Aleksandër Moisiu në mes të studentëve shqiptare

0
65

Ky shkrim i referohet të përkohëshmes mujore së studentëve shqiptarë në Vjenë; „ALBANIA“

Nga Pjetër Logoreci

Duke u nisur nga të dhënat historike shumëvjecare, kurdoherë, diaspora shqiptare nëpër botë ka luajtur një rol të rëndësishëm për fatet e vëndit. Shqiptarët të organizuar në shoqëri të ndryshme kulturore, studentore, sportive apo krahinore, janë munduar të thonë fjalën e tyre pranë autoriteteve të vendeve respektive ku kanë studiuar, si dhe në forumet e aktivitetet ndërkombëtare, për të bërë prezent problemet e mprehta që kishte Shqipëria e robëruar. Një rol të madh gjatë viteve të pamvarësisë e të luftës së parë botërore, ka luajtur edhe bashkësia e shqiptarëve në Austri / Vjenë. Ishte politika e perandorisë Austro-Hungareze që nëpërmes shkollimit në Vjenë, të krijohej një grup intelektualesh të profesioneve të ndryshme, të cilët do të ndihmonin për vendosjen e bazave të kulturës kombëtare të orientuar nga perëndimi.

Konsullatat austriake në Shqipëri kanë luajtur një rol të vecantë në këtë politikë arsimore duke përzgjedhur elementet e duhur nga familjet e elitës shqiptare për ti shkolluar ndër universitetet e Austrisë. Në fillimin e vitit 1920 u krijuan kushtet që studentet shqiptarë të Vjenës, për të përfaqësuar sa më mirë problemet e te drejtat e tyre, të organizoheshin në një shoqëri që u pagëzua me emrin „ALBANIA“. Grupi i studentëve dhe i aktivistëve shqiptarë që vinin nga të gjitha trevat e Shqipërisë (rreth 70 studentë), krahas Shoqatës së tyre ALBANIA, themeluan dhe organin e saj – të fjalës së shkruar, revisten e përmuajshme „DIALERIA“.

Dialeria – organi i Shoqërisë së Studentëve Shqiptarë në Vjenë – ALBANIA

Nëpërmes shkrimeve të tyre, u shquan për aktivitet patriotik dhe intelektual veprimtarët: Dr. Nush Bushati (Jurist), Dr. Gjergj Pekmezi (përfaqësues i Konsullatës shqiptare në Vjenë), Dr. Djevat Korca (Philosof), Dr. Fuad Asllani (Jurist), Dr. Raku Buda (Farmacist), Ing. Gjovalin Gjiadri, Dr. Filip Papajani, Ndoc Bushati (vellau i Nushit) student në ekonomik, Rexhep Peza, Dr Kolë Rrota, Ethem Haxhiademi, Gjon Temali (Agronom), Kov Deliana, Kolë Logoreci (Ekonomist). Po ashtu shumë aktiv me shkrime profesionale për revisten ishin studentët : Ymer Saraci, Jani Basho, Rrok Gera, Ruzhdi Luniku, Philosofi Halit Narazani, Lasgush Poradeci, Dr. Kadri Kerciku, Dr. Jorgo Jorgoni, Dr. Fejzë Miraku, Aleks Buda, Gjergj Tashko, Luan Burrethyesi, Hajro Xhunga, Karl Ljarja, Ruzhdi Luniku, Izet Bebeziqi, Ali Harshova, Fuad Toptani, Filip Fishta, Gaqo Gogo, Kristo Maloki, Qemal Butka, Filip Llupi, Gjon Logoreci, Hilmi Doko…

Shoqata ishte shumë aktive në lëmin shoqëror; ndihmë studentëve të rinj për integrim, sportiv; organizoheshin ndeshje futbollit, ngjitje në male e piknik-e, e kulturor; mbrëmje letraro artistike. Në kaudrin e aktiviteteve kulturore, u mendua nga kryesia e shoqatës, që të organizohej në Vjenë një takim me aktorin e madh me origjinë shqiptare Aleksandër Moisiu. Moisiu i cili në atë kohë jetonte në Berlin, udhëtonte shpesh drejtë Vjenës, në turne artistik apo për të takuar familjen e tij. Kështu që, me mbështetjen e Gjergj Pekmezit që ishte përfaqesuesi konsullor i Shqipërisë në Vjenë, si dhe me ndihmen e posacme të Rexhep Mitrovicës, u bë e mundur që të organizohej ky takim “per Tee” në një kafe të Vjenës (Kafe Greilinger) në mes të studentëve shqiptarë dhe aktorit Aleksandër Moisiu. Takimi u vendos të bëhej me datën 29 qeshor 1920.

Në të përmuajshmen DIALERIA të korrikut 1920, në numrin 4 të saj shkruhej:
“Këndonjësit e dashur të Dialëries mund të kuptojnë lehtë edhe mund të ndiejn edhe vet gëzimin që kan studentet shqiptarë të Vienës duke pasur në mes të tyre bashkë atdhetarin e madh, Aleksandër Moissiun. Përshtypia që lë fialimi me te nuk është gjë që përshkruhet, ajo vetëm ndiehet. Mendimet e tij të qarta e bëjn cdo problem të jetës të lehtë, jeta merr me pikpamiet e tija “një shije tjetër”, njeriu ndahet prej tij krejt i nderuar, më i nalt, më fisnik.

Mbasi Moissiu lon në Vienë vetëm një kohë të shkurtë, disa javë në mot, studentët shqiptarë nuk kishin mundur të njihen më të te gjithë e të shmallen si duhet… Në këtë ditë, u ftua aktori i madh prej studentëve shqiptarë të Vienës për një darkë. Ftimit i u përgjegj me këto fjalë: Po, me gjithë zemër, me shumë gëzim, por për darkë s´ka nevojë; mjaftojnë ca gota verë, vetëm që të jemi bashkë.

Në mbrëmjen e 29 qeshorit, i gjithë grupi i studentëve shqiptar, shkuan të shikonin Moisiun në teatrin e ri të Vjenës. Për të përshëndetur suksesin e padiskutueshëm të bashkëatdhetarit, studentët kishin pregaditur një buqetë të madhe me trandofila të lidhur me një fjongo që mbante ngjyrat e flamurit kombëtarë shqiptar, ku ishte e fiksuar një kartë me mbishkrimin: Birit të Shqipnies të ndëgjuar, artistit të madh, Aleksandër Moissiut, si shenjë adhurimi e mirënjohje.

Pas shfaqjes, Moisiu së bashku me studentet shqiptarë, të shoqëruar nga sytë kurioz të qytetarëve, u ulen në lokal të festojnë e të bisedojnë së bashku. I pakufi ishte gëzimi i të rinjëve shqiptar të cilët filluan të flisnin njëri pas tjetrit duke i thurur nder e lavde aktorit i cili disa herë ju desh ti ndërpriste. I prekur i përgjigjet Moisiu fjalëve të ngrohta të bashkëatdhetarve: “Miq të dashur. Ju falem nderit shumë për nderimet që po me rrefeni. Jam ndodhur në shumë gostira, në shumë mbledhje, kam ndier gëzime, po gëzimi që ndiej këtë natë është një tjetër gëzim. Ju lutem të më besoni, asnjëherë deri më sot s´jam gëzuar kaq shumë sa këtë natë. Vazhdojeni punën tuaj, miq të dashur, ju jeni shpresa e Shqipërisë. Simboli juaj le të jetë puna. Duke ju falenderuar edhe një herë për dashurinë tuaj ndaj meje, ju ftoj ta ngreni këtë gotë për shëndetin e djalërisë shqiptare. Rroftë djalëria shqiptare”

Takimi i shoqërisë ALBANIA me artistin e madh Aleksandër Moisi në Vjenë 1920

Në këtë foto janë: nga e mjata në të djathtë, poshtë: Xhelal Preveza, Moisi Moisi, Loro Koja, Jani Koci, Aleksandër Moisi, Gjergj Pekmezi, Rexhep Mitrovica, Dr. Omer
Në këmbë: 2. W. Sugar, 4. C. Rakacolli, 5. Karl Ljarja….7. Konstantin Moisi…

Edhe pse bileta e hyrjes në teatër kushtonte 1000 Kronen, studentet shqiptarë shkonin shpesh të shihnin shfaqjet e Aleksandrit e më pas përpiqeshin ta takonin. Moisiu, i cili pas shfaqjes shtrihej në garderobë për të mbledhur forcat e fundit, kur dëgjonte që ishin bashkëatdhetarë që e prisnin, i ftonte mbrenda në kabinë. Ai bisedonte gjatë e kërkonte të dinte prej tyre cdo gjë pastaj mundohej ti jepte këshilla që mund ti vlenin më pas.

Një prej studentëve shqiptar të asaj kohe, i cili ka qënë prezent në një nga kto takime, kujtonte shpesh me kënaqësi e krenari Aleksandrin: ….pervec se aktor i madh, ai ishte shumë i ndjeshëm ndaj problemeve sociale. Gjatë takimit me të na pyeste për problemet tona, gjendjen ekonomike, e gjithmonë i prekur nga dashuria jonë për artin (teatrin) thoshte: ….një biletë hyrje në teater kushton shumë… 1000 Krone …dhe një…porcion ushqimor me mish 200 Krone…, përpiqem gjithmonë që cmimet të jenë të pranueshme për masen e madhe të njërzve….për punëtoret, studentët, …që të sjell në teater shtresen e mesme ….

Madhështia e personaliteti i Moisiut i bente studentët tonë që të ndiheshin mirë e të vlerësuar në mes të tjerve. Kjo bën që figura e aktorit të madh, krahas aftësive të tij skenike të shihet dhe në diminsionin njërzor e kombëtar që e mban të pazgjidhur me prejardhjen e tij shqiptare.

Vjenë, 10 mars 2013