Aleanca antinjerëzore PD-LSI

0
73

Pajtim Bello, 05.04.2011

Aleanca qeverisëse zgjodhi një emërtim të ri për këtë fushatë. Ky emërtim tingëllon bukur, mjaft bukur; por për ata veshë që mund të jenë jashtë Shqipërisë, e pse jo jashtë Europës. E vërteta flet se slogani elektoral është shumë larg realitetit, se vija e sjelljes së qeverisë me qytetarin është me vite dritë larg me përmbajtjen e sloganit elektoral. Ku qytetari e ku Qeveria.

Për ta shprehur në gjuhë popullore do të thoshim ku i djeg qytetarit dhe ku e kruan Qeveria, për të mos thënë se nuk e kruan fare!… Pas gjashtë vitesh qeverisjeje, për të pasur ndërgjegjen e qetë, për këtë slogan të zgjedhur, do të duhej të paktën të ishte përkundruall qytetarit në një distancë aq sa me dylbi ta shikonte atë.

Në këtë rast, hipokrizia e sloganit edhe mund të pranohej. Në një realitet si ky i yni slogani sa hipokrit, është tallës, është ogurkeq, shpresëvrasës dhe i papranueshëm. Nuk duhet shumë për të provuar çfarë shkruajta, por gjithsesi e drejta kërkon prova dhe unë në këtë shkrim do të sjell pak prej tyre.

1. Premtimi i kësaj mazhorance, kur donte të vinte në pushtet në vitin 2005, ishte ulja e nivelit të varfërisë, ulja e papunësisë, frenimi i rritjes së çmimeve. E nisa këtu, se nëse do të quhesh “Aleanca për njeriun”, këto janë çështjet themelore që mund dhe duhet t’ia zgjidhësh atij. Kështu jo vetëm që je afër Tij, por i jep besim, i ruan dhe i lartëson personalitetin dhe mund të ballafaqohesh me Atë pa qenë nevoja të zgjedhësh slogane hipokrite. Kur ndodh e kundërta, lind nevoja e këtyre sloganeve dhe këtë e bëjnë agjitpropët, ata që si shushunja përvetësojnë pa u ngopur mundin, djersën dhe pasurinë e qytetarëve. Por dinakëria e këtyre agjitpropëve shkërmoqet para realitetit shumë të dhimbshëm, që provojnë e jetojnë qytetarët.

Qeveria Berisha premtoi se do ta ulte çmimin e energjisë elektrike, sepse do të mënjanonte korrupsionin në importin e saj, por ndodhi e kundërta. Çmimi i importit për vitet 2006-2008 u rrit me dy deri në tre herë krahasuar me vitin 2003-2005, konkretisht me shifra nga 30-45 Euro për MWH gjatë viteve 2003-2005 në 70-92 Euro për MWH gjatë viteve 2006-2008 dhe Qeveria e “luftoi” korrupsionin duke bërë kërdinë, duke shpenzuar nga xhepat e qytetarëve 270 milionë euro më shumë se Qeveria paraardhëse për të njëjtën sasi energjie elektrike të importuar!..

Kjo shifër marramendëse në euro e shpërdoruar, së bashku me një keqmenaxhim të shoqërive energjetike çoi në rritje të çmimit mesatar të shitjes me pakicë të energjisë elektrike nga rreth 4.5 lekë në vitet 2003-2005 në 7.2 deri 9.4 lekë në vitet 2006-2010. E qartë, ato euro që ia daroviti orkestrës së importit të energjisë elektrike, ia zhvati xhepit të qytetarëve. Pra, në vend që të ulte çmimin e energjisë elektrike e rriti atë për rreth dy herë më shumë!…

E stërhollova analizën e shifrave, për të nxjerrë në pah sa i madh e sa i rëndë është mashtrimi që Qeveria iu ka bërë qytetarëve dhe nuk e di nëse kjo i shkon për shtat një Aleance për Qytetarin!… Më tej, dua të kujtoj se si kërcyen së larti çmimet e energjisë elektrike pas privatizimit të OSSH sh.a., çmimet e karburanteve pas privatizimit të ARMO sh.a. Po qëndroj këtu, sepse janë pikërisht politikat qeverisëse në këta dy sektorë strategjikë, që sollën rritjen drastike të çmimeve të shitjes me shumicë në këto dy mallra jetikë për qytetarët.

Janë disa vendime të Qeverisë Berisha dhe ligje të Parlamentit Berisha-Topalli që imponuan ritme galopante në rritjen e çmimeve. Nuk besoj se ka mendje njeriu, qoftë edhe në gjumë, që të besojë se në këto vendime dhe për pasojat e tyre Qeveria ka qenë në Aleancë me njeriun qytetar. Në këtë veprimtari aspak humane, shoqëruar me shkelje të ligjeve e të procedurave, Qeveria ka pasur aleatë monopolistët, hajdutët dhe të korruptuarit.

Qytetarët kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë larg optikës qeverisëse, ata janë të braktisur dhe do të vazhdojnë të paguajnë çmime të larta nga viti në vit, përfshi vitin që jemi në fushatë, e më tej për vitin 2012 e në vazhdim ku rritja do të vijë me kërcim të ndjeshëm.

2. Nëse Qeveria pretendon se tani e tutje do të jetë pranë qytetarit dhe për qytetarin, le të shpjegojë ku ka qenë deri dje dhe përse do të ndryshojë në të ardhmen? Them deri dje, sepse janë një numër i shumtë ngjarjesh që dëshmojnë se kjo Qeveri nuk ka dashur të dijë për qytetarin. Do të trajtoj një rast, kur Qeveria e ka pasur shumë të lehtë dhe detyrim ligjor që të ishte pranë qytetarit, por që nuk e bëri.

Në qytetet e mëdha ku pushtetin vendor e ushtron e ushtron Partia Socialiste si Tirana, Durrësi, Fieri, Elbasani, Vlora, Korça, Gjirokastra etj., Partia Demokratike dhe Lëvizja “Socialiste” për Integrim nëpërmjet këshilltarëve lokalë të tyre tre vjet rresht (2009-2010-2011) kanë bllokuar miratimin e buxheteve të bashkive. Nuk beson kush se këtë e kanë bërë nga dashuria për qytetarin, sepse lekët e buxheteve të bllokuar kanë qenë të destinuara të përdoreshin në interes të qytetarëve.

Ato lekë kanë qenë shërbime, rrugë, rroga për punonjës të kategorive të ndryshme që mbeten të bllokuara nga kjo mazhorancë që do të quhet Aleanca për qytetarin. Ky veprim i shëmtuar nuk është i rastësishëm, as lajthitje këshilltarësh, por një skenar i mirë përgatitur nga Sali Berisha dhe Ilir Meta. Të dy këta snajperë të politikës synuan bllokimin e veprimtarive të bashkimeve dhe përmes kësaj të nxisnin pakënaqësitë ndaj kryetarëve të bashkive socialiste.

Turp i pa shoq, krim i shëmtuar dhe i pa parë në asnjë kastë politikanësh! E them turp se bllokimi i buxheteve është shoqëruar edhe me veprime tejet jo humane, veprime që nuk janë kryer edhe në kohën e tribuve. Kryeministri dhe ministrat e tij kanë arritur deri aty sa të bllokojnë shpronësimin e tokave për varrezat në këto bashki. Qytetarët e Tiranës e dinë se varrezat në Sharrë janë bllokuar dhe kështu po ndodh edhe në qytete të tjera. Shikoni sa larg shkon poshtërimi i qytetarëve nga një aleancë që do të quhet “Aleanca për Qytetarin”!…

Vështirë se në rruzullin tokësor mund të gjesh një copë tokë, ku qeveria të sillet kështu me qytetarët e vet. Ky veprim i ka hije një kaste kanibalësh. Vetëm këto kasta, vetëm kjo lloj race e njerëzimit mund të dhunojë njeriun edhe pasi të ketë vdekur. Por, këta kanibalë janë të sinqertë se janë deklaruar si të tillë dhe nuk kanë shpallur ndonjë “Aleancë për Qytetarin”.

Në të kundërt qeveritarët tanë shtiren si shtetarë, shesin parime humanizmi nëpër televizione, derdhin lot krokodili për fatin e qytetarëve dhe arrijnë deri këtu sa të shpallin “Aleancën për Qytetarin”. Por, a mund të jetë një aleancë e tillë me këtë soj njerëzish të verbuar për pushtet?!… Kurrën e kurrës! Kjo lloj aleance është një fasadë me shkëlqim të rremë e një kështjelle kumaria, ku luhet bixhoz me fatin e qytetarëve.

Qytetarët kanë provuar varfërinë, papunësinë, përbuzjen dhe poshtërimin dhe janë ende në këmbë. Por qytetarët nuk mund të durojnë diabolizmin e qeverisë, e cila kërkon të shtiret se paska qenë dhe do të jetë pranë tyre. Ata do t’i japin përgjigjen e duhur në 8 maj dhe do ta bëjnë këtë për t’u treguar qeveritarëve se qytetarët nuk pranojnë poshtërimin.