TemA Online, 14 Gusht 2012
Aleanca KuqeZi ka reaguar pas deklaratave të ministrit të Jashtëm, Edmond Panariti, që tha se janë duke u rinegociuar kufijtë detarë me Greqinë. AK ka paralajmëruar protesta masive, duke theksuar se vendimi i Gjykatës Kushtetuese për këtë çështje është i pakundërshtueshëm.
“AK i rikujton ministrit Panariti që vendimi i Gjykatës Kushtetuese është i shenjtë për mbrojtjen e integritetit territorial të Republikës së Shqipërisë dhe ligjërisht është i paankimueshëm dhe ndryshueshëm mbi bazat e interesit të Athinës zyrtare. Çdo rinegocim i marrëveshjes detare me Greqinë është akti tradhtie mbi interesat e kombit shqiptarë dhe Republikës së Shqipërisë”, thuhet në një deklaratë të Aleancës.
“Bëri mirë ministri i Jashtëm që na informoi pas muajsh heshtjeje që grupet e punës po punojnë për riformulimin e marrëveshjes, e cila mesa duket deri në shtator kur Panariti do të takojë Avramopullos do të jetë gati, e hartuar dhe përpiluar sipas interesave të Athinës zyrtare. Dënojmë me forcë çdo mundësi për plotësimin e tekave dhe haraçit të Athinës kokëfortë e cila është mësuar t’i vërë kushte fqinjëve të saj duke marrë peng projekte evropiane dhe rajonale”, vijon më tej deklarata, e cila i rikujton ministrit të Jashtëm, Panariti që të mos “tentojë, as më mbështetjen e Sali Berishës dhe Antonio Samaras që të prekë dhe ndryshojë kufijtë e Republikës së Shqipërisë pasi do të përballen me protesta masive të cilat ne epiqendër të tyre do të kenë ndëshkimin e tradhtarëve të kombit shqiptarë”.
“AK thekson se vendimi i Gjykatës Kushtetuese është më shumë se i qartë kur cilëson antikushtetuese marrëveshjen e kufijve detare me Greqinë dhe nuk le hapësira për të punuar mbi të. Në këtë kontekst AK shprehet se asnjë projekt gazsjellësi apo naftësjellësi nuk mund të këmbehet me kufijtë e territorit të Republikës së Shqipërisë”, përfundon deklarata e Aleancës KuqeZi.







