Aleancat politike dhe aleancat taktike kundër regjimit

0
34

Nga Mero Baze, 27 Korrik 2012

Udhëheqësi politik i Partisë Fryma e Re Demokratike, Bamir Topi, i dha një fizionomi të qartë opozitare partisë së krijuar nën ndikimin e tij, pas deklaratës së qartë në Top Story se ai dhe partia e tij do të angazhohen për rotacion politik në Shqipëri. Kjo deklaratë e qartë pa ekuivoke e rreshton FRD në kampin opozitar, në aleancë me gjithë partitë dhe gjithë faktorët opozitarë në Shqipëri, që kërkojnë ndryshimin e pushtetit. Ky zhvillim i rëndësishëm politik i jep dhe një hapësirë të re veprimi partisë së tij, pasi përveç orientimit politik, duhet të llogarisë dhe taktikat për maksimalizimin e votave.

Kodi i ri elektoral i Shqipërisë imponon dy rreshtime të mëdha taktike, rreshtimin pro pushtetit dhe rreshtimin kundër tij. Në të dy blloqet nuk ka dhe nuk mund të ketë më homogjenitet politik. Aleancat politike vlejnë për të dominuar programin apo ndonjë identitet tjetër të parëndësishëm për shoqërinë, kurse aleanca taktike është dominuese në këto kushte. Berisha në aleancën e regjimit të tij ka brenda që nga Hysni Milloshi i Partisë Komuniste, si i fundmi fraksion enverist në vend, deri tek Ekrem Spahia i mbretit, që është fraksioni i fundit politik që mbron mbretërinë e rrëzuar nga Hoxha.

Pra, vetë Berisha nuk ka asnjë kompleks politik për koalicionin. Ai është parti e dytë në Shqipëri me tendencë rënie edhe më të madhe dhe gjithë shpresat e tij janë tek mbledhja e votave nga një tren i gjatë me vagonë me lloj- lloj ngjyrash. Ai ka brenda enveristë, sigurimsa, ballistë, legalistë LSI-istë, pra gjithkënd që i siguron atij mandatin e kryeministrit.

Nga ana tjetër po ky njeri nuk pranon brenda partisë së tij dhe brenda koalicionit vetëm Bamir Topin. Arsyeja është e qartë. Bamir Topi nuk është komunist si enveristët e Milloshit, as sigurims apo hajdut si njerëzit e LSI, që t’i prishë Berishës imazhin. Berisha e mban larg Bamir Topin se ai i prodhon hijen e zëvendësit në pushtet, i krijon atij një pol të ri pushteti brenda koalicionit si një figurë më kredibël se ai për kryeministër.

Mes portretit të lodhur të Berishës dhe fytyrës së rënduar nga stimuluesit energjikë, mes marrëzive të përditshme të tij në ekrane dhe imazhit skandaloz të familjes së tij në pushtet, portreti i Bamir Topit do të joshte shumë demokratë të mendoheshin para se të njihnin Berishën si kandidat për kryeministër. Është kjo arsyeja që ai merr çdokënd, çdo parti apo individ në koalicion, përveç individit dhe partisë së Bamir Topit. Lufta ndaj Topit nuk është ideologjike, por qartazi një luftë për ta mbajtur larg pushtetit të PD.

Për këtë arsye, përcaktimi i Topit si faktor opozitar është një zhvillim i rëndësishëm që kapërcen ngërçin formal të krijuar nga deklaratat e Oketës se ai nuk do të votonte kundër qeverisë së Berishës deri më 2013.

Kjo deklaratë e rreshton Bamir Topin në frontin opozitar bashkë me partitë aleatë të Partisë Socialiste dhe Aleancës KuqeZi, e cila e ka deklaruar se prioriteti kryesor është rrëzimi i regjimit. Kjo e lehtëson shumë tashmë numërimin e faktorëve opozitarë dhe qartësinë e votuesve nëse do të votonin për rotacion apo mbajtje të Berishës në pushtet.

Bamir Topi, Kreshnik Spahiu dhe faktorë të tjerë opozitarë janë tani pjesë e opozitës shqiptare dhe kushdo që voton për ta, voton për ikjen e regjimit të Berishës. Në këto kushte deklarata e Edi Ramës se është i hapur për çdo bashkëpunim taktik me ta, është logjike dhe në kohën e duhur. Bamir Topi ka të drejtë t’u kërkojë votat shqiptarëve si ish president dhe figurë solide e së djathtës, Spahiu po ashtu ka të drejtë t’ua kërkojë atë në emër të rritjes së frymës kombëtare në vend dhe krenarisë kombëtare.

Nëse ne do të kishim një sistem të drejtë elektoral, ata do të merrnin votat reale që shqiptarët do tu jepnin atyre. Në kushtet kur sistemi është deformuar nga dy partitë e mëdha, është detyrë e Partisë Socialiste si bashkëpërgjegjëse në këtë deformim që tu krijojë këtyre faktorëve opozitarë të rëndësishëm hapësirë taktike për një aleancë të gjerë kundër regjimit. Ky sistem imponon vetëm një votë, vetëm një ide dhe vetëm një plan: Pro ose kundër Sali Berishës. Se zgjidhet teknikisht kjo çështje, është e një rëndësie më të vogël.

Politikisht duket se po zgjidhet duke u bashkuar të gjithë për nevojën e rrëzimit. Opozita nuk duhet të bjerë në spiralen e kompleksimit që Berisha tenton t’i bëjë bashkëpunimit mes faktorëve opozitarë si të majtë apo të djathtë. Ai është njeriu që ka zbritur nga varka e djemve të Enver Hoxhës dhe me mbeturinat e enveristëve po mbahet në pushtet. E vetmja pikë që bashkon gjithë faktorët opozitarë është rrëzimi i tij. Kjo është hipoteka themelore që mban në këmbë opozitën. Ndarja e pjesëve është çështje taktike dhe vullneti. Berisha nuk ia del dot gjithë jetën duke përçarë e sunduar.