“Aleks Nika u vra me armët e gardës”

0
87

Sokol Çobo, 28.05.2011

Policisë Shkencore: Plumbi 9 mm është qitur nga një ‘MP-5’, por nuk ka asnjë shenjë

“Plumbi që goditi për vdekje Aleks Nikën më 21 janar të këtij viti është qitur nga një armë e Gardës së Republikës”. Konkluzioni ka ardhur nga Policia Shkencore, e cila ka kryer një ekspertim tekniko-krahasues dhe ka rezultuar se kalibri i predhës është 9 mm dhe arma është një “MP-5”. Megjithatë, rezultatet kanë qenë të “pritshme”. Plumbit nuk i është gjetur arma që e ka qitur, si dhe gardisti që e ka pasur në zotërim. Duket se edhe një nga provat më të “forta” të prokurorisë ka dështuar dhe si rrjedhim i vetmi “përgjegjës” për 21 janarin vazhdon të mbetet Agim Llupo. Burime nga grupi hetimor thanë se “plumbi që goditi Nikën nuk ka vlera identifikuese për tytën e armës”.

Ekspertiza

Prokuroria thotë se nga ekspertimet tekniko-krahasuese ka rezultuar se predha që është sjellë nga shteti turk para disa javësh është e kalibrit 9 mm. “Predha është e njëjta me armët e gardës. Ajo është e kalibrit 9 mm dhe dyshohet se është qitur nga arma e llojit ‘MP-5’, armë e cila përdoret gjerësisht nga efektivët e Gardës së Republikës”, thanë burimet nga Prokuroria e Tiranës, e cila saktëson se predha e gjetur në trupin e viktimës ka qenë e dëmtuar. Akuza thotë se nga hetimet për vrasjen e Nikës ka rezultuar se ai është qëlluar me armë zjarri nga një distancë e largët.

Dëmtimi

Prokuroria thotë se dëmtimi i predhës mund të ketë ndodhur në dy mënyra. Konkluzioni i parë është se, për shkak të largësisë nga është qitur, predha është dëmtuar në kafkën e viktimës. Ekspertët pohojnë se ka shumë mundësi që plumbi të jetë deformuar gjatë depërtimit në kockë. Për pasojë, maja e predhës është shtypur, pasi nuk ka pasur një shpejtësi për të depërtuar tej për tej. Konkluzioni i dytë është ende më i dyshimtë dhe përcakton se predha mund të jetë përplasur në ndonjë mur apo send para goditjes fatale. Ekspertët pohojnë se predha është e dëmtuar në majë dhe ngrihet dyshimi se ajo mund të jetë përplasur në ndonjë mur apo te gardhi metalik i ndonjë institucioni pranë vendit të ngjarjes dhe më pas të ketë devijuar në kokën e viktimës.

Hetimet

Hetimi i ngjarjeve të 21 janarit ka qenë i kushtëzuar nga rezultatet e vonuara të Policisë Shkencore, e cila, krahas konkluzionit për Aleks Nikën, po këqyr edhe pistoletat e gardistëve, ku mund të zbardhet edhe vrasja e Faik Myrtos.

Ndërkohë, Prokuroria e Tiranës ka vijuar hetimet për ngjarjet e 21 janarit, ku janë kryer një sërë analizash dhe është diskutuar mënyra e kryerjes së eksperimentit hetimor në oborrin e Kryeministrisë, e cila është një nga provat kryesore të akuzës. Krahas pyetjes së familjarëve të viktimave dhe të të plagosurve, grupi hetimor ka rënë dakord që kësaj here eksperimenti të kryhet me matje, ndërsa do të vendoset nëse këndet e qitjes do të bëhen me lazer apo me mjete të tjera. Gjithsesi, akuza thotë se hetimet janë në fazën e mbledhjes së informacioneve dhe shumë shpejt do të vendosë edhe për fatin e drejtuesve të Gardës së Republikës, të cilët janë ende persona nën hetim.