtura me shumë kujdes. Në hyrje të Portës së Madhe të Vezirit akoma edhe sot qëndron stema e madhe e Aliut dhe askush nuk ka tentuar jo më ta grabisë, por as ta prekë me dorë.
Jo më larg se një ore me makinë është një tjetër kryevepër e Ali Pashës, Kalaja e Tepelenës, e cila është shëmbëlltyra më e mirë e injorancës shqiptare, e harresës së trashëgimisë kombëtare, e barbarisë dhe indiferencës shtetërore. Ministra e burra të rëndë nga ky qytet kanë ardhur e kanë ikur nga qeveritë shqiptare në këto 20 vjet dhe askush nuk vuri një gur mbi muret e rrënuara, nuk hoqi një dore plehrash nga udhët e Kalasë. E braktisur pafundësisht, e dhunuar barbarisht vetëm ashtu siç dinë të dhunojnë shqiptarët, Kalaja e Tepelenës pret qetësisht për t’u rrënuar përgjithmonë, duke ju rënë në kokë të gjithë atyre që kanë pasur në dorë të bëjnë diçka dhe nuk e kanë bërë.
E si për ta tallur përfundimisht, emrin e Aliut të Madh, Vezirit me Dy Tuje, heroit të veprave të iluministëve francezë, punëdhënësit të dikurshëm të Lleshit të Zi, Kryeministri i Lavdishëm Sali Berisha hodhi shashkën tymuese për sjelljen e kokës së Aliut në Tepelenë.
Por pa u shuar akoma jehona e piskajës së kryeministrit për sjelljen e kokës së Aliut, shkova për të parë se çfarë po bënte Ministria e tij e Kulturës me Kalanë e Vezirit.
Pamjen që më doli para syve nuk ka fotograf që mund ta japë realisht, megjithëse u mundova të kapja të paktën shtrimin e hyrjes së Portës kryesore të Kalasë. Pasi kishin gërmuar me ekskavator hyrjen e Portës së Vezirit, e kishin shtruar me çimento dhe gur me gunga sikur të ishte parking fshati. Firma që përdor taksat e shqiptarëve, të dhëna nga MKTRS, pasi kishte shqepur kalldrëmet origjinale, që çuditërisht i kishin rezistuar kohës, i kishin hedhur çimento të trashë dhe me një shpejtësi që vetëm firmat që vjedhin mund ta bëjnë e kishin mbyllur “restaurimin” alla MKTRS të këtij monumenti të rëndësishëm të trashëgimisë sonë.
Ky restaurim i trashëgimisë së Vezirit është prova më e mirë se sa seriozisht e ka nacionalizmin Berisha ynë, i cili si gjithmonë para turmave përbetohet për çështjen shqiptare. Përpos që tallet me shqiptarë, duke shpërfytyruar deri edhe Flamurin Kombëtar, tashmë me lekët e qeverisë prish edhe ato pak gjëra që i kane mbetur kësaj trashëgimie.
Prandaj unë them se Aliu i Tepelenës duhet t’u përkasë grekëve, të cilët edhe pse nuk e duan, prapëseprapë ia ruajnë kujtimin në mënyrë më të mirë duke u krenuar se Aliut dikur të shqiptarëve madhështia i ka mbetur vetëm në Greqi, ndërsa shqiptarëve turpi.