“Nobel”, nderimi më i lartë në shkencë, letërsi, paqe dhe ekonomi
Në 10 dhjetor të këtij viti çmimi “Nobel” feston 109-vjetorin e lindjes. Certifikata, medalja e artë dhe çeku me vlerë rreth 1 milion euro do të përcillen nga duart e mbretërve të Suedisë dhe të Norvegjisë tek ata që – sipas përcaktimit të testamentit të hartuesit të këtij çmimi – me zbulimet dhe punën e tyre i kanë sjellë njerëzimit dobinë më të madhe. Më shumë se 320 laureatë të fushave të shkencës, letërsisë, ekonomisë dhe paqes kanë provuar deri më tani shijen e mrekullueshme të nderimit me çmimin më prestigjioz të botës.
Po cili ishte njeriu që i dha emrin, nderin dhe pasurinë këtij çmimi?
“Një gjysmak i mjerë të cilin duart miqësore të mjekut do të kishin bërë më mirë ta kishin mbytur kur me ulërimat e para ai paralajmëroi ardhjen në këtë botë. Meritat më të mëdha: thonjtë e gishtave gjithnjë të pastër dhe fakti që kurrë nuk i ra në qafë njeriu. Gabimet më të mëdha: mungesa e familjes, humori dhe stomaku i keq. Pretendimi i vetëm dhe më i madhi: të mos varroset i gjallë. Mëkati më i madh: Gjunjëzimi ndaj parasë. Gjërat që i kanë dhënë kuptim jetës: asnjë”.
Kështu e perifrazon vetveten Alfred Bernhard Nobel. “Gjysmaku i mjerë” ka lindur më 21 tetor të vitit 1833 si djali i tretë i një arkitekti dhe inxhinieri ndërtimi në Stokholm. Fëmijërinë ai e kalon më së shumti në varfëri pas falimentimit të babait dhe largimit të tij në St. Petersburg në vitin 1938. E ëma, Andriette, qëndroi me tetë fëmijët e familjes në Stokholm dhe krahas punës në një dyqan të vogël qumështi e perimesh, të vegjlit e saj shisnin shkrepëse në rrugë për të siguruar jetesën. Në vitin 1842, familja transferohet në St. Petersburg pas suksesit që i ati kishte arritur me hapjen e një ofiçine mekanike ku ishin punësuar më shumë se rreth 1000 veta.
Duket se kishte ardhur koha që gjenet e familjes pasardhëse të Olof Rubek – shkencëtarit më të njohur suedez të shekullit të 17 në fushën e teknikës – të “viheshin në punë” për të shprehur edhe një herë gjenialitetin e tyre. Kështu, i ati i Nobelit pasurinë e vënë e përdori për t’u dhënë fëmijëve shkollimin më të mirë me mësues privatë ndër më të njohurit në: matematikë, fizikë, kimi, letërsi, histori, filozofi, rusisht, frëngjisht, anglisht dhe gjermanisht.
Në moshën 17-vjeçare Alfred Nobel ndërmerr një udhëtim 2-vjeçar studimor në Gjermani, Francë, Itali dhe SHBA. Gjatë qëndrimit në Paris, Nobeli për herë të parë “kontaktoi” një substancë të lëngshme që do të ndryshonte më vonë jetën e tij dhe të shumë njerëzve të tjerë: nitroglicerinën – lëndën e lartë eksplozive të zbuluar nga kërkuesi italian, Asciano Sobrero.
Pas kthimit në St. Petersburg, ai nisi punë në firmën e të atit së bashku me të vëllezërit, por shumë shpejt u detyrua ta ndërpriste atë pas falimentimit si rrjedhojë e luftës së Krimesë. Prindërit rikthehen në Suedi, ndërsa vëllezërit u munduan të shpëtonin ç’kishte mbetur nga firma. Viti 1860 shënon edhe fillimin e karrierës së Nobelit me patentimin e lëndëve shpërthyese, gjë që do të arrinte kulmin me zbulimin e tij më të madh në vitin 1867: atë të dinamitit.
Nobeli zotëronte më shumë se 90 fabrika prodhimi lëndësh shpërthyese në 5 kontinente; firma dhe laboratorë në më shumë se 20 shtete; 350 patentime mbanin emrin e tij. E megjithatë, zbuluesi i madh gjente kohë për të shkruar drama dhe poezi, si dhe mendonte seriozisht t’i dedikohej letërsisë si shkrimtar. Vëllezërit e mbetur në Rusi investuan shuma të mëdha në industrinë e naftës dhe mbi të gjitha në Baku dhe Azerbajxhan. Ata ndërtuan të parat linja të rezervës dhe të shpërndarjes së naftës në botë.
Lindja e vështirë e çmimit “Nobel”?
Në vitin 1890, Nobeli – njeriu i konsideruar si më i pasuri i Europës së atëhershme – u vendos në San Remo. Këtu ai përpiloi dhe nënshkroi në vitin 1895 testamentin e famshëm të çmimeve “Nobel”. Në 10 dhjetor të vitit 1896 Alfred Nobeli u largua nga kjo botë me shpresën se ideja e hedhur në testament do të merrte jetë duke nderuar në çdo përvjetor të vdekjes së tij njerëz të shquar të fushave të ndryshme. Dhe këtë “lindje të vështirë” mundi ta realizonte vetëm asistenti dhe njeriu i ngarkuar me rregullimin e çështjeve trashëgimore të pasurisë së Nobelit: Ragnar Sohlman.
Sot – kur ky çmim konsiderohet si më prestigjiozi në botë – mund të duket e çuditshme që ekzistenca e tij të vihej në pikëpyetje vetëm sepse Nobeli nuk u këshillua me ndonjë jurist në hartimin e testamentit duke lënë shumë çështje të hapura. Në testament ishte përcaktuar se për shkak të mungesës së fëmijëve, pasuria e lënë prej Nobelit do t’i kalonte një fondacioni që do të nderonte çdo vit ata që i kanë sjellë botës dobinë më të madhe me zbulimet e tyre. Interesat që rridhnin nga pasuria e depozituar në banka do të ndaheshin në 5 pjesë të barabarta: për ata që kishin bërë zbulimin më të madh në fushën e fizikës, kimisë, mjekësisë dhe për atë që kishte dhënë më shumë në fushën e letërsisë. Së fundi, për atë që ka ndikuar më shumë për vëllazërimin e popujve dhe të sigurimit të paqes. Vetëm më të mirët duhet të nderoheshin, qofshin ata suedezë apo jo.
E me gjithë këtë përcaktim nga pikëpamja juridike ekzistonin shumë probleme për t´u zgjidhur si p.sh: legjislacioni i kujt shteti do të merrej parasysh duke qenë se Nobel kishte punuar e jetuar në vende të ndryshme, po nuk rezultonte askund i regjistruar? Si do të ishin raportet e fondacionit në raport me institutet (“Karolinska Institut” (Mjekësi), Akademia e Shkencave Suedeze (Kimi dhe Fizikë), Akademia Suedeze (Letërsi) dhe Parlamenti Norvegjez (Paqe)) që do të zgjidhnin laureatët? Kush do t’i emërtonte dhe si do të ishin juritë?
Dhe së fundi, familja e Nobelit mbeti thellësisht e zhgënjyer nga testamenti. Njeriu i rritur mes varfërisë (por që u pasurua si askush në Europë), i mbetur pa fëmijë, gjithnjë i sëmurë dhe mizantrop ia la gjithçka që kishte fituar fondacionit të tij: familja dhe të afërmit nuk mund të gëzonin dot asgjë. Natyrisht që ankesat, grindjet dhe zhgënjimi do të dëgjoheshin gjatë …
Por me vullnetin dhe këmbënguljen e hekurt, Sohlman arriti të kapërcente të gjitha pengesat juridike dhe të siguronte gjithçka duhej. Në vitin 1901 nisi udhën historia aq e nderuar e çmimit “Nobel”.
Post Nobel
Në faqen zyrtare të çmimeve “Nobel” ekziston edhe një çmim i veçantë në fushën e ekonomisë “Çmimi për shkencat ekonomike në kujtim të Alfred Nobel”. Në fakt, donatori i tij është banka suedeze “Sveriges Bank” dhe ky është i vetmi çmim bashkangjitur Nobelëve klasikë, që prej vitit 1969.
“Alternativa” të Nobelit
Çmimi “Nobel” nuk ekziston për shkencën e matematikës. Për Alfred Nobelin, matematika ishte një shkencë teorike. Por edhe matematikanët dhe fusha të tjera nderojnë me çmime të ndryshme gjenialitetin e dijetarëve të tyre si p.sh çmimi “Fields Medaillle” në matematikë, apo “Balzan” në sociologji dhe shkenca politike. Një ditë para dhënies së çmimit “Nobel” organizohet dhënia e çmimeve “Right Livelihood Awar” për njerëzit dhe organizatat që u dedikohen “Problemeve të vërteta të kohës”.