Aleksandër Meksi: Duhet të rrëzojmë ata që na mbajnë larg Europës

0
47

Nga Ervin Toti, Alsat M

Z. Meksi, të hënën u mor një vendim i rëndësishëm nga Këshilli i Ministrave të Brendshëm të Bashkimit Europian, vendim që mund të cilësohet edhe si një shembje e dytë e murit të Berlinit për shqiptarët. Këtë bisedë desha ta nis duke u kthyer pas në histori. Cili është impresioni juaj personal për ngjarjet e vitit ‘90, sa i përket orientimit të qytetarëve drejt ambasadave?

Ka qenë gjithnjë ëndërr e shqiptarëve të asaj kohe që të arratiseshin nga Shqipëria, por nuk ka qenë në fakt një punë e lehtë. Po të shihen shifrat, ka të vrarë në kufi, ka të arrestuar të shumtë për këtë çështje, madje edhe të arrestuar vetëm se shpreheshin se duhet ikur, po bërë asnjë tentativë ikjeje. Në vitin ‘90, pas rënies së murit të Berlinit, unifikimit të Gjermanisë dhe pas vrasjes së Çausheskut, sigurisht që pati në Shqipëri ndryshime, por që për mendimin tim ishin fiktive, në kuptimin që, të rrimë ne që jemi në krye, por të themi sikur bëmë ato që do Perëndimi. Mbahet mend shprehja e famshme që “ja hodhëm Perez de Kuelarit” kur ai erdhi për vizitë këtu. Dhe në maj-qershor, me një sërë dekretesh, u lejua lëvizja e qytetarëve jashtë, por në fakt lëvizën vetëm ata të cilët iu jepesh pasaporta dhe pasaportë me sa di unë merrnin familjarët e sigurimit apo bashkëpunëtorë të sigurimit.

Mbahet mend mirë që në qershor të atij viti njerëz, madje edhe të moshuar, që shkuan në degën e brendshme të Tiranës për të marrë pasaportë dhe u rrahën. Që nga ai çast shqiptarët e kuptuan që qeveria komuniste nuk donte që njerëzit të dilnin jashtë dhe kjo ishte e qartë. Nga mesi i qershorit filloi një proces i hyrjes me forcë nëpër ambasada. Me çarjen e murit të ambasadës italiane, nga Fisnik Kaceli dhe Burhan Kalaja, i cili ndërroi jetë vetëm pak kohë më parë dhe askush nuk u kujtua për të, cikël që u mbyll me hyrjen në ambasadën gjermane, nga Ylli Bodinaku vetë i 30-të me “Skodë” dhe ku më pas u bënë deri në 3200 veta. Unë i mbaj mend ato se banoja në Laprakë dhe kaloja në rrugën e ambasadave, e cila deri ditën e premte ishte rrugë e lejueshme kalimi dhe mund të shihje se ç’bëhej.

Pra, ishte një periudhë që i tregoi qeverisë së atëhershme se shqiptarët nuk dëshirojnë të jetojnë nën një regjim komunist, dhe preferonin të rrezikonin. Imagjinoni që ata që çanë muret e ambasadave mund të vriteshin, siç u vra një djalë në ambasadën gjermane, pra ata rrezikuan me kokë dëshirën për të qenë të lirë. Ata sakrifikuan për të ikur nga Shqipëria, që qeverisej fatkeqësisht po nga shqiptarët. Largimi i tyre sigurisht që ndryshoi mjaft gjëra. U pa më se qartë, që në Shqipëri, ditët e regjimit ishin të numëruara. Me krijimin e Partisë Demokratike, filloi një valë e re ikjesh nga Shqipëria. Unë këtu kujtoj një episod. Ktheheshim nga mitingu i Sarandës, ku nga dhuna e bandave komuniste dhe e sigurimit na mbrojtën djemtë nga Tirana, të cilët rrethuan pjesën ku ishim ne në tribunë, dhe nuk lejuan që të vinin të tjetër për të prishur mitingun.

Në kthim, ka qenë 16 janar data, dhe isha unë, Arben Imami, Ridvan Peshkëpia, Rexhep Karapici, dhe Shpëtimi, shoferi i Partisë Demokratike, pamë rrugës, si kur shkuam, por sidomos kur u kthyem, turma të pafundme njerëzish që ecnin shpateve të kodrave dhe rrugëve, kalonin poshtë urave që të mos i shihte policia, dhe shkonin drejt Greqisë, në dimër, në të ftohtë. Pra, njerëzit bënë një sforcim të jashtëzakonshëm vetëm të iknin nga komunizmi. Të ishin të lirë. Sot, pas këtyre 20 vjetësh peripecish, shqiptarët do ta kenë këtë mundësi, do të udhëtojnë të lirë në Evropë.

Sa ndikuan këto lëvizje, z. Meksi, hyrjet në ambasada, në proceset demokratizuese të vendit?

Sigurisht ato dhanë shembullin, që në qoftë se njerëzit kundërshtojnë, në qoftë se njerëzit grumbullohen, në qoftë se njerëzit bashkohen, mund ta kundërshtojnë regjimin komunist dhe çdo regjim tjetër autoritar dhe jo- demokratik, por që në atë kohë ishte në fakt një tigër prej letre. Nuk mund të mbijetonte më, pasi ra edhe Bashkimi Sovjetik, e jo më Shqipëria komuniste, e cila tentoi me çdo mënyrë të krijonte një pseudo-pluralizëm me pseudo- parti apo shoqata, por që i doli nga dora me krijimin e Partisë Demokratike në 12 dhjetor. Filloi më pas një proces i tërë i demokratizimit të vendit, i hapjes me Evropën, por që hapja reale të themi, në kuptimin e lëvizjes së lirë, mund të ndodhë vetëm pas këtij vendimi për heqjen e vizave, vendim që nuk ka pse t’i trembë evropianët dhe qeveritarët shqiptarë.

Shqipëria është aq e vogël, sa çfarëdo që të ndodhi, është vetëm një pikë uji në oqeanin 400 milionësh të Evropës. Kjo gjë, pra liberalizimi i vizave, është një fitore për shqiptarët, nuk i dedikohet politikës, siç mundohen të thonë, madje është turp që tentojnë ta thonë një gjë të tillë. Politika mund ta kishte arritur përpara këtë, nëse nuk do të merrej me punë të tjera, nëse do t’i kishte kryer detyrimet e saj, sepse, çfarë duhej për të vajtur në Evropë dihej që më përpara. Duhej filluar më herët. Kemi 10 vjet rresht që dëgjojmë pasaportat biometrike, kufiri, etj etj, dhe sot e kësaj dite ka ende vërejtje nga jashtë. Kjo është një fitore e shqiptarëve dhe një favor që Evropa i bëri pikërisht atyre dhe jo qeverive shqiptare të këtyre 10 apo 15 viteve të fundit, siç mundohet ta interpretojnë.

Duke u rikthyer edhe një herë në vitet ‘90 z.Meksi, a mendoni se i është dhënë merita e duhur atyre njerëzve që kontribuuan?

Unë di që Lëvizja për Zhvillim Kombëtar, apo edhe të tjerë, kanë propozuar që këto emra që përmendëm në fillim të dekoroheshin pikërisht për kontributin e tyre, për aktin sublim që bënë. Nuk di deri më sot të jetë bërë një gjë e tillë. Meqenëse ishte edhe 20 vjetori i tyre, kështu që nuk kam ndonjë koment tjetër rreth kësaj çështjeje. Fakti është që nuk është bërë gjë. Ata njerëz rrezikuan dhe përshpejtuan proceset demokratizuese si pluralizmi apo edhe rrëzimin e komunizmit. Megjithatë, fakti që ne nuk do të marrim statusin e vendit kandidat, do të thotë që ka diçka që nuk shkon në Shqipëri, dhe një tranzicion kaq i përzgjatur, nuk mund të na gjykojë për mirë. Ne jemi ashtu siç na mësonin në shkollë p.sh., që në temperaturën zero nuk është as akull, as ujë, por ka edhe akull edhe ujë.

Kjo do të thotë që në këtë tranzicion ne nuk jemi as demokraci e as komunizëm, por ka edhe komunizëm edhe demokraci, dhe kuptohet që bartës të komunizmit janë ish- komunistët, është mentaliteti komunist i atyre që drejtojnë, i kryetarëve të përjetshëm të partive, dhe atyre që i shkojnë mbrapa duke brohoritur me portrete në dorë, si në mesjetë. Kemi edhe ne qytetarët shqiptarë për të bërë akoma, e para për të mos ju bindur komunizmit, e dyta për të mos ju bindur etatizmit, e treta, për të kundërshtuar dhe për të tentuar edhe për t’i rrëzuar, ata të cilët duan të na mbajnë në kushtet e moshyrjes në Evropë.

20 vjet pas rrëzimit të komunizmit dhe demokratizimit të Shqipërisë, erdhi edhe vendimi për lëvizjen e lirë të qytetarëve shqiptarë. A është e largët dita që ne të quhemi qytetarë të Evropës, këtu kam parasysh anëtarësimin në Bashkimin Europian?

Unë në fakt, që para 5 apo 6 vjetësh, kur na flisnin se në 2014 apo 2019 do të hyjmë në Evropë, kam shkruar që unë nuk besoj, dhe do jem ndër ata që do mundohen të shkojnë në këmbë në Evropë, meqenëse nuk jam aq i ri sa të pres që të na bëjnë qeveritë pjesë të saj. Edhe këta shqiptarë që do ikin, të moshuarit p.sh. që kanë fëmijët jashtë, e mendojnë këtë gjë, dhe do shkojnë në Evropë, për të hyrë në Evropë, dhe për të mos pritur që t’i fusin qeveritarët tanë. Sigurisht që do kohë dhe punë që kjo gjë të bëhet realitet. Kjo varët nga të gjithë ne, jo vetëm nga qeveritarët. Varet edhe nga ata që u shkojnë mbrapa, që i mbështesin, që u brohorasin, që zihen, me njëri tjetrin. Megjithatë, unë do përfitoja nga ky rast, për t’u uruar të gjithëve atyre që do lëvizin, një rrugë të mbarë dhe sigurisht të respektojnë ligjet.

Z.Meksi, përmendët pak më përpara që politika 20 vjeçare ka ndikuar në tejzgjatjen e tranzicionit në vendin tonë, dhe rrjedhimisht edhe vendimi për lëvizjen e lirë u mor në vitin 2010. Gjithsesi ne pranojmë që Shqipëria dhe shqiptarët kanë pjesën e tyre të fajit. Po roli i Evropës si ka qenë në fakt gjatë gjithë këtyre viteve?

Tani, kur bëhet një ndeshje futbolli dhe lojtarë zihen me grushte apo shahen, dënohen futbollistët, publiku madje dhe deri edhe fusha, por, nuk ka koment që të mos thotë që pati faj edhe arbitri në shumicën e rasteve, sepse arbitri lejoi një lojë të rëndë, nuk dha kartonë etj, etj., dhe ata dënohen nga federatat. Në këtë rol është Evropa. Rrallë herë e kemi dëgjuar të na thonë që nuk jeni në rregull, rrallë herë thonë se çfarë është në rregull, që është edhe më e keqja. Na flasin për zgjedhje, por nuk na thonë si duhen bërë zgjedhjet dhe si bëjnë ata. Na thonë vetëm që zgjedhjet janë të shkëlqyeshme deri ditën e zgjedhjeve, të nesërmen fillojnë e thonë që u shkel kjo e kjo. Pra për mua, kanë edhe ata një pjesë, nuk po themi të përgjegjësisë, por të kontributit, sepse venë e vijnë pa fund.

Pra, ata duhet t’i thonë gjërat qartë. Ndonjëherë duhet të japin edhe kartonë të kuq. Me sa di unë vetëm një, e shumta dy herë mund të ketë dalë kartoni i kuq, por edhe nga këta, njëri iku nga ndeshja dhe tani pret që të futet sërish, tjetri nuk doli dhe vazhdon të jetë. Kështu që ma thotë mendja që do të duhet të mbajnë një qëndrim tjetër me ne. Së paku t’i thonë popullit seç është e rregullta, të thonë që vjedhja e votës nuk lejohet dhe ndëshkohet, se tek ata lejohet dhe është e detyruar të rinumërohet vota. Ata duhet të jenë më të drejtpërdrejtë, jo me fjalë të rrumbullakosura. Sepse të lindin edhe dyshime pastaj se përse nuk thonë të vërtetën. Sido që të jetë, pavarësisht nga kjo, shqiptarët kanë pjesën e tyre këtu, ashtu siç kanë edhe pjesën e tyre në liberalizimin e vizave, në kuptimin që ecën përpara, me vështirësi, me ngatërresa, jo me ritmin që duhej, por ecën shqiptarët me punën e tyre, me mundin e tyre, dhe e bënë vetën që të mund të pranohen në Evropë, së paku pa viza.